Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Kthimi
| Sunday, 02.21.2010, 11:45 AM |  

KTHIMI

Kërrusur kthehet
Njeriu
Me flamur të leckosur
Përgjatë Bregut të Drinit
Në  oazën e djegur...

Nëpër mjegull funshekulli
Kthehet
Me këngën labe 
Me jehonën e Dragobisë
Me ushtimën e Lurës
Në prushin e Goliatit!

Përçudshëm kthehet
Njeriu-
Nëpër mina hedh valle
Dafina mbëlton në prush, 
Me lakun
Shlirshëm në gushë:
Këngën e mortit këndon!

Syri i keq mos e paftë
Zogj shqiponjash rritë në vërri,
Zogj nositi shpupluar mba në gji!... 


UDHËTIM NË KALABRI

Ku  është varri i De Radës
Rina ku fle-
Milosaut mbi varr 
Nën hije ulliri
Flamurin në beteja era a i valëvitë
Ku qëndisë flamur e bukura Marë
Mbrapa gardhit a sodit  Trimin
Më e bukura në Strigar ?!...

Lahuta plakë e plaku Balë
Motin e Madh a kujtojnë
Nik Peta e Pal Golemi të përgjakur kur vijnë
Në kroin e katundit të etur a pijnë?!...
*   *   *
Në Kalabri bri rrugës 
Takova një arbëresh
Qau për fatin tim
Qau për fatin e tij
Qau për fatin 
Që nuk na buzëqeshë!

Unë qava Kosovën
Arbëreshi qau Morenë 
Në metropole të Evropës
Tok qajmë Mëmëdhenë...                   

Verona, 22 maj 1999


M Ë K A T I  A PO   F A T I

Stërgjyshi im
Nuk kafshoi Mollën e Ndaluar
Në  Kopshtin e Adenit,
Dhe Kainë e Abelë i lindën fëmijë!

Kalorës  shtrigash zhbirojnë zverkun
Të bijt e Evës e Adamit-
Gjyshër kokulur përkulur në tempuj
Mëkati e fati  i kërrusin nëpër shekuj.

Zgjuar në  strofuj  lepujsh
Në kurthe dhelprash me një sy gjumë
Cfilitur nën rrasë guri- 
Në udhë të pa udhë  gjarpri...

Lëngatat pas lëngatash
Dymijë vjet bëjnë kërdi
Edhe pse nuk kafshuan Mollën e Nemun
Të kërrusurit gjyshërit e mi!...


PËR HIR TË PAQJES

Për hir të paqjes
Vaji im
S’lë përshtypje
Sa e lehura e një qeni
Sa kakarisja e një gjeli
Sa grrahma e një derri
E thika  ngulur  në fyt
Me  dhembjet këngët m’i mbytë.

Për hir të paqjes
Gjykuar jam të hesht
Të dënes-
Të digjem eshkë...

Dhe, prapë thonë: ”Paqësorë jemi!”


PARA BUSTIT TË BIZMARKUT

Ky njeri derdhur në bronzë
Gdhendur në gur
Fajtor është për fatin tim
Që kur drejtoi gisht
Që kur më tha:”Njeri me bisht!”

Nuk di ç’të keqe,
Atëbotë i bëra këtij burri
Nuk di ç’të keqe i bëra këtij guri
E di
Ky burrë
Gur
Me zjarr në lëkurë 
Ma shkroi fatin
Ma shkurtoi shtatin
Që kur më drejtoi gisht
Që kur më qujati:”Njeri me bisht!”

Tash hesht para meje 
Heshtje guri, njeriu gur
Skuqu para meje Bizmarku burrë!


HINCERHAIMI

A thua
E gjeta në këtë qytet
Rrugën e humbur
Që s’e humba vet.

Këmbët e molisura
Erërat
Dhimbjet
Më sollën në këtë qytet
Hallemadh
As  princ as  mbret.

Pse zogjtë fluturojnë
E këngë nuk dinë?
Lulet çelin e nuk kanë erë
Dritaret të mbyllura i mbajnë
Mikun këtu s’e presin në derë.

Plakat pse shëtisin
Me qen në zingjirë
Pse kaq shumë divorce
Me hir e pahir?


PO IKIN BARBARËT

Barbarisht po ikin barbarët
Me flamurin barbar
Me himnin barbar
Barbarisht
Me mit
Me legjendë
Me përrallë...

Po ikin barbarët
Barbarisht me arinj e tupana 
Në qafë varë
Me turpin barbar...

Barbarisht  po ikin  barbarët
Me zhurmën e marshit cigan
Nëpër tym temjani
Me ironi Ballkani
Barbarisht-
Nëpër shtresat e dhimbjes time.... 


POST SCRIPTUM

Kur u nise 
Pse nuk more në trastë
Pak baltë Kosove
Pak dhe Dukagjini
Pak bukë Myzeqeje
Pak dallgë Adriatiku
Pak valë Drini
Pak kushtrim Drenice
Pak lot nënash kosovare
O, pse nuk more
Pak krenari shqiptare?!...

Ta njihje veten
He burrë
Fantom i gjallë
Hije
Urë
Gur nën  gurë!                                       

Friedberg,14 dhjetor 1999


TE URA E BISHTAZHINIT

Te Ura e Bishtazhinit
Evgjitët ndezin zjarre
Qielli ka ngjyrë hiri
Zhurmë në atë anë lumit
Eskavatori kryeneq hap varre

Evgjiti plak
Kasap
Pi raki
Këndon
Në ditëmordjen time 
Hedh vallen e kremtës cigane...!

Te Ura e Bishtazhinit trishtimi
Te Ura e Bishtazhinit mallkimi...

Kukës, 18 prill 1999.


UDHËTIMI ME ANIJEN ”LA VIKINGA”

Nën drita neoni
Sonte kotet Durrahu plak
Ëndrrat kurrgja nuk i bezdisë
As sirena e anijes  në det
Refugjatët kur  nis.

Çuditërisht sonte
Durrahu s’ ka shtrëngatë
E deti pa valë
Fle i qetë
Qielli i kthjelltë
 Veson
Loton
Anija shtatzënë valët i çanë 
Një pulëbardhë krahëthyer
Rënkon
Përtej Adriatikut me zemër përshëndetë. 
Natë e gjatë shekull në Adriatik
Edhe një rrugë e re u  hap
Edhe një qiri u fik...

Balada e Otrantos ma zë frymën
Më mbërthen për fyti 
Më kërcëllin në kokë
Vlora tek hap varre lulesh në det 
Në rrugën pa kthim
La Vikinga 
Ëndrrat m’i shkundë në erë       
Me dhembjet e pulëbardhës krahëthyer
Sonte Vlora   më përshëndetë.                                                         

Durrës, 21 maj 1999


NË FESTIVALIN E GËTES

Vijnë në Frankfurt radhë-radhë
Kritikë
Filosofë
Poetë
Gëte me ”Faustin”
Te porta i pret

Sot ka festë Gëte buzëqesh me bujë
Kurora nderimi vëhen mbi statujë.

Të gjithë përkulen  para Gëtes së mermerit
Tek përshëndet”Geci i Berlinguerit”

Vetëm Mefistofeli
Rri vrenjtur në festival
Dridhet
Lutet
Fausti mëkatet s’i falë...

Frankfurt, shtator 1999


MREKULLI SIZIFI

Kur zotërat grindeshin
Në Olimp-
Kush nuk besoi në mrekulli.

Sizifi përgjakur në ballë
Me djersët valë
Maje kreshtës së djegur
Rrokullisi gurin
Kur  korbat si korbat
Këndonin këngët kobqare
E betoheshin në fe e atdhe 
-Nën hije të kërmillit do ngrehim fole!-

Durimi rebel shkëlqeu
Në fushë mejdani...

Maje kreshtës horizonti i purpurtë
Dhe Sizifi me Gurin 
Si në përrallë-
Njëri fle  në varr
Tjetri maje kreshtës rri krenar!


ËNDËRR ME GJYSHIN

Mbrëmë  me gjyshin shëtitëm në histori
Unë flokthinjur gjyshi eshtrat hi!

Medet  sa  e   tkurrur
Harta e Atdheut
Në orë gjeografie...

Mbrëmë me gjyshin kafshuam
Mollën e Kuqe të Mollës së Kuqe
Dhe vallen e fundit hodhëm
Në dasmën imagjinare
Kur gjyshi ishte dhëndri
E gjyshja nuse!

Molla e thartë  dhëmbët e  mpirë
Kërcëllijnë nëpër shekuj
Përrallë pas përralle
Cfilitur lart në tempuj!

Mbrëmë me gjyshin
Farmak në Bunarin e Alisë pimë 
Ligatinë Livadhi i Gatë-
Ara e Cul Konjuhit djerrinë.

Mbrëmë u çmalla me varre
Gjyshi me histori; 
Unë flokthinjur , gjyshi eshtrat hi!

Mbrëmë u rilind gjyshi
E shpirt dha të nëntën herë
Me porosinë e fundit:
”Biro, kthehu n’pranverë!”


BALADA E ZHVARRIMIT

” Kur të vdes , thuani mbretërisë së ëmbël Tokë se e kam dashur
më tepër se sa kam guxuar t’ia shprehi!”
                                    Georges Bermanos
1.
Vapë gushti  
Dridhje zemrash
Aritmi në thasë najloni
Imazh  acari siberian
Dhe vapë Sahare...

Në Rahovec ngrehur kanë
 Kullë Ajfeli
 Apo morg prej najloni!?...

*  *  *

ADN
Kokërrza të ngrira në epruvetë
Gjaku-
Gjen  kryeneq  etërish krenarë
Në thasë të valë najloni
Në morg të ngrirë najloni
Tërmet-
Gjeografia e lëkurës stërkequr dridhet
Mos po e tkurrin lëkurërrjepur
Hartën e Atdheut - 
Tek e përkundin në Shtrat Prokrusti?!...

2.

Bukë të trishtë e liri të brishtë
Në sofrën e ëndrrave  thyejmë 
 Dhe (s) ngopemi me përralla
Urnën e eshtrave 
Në kremator si kripë
Tinëz me kafshatë e ngjyejmë
Shpresat  gërryejmë ...!

3.

Idhujt shkurtabiqë 
Medet,
Nuk u rritën
As s’u burrëruan kurrë!

Lindën shkurtabiqë mbaruan në hiq...!

Det i shteruar lotësh
Helena
Hekuba
Andromaka
Dhe Motra e Avdisë
Shkruajnë  epitafe
Mbi varrin e  thembrës së  Akilit!...

Injorancë fatale
Fundshekulli e fillimshekulli
Legjendë biblike
Ironi moderne 
Eshtra  në thasë prej najloni
Eshtra në morg prej najloni!?

4

Në një mijë variante
Dhëmbëthyer bluajmë rrashta
Në orë  retorike përtypim kafka 
Fërgojmë mushkëri me verem 
Kancer shekulli njëzet
Heroinë ankthshpëtimi
 AIDS tmerrimi 
Na pijanecët  në Kupa Odini
Dehur në tavolina zhgënjimi
Me lule  harrimi
Eshtra me ADN
Eshtra pa ADN
Zhgrryejmë në pjata rubini
Kush me grushta kush me thonj
Kush me lugë druri kush me lugë floriri!?

5.

O vraponi 
Njerëz -
Erdhën  eshtrat në thasë prj najloni
Erdhën eshtrat në morg prej najloni
Klithje e valë nënash
Antartiku në bebza të nuseve 
Sivjet  u shkri!

Protestë
Në thasë të ftohtë prej najloni
Në morg të ftohtë prej najloni
Thirrje të prushta  nusesh shtratngrira 
Ndoshta (kush e di)
Lotët shkaktuan ngrohjen globale
Tërmet në tokë e cunam në det?!

6.

Zgjuar u kthyen eshtrat
Hej, me sy  kah toka e djegur
Kah lumi i shterur
Kah varri i çelur
Ore,
-Kush tha  Konstandini 
S’i mba besë Doruntinës?!...

U kthyen eshtrat
S’u kthyen eshtrat
Udhën   nuk e harruan 
Shitur
Stërshitur
Djersitur arritën në Atdhe
Në thasë të ftohtë prej najloni
Në morg të ftohtë prej najloni
Kafkëshpuar
Brithyer
Synxjerrë
Me shifra e pa shifra
Me ADN e pa ADN
Me erë dheu të huaj
Me Gjok Konstandini e pritje  Doruntine
Me lotë jetimi e ushtimë kushtrimi
Në ndëgjegje harrimi!?

7.

Nëse këndoni  balada 
Merrjani këngës eshtërake
Në kremtet e dhembjeve 
E vallet e mortit!

Me kërcëllima të ngurta
Vinë eshtrat-
Në morg të ftohtë prej najloni
Ngjitur në Pirg Ajfeli
Fjetur në Piramidë  Keopsi
Zgjuar në kullë  Babiloni
Hedhur në vallen  kosovare!...

Nënave sivjet 
Idhshëm 
Po u shkon zëri 
Etërve u  dhëmbin kokat 
Shtrënguar i kanë me marhamë
Sekëlldisen,
Pinë shumë duhan!....

Nuset hijerënda heqin vathët
Këpusin gjerdanët në gushë 
E i  lidhin kujtimet në unaza...

Ngushëlloni fatzezat buza  s’u buzëqeshi
Por kujdes
Mos u thoni
Se fati kështu e deshi!...

Nuk e deshi fati nuk e deshi mëkati
E deshi dheu e deshi guri
E deshi liria e deshi flamuri
E deshi balada
Për gjarpërin nën guri!?...

8.

-O sytë m’u vërbofshin
Po vesha rrobë të bardhë
Në gisht po ngjita unazë
Gjerdan  po vara në gushë
Po iu gëzova blerimit në pranverë
Po mora erë lulesh në fushë
Po si rrita dhembjet me  dhembje
Po si tora kujtimet deri në varr
Po s’u përkula para jush
Si prifti në altar
Po këndova po hodha valle
Po s’u bëra qyqe që vajton në livadhe!...

Pushkë Hasimje
Po s’u bëra 
Hej, 
Motra t’u bëftë gur!...

9.

Në Itakën time
Sivjet kemi dasma dhembjesh
Me flamurë të leckosur
Pa zurna e pa tupanë
Thonë se Odiseu 
E di rrugën edhe nëpër mjegull!?...


Krushq-
Vinë eshtrat radhë- radhë
Renditur mirë nga patologë Evrope
Në  thasë të ftohtë najloni
Të zi
Të kuq
Të bardhë
Plisshpuar zgjohen n’baladë!...

Flasin kafkat  thërrasin rrashtat
Grykëthara zemërplasura
Mërdhijnë,
Në morg të ftohtë prej najloni
Në Kullë Babiloni!?...


Hijena  mpreh dhëmbët e vjetër
Me shpresë ta kafshojë në këtë dimër
Edhe një copë tjetër 
Atdheu të ngrirë...

Hakërrohen kafkat
Hakërrohen rrashtat
Luftë e ashpër ankthesh
Në rulet bixhozi
Lëkura  piçet e digjet me fatin
Në morg  prej  najloni
Në ballsam Ballkani
Në ndërgjegje të vonuar Evrope?!...

10.

Ecin kafkat, ecin rrashtat
Kokulura,
Me  kushtrim bjeshke
Hapngathta-
Në udhët  kah varret
Mallkim kush bluan 
Krenari eshtrash në orë retrorike!

Stinë të përçudshme
Erdhën këto vjet
Tulipanët  nuk çelën n’pranverë 
Në vjeshtë vijnë
Me dhembje shtatzënash,
Binjake dhembjet
Medet,
Do linden  prapë në verë
E do trokasin zemër më zemër
E do thërrasin derë më derë!....


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30