Adem Zaplluzha: Poezi nga libri “Asgjë sikur molla” (II)
| Thursday, 12.31.2009, 04:43 PM |  

AGSHOLIN E FRYMËMARRJES

SHIJA E MUNGESËS

Ti ec rrugës tënde
E tek unë
Le të mbetet dhembja
Si peng i një kohe

Shiko mirë e mirë
Se si mërrolen kujtimet
Kur mbesin bonjak
Urat karshi shpresave

Engjujtë nuk zbresin
Për çdo ditë në tokë
Në ëndërrat e përdala
Joshen djajtë e zinjë

Ti nuk di ende
As që do të kuptosh
Pse zogjtë
Ikën mbrëmë
Duke e lënë vetëminë
Pranë çatisë së lagur
Prej lotëve tanë çurgë

Fëmijët më nuk lozin
Në fshat as qytet
Edhe ata e kuptuan
Shijen e mungesës
At shije të hidhur
Që të shkakton
Të dridaur

KOTËSIA E PRITJES

Kot rri pranë dritares
Askush më
Nuk troket
Në dyert e mia

Heshtja me hapa të vrazhdë
Për çdo çast kalon
Këndej pari

Bletët më
Nuk i lëshojnë thimthat
Në petalet e lënduara

U larguan edhe zogjtë
Asnjë qerdhe nuk mbeti
Në rrembat e hardhisë

Milingona që përherë
Mblidhnin glasa
Ikën në një lagje tjetër
Muret nuk lëshojnë zë

Në lotin e hënës
Dehen përshëndetjet
Dasmorët u zhdukën
Me aromën e dhembjes

Kot me sy të mekuar
Pres në këtë natë gjatë
Pranë dritares së fyer
Agsholin e frymëmarrjes

KUJTESA E PËRGJUMUR

Të përgjumurit
Ende nuk janë këndellur
Gjëmat trishtuese
Ia kthejnë
Shpinën kujtesës

Nën qepalle të djersitura
Mbyllen kapaktë e syve
Pranvera vonohet
Për disa javë

Lagjja është zgjuar
Në rebelim
Zëri i salepçiut
Na e shpon timpanin

1
Foshnjat brishtake
Tani janë rritur
Kujtesa e mbetur
Është vetëm një hidhërim

Pengu i varrit
Amanet i luftëtarit
Që s’përtypet
Me asnjë fjalë

2
Doruntina
Udhëton nëpër kohë
E vjen
Dhe ulet

Në sofrat
E kafshuara nga dhembja
Sytë janë lodhur
Në kërkime të pandërprera

Kujtimet kanë mbetur
Fjalë të shkruara
Në mermer
Memorja e përgjumur
Ka mbetur pa fjalë
Hanxhiu troket
Në portat e gabuara

 

KAFSHIMI

Në shikimin djallzor
Shkreptinë rrufeja
Gënjeshtra vetvetiu
Aludon tradhtinë

Gjëma troket
Në portat tona
Nënat veja
Parakalojnë
Me shamia të zeza

Orteku i dhembjes
Buron nga thellësia
Si zjarri përhapet
Sëmundja e tokës

Në theqafjen tronditëse
Iu dorëzuam mikut
Na kafshoi në zemër
Gjarpri dykrenor

NAM E PA NISHMAN

Shkove në dasmë të huaj
Pa ftesë
E pa emër
Nuk kishe fuqi
Të thuash jo
Dhe pa dashje
Dhunove një zemër

Jetove pa nam
E pa nishan
Ti e di fare mirë
Se atë natë
Vuajtja mbeti shtatzënë

Në fatkeqësinë njerëzore
Në dhunë
E gjete kënaqësinë
Tani në vuajtje jeton
Si therra në lëndinë

FËMIJËT U LINDËN

Në lemeritjen e parë
Pas të reshurave
Kalorësit largohen
Pa u përshëndetur
Me etjet e shiut

Hingëllima e ditës
Mbeti në trokun e kalit
Hajnat mbrëmë
Ia vodhën syrin hënës
Qielli dënesi
Deri në verbëri

Ishte kjo një lojë
Që flente në vetëdijen
E mallëngjimt
Zogjtë e egër
Vetëvriten në fluturim

Nuset mbesin të veja
Te guri i zi
Pranë tëbanave
Nuk mblidhen më zanat
Korbat ikën
Pa u përshëndetur

Në këtë marrëzi
Po zgjohet kujtesa
Fëmijët u lindën
Me nga dy këmisha
Filli e fillesa

SHËRIMI I DHEMBJEVE

Ai me këngë
I shëronte dhembjet
Dhe hulumtonte
Në sytë e tregtarit
Çmimin e jetës

Lulet i pikturonte
Në vazotë e thyera
Kurse nga poçari
Kërkonte një ndjesi
Të tepruar
Për ti pjekur mjeshtrisht
Pëllumbat e argjilt



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •