Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Kur matet me zemër
| Sunday, 02.21.2010, 11:54 AM |  

HYR NË LËKURËN TIME

Dreç apo njeri kushdo që të jesh
Vetëm një herë 
Dhe vetëm një çast
Hyr në lëkurën time
Shtrihu në Shtratin e Prokrustit
Me gijotinën e përgjakur jastëk
Ku unë fle e zgjohem 
Shkurtohem e zgjatem
Tash e dymijë vjet
Dhe do ta ndiesh në lëkurën tënde
Satana  sa  i ngulë dhëmbët e mprehtë.

Hyr në lëkurën time
Gjarpërushë-
Tënden  vare në ferrë
Dhe do ta ndiesh
Sa zjarr
Sa akull
Sa dhembje 
Pata në çdo pranverë!


FËRSHËLLIMË VERIU

Prapë nga Veriu
Në dritaret e dhembjes
-Fiu- fiu-fërshëllin suferini...

Plaga e irnosur ngrin në shtat
E gjarpëri skutaç
Lëpihet e ngrehet në bisht
Pas lojës në hiq
Lëkurën e leckosur
Flamur të bardhë lart ngrit
E lumë Lumëbardhit
Përralla i pëshpëritë.

Lumë Lumëbardhi rrjedhë nuk ndërron
Me varrë në shtat
Me plagë në ije
Me valët gjak
Baladën e dhembjes këndon.

Fërshëllin Veriu-
Stralli në zemër vetëtimë,
Vallja e re  në  teh  thike nis,
Balada e harrimit  cijatet në urë
E lumë Lumëbardhi fle mbi zall
Lumë Lumëbardhi thyhet në gurë.


PYKË  NË LIS

Kurorëdjegur lisi plak
Rrudhat palë-palë
Në ballë e në shtat
Idhshëm qesh
Gjëmon
Varrët tek i kullojnë gjak

Mallkon rrënjën trungun që i rriti
Mallkon trungun dhe degën pykë
Pykas ngulur në shpinë
Thikas thikë në fyt.

Mallkon erërat që e rrahin në kreshtë
Mallkon gjethet  që i bien në vjeshtë.

                   *  *   *
Mos i kërkoni autoktoni
As biografi në botanikë Darvini
E gjeni në kushtrimin e burrave 
Në vajtimin e nënave- 
Në lotët e gurëzuar të nuseve 
Në rrathët e hakërruar të currave.

Kush e di  si lisi
Sa dhemb e si djeg pyka e degës 
Në trungun e shtrirë horizontalisht.


NË KURTHIN TËND

Edhe në të njëqindtën herë
Në kurthin tënd rashë
E gropat e maskuara 
Nën këmbë kurrë nuk i pashë...

Sa gurë , zjarr e mallkime 
Më paske hedhur mbi krye
E nuk e paskam ditur!...

Surratin  nuk ta njoha 
Satanë nën vellon pëlhurë
As shikimin idhnak nën vetulla
Nuk ta  kuptova kurrë...

Nuk ta kuptova shikimin vëngër, 
Me bisht të syrit!.


KA ARDHUR NJË KOHË...

Ka ardhur një kohë pa kohë
Që as duket as zhduket
As hipet as zbritet
Kur apokalipsi - 
Vesh më vesh pëshpëritë  trishtimin
E fëmijët e dijnë përmendësh
Përrallën për Natën e Kijametit
Si Formulën e Pagëzimit...!

Ka ardhur një kohë atavizmi
Kohë djajsh – mizori,
Kur njeriu imiton majmunin
E majmuni urren të bëhet njeri.

Ka ardhur një kohë e nemun
Mjegullnajë-
Kur fytyrën e vet; 
Njeriu s’e njeh n’pasqyrë
Lakuriq jashtë vetëvetes
As në tokë as në qiell...

Ka ardhur një kohë e ligë
Pa shtat e pa frymë;
Një kohë kureshtrat tonë brejmë
Si krimbi lisin-
E gjakun njëri tjetrit i pimë 
-Gëzuar të marrë!
Gëzuar, në kremtat e Olimpit!


KRIMBI NË KOKË

Ka  hyrë krimbi në kokë
E trurin po  e gërryen-
Ndërsa sorra sytë na i pi,
Me gjuhën e nxjerrë
Gjarpëri sertak 
Gjarpërisht po lëpihet në lëkurë 
Si do  gjallojmë e si do vdesim kështu
Akoma kush s’e di...?

Vdekje nëntëdhjetë e nëntë shifrore 
Në regjistrin pa  emër
Me mollën e ngrirë  të Adamit 
Guri në fyt-
Dhe mëkatin e Kainit ,heshtë në zemër!

Cili flamur, me cilën ngjyrë
Do t’i prijë kortezhit tim deri te varri ?!


FILLIMI APO MBARIMI

Prapë po dridhet
Kënga e këputur në tela
Fillimi ngatërrohet me  mbarimin
Epilogut si shihet fundi!?

Në kokë rrënojat ,frymëndaljet, plojat
Askush nuk di saktësisht-
Ka ngordhur apo nuk ka ngordhur
Kali i Drurit 
As pse Trojën e  lidhin  me toja?!

Agu i përgjumur
Sytë e lëbyrur (s)m’i fshinë
Damarin e Tokës  
Urithi i Ezopit 
Ante-
Nënë këmbë prapë ma dridhë
E m’i vret ninullat mbi djepa
E m’i vret kushtrimet në shkrepa...

Urna  ime kryengritëse
Zgjohet strall e eshkë-
Gjirmë me  erë shkrumi!...


A I RAMË NË KOKË ?

Nuk di  a i kemi rënë në kokë
Gjarpërit  katullaç nën rrasë
Që ngrehet në bisht
E ngreh gisht
Apo veç shpinën ia pamë
Kur iku i trishtë!?

Nuk di a i kemi rënë në krye
Por e di: 
Gjarpërisht me treqind këmbë ecë 
Padukshëm si i ka hije 
Gjithmonë  me të pa besë.


KUR MATET ME ZEMËR

E kam matur botën me sy
Lisat  me hijen time
Saharën me hapa
Shekujt me orë
Ditët me shekuj
Kosovën me zemër.

E kam  matur etjen e  ylberit
Në lumin e  shteruar
Barrën e lotit-
Gur  në bebzat e  jetimit
Dashuritë e dhembjet  ngatërruar
Në pellgun e cemtë të pikëllimit.

Veç kur matet me zemër
Dhembjet kanë emër.


NATA VRASTARE *

(Mikut tim, piktorit Kadri Kadriu,, i vrarë  buzë lumit  Ibër nga kriminelët serbë më 11 mars 1999)

Më pate thënë se çdo natë
E pikturoje lumin
Dhe flije
Me imazhin e shelgjeve 
Që koteshin në dritëhënë

Atë natë nuk e pikturove 
As nuk e kalove lumin
As hënën e verdhë e shelgjet 
Nuk i derdhe në lumë
Atë natë 
Pikturove shtrëngatën
Dhe portretin tënd që fle në gjumë.

Atë natë
Muza dha shpirt para teje 
E buza e nemitur s’foli asnjë fjalë
Atë natë kur të vrau nata  vrastare
Vetëm krismat e errësira ishin dëshmitare.

* Kjo poezi ka fituar çmimin  e parë në konkursin letrar ”Kadri Kadriu” të Kuvendit Komunal të Besianës në dhjetor të vitit 2009.


BALADË DËSHPRIMI

Padashtas m’u përvodh shikimi
Në lakun e vjerrur në tra
Dhembshëm m’shikoi lahuta 
Nisi për të qa...

Zemra kishte aritmi
E emri nuk lakohej në asnjë rasë,
Ndjeva  se agimet e mugta 
Të lindura me gurë  në qaftë
Po i herrë harrimi...

Gjethet e verdha  
Të kurorës së vyshkur
Në lojën e erërave  mbi varr
Intimisht më pëshpërisin 
Baladën e dëshprimit ... 

Po vdes pa i pagëzuar dashuritë 
E pa i rrëfyer ëndërrat
Si Nositi i Lazgushit 
Në betejë me siluetat e dhembjes ...


MOMENT

Toka  ime kurrë se kuptoi 
Këngën time -
As dhimbjen time s’e ndjeu 
 Edhe pse të njejta i patëm dashuritë...

Orë e çast ,ditëmordjet m’i përmend
Ditëlindjen ma ke harruar
Në vallet e shtrigave 
Diku në  përendim dielli
Dhembjet tek  bredhin poshtë e përpjetë
Nëpër zbrazëtirën e zhubrosur
Të  rrufeve të natës...


PËRLESHJE ME DURIMIN      

Eh, ç’më vjen  sonte 
T’ia ngjes durimit për grykë
Si plaçkë të vjetër ta shkund ashiqare,
Kur tinëz më mbyt;
Dhe në shpinën e rrjepur më vë samar
E gjakun shurrë ma bën në damarë.

Ta përplas me ëndrrat deri në pafundësi
Si shpirt të keq që rrëfehet në altar
Durimi bie  dhembje,  kurrë lumturi
Vërragë në ndërgjegje e në kurriz  varrë...

Eh, ç’më vjen sonte 
Me durimin të përleshem
Kur m’çukat  rrashtën si ogur i zi;
E strallin ma fikë në shkrepin e bjeshkës
Sa i ftohtë është durimi veç unë e di!...


NYANSË MASHTRIMI

Nëse shikoheni në pellgun e vrerit tim
Nuk iu duhet pasqyra 
Besoni-
Nuk jeni më ata që jeni
Polipë
Të inkarnuar fytyrën do ta keni.

Nëse mburreni para dhembjes time 
Pa plang e pa troll-
Sakat në dheun tuaj jeni
Shkërpinj  me bishta 
Incognito biografinë e keni.

Nëse  më shikoni drejt në sy 
I vogël është deti për t’u larë
Lakuriqë të territ, mendjen dry
Në lojën bizare kalamaj mëkatarë!


S’MË MORI  LUMI

Vetë kam hyr në lumin që vërshen 
E po përleshem me të harlisurat valë
Luftë e ashpër,o përendi-
Nuk e di rrugën në breg të dal.
 
As hilet as huqet e lumit
S’i di 
As që i kam ditur kurrë
I mposhtur nga dallgët 
Lumit në gjunj i lutem 
E  lumi më flet:
-S’të mora unë , por hyre vet!-


MARRËZI

Hunjtë e gardhit po m’i lëkundin
E gurët e mezhdës
Që vetë i kanë ngulë
Prapë po i dridhin
Plagët e vjetra po i shtrydhin
Tokës së djegur-
Lëkurën prapë ia ndrydhin.

Hënës i kanë vënë perde
E kanë ndarë në dysh
As në diell- thonë- hise nuk keni
A i thonë kësaj  jetë , hej
Apo të gjykuar qenkemi
Të kënaqemi me heshtjen e trishtë!


FJALA

Fjala me grep, heshtë që më  vret
E  nxjerrë  me vrer, stuhi me erë
Fjalën  me  shkumë, në treg si samuni
E vjell  filozofi e ha  majmuni!

Fjala me thera , me romuze fjala 
E lehtë si pendël,e rëndë si guri
Herë mbetet në fyt,herë rrëshqet si njala,
Të  ngreh në qiell, të mbështet për muri...

Fjala plakë me fjalët  flakë
Idhshëm digjen në katran të ferrit
Çupa  të reja, s’bëhen dot-
Kur i nxjerrin  me zgaç të vrerit!


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30