Prend Buzhala: Rrëfimi paliativ
| Monday, 01.18.2010, 11:06 AM |  

PREND BUZHALA

 Rrëfimi paliativ

(Nasi Lera: “Ana Zh.” , roman, botimi i dytë, Onufri, Tiranë 2004)

Një parandjenjë e ndarjes fatale e përcjell personazhin që nga faqja e parë e e deri te ajo e fundit, në romanin “Ana Zh.” të Nasi Lerës. Ana, njëzetvjeçare, është e sëmurë nga tumori në mushkëri. Ka dalur nga spitali. Është një dashuri e një çasti të beftë: e Anës dhe e Pirros. Në personazhin, Pirron 31-vjeçar, (përkthyes dhe njohës i letërsive botëore e që ka pasur kontakte me krijues të shumë vendeve) është dashuruar më 22 mars (pra, asociacion letrar i dashurisë me pranverën). Shkrimtari i paraqet dy javët e fundit të jetës së saj në dhjetor, gjatë një udhëtimi që bën ajo me Pirron nëpër tri vende mesdhetare: në Greqi, Itali e në Algjeri; atëherë kur vjen dhimbja e ndarjes së fundit. Ky përfundim i jetës së Anës në shkretëtirë, është posi njajo shenja e simbologjisë së ëndrrave: që ta shohësh shkretërirën në ëndërr, do të thotë se ke brenga të mëdha…e tillë, ku brenga jetësore e përjetimi i dashurisë, janë ndjerë e harxhuar që nga A-ja e deri te Zh-ja “si një dashuri a si një ndarje (fq 12). A nuk ta sugjeron edhe titulli i romanit këtë alfabet të përjetimit e të gjallimit të jetuar nga fillimi e deri në fund? Edhe dhembja e shkretëtirtë është e pafund, e paanë, posi ajo e Shpirtit dhe e Trupit. Shtrati psikologjik i veprës mbushullohet me metafora e me ndjeshmërinë ngapak fatale të personazheve, me shenjat e mavijosura të fatalitetit jetësor.

Spektakli i itinerarit modern, shikim i ngurosur i Meduzës

Në prozën e tij Nasi Lera e përqafon frymën dhe konceptin e Bibliotekës së Babilonit, sipas parimeve borhesiane të krijimatrisë, të vetëdijes proteike moderne e postmoderne të narracionit. Te Lera vërehen lehtë këto procese transformuese; që vjen me gjeneratën e prozatorëve të estetizmit modern (me kreacione estetike të suksesshme) e të fantasticienëve të prozës moderne. Dashuria krijon një gjeografi të shenjtë të botës. Kështu duket se e ligjërojnë personazhet e romanit “Ana Zh.” të Nasi Lerës, formulën e eseistit bashkëkohor, Alberoni. Njerëzit udhëtojnë nëpër viseve të largëta e të ndryshme për ta gjetur të  panjohurën. Udhëtonin në kërkim të ndonjë utopie. … Udhëtimi modern përfytyrohet si projekt mbi ardhmërinë: aty ku qyteti “izolohet” nga natyra, nga burimorja. Pelegrini i dikurshëm antik apo romantik shndërrohet në turist. Dikur, në kohët e mitit, udhëtonin në kërkim të bashkës së artë. Romantikët udhëtonin drejt viseve ekzotike, në kërkim të dallimeve kulturore e të identiteve rajonale. Gjakonin shndërrimin e karkaterit kalimtar të jetës në kategori të së amshueshmes: çdo gjë sikur e shikonin me sytë e Meduzës, iu dukej madhështore dhe e ngurosur në të përjetshmen. Këta sy Meduze e të këtij gjakimi, të përcjellin edhe në këtë roman.

Po personazhet e Lerës? Ata udhëtojnë mu në mes të këtyre gjakimeve të së kaluarës dhe të së tashmes. Udhëtojnë nëpër Mesdhe, aty ku pikëtakohen kulturat, traditat, utopitë dhe religjionet botërore. Udhëtimi, për ta mënjanuar vëmendjen e Anës nga sëmundja vdekjeprurëse dhe për ta kënaqur atë me bukuritë e mrekullitë e parajsës idilike moderne të shoqërisë së konsumit; përfundon në një spektakël hiçasgjëje, shkretëtire; përfundon pikërisht e shtyrë nga mbufatja për ta krijuar përshtypjen e jetesës në botën reale; se gjithë ky spektakël udhëtimi po bëhet vetëm për Anën…E tëra kjo dëshmon se parajsa e tillë qenka vetëm “një hiper-realitet.” Të duket se është një udhëtim që nuk mbaron kurrë, apo zgjat sa një çast, një orë apo një sekondë (fq 24). Çka i ka rrëmbyer ky hiper-realitet fiktiv Anës dhe atdheut të saj me shumë sëmundje? Autori këtë vetëm sa e sugjeron nëpërmes fatit të dy-tri personazheve fatalë shqiptarë në Greqi (fati i Fridës që përfundon si prostitutë e “afarsitit shqiptar”) a në Itali (fati i një shqiptari të vrarë “pa identitet”): ata nuk janë aktorë, apo “faktorë vendosës”, si thuhet në gjuhën politike, po statistë, imitues a kopjues të jetës së tillë, reprizues të mjerimit e të fatalitetit të vetvetes…Përfundimi e shkrirja me shkretëtirën, do ta ngërthejë edhe anën tjetër të metaforës romanore: kjo është shkretëtira e realitetit! Këto janë simbolet e fuqisë industriale! “Kopjimi është kthyer në mënyrë të jetesës”, klith revoltueshëm narratori i romanit të Lerës. Dhe këtë e thotë, tek shëtit nëpër kërthizën e Mesdheut: në Greqi (aty ngriten përmendore të bukura të mashtrimit), Itali a Algjeri. Sado zhvendosje ngjarjesh që të ketë, sikur kjo Omfali (kërthizë e botës) e Olimpit grek, gjendet në Shqipëri, ku sintetizohen fatalitetet, mitet, religjionet. Prandaj, dialogu romanor i paraqet refleksionet e personazheve edhe mbi sintezat e civilizimit mesdhetar. Sikur para nesh zgjohen dramat e dikurshme antike, mimesis-i, polis-i, eros-i, katarza…mandej vijnë peizazhet ekzotike, sensibiliteti dhe temepramenti mediteran. Enigma e pazgjidhur e jetës së përditshme. Dashuria hidhet përballë këtij spektakli indiferent, me gjithë plagët e saj të jetës, me gjithë temperamentin dhe vendosmërinë që jeta të përjetohet “deri në fund.” Poetika romanore e kundërvënies ndaj këtij spektakli të itinerarit modern, na ligjëron se jeta na është kaq e ashpër; e zhveshur aq shumë, sa është bërë “kokërr rëre”. “Njerëzit janë si rëra e shkretërtirës”, thotë Ana. Janë mekanizmat e shoqërisë që e brejnë së brendshmi jetën, që e çojnë drejt zbehjes kufomatike. Kurse personazhet gjakojnë kaq shumë të bukurën, dashurinë dhe atë që mungon. Tashmë udhëtimi i përbashkët, si dhe refleksionet për jetën, vdekjen, dashurinë dhe përjetësinë, ngërthehen tek qenia e Anës: e tërë qenia e saj, zemra dhe intelekti i saj, janë të hapura , posi deti, posi viset mesdhetare a posi shkretërtira! Hapësia e qenies. Qenia e hapur! E kaltërta e qiellit dhe e detit, e kuqja e artë e shkretëtirës, e flakës simbolike, e pasioneve njerëzore dhe e bashkësolidarësisë së përvojave… e Artit të harruar të Vetmisë: a nuk dëshiron kështu Nasi Lera të na bëjë më të ndërgjegjshëm për vlerat që kemi në thelbet e brendshme të qenies sonë? Se kështu, ne mund të ekzistojmë, vetëm kur gjendemi në bashkësolidarësi (dashurore) me Tjetrin.

Vlerat e brendshme të ekzistencës:

si ta qetësosh vdekjen

Dhimbja dhe simptomet tjera kanë përbërjen e tyre organike, porse dhimbja e sëmundja përmbajnë edhe strukturën e tyre emocionale-piskologjike, shoqërore dhe shpirtërore (Cicely Saunders). Prandaj, një prekje dore, një qëndrim miqësor afër të sëmurës, për të mos e ndjerë ajo veten të vetmuar; një ndarje e emocioneve me të (loti, apo gëzimi); një udhëtim i përbashkët… a nuk janë këto shenja të solidarësisë emocionale e të bashkëvuajtjes në dashuri? Dhe, mbi të gjitha, përjetimi dhe prekja sa më afër e jetës së përditshme, a nuk janë përpjekje që Ana të mos e ndiejë veten jashtë këtij realiteti, po të integruar qenësisht në të? Ata arrijnë t’i vënë urat e mirëkuptimit, të dashurisë e të miqësisë, “deri në çastin e fundit”. Në këtë komunikim nuk ka panik, nuk ka ndjenjë fajësimi a mëshire, as atmosferë frike a mohimi, as largim nga njëri-tjetri a mllef të pakontrolluar në mes dy të përafëruarve. Atmosfera e tillë krijon mundësi të dihet më shumë për të vërtetën,. Kështu krijohet besimi. Në këtë paliativë romanore ndërfuten edhe personazhë grekë (krijuesi solidar, Akriti, plaku që dhuron një vazo), familja e Savinos, ish ushtar italian në Luftën e Dytë në Shqipëri etj. E çka nuk dëshiron të bëjë Pirroja për Anën që ta largojë atë nga atmosfera e dhimbjes dhe e sëmundjes? Ta largojë nga miti i sëmundjes së kancerit (dikund personazhja atë e përfytyron si një qenie të lashtë mitike). Pirroja përdor të gjithë mekamizmat jetësorë, piskologjikë, miqësorë etj që të ikën sa më larg çdo gjëje që zgjon asociacione të fatalitetit. Ata janë aq gjakueshëm në kërkim të qetësisë, sepse ashtu do t’i shprehin më mirë mendimet dhe ndjenjat. E ku nuk futet Ana me Pirron, për ta qetësuar Vdekjen e Afërt? Futen deri edhe në barkun e një varri për të qëndruar “përkohësisht” jashtë kohës e hapësirës! Ndryshe, të sëmurën shkrimtari e ka nxjerrë nga ambienti i ftohtë i spitalit dhe i hospitalizimit – dhe nga ky këndvështrim trajtimi, ai është thellësisht humanist. Krijuesi qëndron në anën e të drejtave jetësore të Anës deri në “shkrirjen me shkretëtirën”; ai i jep të drejtë Anës të shpresojë; të shprehet, më në fund, hapur për sëmundjen e saj, për jetën dhe për vdekjen që po i afrohet; i jep të drejtën që të marrë përgjigje të hapura e të japë përgjigje të hapura; të dijë për të vërtetën e të ballafaqohet me vdekjen; ai ia jep të drejtën edhe për të vdekur. Ana, në çastet e tilla, e ka të drejtën edhe për të reflektuar e për t’u interesuar për përvojat shpirtërore/fetare( “Unë i besoj shkretëtirës”, thotë Ana, në vend që të thotë “I besoj Zotit”; semantikisht: e pranon vdekjen hapur, çfarë është, në të drejtën për të jetuar). Ashtu sikundër e bëjnë këtë gjë institucionet paliative botërore, Nasi Lera e respekton edhe mënyrën e veçantë të vdekjes së personazhes së saj paciente. Do të thotë, që personazhet e këtij romani e afirmojnë jetën, kurse vdekjen e shohin si proces normal. Në mes eutanazisë dhe paliativës mjekësore, shkrimtari e përzgjedh metaforën e paliativës së dashurisë për ta mbisunduar vdekjen dhe për ta përqafuar, më në fund, një fillim të ri, sikundër e sugjeron këtë romani me shumësinë e vet semantike: vdekja është gjendje e re e qenies; Pirroja do të gjendet tashmë në një gjendje të re jetësore, me përskuqjen metaforike të mëngjesit që sjell lindjen e një dite (a kohe) të re. Shkretërira është në pritje të kthimit të jetës (siç sugjeron rrjeta e pasur e asociacioneve meditative-mediterane të vetëdijeve të romanit). Posi te Soren Kjerkekord, personazhet e Lerës gjakojnë unitetin e së jashtmes me të brendshmen; gjakojnë mundësitë e pakufishme që shenjojnë një fillim të ri. Ana është posi figurat e femrave moderne të fatalitetit: përjetimi i vuajtjes, i dhimbjes, i frustrimeve – të gjitha këto e tensionojnë dhe e nxisin botën e brendshme psikike të personazhes për reflektime e përsiatje. Ana është siluetë e Antigonës moderne (personazhi e përmend diku një vepër me motiv të tillë të fatalitetit), siluetë e Margaritës së “Faustit” të Gëtes. Ana e Lerës është e zbetë, posi siluetat e saj, porse gjërat qëndrojnë diametralisht të kundërta: ato jetojnë ekskluzivisht në botën e tyre të brendshme; introversionin e tyre ato e paguajnë me jetën e vet. Lera nuk ia kundërvë Anës një dashnor të pabesë. Asesi. Ai vë pranë saj një figurë paliative, që e merr rolin e rrëfimtarit paliativ të romanit me strukturë të tragjedisë moderne: rrëfimi ndodh jo ashtu si dëshiron autori, por ashtu si ia imponon vetëdija e narratorit. E ky personazh që e merr rolin e tillë paliativ-narrativ e që rrëfen aq kujdesshëm në veten e parë, është Pirroja; aq i ndjeshëm për ta larguar Anën nga mbamendja e sëmundjes. E Ana këmbëngul: “Mos më fol me gjuhën e librave, folmë me zërin tënd”. Zatën, a nuk është pikërisht “zëri personal i jetës” kuintesencë e artit?

Gjarpëri si gjerdan, mistika e shkretëtirës

Kur pesonazhja shkon në shkretëtirë: ajo nuk e pret askend, nuk shpreson asgjë, nuk shkon askund. Sprovat janë të rënda, me pasoja të paparashikueshme. Është zhytur në shkretërirë: sikur dëshiron të mësojë nga secila kokërr zalli, të bëhet njësh me të, me ngrohtësinë e saj… posi asketët që duan ta kalisin idealin e krishterë a përsosmërinë e amshueshme të një çasti. Shkrirja e tillë dashurore me shkretëtirën, ta sugjeron atë dhuntinë e amshueshme dhe esenciale të flakës në kandilin që nuk shuhet; për ta ngrohë zemrën e drobitur e të cfilitur nga frika e parrëfyer prej sëmundjes që të afron gjithnjë e më pranë vdekjes. Posi shtegtarët a pelegrinët e moçëm të dashurisë, qenia e Anës tashmë i lë prapa historinë e memorizuar, dhembjet e Atdheut e dhembjet personale; dhe dëshiron ta jetojë vetëm Atë Çast: krejt e gatshme të pranojë çkadoqoftë. Në shkretëtirë edhe një gjarpër shërben si stoli a si gjerdan rreth qafës! E zhytur në mistikën e shkretëtirës e të Mesdheut, tashmë vetë qenia e saj shndërrohet në Qenie Mistike, në Simbol të Flakës së Kandilit të Pashuar; në Flakë Të Gjallë, në Qenie të Zhdukur, Të Padukshme, posi Elementi i Pestë mistik (janë katër elemente që e përbëjnë jetën), i cili ende nuk mund të shihet as të përceptohet, e, megjithatë, është i pranishëm kudo tek qeniet e gjalla…mbase shkrimtari ka dashur të na thotë që kjo gjithëprani e amshueshme mistike tek këto qenie, është vetë dashuria. Nëse Simone de Beauvoir gruan e konsideronte burim të ekzistencës e jo të lindjes; nëse me qenien e saj asociononte shkretëtirën, si një hapësirë “të shtypur e të ndrydhur me shekuj”, si asociacion të mungesës së jetës; atëherë Nasi Lera, duke i vënë në përçasje gruan dhe shkretëtirën, jetën dhe vdekjen; dëshiron t’i spikatë mu ndërliqësitë dhe laryshinë e jetës e të vlerave të ekzistencës. Porse, shkrimtari Lera reshtet t’i trajtojë enigmat e jetës së përditshme e jo lëndën e ëndrrave, halucinacioneve, situatave të absurdit, të fantastikes apo të gjendjeve iracionale, sikundër veprojnë prozatorë modernë e postmodernë. Zatën, me këso lënde ai ka proceduar artistikisht tek libri i tregimeve “Ulërima e heshtjes”. Përfundimin e tillë të jetës së Anës te “shkrirja me shkretëtirën” do të mund ta lexonim edhe si ironi të hidhur të fatit, si revoltë sociale e njerëzore: kundër burokracive moderne (e të dikursheme si në Delfi), kundër politikanëve që paraqiten si apostuj të tranzicionit demokratik e tashmë të metamorfizuar në afaristë e që e lënë popullin në mëshirën e tij të marrë botën në sy, si judenjtë që endeshin në shkretëtirë për Tokën e Premtuar (“do të jetë më mirë”, premtojnë gjithmonë apostujt e tillë të të të gjitha kohëve). Endja nëpër tri shtete (kudo gjen shqiptarë e plagë të Atdheut që e ndjek pas), a nuk i ngjet endjes nëpër shkretëtirën e Tokës së premtimeve të mëdha?

Metafora e Natës: paralelizmi semantik dhe ai kompozicional

Brendia e romanit zhvillohet kryesisht natën. Nata nëpër të gjitha faqet e romanit merr rolin e kontrastimit me dritën; ajo ndillet vazhdimisht për ta mbuluar “të vërtetën” për sëmundjen, të cilës i del në ndihmë edhe mjegulla. Ajo e merr edhe rolin e kategorisë metafizike: ajo është në konflikt kosmik me dritën, ashtu sikundër vetë njeriu është një mikrokosmos i tillë. Errësimi imagjinativ i natës dhe mjegullës kontraston me ndriçimin semantik të personazhit narrator: rrjedha e kohës nxit edhe gjendje të ndryshme psikike, kurse bukuria e peizazhit, e hapësirave të jashtme urbane a natyrore, kushtëzohet simbas rrjedhës së kohës, natës a kohës sa zgjat mjegullimi: aq sa zgjat rrjedha e kohës nga një shekull deri te një sekondë. Për ta zënë çastin e një përjetimi të rrallë të dashurisë aq pasionuese: “kishim aq kohë për të jetuar së bashku”. Natës i shkon misteri, e fshehta: Akropoli është simbol e dëshmi e kësaj dashurie kaq të prekshme; ai është edhe “mister i thjeshtë e i pafajshëm,” mbase, për ta ndriçuar semantikisht gjendjen psikike të personazhit. Imazhet imagjinative esenciale të pamjeve që paraqet Lera, zgjojnë asociacione të shumta, sikundër janë nata dhe drita, mëngjesi dhe lindja e diellit, shkretëtira dhe deti, toka dhe qielli, retë dhe lëvizja e njeriut në udhë. Edhe vetë imazhi e prania e natës subjektivizohen, dramatizohen simbas prirjeve të brendshme të gjendjeve psikike të personazheve. Vetë nata është dramatike dhe i ka tri akte e skena: nata athinase, nata italiane dhe nata algjeriane, me epilogun e ndarjes fatale. Personazhet paraqiten edhe para fytyrës së vërtetë të natës, të sëmundjes, të jetës, të vdekjes e të dhimbjes; e që flet për ekzistencën konkrete të njeriut. Në planin e brendshëm, aktet e kësaj drame e paraqesin natën me kobin e saj që vjen në trok dramatik drejt fundit fatal të personazhes, ajo sjell shqetësime, një kërkesë për ikje e dhimbje; kurse në planin e jashtëm nata përjetohet me gjithë bukuritë, me veskun e saj, me imazhet e me mishërimet e saj hyjnore-mitike, tek i shënjojnë harmoninë, qetësinë dhe të bukurën. Nata nxit asociacionin e enigmave të jetës, krejt në kontrastim me kaosin dinamik të ditës. Dikund në roman flitet për “çnatyralizimin e vdekjes”, mandej për shkrirjen e trupit me natën, me hapësirën, me mëngjesin, e, në fund, me shkretëtirën. Kurse qenia e Anës ndeshet e gjendet në konflikt metafizik (ashtu si është gjithmonshëm qenia njerëzore) me forcat krejt të kundërta: në mes materies dhe frymësisë, trupit dhe shpirtit, përkohësisë e përjetësisë, jetës e vdekjes, tokësores e hyjnores. Nga ky plan kontrastimesh e ndeshjesh, autori kalon në planin e së brendshmes, emocionit dhe heshtjes: “Heshtja është e kaltër”, shkrirja me heshtjen etj. Nata është hapësirë e përshtatshme për t’i projektuar dëshirat, synimet, refleksionet dhe idetë, anise ato nuk mund të realizohen. Nëpërmes paraqitjes së peizazhit, natës dhe udhëtimit, Lera e realizon mrekullisht paralelizmin semantik dhe paralelizmin kompozicional: gjithçka flet dhe bëhet që t’i zbutet dhimbja Anës, ta harrojë, së paku përkohësisht sëmundjen; megjithatë, gjithçka nën mjegullën, (natën athinase, natën italiane, natën algjeriane) narratori ndjell dhe parandien fatalitetin; nxit vuajtjen e brendshme. Nëpërmes përshkrimit të hapësirës së jashtme, kontrastohen hapësirat e brendshme; hapësirat e jashtme përmbajnë ngjyra, mjegull, feksime të befta drite…mandej kjo hapësirë tërhiqet ngadalë nga skena romanore, këmbehet me hapjen e perdes së botës së brendshme të personazhit… dhe të personazhes, që nuk gjen ngushëllim.


(“Kosova sot”, Prishtinë 2004)

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •