Dritan Karadaku: Poezi nga libri “Kënga e gurit”
| Monday, 02.15.2010, 12:33 AM |  

“Kënga e gurit”, botimet Emal, Tiranë 2009

Dritan Karadaku


Rikthimi i Krishtit

Pas shekujsh mërgimi në botë
u kthye një lajm pa moshë
lindur pa yll dhe shenja
dritën e Qënies të trishtë e ndjeu
si pishtar të zverdhur ndajnatës së vonë.

Nga rruga në rrugë këmbët ju lodhën
dhe trupi sakaq n'kujtime ju kthye.
Veten e pa t'përgjakur në kryq
dhe botën njësoj, me diell me hije.

Forca e fundit i klithi në shpirt 
por zëri pa zë nga larg jehonte
pa zhurma qytetesh, pa hapa të vonë
trupin e tretur lëshoi
qetësuar n'kalldrëmin e njomë.

Pranë tokës, i lodhur mendoi
sa paqe, sa heshtje, sa pak batërdi
i trishte ishte çasti që trupin m’a çoi
në qiell në yje, larg vetes, larg tij.

Përgjigjja si shpatë ndërgjegjen i ndriti
dhe dhimbjen ja ktheu në një zjarr të ri.
E vërteta ësht’ toka, e vërteta ësht’ toka 
mbi të hapat hedh, i bukuri, i tmerrshmi njeri. 

Kënga e gurit

Përmbi gur dora dridhet
Dhe fjala rëndë lëshohet përmbi tokë.
Vështrimet krenarë përthyhen
Mbi gunën qendisur me arnalotë.
 
Veç heshtja më pas e vetme flet
Dhe t’gjithë e dëgjojnë si shërbëtorë.
Kur fjala Qënien e ndërton
Veç zotat flasin në k’të tokë.

Era e maleve mendimet në shpirt risjell
Dhe heshtjen e thyen e pafrikë.
Zoti i gurit burrave ju flet
Dhe u kujton gjithë ligësitë.

Dhe fjalë u flet me zë stuhie
Për emrin që s’patën në k’të tokë
Dhe helm u derdh në shpirt, mbi krye
Për frikën që derdhën në k’të botë.

E burrat shihen e shtrëngohen
E n’epope sërish bashkohen.
I ndrijnë prapë shpatat edhe kurajon
I thirrin zanat edhe murtajën. 

Por kët’ herë fytyrën dun me i pa 
E s’dun ma ndihmë as heshtje-shpresë.
Me zë lahute kënga e gurit lind
Që zjarri i shpirtit n’dritë me u la.

Mbi qiej zë i lartë shpërthen
Nën këmbet e çlirimtarëve dheu dridhet.
Mes malit e diellit erë e Qënies fryn 
Vetja veten, vret e lind, e lirë nga heshtja e pafrymë.

Skënderbe

Një emër nga larg, një njeri i vetëm sot 
Do të lind si fjalë, do të lind një komb 
Veten do ta tresë në shpirtrat tanë si hi
E do lindet madhështor një feniks i ri.

E do jetë një qiell i madh si liri
që frikën do na vrasë në ngadhnjimin e tij.
E do jetë një tokë e madhe sa mot
Që n’vete do zgjohet e s’do derdhë më lot.

E zezë

E zezë si nata është fytyra jote e ëmbël
Të zinj gishtat e tu që në flokët e mija humbin.
Në të zezë lyer, trupi yt i ngrohtë.
Të zeza janë mendimet që prehje s’mi lënë shpirtit. 

Vetëm gjatë natës, pesha e adhurimit
porsi era fryn, lehtas nëpër botë
veç përpara teje, dhimbja e nënshtrimit
jetën gjak e ndez, kur trupin preh në tokë.

Kujtime

Mesnata veç gjurmët ka lënë si dëshmi
në të tjerë vënde është nisur me ngut.
Jashtë meje kudo, gjumi sundon sovran
ndërsa mbi qytet, në heshtje, fillon të bjerë shi.

Qielli krahëve ka hedhur, një mantel të hirtë
me qytetin janë bashkuar si dy miq intimë.
Ndërthurur janë dhe retë ndaj nuk shihen dot
veç era lëviz, ngarkuar me lot.

Me këtë erë më vijnë, kujtime, ca fjalë e imazhe
më sjell njerëz të afërt, në hapësirë të largët
E më kujton fytyrat, tërbimin dhe urrejtjen
E më kujton veten, prejardhjen dhe mbetjet.

Në frymën e  parë tek imazhet mbërrijnë
në pikat e shiut tek me erën vijnë
Kam dëshirë të lagem, të ndjej ajrin e ftohtë
të flas ashtu me veten, pa miq e pa shokë
Dhe kur shiu shtohet në mua dhe jashtë
Të tashmen përdhosin kujtimet, që të gjitha bashkë.

Mallkimi

Frymë lirie është mallkimi
Kur nga të ëmblat buzë të tua
Drejt meje lëshohet i zi.

Frymë lirie është mallkimi yt
E dashur, kur heshjen e akullt
Mes trupave tanë, e ndez, e kthen në hi.

Frymë lirie është mallkimi
Dhe urrejtjet përjetësisht nga ti
Që trupin dhe qënien më dënon për tradhëti.

I zhurmshëm vendimi yt i gurtë
Që shpirtin më dënon me liri..

Mëmë

Kjo aromë, ky afsh që prej trupit tënd buron
ta dish mike e dashur tërbimin s’ma ndal dot
kjo qënësi e mishtë, nga toka pati dalë
aty ku Zoti gjeti, Adamin  në përrallë.

Ndërsa ti e dashur sipas parodisë
nuk dole nga toka por nga trupi im
Ndaj ky trup i lodhur, i egër e i brishtë
me një frikë t’përjetshme Zotin qëlloi në brinjë.

I gjithë universi e dëgjoi klithmën
e gjithë bota në shpirt e ndjeu dhimbjen
Por prapë kjo brinjë e thyer, qëndroi pa fjalë
heshti e rënkoi tamam si në përrallë.

Që kjo formë, ky trup, të merte prapë frymë
dhe forca e Dionisit të sillte drejtësinë
me dhëmbqeshjen që ethshëm kalon nëpër gojë
në erën e hekurit të gjente lirinë.

Fund

Qëndron para meje
E trishtë, e zverdhur tashmë
Kufoma e imazhit tënd
Veç kujtime të plakura
Si fryma e fundit e jetës
Enden përhumbur në të.

Me frikë zgjas duart drejt vetes
Kërkoj një vënd në guvat e harresës
Të flak një copë të vetes, gjithë qënien time
Ç’do çast që endet i trëmbur 
Në mendimin e dashur për ty.

Me ankth gërmoj në shpirt
Një varr për qënien tonë të vdekur
Një vënd të përtejmë nga ku
Kufomat, nuk rikthehen kurrë.

Dhe ti bashkë me to në mua përjetësisht
Do prehesh e heshtur, pa frymë
Si era, si dunat në shkretëtirë.

Kur netët të ftohta, të akullta krejt të jenë bërë
Veç kujtimet do enden në boshllëkun pa dritë.

Rrugëve të qytetit në heshtje, aromën tënde do kërkoj.

Tranzicion

Në kryq gozhduam shpresat tona
Dhe dashjet në zhurma mishëruam përherë.
Ikëm nga toka, ikëm nga deti
Por vetja bishë s’na u nda asnjëherë.

E deshëm, me gjak e deshëm
Të bukurën, perëndeshën mëmë.
Një pelerinë lotësh i thurëm bushtrës
Që prehje, gëzim, kurrë të mos ketë.

Rikthim në vete
(17 Shkurt 2008)

Një këngë e vjetër sot rilindet
Me tinguj fjalësh, afshesh, britmash.
Një këngë e re sot po këndohet
Me pëshpërima, ëndrra dhe dëshira.

Dhimbje të madhe kjo këngë po lind në shpirt
dhe një gëzim me frikë trupin t’gjithin mpin
se me u pa me veten mbas shekujsh mërgim
ësht’ vepër për heronjtë e jo për gjakun tim.

Trembur mes nesh, sot një zë i lehte dëgjohet
dhe shëmb kështjellën e vjetër gur e baltë
E me një afsh të ri fryma, trupin ledhaton sërish
djall a zot le t’jetë, veç e dukshme t’jetë qënia jonë.

Larg

Në të tjerë vënde ngrysim ditët tona 
Dhe rrallë penat tona shkruajnë për ne 
Flasim tashmë për perëndimet e perëndimit
Dhe lartësitë e largëta në botën e re
U ngrys që në lindje, lindja, në lindjen larg nesh

Shtëpia e mishtë

Dy dritare brune rendin drejt imazhit
Të bukurisë së trishtë të botës
Dhe trupit të një femre që ëndrrat jeton, 
Reale, si përbindshat që krijon.

Dridhen gjithë idetë, prej meje me ngut rendin
Aroma e gjakut më ngjyros mendimet
Fijet e nervave me elektricitet më ndezin
Lëngjet që n’këngën e jetës vallëzojnë.

Shtëpia ime e mishtë larg sot ma mban botën
Zjarri nga përbrënda më djeg idenë e fundit.
Dhe vetëm atë çast, në sekondat hyjnorë
Shëtis qetësisht në tokën e mosmendimit.  


(Votes: 6 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •