Cikël poetik nga Furtuna Sheremeti
| Friday, 01.29.2010, 11:17 PM |  

Limani i dyshimit

Në limanin e zbukuruar të heshtjes sime
sonte me ngadalë zbarkoi pasiguria
e cila nëpër valixhet blu bartte shumë dyshime
të cilat mbase edhe kishin lindë nga dashuria.

E heshtur dhe e qetë kaloi përgjatë rrugëve të lotëve t’mi
rrugëve të cilat qenë shtruar nëpër mall,
pa u ngutur nisi të mbushte cepat me nostalgji
ata cepa t’asaj ndjenje që përbëhej veç me fjalë.

Ajo pasiguri si mysafire e nderuar
zuri vend e fjeti qetë në mendimet e mia,
ku e gjeti vendin me dyshime shtruar
nga po t’njëjtat dyshime t’lindura nga dashuria.

Prandaj edhe unë po fle...se dua të harroj
mbase edhe t’mashtroj veten – s’po mundem ta di,
por duke e ditur se e nesërmja prapë do t’më zgjojë
ndihem e pafuqishme dhe të flas nuk arrij .

2009-ta

Sonte jam ulur në mendimin tim
prej nga po i shoh me kureshtje kujtimet e mia
që po më mbushin me plot gëzim
për gjërat që desha e munda t’i arrija.

Nga këtu ku jam ulur, 2009-ta shihet mirë
sikur vit i këndshëm, shumë i lumtur për mua
sado që një pellg lotësh ma kujton se ishte e vështirë
koha kur qava sepse zura në thua.

Kishte edhe lot që t’qeshurat m’i vlerësuan
e më bënë të ndihem më pas shumë e lumtur,
po kishte edhe t’qeshura që në lot përfunduan
ishte vit i bujshëm...ahhh, ishte vit i bukur.

E sonte këtë vit po e shikoj si t’ishte pisha e vitit të ri
e madhe dhe e gjelbër, hijshëm e zbukuruar
ku secili person që e dua më bëhet stoli
që këtë pishë kaq bukur sonte ma kanë ndriçuar. 

Diçka që ai s’e thotë !

Ka kaq vite që e njoh e kurrë s’e kam kuptuar
atë që ai dëshiron të thotë – atë që ai mendon,
atë shikim që mbaron me një fjali t’pa-përfunduar
kjo zemër e vëren por dot s’e deshifron.

Çdo mbrëmje kur dalim bashkë nëpër qytet
dhe e qeshura si mike e mirë na bën shoqëri,
përshëndetja e fundit e çuditshme mbet
prapë pa përfunduar, as vetë s’e di se si.

Edhe në çdo takim, edhe mbi çdo vërejtje
ai është i pakapshëm...nuk e mbërthej dot,
veçse e ndjej se në secilën përshëndetje
pas asaj ‘Mirupafshim’ ka diçka që ai s’e thotë.

E ku tretet e kaluara?

Ai e thërriste ‘zemër’ sa herë që e takonte
flokët e kërleshur me qejf ia ledhatonte,
sa herë fliste me të – e shikonte në sy
në këtë botë të egër, ajo ishte jeta e tij.

Ajo e dashuronte dhe e përqafonte gjatë
i dukej jeta e trishtë kur s’e shihte një natë,
mëngjeset e ditët më t’mira i kalonte me të
ai e kuptonte edhe kur heshtte, edhe kur lëshonte zë.

Ata ishin të lumtur po mbase s’e kanë kuptuar
janë aq shumë kujtime që bashkë i kanë krijuar,
nëpër ditët e errëta e të ndritura e plot shi
nga heshtja e saj e tek fjalët e tij.

E sot kur në qytet, ndonjëherë takohen
as nuk buzëqeshin, as nuk përqafohen,
një ‘Tung’ bashkangjitur me një shtrëngim dore
është thërrmija e ndarjes që shpie në fitore.

Frymo në heshtje at’ 

- Ky tunel qenka i gjatë
dhe i errët o at’
edhe dita tash është natë
nuk ka një pikë fat.

- Merimangat rrotull sillen
në flokët e mia fole kanë thur 
errësira në sy m’përdridhet
e më gjuan me gurë.

-  Po unë s’e shoh se t’kërkoj ty
që pesëmbëdhjetë vjet
s’po m’bëjnë dritë më këta sy
ecja o at’ po m’vret.

- Jam lodhur at’...jam lodhur shumë
se t’vërtetën e mora vesh
më zgjoi jeta nga ky gjumë
dhe shpirtin ma qoi peshë.

- Ty s’do t’gjej dot – e di
edhe po t’ec në tjerë tunele t’zi
edhe po u fala lakuriqëve nur
ty s’do të t’gjej kurrë.

- Andaj me lot edhe me shkrime
po t’lë t’frymosh në heshtjen time. 

Kështjella 

Jam bërë si kështjellë prej guri
e rrethuar prej një muri
mundohem të jetoj,
me cepa e kthesa mali
jetësoj ëndrrën e një djali
se s’dua ta dëshpëroj.

Mirëpo prapë mbes vetëm unë
ajo që pret mysafirë shumë
dhe përherë ju buzëqeshë,
sikur t’kem zemër gur
që nuk vajton kurrë
me siguri veten e veshë.

Se në mua në të ftohur
kanë kaluar shumë t’panjohur
me mijëra premtime,
por asnjëri shkallët s’i ngjiti
deri më sot asnjëri s’arriti
t’ngjitet në maje t’kështjellës sime.

Më fal ... por s’po më kujtohesh 

- Po ecja rrugës me shpejtësi
diku isha vonuar...
kur para syve më dole ti
fare pa t’menduar.

- “Më falni, mund t’ju ndihmoj?”
të thashë e mbushur frymë
por heshtja jote më bëri t’mendoj
ma lagu shiritin e memories si brymë.

- Mirëpo s’po të njihja ende
më kot t’shikova gjatë në sy
kur m’the se dikur zinim dy vende
në një jetë që jetuam të dy.

- Ah, sa keq më erdhi pastaj
kur m’u kujtua loja jote
e ndonëse s’kisha pasur faj
m’u duk se m’ra mbi supe pesha e një bote.

- Dhe buzëqesha me ngadalë
të lashë hapësirë që të tundohesh
e duke u larguar të thashë :Më fal...
por për besë s’po më kujtohesh”.

- Kurse ty të dhembi – e di
ma tha loti që t’piku në sy.

Mendim i një plake

- Ka kaluar kohë e gjatë prej asaj jete t’kaluar
kujtimet e mia tani ëndrra më duken,
tërë ato gjëra që dikur kam përjetuar
çdo ditë më tutje n’heshtjen e kohës zhduken.

- Kam nisur të harroj dhe ndonjëherë kam frikë
përveç kujtimeve, as veten s’e njoh më
më thonin se pleqëria zjarrin e fikë
por atëbotë unë s’tmerrohesha nga kjo gjë.

- Kurse tani jeta them se s’më përket
çdo nismë e re në palcë më tmerron
nuk e di e nesërmja – më pret a s’më pret
a ekziston diçka që sonte më gëzon?

- Me mendimet e mia bëhem pre e vetes
fjalët nuk i them...s’më pëlqen shumë të flas,
ashtu si mundem i dal përpara jetës
dhe gjërat e shkuara mundohem t’i lë pas.

Pasagjere e ndjenjave

- Mëngjesi iku...dita nisi mbarë
një vajzë e qeshur në rrugë kaloi,
këtë vajzë më herët s’e kisha parë
e prapëseprapë diçka m’kujtoi.

- ME zotësi mashtrimi t’përkryer
nga mendja e fshij mendimin e kotë,
rehatohem në një ulëse të thyer
dhe me kureshtje sodis një botë.

- Se këtu n’stacion të takimeve t’jetës
bota eksplorohet ashtu si do ti,
rrethanat njeriu ia krijon vetes
dhe duke e pritur shansin - rri.

- Por para meje prapë u shfaq ajo vajza e re
në një skenë tjetër, mes dy djelmoshave fisnik’ 
ku njëri i thoshte : “ Ti në dorë e ke “
kurse tjetri pëshpëriste: “ M’fal po m’duhet t’ikë “.

-Drama ishte e qartë, e vura re edhe unë
ai djaloshi i parë ishte dashuruar marrëzisht
por vajza si duket donte diç më shumë
...vëmendjen e tjetrit – përfundimisht.

- Sa perde u mbyllën e u hapën prapë
u shfaqën e u shuan mjaft mendime t’saj,
sa shpesh ai djalosh afrohej me vrap
e vinte pastaj tjetri dhe e bënte me vaj.

- Kështu ecte koha, ndërroheshin aktet e jetës
ajo vajzë akoma dot s’po e kuptonte
pse nuk mundej t’ia sqaronte vetes
ç’ndjente brenda n’zemër? Cilin dashuronte? 

- Derisa një ditë unë u nisa t’shkoj 
treni im i radhës sapo kishte lëshuar zë
dhe me shumë vëmendje vendosa ta shikoj
edhe një akt të dramës që s’do ta shihja më.

- Djaloshi i parë u largua e udhëtoi
djaloshi i dytë u kthye nga udhëtimi,
vajza të parin e përcolli – e përqafoi
kurse tjetrin e priti me lot gëzimi.

- E pastaj u ngrita dhe vazhdova rrugën time
( nuk dua t’gënjej )... fillova të qaj
dhe më n’fund e kuptova se ajo vajzë sublime
ishte pasagjere që shtegtonte nëpër ndjenjat e saj .

Shpërthim ndjenjash

Ti...motiv i vargjeve të mia
heshtje e fjalës sime
frymëzim i thënieve që them
më thuaj...
më trego pse të ndjej,
pse të dua aq fort,
pse o hije e lëkurës sime,
pse?!

Ti s’flet...e di,
s’e ndjen klithjen e heshtjes që e jetësoj në figurën tënde,
as frymën time s’e ndjen...
sepse s’të ngroh,
sepse frymoj në kohë pa kohë,
në epokën e krenarisë mashkullore,
vetmisë së zogjve shtegtarë
dhe në vendin që s’më përket.

Krijoj aty ku krijimi s’ka vlerë
ku dashuria nuk ndjehet
e edhe po u ndje...nuk shprehet.

Po ti?!
Frikësohem nga ti ndonjëherë,
nga ajo që të rrethon.
Të lus u dallgë e humbur – mos hy në fantazinë epokale,
mos e gjej veten aty ku nuk përket,
mos frymo me frymën e huaj,
mos!

Mos vrapo bashkë me kohën, po ec pas saj,
kupto nëse ndjen apo jo,
apo mos ndoshta unë po dashuroj pa kthim?

Heshtja e natës dhe fletës më lënë pa përgjigje
dhe ti nuk gjendesh rrotull.

Andaj të them ‘kërko’...
kërko brenda vetes atë që akoma e ke përbrenda,
kërkoje dhe falma mua, ngase dashuria ndjehet – nuk injorohet.

Kuptoje një herë e mirë dhe flaki tutje kthetrat e periudhës që po shkon
e hidhu i tëri në fantazitë e asaj ëndrre që e jeton në heshtje.

Eja tek unë...tek ëndrra jote !

Teoria e Darvinit

Ka kohë që gjithçka ka mbaruar
thjeshtë m’duhej kohë që ta pranoj,
veprimet duhej arsyetuar
që t’mundja t’i besoj e t’i kuptoj.

E sot çdo gjë e kam të qartë
ëndrra mbetet vetëm kujtim
që t’shkuarën me vete e bartë
porsi një vegim.

E nesër gjërat do të ndryshojnë
do t’jem duke i parë,
kohërat që para syve kalojnë
me fjalën e vrarë.

Por me kohën do t’mësohemi
t’lëshojmë veten në flatrat e gëzimit
me t’cilin do t’mund të adaptohemi
…bazuar në teorinë e Darvinit. 

Unë jam!

Unë jam erë mali e zhurmshme,
pelerinë që rri mbi mur,
jam hije e natës së turpshme
...ndoshta një figurë.

Unë jam Zot i vetes sime,
jam një pako me befasira,
ngërthej gëzime e trishtime
...qindra-mijëra dëshira.

Unë jam zanë e netëve t’vona,
engjëll bëhem kur do gjithësia,
jam qiell me yje – miliona
...kam teket e mia.

Unë jam flutur me shumë ngjyra,
lule kopshti që rritet pa fjalë,
jam qenie që bëri natyra
e krijuar me mall.

Unë jam bijë e dashurisë,
më ka krijuar mirësia,
jam skllave e ndjeshmërisë
t’cilën e rriti dhembshuria.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •