Istref Haxhillari: Paralele që priten
| Thursday, 11.12.2009, 06:01 PM |  

(“Angelus Novus”, një libër ndryshe)

    Një jetë e çuditshme, e pangjashme me të tjera ose tepër e rrallë, me kapërcime të pazakonta është ajo e shkrimtarit të talentuar Bashkim Shehu. Biri i përkëdhelur i kryeministrit më të fuqishëm dhe më jetëgjatë në historinë moderne të Shqipërisë, që eksploroi botën e qytetëruar kur të tjerët nuk guxonin të mendonin për të, kaloi më pas për afro dhjetë vjet në kalvarin e burgut më famëkeq të vendit, atë të Burrelit. Pas eliminimit fizik dhe politik të Mehmet Shehut, hero i luftës antifashiste të Spanjës, komandant legjendar në luftën e dytë botërore dhe pastaj ofiqari komunist më i fuqishëm pas Enver Hoxhës, Bashkimi dhe familja e tij vuajtën peshën e rëndë të përndjekjes.
Mbi persekutimin e diktaturës komuniste kanë shkruar autorë të mirëfilltë, po më së shumti qytetarë të thjeshtë, që shprehin mllefin e grumbulluar, zbulojnë pamje të llahtarshme të burgjeve, akuzojnë perskutorët, kërkojnë të drejtat e tyre. Në dallim nga të gjithë këta, autori i romanit “ Angelus Novus ” nuk akuzon direkt askënd, nuk merr përsipër të qahet e të kërkojë revansh apo rivendosjen e të drejtave të humbura në dhjetë vite burgim politik. Në morinë e bashkëvuajtësve ai zgjedh Mark Shpendin, një verior nga Nikaj - Mërturi i largët e i humbur në Ninderlandin e Shqipërisë, njeri me mendje të pazakontë, ndonse me shkollim minimal, lënë përgjysmë në Tiranë për motive politike. Bisedat e burgut, djalogët Shehu - Shpendi janë traktate të mirëfillta filozofike, mënyra të holla trajtese për jetën dhe vdekjen, për marrdhëniet njerëzore dhe sistemet politike, dashurinë dhe mendimin.
    Autori ve përballë Mark Shpendit, një filozof çifut të përmasave botërore dhe heq paralele të habitshme me konceptet e tij për të njëjtat panele që interesohet Marku. Valter Benjamini, i ndjekur nga nazistët në hullinë e luftës botërore vret veten në Port Bou, fshat në fund të Spanjës dhe fillim të Francës. Në roman kryqëzohen dy këndvështrime të kundërta gjeografike, nga memoriali i Valter Benjaminit në Port Bou të Spanjës, prej ku pak me vështirësi duket deti dhe Burrelit, më sakt burgut të Burrelit tepër larg detit. Në hapësirën midis dy pikave të përlargëta ngjarjet rrokin historinë e tërë Europës dhe më përtej saj. Fokusohet viti 1987 në mjediset e burgut, por meditimet shkojnë deri në motin e largët 1920 dhe përkëtej në vitet e para të shekullit XXI, ku autori udhëton nëpër botë me peshën e rëndë të kujtimeve që ngacmojnë shpirtin e ndjeshëm të krijuesit elegant, tejet të ndjeshëm në letrat e sotme shqipe.
Loja me kohën është një imazh i universit, i pa plotë ashtu si e koncepton Bashkim Shehu. Ai, ndryshe nga të gjithë, beson se nuk ka një kohë të vetme absolute por një seri e pafundme kohësh paralele apo konvergjente, që priten dhe alterrnohen por çuditërisht shpërfillen nga njerëzit. Kjo shumësi kohësh zapton të gjitha mundësitë.
    Marku ka lindur pas vdekjes së Benjaminit dhe është në moshë po aq vite sa tjetri është larguar në gjumin e pacak. Valter Benjamini qe filozof i kompletuar dhe shkrimtar apo diku pezull midis të dyve, shkroi traktate dhe zhvilloi idetë e tij në libra të plotë, prej të cilave njerëzimi përfitoi, ndërsa Marku nuk ka shkruar asnjë libër, nuk ka shkollim të plotë, nuk e njeh Benjaminin as teoritë e tij filozofike e letrare. Megjithë këto kundërshti të skajshme, autori ka qëmtuar një paralele interesante që e përshkon librin nga fillimi deri në fund. Një fat i përbashkët, si konstante e hidhur njerëzore bashkon dy jetë skajërisht të largta në të gjitha përshfaqjet e tjera.
Arti apo mendimi i lirë dhe doktrina janë të ndryshëm; pavarsisht nga doktrinat, arti  dhe mendimi kanë shkëlqyer, ky është paradoksi i tyre pa të cilin nuk ka progres. Doktrinat kanë mbrojtur vetveten nga heretikët, kanë përdorur dhunë të përgjakshme dhe dhunë të pagjakshme ( shpirtërore ), që përzihen fatalisht në burgun e Burrelit famëkeq. Doktrinat e ngurta stërgjata kanë tentuar të zaptojnë shtigjet e mendimit, pikërisht duke predikuar lirinë. Pranëvendosje e përçudnuar e kundërshtive të papajtueshme.Valter Benjamini kishte arritur në deduksione të tilla në mënyrë shkencore, përmes analizave të holla me argumente të shumta, qëmtuar nga të tjerë filozofë dhe autorë të mëdhenj, që e kishin shtyrë historinë e njerëzimit drejt progresit.
Mark Shpendi arrin në të njëjtin përfundim në mënyrë empirike, falë mendjes së pazakontë dhe kujtesës që regjistron e etur çdo bisedë me autorin, të dy bashkëvuajtës në Burrelin e hidhur gjatë shëtitjes dyorëshe nëpër mjediset e ngushta të burgut. Mark Shpendi i Bashkim Shehut të kujton Funesin, njeriun e kujtesës të Borgesit, për të cilin e tashmja dhe e kaluara më e parëndësishme kishin fituar një shumllojshmëri dhe qartësi të papërballueshme. Përceptimi dhe ndijimi i Markut ishin të pagabueshme, ai mundej të rindërtonte të gjitha ëndrrat dhe midisëndrrat për shtojzovallet e vendit të tij, një mrekulli e eposit shqiptar në shekujt e shkuar. Një mendim apo shprehje të herëshme e riprodhonte besnikërisht shumë kohë më vonë. Ajo çka mendonte apo imagjinonte njëherë nuk i shlyhej më nga kujtesa. Si produkt i kësaj kujtese të mahnitshme, Marku shquante pandërprerje përparimet e qeta të prishjes, kalbëzimit dhe lodhjes së burgut, dallonte çapin e vdekjes, të ligështisë. Ishte spektator mendjekthjellët dhe mizor i një bote shumëformëshe të çastshme me saktësi të habitshme, që shikonte përtej të zakonshmes në hapësirën e zymtë të burgut.
Në mënyra të ndryshme të dy arritën në përfundimin se nuk e vlen të jetosh në një botë të trishtë me themele të gënjeshtëra, mes armiqësive dhe kundërshtive të tejskajëshme. Valter Benjamini gjeti një mënyrë të saktë e të pariparueshme për të vrarë veten me njëzetepesë tableta, kurse Mark Shpendi nuk e përfundoi aktin e varjes në mjediset e burgut se ishte nën kontrollin e gardianëve, që e rikthyen përkundër vullnetit të tij në jetën prej së cilës donte të largohej.
Të ndryshosh të kaluarën nuk është ndryshimi i një fakti të vetëm, por të heqësh pasojat e saj, të cilat kanë prirje të jenë të pafundme. Me fjalë të tjera të krijosh dy histori të përbotëshme, dy paralele që nuk ka gjasa të takohen diku. Shehu  mendon se njeriu nuk e meriton realitetin ekzistues që i paracakton fati, ndaj me anë të imagjinatës dhe shkrimit shpërfill hapësirën e ngushtë të burgut dhe krijon një tjetër realitet, të gjerë e të plotë me të tjera rregulla, si një aspiratë dhe alternativë. Është mendimi i lirë njerëzor që ëndërronte Valter Benjamini, në të cilën zhyten të lumtur edhe autori edhe personazhi i tij.
Burgu është bota e dukshme, përjetimi i llahtarshëm të cilën z. Shehu e vizaton me realizëm tronditës përgjatë romanit të tij, pa shtuar asgjë, sidomos pa komente të cilat ia le lexuesit t’i gjykojë e zhvillojë. Copëza e vogël e njëllojtë e qiellit që shohin të burgosurit ditë për ditë në qindra e mijëra të tilla, kaushët e forcës ku nuk mund të rrinë as shtrirë as në këmbë por në një gjendje të pezullt, të përçudnuar mes jetës dhe vdekjes, vetëvrasjet me varje në hekurat e dritareve të birucave, autori i përcjell me indiferencë tronditëse, efekti i së cilës është më ligështues se çfardo qendrimi vetiak.
Përkundër kësaj duknaje të mjerueshme, Shehu dhe bashkëvuajtësi i tij i parapëlqyer krijojnë botën e tyre, ku lulëzon mendimi i lirë, diskurset filozofike, jetën jashtë telave të burgut, që bëjnë kontrast me groteskun e kohës, dënimet dhe ridënimet e të burgosurve sa herë të huajt vizitojnë Tiranën, përqeshjen e jetës si të qe lodër në duart e gardianit. Nuk ka fakt sado i thjeshtë që të mbyllë brenda historinë e përbotëshme dhe bashkëlidhjen e pambarim të pasojave me shkaqet.
Bota paralele është ajo që synonte të ngjizte Valter Benjamini në traktatet e tij filozifike, por që u shkërmoq nga nazizmi dhe shpirti i tij i madh nuk e përballoi, ndaj i dha fund jetës në moshën 48 - vjeçare. Edhe Marku nuk e kapërdiu, ndaj tentoi t’i jepte fund jetës në ekuinoksin e pranverës, teksa nata u barazua me ditën dhe jeta e tij synoi të barazohej me vdekjen. Pas dështimit, ai nuk tenton më ta përsëritë, por fundi i tij është më tragjik se ai i Benjaminit.
    Ballina dhe titulli, Angelus Novus, tabloja impresionuese e Paul Klee - së, janë gjetje e hollë artistike e autorit, sinteza e gjithë romanit, pika ku konvergon historia e pamëshirëshme. Angelus Novus është engjëlli i historisë së përbotëshme, që largohet dhimbshëm i shtyrë nga erërat e kohës, me sytë nga e shkuara dhe grumbujt e dhunshëm të gurëve nën këmbët e tij. Përimtimi filozofik i tablosë nga Valter Benjamini dhe ngjashmëria e çuditshme e pamjes së engjëllit me portretin e Mark Shpendit e çojnë deri në fund paralelen letrare të Bashkim Shehut.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •