Betim Muço: Dashuri kineze
| Sunday, 01.10.2010, 09:11 AM |  

Betim Muço

Dashuri kineze

 Sjellja e Didit ndaj meje ndryshoi mjaft që prej atij mëngjesi. Dhe të thuash se ai mëngjes për mua kishte qënë si të gjithë të tjerët. Isha ngritur herët si gjithmonë dhe kisha bërë gjimnastikën time të zakonëshme. Gjyshja ime shante nëpër dhëmbë e thoshte si me vete: " U çmënd fare ky i ziu djalë!" Ndërsa unë kisha dalë në ballkon të lija gantelet, atë çift sferash të hekurta që shërbenin për të formuar bicepset e që m'i kishin salduar nxënësit e mij të shkollës së natës. Gjimnastikën e bëja me shumë seriozitet e gjer sa lagesha i tëri nga djersa sikur të kisha bërë dush. Pra, teksa po lija gantelet e drejtoja trupin, e brenda dhomës dëgjoheshin lutjet që ime gjyshe i bënte Abaz Aliut për të më shpëtuar mendjen, më shkuan sytë në pallatin përballë dhe pashë...Nuk po u besoja syve. Fshiva djersën me parakrah dhe vura pëllëmbën si strehë në ballë. O zot! Ai ishte kinezi Du, një prej specialistëve kinezë të fabrikës së çimentos, që po kapërcente murin ndarës të dy ballkoneve. Të shihje një kinez në atë veprim që po bënte ai, ishte si të shihje diellin që lindte në perëndim e perëndonte në lindje. Andej nga po vinte ai, ishte dhoma e Didit, një vajze të bukur që punonte në SMT e që banonte aty me nënën e sëmurë. Kurse kinezët kishin apartamentet e krahut të djathtë. Du ngeli si i ngrirë. Ai më kishte parë. Vështrova përqark. Ishte ende herët dhe poshtë, në rrugë, pothuajse nuk kishte njeri. Kinezi u zhduk pas derës së ballkonit të tij dhe xhami i derës vetëtiu disa herë në dritën që vinte nga mali. Atë ditë, gjatë gjithë orëve të mësimit m'u kujtua Ariz Berberi, ai poeti i çmendur nga Pogradeci që vërtitej konvikteve tona të studentëve dhe hante në mencë bashkë me ne. Kur një nga studentët kinezë që studjonin shqipen në fakultet, kishte dashur të tallej me disa vjersha dashurie të Arizit, ky e kishte parë me ironi dhe i kishte thënë: " Ikë or kinez se nuk merr vesh nga dashuria!" Kjo shprehje na kishte mbetur si proverbiale dhe sa herë që donim t'i thoshim dikujt se po përzjehej më kot në gjëra që s'i kuptonte, thoshim: "Ikë or kinez se..." Mëerdhi për të qeshur tejk kujtoja këto. Po ja që s'na paskej qënë tamam kështu. Qënkëshin ca kinezë si ky Du-ja që do të turpëronin edhe vetë Ariz Berberin në këto punët e dashurisë.
 Du ishte një djalë simpatik, me lëkurë të lëmuar e sy si bajame. Kur shpija në fabrikën e çimentos nxënësit e mij për praktikë, kishte ndodhur të takohesha me të.. Shqipen nuk e dinte ende mirë. Bashkë flisnim rusisht. I kisha rrëfyer për Lu Sinin, shkrimtarin e tyre të madh që ato kohë sapo e pata lexuar dhe nga kjo, Du-ja më shikonte me një respekt të veçantë. Kurse Didi ishte nxënësja ime në shkollën e mbrëmjes. Ishte nga vajzat e bukura të qytetit. Rrinte gjithmon në bankat e para dhe të shihte me ca sy të guximshëm sikur të donte të thoshte: "Mos do që të më vijë turp që jam e bukur?" Vetëm që për mësim nuk ia shkrepte fare dhe në çdo fund viti unë hezitoja shumë në se duhej ta kaloja apo jo.
 Dy ditë më pas, u gjenda përballë me Du-në dhe shtrënguam duart.
 - Ni ha, tunxë? - thashë unë shprehjen time të vetme në kinezçe e pas të cilës qeshnim të dy. Po kësaj here ai nuk qeshi dhe dora iu drodh në dorën time. Folëm për gjëra të ndryshme dhe herë pas here ai më shikonte në sy sikur të donte të më hetonte. Disi doja ta qetësoja por nuk dija se si. I thashë se unë bëja gjimnastikë mëngjeseve dhe më vinte mirë që edhe ai e kishte qejf gjimnastikën. Po kur u ndamë se ç'dreq më shtyu dhe i thashë:
 - Mos e lërë gjimnastikën, shoku Du!
 - Ha, ha! - bëri si i hutuar ai. - Shok mësues, ti shok i mirë. Unë shumë faleminderit. - Shqipja e tij kishte nisur të përmirësohej. Me siguri ai ka mësuar shumë fjalë dashurie, thashë me vete.
 Kurse Didi, që prej atij mëngjesi nuk më doli në sy. Dy javë nuk erdhi fare në mësim. Kurse kur qëllonte të ndesheshim përballë , ajo bënte çmos të ndrronte udhë. Mendova një herë se mos sëmundja e së ëmës ishte acaruar edhe më. Javën e tretë, fjalët për mardhëniet e saj me kinezin kishin marrë dhenë. Qyteti ynë ishte i vogël dhe siç thoshte im gjysh, një pordhë të bëje e merrte vesh edhe Myrtoja, rojtari shurdh i Grumbullimit. Megjithatë, unë nuk u ndjeva mirë që kishte dalë kjo fjalë për Didin. Çdo të mendonte vallë Du-ja? Po Didi? Mos vallë do të thoshin se kisha qënë unë spiuni i mardhënieve të tyre dhe burimi i thashethemeve?
 Dhe ja, Didi erdhi prapë në mësim. Po tani nuk rrinte më në bankat e para dhe sytë i shkisnin anash kur i ndesheshin me të mijtë. Vetëm një herë kur nxorra nga mësimi dy bandillë që vinin duart si hinkë pranë gojëve dhe bënin: "Didi-didi-du, didi-didi-du!", ajo më pa në sy butësisht dhe shqiptoi një "Faleminderit", zëulët. Dukej sikur Didi s'donte t'ia dinte për fjalët. Ca kohë e harrova fare atë histori. Kishin mbërritur provimet e fundvitit dhe isha i zënë me shumë gjëra. Në një nga ato ditë mora vesh se Du-në e kishin larguar papritur nga qyteti ynë. Thoshin se e kishin nisur me urgjencë në Kinë. Mendja ime brodhi larg, pas tij. Po sikur ai të mendonte se shkaktari i të gjithë kësaj isha unë? Ku do ta kishin çuar vallë? E përse? Ç'faj kishte bërë ai? Kishte bërë atë që i kishte thënë zëmra, ajo zëmër e zakonshme njerëzore që kishte të njëjtat ligje si dhe e imja, ndonse kishte lindur mijra kilometra larg. E dija që në Kinë ishin shumë të rreptë me çështje të tilla morale. Mos vallë atje ku do ta kishin degdisur, ai do të më mallkonte mua dhe atë mëngjes të gjimnastikës që ishte bërë shkak ta shihja kur kapërcente ndarjen e ballkonit?
 Sekretari i Partisë së shkollës, më thirri një ditë e më tha:
 - Mor po si shkon ajo Didi në lëndën tënde?
 - Mirë, - gënjeva unë. - Eshtë përmirësuar mjaft.
 - Vërtet?...Si ka mundësi? Kemi diskutuar në drejtori se mos e përjashtonim fare nga shkolla.
 - Pse, - thashë, ç'ka bërë?
 - Hajde, hajde! Pse ku rron ti, në hënë?...Nuk e paske marrë vesh? Na bënte dashuriçka me kinezin kjo bukuroshja jonë...
 - Ah, për këtë?! - thashë. - Sa bëjnë dashuri nga këto që kemi në shkollën e mbrëmjes, aq të mira paçim.
 - Pa shih ky! - u habit sekretari dhe nxorri edhe më barkun përpara. - Po ajo bënte dashuri me kinezin more, merr vesh apo jo?
 - Ore shoku sekretar, - i thashë. - Ose unë jam fare budalla, ose punët në këtë dynja shkojnë fare së prapthi. -

Sekretari hapi sytë sikur të shihte një bollë. - A i kemi miq këta kinezët ne?
 - Miq i kemi, posi, po ç'do të thuash me këtë?
 - Epo ç'të keqe ka ta forcojmë miqësinë? - thashë dhe ngrita supet.
 - Ah ti... Lëri more romuzet! Le po kishim menduar në organizatë për ty që të të..
 - E di, - thashë, - e di, po do të përmirësohem. Sigurisht po të më mbani afër ju shoku sekretar.
 Duke ikur nga ai ndjeva një dëshirë të ethëshme të dija: mirë gjyshja ime bektashiane në raste të tilla thërret në ndihmë Abaz Alinë dhe dervishët e saj që të më kthjenë në udhë të drejtë, po ky vallë ç'dervishë thërret? Ah, po..., i kishte dhe ai ca dervishë.
Klasa e Didit ishte klasa e fundit me të cilat mbyllja provimet atë fund qershori. Atë ditë qeshë i lodhur e s'kisha ngrënë ende drekë ndërsa pasditja po thyhej. Pashë regjistrin. Më kishte mbetur vetëm Didi pa u paraqitur.
 - Ku është Didi? - thashë. Dy nga ata që sapo kishin mbaruar provimin, panë njeri-tjetrin në sy.
 - Ishte dhe iku, - tha dikush.
 - Nuk vjen, mësues, - tha një nga vajzat.
 - Si nuk vjen? Ilir, shko e thirre! E dua këtu patjetër! - Dhe mendja më shkoi prapë mijra kilimetra larg.
 Didi erdhi pas pak. Rrinte kokëulur. Nuk ngjante fare me atë Didin që njihja kohë më parë.
 - Ç'bën? - i thashë. - Je në vete?...Do të humbasësh vitin? - Ajo më pa në sy e s'foli. M'u duk sikur më thoshte: "E ç'rëndësi ka? Unë i humba të gjitha." Kishim mbetur vetëm ne të dy në tërë klasën. Nuk flisnim. Befas unë guxova dhe i thashë:
 - E ke dashur vërtet shumë? - Sytë iu rrëmbushën përnjëherësh. Kafshoi buzën dhe u përpoq të më shohë drejtpërdrejt, me një lloj paturpësie e krenarie përzjerë së bashku.
 - Shumë, - tha.
 - Ke hak,- thashë. - Ishte vërtet djalë i mirë. - Dhe s'dita ç'të thosha më. Ajo kafshoi përsëri buzën.
 - Ah,- pshertëtiu dhe mbuloi fytyrën me duar. - Askush nuk e di vërtet ç'njeri ishte ai...
 - Didi, - thashë dhe i preka dorën. - Mos ka menduar Du se isha unë që nxorra sekretin tuaj?
 - Jo mësues, - tha ajo. - Këtë e patëm peshqesh nga ato shtrigat e shkallës sime. Po si mund të mbaronte ndryshe kjo? Kurse ty ai ,... ai të çmonte shumë. - Papritur i vura re mes gishtave një kristal të çuditshëm. Më mbetën sytë aty. Ishte një kristal opak me ngjyrë gurkali të ndritshëm, tepër i veçantë. Ajo bëri ta fshehë.
 - Ç'është ai? - i thashë. - Ta ka dhënë Du?
 - Po, - u mallëngjye përsëri ajo dhe ma lëshoi në dorë atë gur që befas e kujtova se ç'qe.
 - Didi, - thashë. - Ky është zefiri i kripës. Gjendet në ca male të humbur në veriperëndim të Kinës. Dhe thonë që kur një burrë ia jep atë një gruaje, do të thotë se i mbetet asaj besnik gjithë jetën, deri në vdekje. - Ajo u ngashërye. Mbuloi fytyrën me duar e me flokë dhe ma lagu regjistrin me lotët e saj. - Qetësohu! - thashë. - Qetësohu Didi! - Dhe më shkoi mendja përsëri larg, atje te malet e zefirit të kripës ku ndoshta e kishin çuar atë Du-në e varfër...Didi e kishte mbledhur veten. Dhe atë çast në klasë hyri sekretari.
 - Mirë Didi, - thashë. - Shko! - Ke mësuar mirë. Të lumtë! E more provimin. - Dhe shënova notën në regjistër.
 Didi iku kokëulur. Ngrita sytë dhe ata ndeshën sytë e habitur të sekretarit.
 - Vërtet paskësh mësuar kjo? - mblodhi buzët ai.
 - Sigurisht, - thashë. - Ti e di më mirë se unë që dashuria të jep forca, apo jo? - Dhe mbylla regjistrin. Ishte hera e parë që bëja një tradhëti të tillë të hapur e pa m'u dridhur dora, me lëndën time. Po vallë kishte rëndësi kjo? Sa peshonte ajo tradhëtiçkë në raport me atë botë të komplikuar ku rroja?



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •