Gerti Pashaj: Cikli poetik "Ëndërr e vonuar"
| Saturday, 03.13.2010, 11:31 PM |  

Gerti Pashaj

Cikli poetik "Ëndërr e vonuar"


O fllad

Ku fryje më parë o fllad i ëmbël
që unë i verbri s'ta njihja freskinë,
në rrugë të nxehta plot kalimtarë,
të vetmen mike kisha vetminë.

S'kërkoj të marr nga jeta jote,
veç të fal frymë prej ëndrrës sime,
që kur të sillesh visesh të ftohta,
të të ngrohin pak tonat kujtime.

Ndaj fry pa frikë, përshkomë të tërin,
në u largofsh s'të mbaj mëri,
në jetë çdo gjë është kalimtare,
por në ndjefsh mall, kthehu përsëri.


Refleks

Ndoshta as fjalët dhe as lotët,
s'arrijnë ta shprehin çdo të thotë,
të dashurosh deri në pafajsi,
por nëse me sytë e mi

do ta shihje botën,
pasqyrë do dukej, e brenda saj
i vetmi imazh do ishe veç ti!


Jetë

Sa jetë je o shpirt
sa jetë dhuron,
mes jetëve të ngurta
si mos të ndjeja vallë?

I verbër të isha,
sytë do i prehja tek ty,
se ëndrra si ti,
vijnë rrallë, sa rrallë.


Mos pyet 

Mos më pyet pse dua te di,
në ç'rrugë ke ecur, ku ke pushuar,
ç'fllad ka përkedhelur flokët e tu,
dhe etjen e buzëve kush ta ka shuar.

Mos më pyet pse dua ta di,
por ne s'ka vënd më krahasimi,
në ke dashuruar me këmbë në tokë,
s'ke njohur më parë ç'është fluturimi.

Ndaj mos më pyet pse dua ta di,
pasi përgjigje nuk ekziston,
dashuria qënka vërtetë çudi,
e mira u dashka, por dhe ç'të lëndon.


Aromë pranvere 

Ç’mrekulli kjo stinë e brishtë
që ngre krye ndaj rutinës,
gjakut si e çmendur vlon,
ëndrrat po mi rrëmben tinëz.

Me të sajën shije marramëndëse,
frut i ndaluar i pemës më të mirë,
më fton të guxoj duart ti zgjas,
dhe mëkatit ti dorëzohem i lirë.

Më sjell ndër mënd fjalë që më parë,
çudi, perdoreshin aq rrallë,
o i kulluari zë i dashurisë,
për ty ç´më mbyska i çmënduri mall.

Ç´më pëlqekan ngjyrat e të tretit muaj,
si kurrë më parë ndjej stinën “pranverë”
një “të dua” rrjedh ëmbël buzëve të tua
dhe s’mbetet fjalë, që era e merr. 


Drejtuar qiellit

Përvëloj i tëri kur zemra
kërkon me ngulm
thesare të harruara,
mbuluar nga nostalgjia,
heshtur qëndroj më këmbë
dhe tingulli më i ëmbël,
jehonë e emrit tënd
prej erës pëshpëritur,
me pluhur ndjenje veshur.
Dua...

po e dua shijen tënde,
buzëve të më rrëshkasë
dhe të më tërheqë ëmbël
drejt qiellit të vetëm që i përkas.


Malli

Këtë mëngjez malli më zgjoi,
dhe përqark ndryshe mu duk pa ty,
kanë faj të tjerët që s'janë si ne,
apo krijuam një botë për dy.

Me mall do zgjohem edhe nesër,
por sytë e tu s'kam për ti gjetur.
a mund të jetojë dikush në tokë,
kur qoftë njëherë yjet ka prekur?


Prekja

Ata lindën, u rritën vrapuan të qetë
nën të njëjtin qiell, por kurrë s'u takuan,
veç një ditë u ndjenë, u prekën pak lehtë,
me krahët e ëndrrës drejt yjesh fluturuan.

Atje qeshën, kënduan, u puthën si të marrë,
aq sa vetë yjet  u çuditen vërtetë.
Kaq lart ne - thanë - falim veç ëndrra,
pse ju aq poshtë dhurokeni jetë?


Ti, vetëm ti

Ç'është dashuria pyeta veten sot,
thjesht një iluzion, apo realitet,
mëkat fillestar që shpirtra dënon,
apo ndjenjë është që të mban në jetë?

Mbase një fëmijë që kërkon të rritet,
mbase një i rritur kthyer në fëmijë,
ëngjëll lart në qiell që s'fluturon dot
e çdo ditë pret falje me të riun diell...

Ndoshta hënë është det, varg a muzikë,
ndoshta...ndoshta, askush mbase se di,
veten lodh më kot, kur pergjigjja dihet,
Ti je dashuria shpirt, je vetem ti.


Muza ime

Ndër maja Olimpesh të kërkuan,
mes emra legjendash shekullore,
pa kuptuar që ti, sa bota e vjetër,
veç me të tashmen ecën përdore.

Dikush me ty u dashurua,
të hodhi mbi flete, por dhe mbi mur,
një tjetër tha që ta di shtëpinë,
pa ditur që ti nuk preheshe kurrë.

Me ç'nuk kish zë folën, ç'nuk ekzistonte prekën,
jetës përgjigjet ja dhanë për gjithçka,
dhe me sy drejt lindjes të etur shpresuan,
që nje ditë muza jote të shkelqente për ta.

Por ti hyjnore që i përket veç shpirtit,
u kalove pranë, por fjalëakull mbete,
me këdo që para çdo tjetër vendi,
harroi së pari të kërkonte në vetvete.


Çelsi i zemrës

"Shkruaj i dashur" - tha vajza e yjeve.
"shkruaj për ne dhe për ndjenjën tonë,
se fjalet në letër nuk i tret lehtë koha,
brenda tyre jotja,do mbetem gjithmonë"

Nga zëri i vajzës djali u magjeps,
dhe vargun e ndoqi si kurrë më parë,
shkroi për këmbanat, për orët e plota,
dhe se si mëngjezesh, duheshin si të marrë.

Magjia mos prishej shkroi me nxitim,
pa pyetur pse dhe nga frymezohej.
e dinte qe vajza kish gjetur çelsin e zemrës,
që do e merrte nëse do largohej.


Ne lindëm

Ne s'kemi lindur për tu dënuar,
nga ç'ishim dje, e ç'nuk do jemi sot,
por për t'i zgjatur dorën jetës,
edhe kur këmbët të na lagen lot.

Ne s'paskemi lindur për tu burgosur
mbretërive të arta stolisur vetmi,
por për të vdekur gjahtarë ëndrrash,
me të vetmin zot, quajtur "Liri".

Ne s'paskemi lindur për tu dehur
me fjalë që më pare shqiptuan të tjerë,
por për ti treguar të çmëndurës natë,
që pa fjalët tona paska qënë e mjerë.


Poetët

Sikur të kisha lindur henës së poetëve,
me aromë ëndrre çdo fjalë do e vishja.
me rreze ari do ta mbuloja fytyrën,
dhe me erën flokëve të tu do të humbisja.

Ah sikur të jetoja njësoj si poetët,
që ndjejnë në çdo stinë, stuhi dashurie,
me vargje lumenj do ta rrëmbeja zemrën,
derisa të ta hidhja në një det poezie.


O natë

Prelud i diellit të ri,
të bukurës natë, këmbana bie fort,
të rrija me të dhe fare pak
nuk mundje të më lije dot ?

Pse kur jam vetëm, je përgjumur,
e tëra harrohesh nëpër kujtime,
dhe shpejt nxiton e bëhesh erë,
kur kam pranë meje, të shtrenjtën time.

Mos me thuaj mendon për mua,
nuk jam i lodhur moj e uruar.
orët që trupit ja marr pa meshirë,
dyfish këtij shpirti ja kam dhuruar.

Ndalu ndonjëherë pra,
më lër dhe yjet ti shikoj,
i joti jam, mos ma ki frikën
me ditën kurrë nuk të tradhëtoj.


Ëndërr e vonuar

Asgjë s’ishte gabim shpirt, asgjë,
prej së parës natë, tek e fundit fjalë,
si udhëtarë kureshtare fatit ju dorëzuam,
dhe hënën se pyetëm, pse për ne kish dalë.

Për netët e gjata që bashkë i sfiduam,
aspak mos u tremb, nuk bëmë asnjë gabim,
ditë-nata me ne, shpesh herë vazhdon luan,
kur orëve s’arrijmë t’u japim kuptim.

Ëndrrës pse tek ne, mbërriti aq vonë,
ti kurrë jo, mos i kërko llogari,
ndodh që një stacion fal më shumë jetë
se një udhëtim jetë, i tëri në vetmi.

Askush s’kishte faj shpirt, askush,
as ti, as unë dhe as prekja jonë.
për keto rrahje zemrash veç fati gaboi,
që letrat për ne, i hapi kaq vonë.


Shija jote

Përvëloj i tëri dhe zemra
kërkon me ngulm,
thesare të harruara,
mbuluar nga nostalgjia.
Heshtur qëndroj më këmbë
dhe tingulli më i ëmbël,
jehonë e emrit tënd,
prej erës pëshpëritur,
me pluhur ndjenje veshur.
Dua që shija jote,
buzëve të më rrëshkasë
dhe të më tërheqë ëmbël,
drejt të vetmit qiell që i përkas.


Puthja ëndërr

Sa puthje mora pa kuptuar,
dhe sa të tjera kam rrëmbyer,
prej buzësh të njoma plot afsh dashurie,
por dhe të trembura mos mbesnin zhgënjyer.

Sa ëndrra të huaja pa dashur theva,
ndonjë dhe mbase se realizova.
por ëndrra ime mbeti mes yjesh,
më të bukurën puthje, që dot se dhurova.

Edhe një herë, një herë të vetme,
zërin tënd dua ta dëgjoj.
nuk do më mposhtin orët e gjata,
natës me ëndrra s'do ti kërkoj.

Buzët e tua, edhe një herë,
rrahjet e zemrës le t’mi ndalojnë,
i lirë do jem pas teje mbërthyer,
kur jemi të dy më lart fluturojmë.

Edhe një natë, një tjetër natë,
je ti, veç ti der´ në agim
mbi trupin tënd dua të digjem,
dhe ti të shkrihesh në zjarrin tim.


Kur s´dashuron 

Ej ti njeri që kurrë s´dashurove,
afromu pak dhe dëgjoma një fjalë,
vërtet ti jetën me askënd se ndave,
por çdo natë i vetëm, vdiqe ngadalë.

Të gënjyen keq, ato të arta vite,
harrove që një ditë dhe mbi ballin tënd,
rudha do ngjiteshin pa asnjë mëshirë
dhe të bardhat flokë do të zinin vënd.

Tani që me mund afrohesh i çalë,
aty ku akrepat do ngrijnë përgjithmonë,
kupton që mbi supe askush s'do të mbajë,
shpirt-penduar je, por është tepër vonë.


Hëna ime

Në ju afrofsha hënës aq pranë
sa të mundem ta prek me dorë,
do ja rrëmbej poezinë me forcë,
dhe flokëve të tua do e thur kurorë.

Pa do qesh me dritën e saj,
që shuar duket, para tëndit sy,
dhe s'do kem frikë në më zemërohet,
ajo ka botën, por unë të kam ty.

Le të më thotë që është nënë ëndrrash,
dhe njerëzia e ka për zemër,
në qoftë e tillë është për të tjerët,
por ëndrra ime, ka tjetër emër.

Në ju afrofsha hënës aq pranë,
magjia e saj do jetë harruar,
në tronin të saj do ti tregojmë botës,
se si shkëlqejnë dy të dashuruar.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •