Prend Buzhala: Lirika e inteligjencës emocionale
| Monday, 01.18.2010, 11:02 AM |  

Në botën e librit

 LIRIKA E INTELIGJENCËS EMOCIONALE

 (Agim Deva: librat e poezive për fëmijë “Gurët fluturues” dhe “Mungon një zemër”, Prishtinë 2007)

Nga PREND BUZHALA

 Të dy librat e fundit poetikë për fëmijë të Agim Devës, “Gurët fluturues” dhe “Mungon një zemër”, e kapërcejnë shifrën prej shtatëdhjetë vëllimesh të botuara të këtij krijuesi letrar e studiuesi të letërsisë. “Herë jam këtu e herë askund/  Rrugët e mia nuk kanë fund”, kuvendon shtruar folësi lirik i poezisë “Zjarr e shi” në librin e fundit poetik “Gurët fluturues”, aty ku ky subjekt, nëpërmes identifikimeve të krijuesit letrar me poetikën e këndimit lirik, shpalos energjinë e pashtershme krijuese. Po kështu, te “Poezia është si unë”, kjo pjekuri e kuvendimit sintetizohet në vargjet: “Si unë është poezia... / kurrë nuk përfundon”.

1. Kufijtë e padukshëm midis letërsisë për fëmijë e letërsisë për të rritur

Krijuesi Agim Deva  në secilin libër dëshmon se mundësitë e këndimit lirik të këtij autori janë të pakufishme: duke i zgjeruar gjithnjë rrathët tematikë me përmbajtje gjithnjë të reja tematike në shqyrtimin me kujdes e në këndvështrimet e pasura të jetës së fëmijëve në rritje e sipër, duke e pasuruar pamjen mbi interesimet, shqetësimet e preokupimet e të vegjëlve, nga njëra anë, si dhe të subjektit lirik të moshuar, të kësaj poezie, nga ana tjetër. Sepse e pakufishme dhe e larmishme është vetë jeta, ashtu sikundër të tilla janë përjetimet dhe bota e njeriut, pa marrë parasysh moshën. Porse Agim Deva, nëpërmes letërsisë për fëmijë, dëshiron t'i komunikojë lexuesit të tij gjëra jashtëzakonisht të rëndësishme: që nga lojërat për fëmijë e deri te shteti, që nga parlamenti apo jeta e rëndë sociale e deri te jeta politike; që nga kujdesi për tjetrin, nga brenga për hallet e tjetrit, e deri te miqësia e kërkimi i harmonisë njerëzore; që nga konfliktet e luftërat e deri te interesat e vockla e kundërsociale; që nga kategoritë etike të së keqes dhe të së mirës e deri te protagonistët lirikë të dashurisë, princat e princeshat. Në këtë univers temash e motivesh të përmbledhura krijuesi shtegton që nga një këshillë për pastërti e për mësimin e vjelë nga përvojat jetësore e deri te gjërat e ndaluara që mbahen në heshtje për të vegjlit, sikundër janë gjërat e prozës së vrazhdë të jetës, aspak poetike, apo sikundër janë edhe paraja, shfrytëzimi i njeriut prej njeriut, pabarazia sociale, paraja si forcë e errët që sundon dhe krijon të mirën e të keqen; e që i iu jep këtë apo atë pamje tejet të pezmatuar kontrastive gjërave esenciale të kësaj bote. Poetikën e tillë e të rëndë të jetës sociale, poeti e sintetizon me vargjet “Zihet në popull, diçka po zihet/ Ndaj kësaj vjershe s’i duhet arti”. Porse Deva aq sa e poetizon seriozitetin e temës së kënduar, po aq e vë në gërshet lojën dhe përtalljen, kurse në shoqëri atyre ua vë edhe ironinë, mjete poetike këto që nuk janë të rëndomta për moshën e të vegjëlve. Qeshja e fëmijëve te poezia “A të qeshim prapë?...” merr konotacione e ngjyrime të reja ironike në lirinë me lak në fyt e me duar të shtrira lypësish. Më tutje, qeshja merr ngjyresë zemërate: “Kam frikë, nesër qeshim prapë”, duke e mbuluar ironikisht semantikën e fjalëve luftë apo revolucion me fjalën qeshje. Ndodh kështu, se përpara, në tryezën e leximit, na vjen një krijimtari që tashmë dëshiron të jetë unike, me pikësynimin t‘i bëjë sa më të padukshëm, t’i hallakasë e t’i fshijë kufijtë midis letërsisë për fëmijë e letërsisë për të rritur. Ironia, e, kund e kund edhe sarkazmi e satira, fishkëllejnë si atribute të realitetit tonë social.

2. Universi estetik i vizioneve/ realiteti i ndërliqshëm

Vërtet, diçka e pakëndshme ka ndodhur, çuditërisht, edhe pas kësaj lufte çlirimtare! Më se njëherë poeti ua tërheq vëmendjen të rriturve, kryesisht atyre që u mveshën me pushtet, se gjërat kanë marrë teposhtëzen dhe mund të ndodhë shpërthimi popullor. Brezat krijues të Agim Devës tashmë vijnë me përvoja të reja krijues e jetësore. Po edhe fëmijët i kanë përvojat e veta: ata vijnë nga lufta e po rriten nën trysninë e rëndë sociale e politike të mbasluftës. Këta fëmijë nuk janë naivë, sa të mos i kuptojnë gjërat që ndodhin rreth nesh. Qenia poetike e karaktereve lirike të këtyre librave, sa do që është fëmijë, nuk është një qenie infantile, krejt e pasherr; sepse kjo krijesë e vogël di të vërejë, të vëzhgojë dhe të zbulojë me mendjemprehtësi e urti aq e aq gjëra e cene në jetën e të rriturve përreth nesh, aq e aq të meta, ligësi e sjellje që vrasin mendjen e tij e botën e tij; ashtu sikundër edhe entiteti i arrirë poetik, ai i moshës së shtyrë, vetë krijuesi, tek e merr rolin e folësit lirik; është një subjekt me imagjinatë të pasur e me vizione jetësore krejtësisht të lira e jashtë kallëpeve të çfarëdo ngjyre a ideologjizimi qoftë ai. Ndoshta, duke i parë këto vizione kundruall realitetit që nuk ia fsheh fëmijës, ky folës lirik rebelohet, revoltohet, dëshiron ta ndryshojë realitetin, fillimisht me anë të ëndërrimit a revoltës individuale e, mandej, edhe përmes zemërimit kolektiv të qytetarit të kohës sonë. Lirika e këndimit të mirëfilltë ia liron vendin pamjeve të reale të jetës, porse këto pamje na vijnë me ndjeshmëri të re poetike. Protagonistët e poezisë së mëparshme, si Xhela me shokë, tashmë janë rritur, e kanë bërë luftën e tyre, dikush ka rënë në altarin e Atdheut, të tjerët vazhdojnë të jetojnë nën thundrën shtypëse të realitetit të ashpër social. Është po ky Xhelë që përbën portretin kolektiv të gjeneratave të reja e që i bartën mbi supe kohët që u thyen mbi ne e brenda nesh. E, me këta protagonistë, është rritur edhe poezia, e cila tashmë kuvendon me të rriturin njësoj si me fëmijën. Prandaj edhe poeti për fëmijë bën të tjera kërkime poetikash, kërkon të tjera fjalëfillesash e formulash poetike për t’u dhënë emërtesa të sakta kohëve që po i jetojmë. Se koha e sotme solli jo vetëm përvoja të reja, po edhe njerëz të tjerë, emra të rinj, telashe të tjera, krijues me ide e procedime të tjera që erdhën nga rrugë të ndryshme. Kurse poezia e Devës, pse jo, e tumir këtë situatë të ndryshuar, duke na u paraqitur me pamje të reja e të pazakonshme, të papërjetuara më parë, na vjen me një ndjeshmëri të re humori e përtalljeje, qortimi e urtie, porosie e këndimi. Të duket sikur poeti i ka ndryshuar përmbajtjen e lëndës artistike, po i ka ndryshuar edhe theksin e ritmin, fjalorin poetik a metrikën, procedimorin lirik a përqasjen ndaj jetës dhe artit. Dhe, ky univers kaq i pasur tematik-motivor e ideor, dëshmon edhe për qëndrimin estetik të krijuesit Agim Deva: se shkrimtari për fëmijë nuk zë vend diku në margjina të gjërave në gjirin e jetës shoqërore apo të asaj letrare e kulturore; porse qëndron e lëviz mu në thelbin e këtyre gjërave dhe mu në zemrën e kësaj shoqërie. Nga ana tjetër, duke sjellë informacione diturore të rëndësishme si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët, duke kënduar e trajtuar rrëfime poetike të temave kaq të zymta, të papërballueshme e të ngrysura të përditshmërisë sonë të mbasluftës, ai na i sjell pikërisht të vërtetat e mëdha të kësaj kohe. Por poeti Deva e respekton nga shumë anë lirinë e botës së fëmijërisë e të fëmijëve, sepse ai nuk i imponon kësaj fëmijërie tendenca a pikëpamje që do ta rrënonin këtë liri; ai dëshiron që ky fëmijë, qoftë edhe i rrituri, të bëhet Njeri në kuptimin e plotë të fjalës, e jo një Homo politicus që tjetërsohet pandalshëm, ani se këtë qenie nuk e lë të qetë zoon politicon-i ynë, sikundër këndohen te poezitë “Çka hanë xhepat”, “Këngë e sotme popullore”, “Karrocieri pa karrocë”, “A të qeshim prapë”, “Xhelë, qëlloja se kush jam”, “Pse pështyn babi në ekran”, “Ëndrra të këqija” etj të librit “Gurët...”; apo “Kjo poezi s’është për fëmijë”, “Thesi është thes”, “Mali”, “Fisnikja dhe muri kinez”, “Kërkoj një fjalë me k” (si e konceptojnë fëmijët fenomenin e korrupsionit), “A është gjallë Migjeni”, “Si shkon në punë një baba”, “Kush ma verboi zogun tim” etj të librit “Mungon një zemër”. Pikërisht mbi këtë taban këndimi poeti sjell thelbin e përmbajtjes së dinjitetit njerëzor që në poezinë e parë me motive lufte, me titullin gurët fluturues: duke kënduar pikëmbështetjen te rrënja atdhetare, nga e cila nuk ke se si të çrrënjosesh, ani se Deva nuk parapëlqen kësaj radhe të rikëndojë e të poetizojë legjenda, përralla e kallëzime të moçme, sikundër veproj ë jo pak autorë të letërsisë sonë për fëmijë. Porse fëmijës së subjektit lirik të poezisë së Devës nuk i mungon optimizmi jetësor, e ky optimizëm nuk është as naiv e as imagjinativ, por realist, që kërkon nga ky subjekt të mbajë qëndrim pozitiv ndaj problemeve e aspekteve jetësore. “Optimizmi është shkathtësi e zotësi që mund të mësohet”, thotë Lorens E. Shapiro. Kurse Martin Seligman në veprën e tij “Fëmija optimist”, thotë se njeriu optimist beson në qëndrueshmërinë e ngjarjeve të lumtura, në proceset me përfundim të lumtur dhe merr përgjegjësinë për të ndodhur gjëra të mira. Kundruall situatave të përshkuara me stres social e jetësor, Deva sikur na thotë se fëmijët nuk kemi pse t’i mbrojmë nga realiteti i ashpër, por i mëson ata, që njeriu,  me shembullin e tij jetësor, mund të ballafaqohet me situatat më të rënda.

3. Vjershërimet/ në vullanjtë e tipologjisë së lirikës moderne

E tillë është poetika realiste e Devës: sepse përsiatja realiste është objektive, e pikëvështron botën të tillë, çfarë është, dhe lë që të kuptohet tërthorazi se ti duhet të mendosh si t’u përgjigjesh këtyre situatave me anë të vendimit që merr dhe veprimit që e bën. Në tipologjinë e lirikës moderne, poezia e tillë përkufizohet si lirikë e inteligjencës emocionale. Poeti e ka edhe strategjinë e tij poetike për ta ndryshuar realitetin e dhënë: e ka diagnotifikimin e problemit social, jetësor e emocional; e ka tipin strategjik të luftimit të këtij problemi (me anë të trajtës lirike të dinakërisë, duke e rrëfyer problemin në mënyrë të re e dinake), e ka luftën e tij lirike guerile (lejohen të gjitha mjetet deri te revolucioni), e ka sheshin dhe arenën e tij të luftës, kohën më të përshtatshme, aleatët, zonat e lira, po edhe paktin e marrëveshjes si në poezinë “Fisnikja dhe muri kinez”; apo si mund të jetojnë të rriturit e fëmijët etj, si te poezitë “Çka hanë xhepat”, “Këngë e sotme popullore”, “Karrocieri pa karrocë”, “A të qeshim prapë”, “Xhelë, qëlloja se kush jam”, “Pse pështyn babi në ekran”, “Ëndrra të këqija” etj. Kund e kund poezia të duket se herë-herë është një monolog e herë-herë një bisedë e subjektit lirik me vetveten, një si procedimor a mënyrë e të mësuarit të sjelljes së re, si do t’i shkonte në interpretim thënia e Daglas Bloh-ut  në librin e tij “Monologu pozitiv për fëmijë”. Aty diku në universin e larmishëm të këtij këndi, përmblidhen dhe e gjejnë trajtimin e tyre edhe tema të "ndryshimit", të përmirësimit të botës apo tema alkimike, tema të dashurisë së parë, që këndohen e kujtohen mjeshtërisht nga dy kënde ligjërimi: nga ai i folësit lirik të fëmijës dhe nga plani i kujtesës jetësore të të rriturit (poezitë “Klara”, “Çka pa hëpna në dritare” të librit të parë, apo “Mungon njç zemër”, “Maji etj të librit të dytë). Aty poeti sjell imagjinatë dhe përshkrim real të gjendjes, sjell dashuri të ngrohtë, sjell miqësi dhe lojëra. Në kornizat e tilla të imagjinuara poetike të rritjes së këtyre fëmijëve, ai i vendos protagonistët e vegjël, nga njëra anë, si dhe subjektin e rritur poetik, nga ana. Folësi lirik e merr përdore lexuesin e tij të vogël a po për të rritur. Tema bosht që mbizotëron kësaj radhe në këta dy libra poetikë, është raporti në mes të fëmijëve dhe të rriturve. Poeti na thotë se në imagjinatë ka gjithçka më të bukur se në jetën e përditshme, kurse jeta e përditshme, me andrallat e saj, po edhe me përvojat, preokupimet, interesimet, përjetimet, pamjet e ndodhitë, është po aq e pasur, sa edhe universi i imagjinatës. Dhe le t'i lexojmë këta dy libra si metafora të kohës sonë. Poeti e ndan librin në vjershërime, sikundër e përdor këtë nocion të bartur nga rilindësit tanë, për të na sugjeruar vertikalen e këndimit tonë klasik/modern. Trajta e vargut a e vjershërimit, i përgjigjet kërkesës së fëmijës për thënie të formuara ritmike, me rimarium aq të pasur, e të cilat shndërrohen mjeshtërisht në lojë. Duke ndier nevojë, që, kund e kund, të rrëfejë, poeti trajton edhe vjershërime ca më të gjata e që përafrohen me poemën: “Kush ma gjen Gjonin” (evokim i valëve të jetës për një nxënës të talentuar të dikurshëm që ka shkruar vjersha, por tani i tretur me gjithë prirjen e tij), “Pallati me rrufepritës” (jeta urbane me kontrastet e mahisura e të acaruara), “Nga më çon karroca ime” (përsiatje lirike për situatat sociale-jetësore e për realitetin e ndërliqshëm, për botën gjithë labirinte të artit, diturisë etj), “Skënderi e singeri” (portreti psikobiografik e psikosocial i një rrobaqepësi të braktisur në moshë të thellë në një simetri kontrastuese kohësh) e ndonjë tjetër – te libri i parë; apo “Roli i skamnorit” (po i njëjti portret psiko-social-biografik i një aktori po ashtu të braktisur, të lënë pas dore, pa përkujdesje, pa ndihmë e pa përkrahje e ku shoqëria e “konsumit” ia kthen shpinën në moshë të thellë), “Çokolatat” (përsiatje imagjinative e me figura të çrëndomtësuara për fatin jetësor), “Kush ma verboi zogun tim” (mësuesi hallexhi në hapësirat e parlamentit përballë ish nxënësit të tij, tani i tjetërsuar e me shpirt të korruptuar) e ndonjë tjetër – te libri i dytë. Deformimet e tilla sociale, politike e jetësore, e kanë pezmatuar aq shumë jetën tonë dhe pamjet e tilla janë të stisura në të dy librat. Së këndejmi, poema i jep mundësi autorit t’i ndërlidhë poezinë me rrëfimin lirik, duke e zgjeruar dhe zgjatur kënaqësinë e receptimit. Poeti këmbëngul që lexuesit të tij të vogël, a ca të rritur, t’ia komunikojë një pamje, një ngjarje, një rrëfim, një mbresë e, po ky lexues, në të gjitha këto, do ta rinjihte vetveten dhe do t’i ndriçohej më mirë rruga për t’i parë problemet e shqetësimet që e mundojnë. Në planin tematik autori, pra, ndërfut edhe përpunime të tilla artistike që nuk i drejtohen vetëm lexuesit të vogël. Agim Deva është i ndërgjegjshëm se zhvillimet letrare gjatë shekullit që e lamë pas, e kanë zhvilluar edhe prirjen për t’i lëkundur kufijtë e themelet e letërsisë së mëparshme, sepse fjala e shkruar nuk është privilegj vetëm i të rriturve, po edhe i të vegjëlve; tek kanë përjetuar përhapje të shpejtë zhvillimi urban, teknologjia informative, sistemet e reformuara arsimore, teknologjitë e reja të mësimit e të metodikës së mësimdhënies. Së këndejmi, tekstet e shkrimet letrare tashmë e kanë braktisur rolin e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në procesin e njohjeve e të thënies estetike: e pra, do të thotë se kufijtë në mes letërsisë për fëmijë e asaj për të rritur tashmë janë zvogëluar. Te e fundit, kjo poezi na fton që ta lexojnë po e me të njëjtën kërshëri edhe të rriturit. Kjo do të thotë se letërsia për fëmijë tashmë e ka arritur shkallën e mirënjohjes shoqërore, shkallën e receptimit nga të gjitha moshat. Lirika e tillë ia kalon së ashtuquajturës letërsi për të rritur në komunikim. Letërsinë e tillë mund ta krijojnë e ta shkruajnë vetëm poetët me pjekuri, urti e dhunti të mëdha krijuese. 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •