Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Në shtresat e dhembjes
| Sunday, 02.21.2010, 12:00 PM |  

GAZEL PËR TANUSHËN

E ka vrarë vetullën rrufeja
Ka rrjedhë loti-
Gurrë në gushën e Tanushës.

E ka përcëlluar dielli ballin
Ka rrjedhë djersa- 
Lumë në faqet e Tanushës.

E ka shituar zana qerpikun
Ka rrjedhë gjaku-
Ujëvarë në vithet e Tanushës.

Halili i ka shkelë syrin Tanushës
Flakë i ka dhënë fushës
Liqen është bërë syri...


DASHURI FATALE 

Midis kudhrës e çekanit
Në mengel
Në harqet e kështjellës
Vezullon rrashta ime e fortë
Ëndërron dashurinë e humbur.

Nëse jeni djersitur n’arenë me bisha
Skllavë të pa fat
Zgjyrin e shekujve lani 
Në lumenjtë e bebëzave të shituara  
E ngrohuni me buzëqeshjet idhnake 
Të dashurisë fatale
Mbi rrashtën time të fortë
Ku Orfeu vajton Euridikën
Drenushat bëjnë vetëvrasje
E nimfat shtatngrira në ujëvarë
Flenë mbi vetull. 


JETA

Jeta i ka të rënda nazet
E valE akullt
E bardhë
E zezë
Lit
Rikë e trazuar në arenë unaze...

Ka vetëm humbës kurrë fitimtarë
Të lidhë për kërthize,të mba varë
Të shëtit nëpër qiej të përplas n’Kalvar
Ik, nëse mundesh, me faqe të bardhë!...

Jeta 
Epitaf në rrasë varri
Lodër mallkimi
Në psallme amshimi.


F A T I 

Ndoshta ashtu e deshi mëkati
Prej shpati në shpat
Përplaset fati
Prej bregut në det
Prej detit në breg
Djersitur në udhët pa shteg....

Fati i pa fat
O ironi
Me dhembje lëshon shtat
Nuk ndërron ngjyrë
Gjithmonë i zi...

Fati i pa fat
Hije e zymtë n’pasqyrë
Hallet m’i numron
Lëngatat
Jetën mënxyrë...


NË SHTRESAT E DHIMBJES

Në shtresat e dhimbjes
Kënga ha rimat- 
Në fijet e këputura të harfës
E nuk ngopet me vaj burri
E gurë të  thyer në zemër.

Në shtresat e dhimbjes
Kepi i trishtimit
Dhe balada e valës idhnake
Në serenadën e dashurisë gri
Për vetullën hark 
E syrin  filxhan
Gur  mallkimi.


EKSTAZË  E HESHTJES

Këndej e andej heshtjes
Mallëngjimi-
Kristal i thyer
Veson në trajtë amorfe 
Në qerpikun e  syrit të Tanushës  
E buzët dridhen  e stepen
Me emrin e gurëzuar në lapidar.

Këndej  heshtjes e andej thirrjeve 
Në ekstazë-
Lirika e ndrydhur loton
Në labirinthet e harrimit.

Thikë në zemër vaji i Lemianës 
Në vargun që pikon farmak
Nëpër trajtat e  ëndrrës së keqe!


NJË ÇAST 

Një çast 
Kur desha të të harroj
Lemiana
E verdhë m’ u zgjove në vargje
Me veremin e moteve të mykura
M’u kollite në rima 
Dhe pa trokitur
Nuk e di
Shejtneshë a mëkatore 
Hyre në dhimbjet e mia!

Një çast
Kur desha të të harroj  Lemiana
Erdhe me  perin e kuq 
Lidhur nyje  në  Toplik*
Kur meteorët i prisnim  në shuplaka
E yjet na vdisnin mbi vetulla
Nimfë lazdrane-
Tek laheshe në ujvarë
Me dashurinë e mallkuar
Tinëz më hyre në serenadë.

__________
*Burim i ngrohtë uji në vendlindjen e poetit


ESHKË MALLI                       

Eshkë malli në zamaret e ashtit 
Në heshtje digjesh Lemiana 
Me  kujtimet e  dergjura
Te Dardha e Madhe.

Këndej kujtimit ëndrra
Përtej ëndrrës harrimi
Dashurinë gri 
Lemiana -
Në dasmë dhembjesh
Idilë e përgjakur;
Nuse e shituar te Dardha e Madhe 
Pa zurna e pa tupana 
Pa kurorë-
Pa xherdan e pa duvak ...


NËNA 

Sa peshon sofra e zbrazët
E loti  i  syrit  të uritur-
Kush s’e ka matur si nënëlokja ime

Kërcëllimat  e  të çarave të magjes 
Të fshirë  mirë me krahë pule
Dhe aromën e misërnikes së kuqe
Kush si ka ndier si nënëlokja ime 

Ëndrra e shpresa na thente në sofër
E dashuri na gatuante në votër;
Zemrën e bardhë për darkë na e shtronte 
E për mëngjes natën ëndrronte...  


GRUAJA

Metaforë vargu që dridhet
Rimë e alternuar;
Në melodinë e  këngës së blertë 
Lirikë-
Ritëm i gjallë,
Pulëbardhë që fluturon mbi det
Nëpër valët e valëve të vala...

Është  varkë në detin e trazuar
Dallgët i çanë
Është dallgë
Varkën  në shkëmb përplas
Është vesë agu-
Malin e djegur flladit
Gruaja ylber ëndrrash,
Lavë e  vullkanit të gjallë.


Miniatura

Kur m’i ke mbyll dyert
Kam hyrë nëpër dritare,
Kur m’i ke mbyll dritaret
Kam hyr nëpër zemër.
 *   
Jetën e zezova si deshe ti
Dhe s’u ngope me dhembje e mia 
Lermë, së pakut, o njeri 
Të vdes si dua me të miat dashuri.
 *        
E zbraza edhe këtë gotë
Dhe pijanec mbeta 
Sa pa shije kjo botë
E zbrazët pa të vërteta.
 *   
E zbraza edhe këtë gotë
Të zbrazur do e nis një tjetër
Qysh sillet e kalbura rrotë, e di
Nëpër  baltakun e vjetër.
Kur ma përmend emrin
Nuk di të ndalet lemza
Flakë më djeg malli Lemiana 
Për lojën nëpër luleshkemza ...
*
Një yll u shkëput nga qielli
Ra në shpirtin tim-
Në ballë m’shëndriti dielli
Kur e përkunda fëmijën jetim..., 
*
Hilen  bastarde,thikë në shpinë
Bastardi ma luante dikur;
Kur i jepja bukë e besë
E ai më gjuante me gurë!


SERENADË  VETMIE

Hëna e zbetë si zanë mëkatare
Qeshet me  hijen time varur në dritare
Në bisht të errësirës  ku dergjet e vdes muza
Në vetminë e trishtë tek dridhet buza...

Kur syri syrin për lot s’e ngushllon
Kur ëndrra ëndrrën nga gjumi s’e zgjon
Kur në vetmi zemra  këndon serenadë
E ashti plak  përpëlitet në baladë...


MESAZHI I FUNDIT 

Vuri fjalës kapak 
Nxirre të valë
E idhët 
E ëmbël
Fjala  rrëshqet si ngjalë.

Mos këndo kur nuk të dëgjon njeri
Lëndohet kënga pa melodi.

Mos shkel nëpër ëndrra
Ku lëndohet vasha  
Mos ec nëpër hi
Ku fshihet gaca...

Mos shkel nëpër varre
Në zemra mos shkel
Dhembja përtërinë dhembjet
Në çdo pranverë! 
Jepi fre kalit kur e shalon
He burrë,
Mbaja fjalën mikut
Mos  fli gjarpër nën gur!...

Mos hap plagë të re pa mbyllë një varrë
Mos vërbo syrin që sheh vërdallë!...

Maje huri mos ngreh pallat
As në fole  korbi
Mbi rrashtë  që  krratë!

Mos këndo dashurinë kur qanë lënesha
As mos i thuaj një vashë e desha!

Pasi  të vilet vreshta
Mos lyp rrush në pjergull
As kreshtës tinzare
Mos iu ngjit në mjegull.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •