Poezi nga Ndre Mjeda
| Thursday, 06.03.2010, 11:24 AM |  

Ndre Mjeda

 

 

Vaji i Bylbylit

 

Po shkrihet bora,

Dimni po shkon;

Bylbyl i vorfën,

Pse po gjimon?

 

Pushoi murlani

Me duhi t'vet;

Bylbyl i vorfën,

Çou mos rri shkret.

 

Gjith; fushët e malet

Blerim e mbëloj;

Livadhi e pema

Gjithkah lulzoj.

 

Ndër pyje e orgaja,

N'ma t'mirin vend,

Me rreze dielli

Po e gëzon gjith'kend.

 

E tuj gjimue

Shikon rreth e rreth

Nji prrue qi veret

Rrjedh nëpër gjeth.

 

A çil kafazi,

Bylbyl, flutro;

Ndër pyje e orgaja,

Bylbyl, shpejto.

 

Kerkush ma hovin

Atje s'ta pret,

Me zeher haejen

Kerkush s'ta qet.

 

Kafaz ke qiellin,

Epshin pengim,

E gjith ku t'rreshket

Shkon fluturim.

 

Nëpër lamije

Ke me gjet mel,

Për gjith'prendverën

Njajo buk t'del.

 

E kur t'zitë e di

ndër prroje pi,

Te njato prroje

Qi ti vetë di.

 

Tash pa frigë çerdhen

E ban ndoj lis;

Nuk je si'i nieri

Qi nuk ka fis

 

E kur t'vin zhegu,

Kur dielli shkon,

Ti ke me këndue

Si ke zakon.

 

Rreth e rreth gjindja

Me t'ndie rri;

Prej asi vendit

Dahen me zi.

 

A çilë kafazi,

Bylbyl, flutro;

Ndër pyje e ograja,

Bylbyl, shpejto.

 

Ndër tranfofille,

Ndër zamakë nga;

Ku qeshet kopshti,

Idhnim mos mba.

 

Po shkrihet bora,

Dimni po shkon;

Biylbyl i vorfën ,

Pse po gjimon?

 

 

Gjuha Shqype

 

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqipe m'shungullon;

përmbi er' që jep zymbyli,

pa da zemren ma ngushllon.

 

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty m'rreh zemra e mjera

e prej mallit derdhi lot.

 

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan' të bukra me themel

por prap' kjo, si diell pa hije,

për mue t'tanave iu del.

 

***

 

Ku n'breg t'Cemit rritet trimi

me zbardh, Shqipe, zanin tand,

e ku Drinit a burimi

që shpërndahet kand e kand.

 

Geg' e tosk', malsi, jallia

jan' nji komb, m'u da, s'duron;

fund e maj' nji a Shqipnia

e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.

 

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime

ndër kto vllazën shoq me shoq,

kush e dan me flak' e shkrime

çka natyra vet' përpoq.

 

Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera

si nj'bij' kjo që pa prind mbet:

për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,

s't'kishte kush për motër t'vet.

 

E njat tok' që je tue gzue,

e ke zan' tash sa mij' vjet,

shqiptaria, që mbet mblue

sot nën dhe, edhe shqip flet.

 

 

Liria

 

- I -

O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:

A shndrit rreze lirie n'ato maja;

mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja,

ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

 

A keni ndie ndikund, kah fluturoni

ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?

A keni ndie nji kangë të patravajë?

O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!

 

"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.

A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,

a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?

Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,

sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,

e vështroje ku i del lirimit ama.

 

- VI -

Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:

Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,

lodhun prej terri ku robnimi e qiti,

shpreson me e zgjue fluturim mënia.

 

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija

e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti

kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi

frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

 

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin

nanat e Hotit djelmënin' ushtore

e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

 

 

Trina

 

I

 

Molla t'kputuna nji deget,

dy qershia lidhë n'nji rrfanë,

ku fillojnë kufijt' e Geget,

rrijnë dy çika me nji nanë.

 

Kreskë e bre perzie me lisa

rriten rrotull, me çetinë,

plepa t'but' e qiparisa

mbëlojnë e veshin at' ledinë.

 

S'ushton mali prej baktie,

s'fryn murrlani me duhi;

paq i kthelltë prej perendie,

paq prej njerit e qeti.

 

Gurra e lugut veç ushtonte

si lahutë me kangë kreshnike;

e ndër pemë bylbyli këndonte

valle dasmet e fisnike.

 

Ngreh, bylbyl, n'at' hije valle,

ushto, gurrë trimneshë, n'shkambije;

bulk i natës kungallë, qi talle

nëpër gemba e për lamie,

 

këndoni, këndoni. Veç prej stanit

t'ardhmen Trina mbramje n'shpi,

tue blegrue nji kij mbas zanit

t'deles nanë keni me ndi.

 

Veç prej plehut gjel-kokoti

me njat za që s'nd'rron kurr-herë,

ka me gjegjë se a tue ndërrue moti

se a tue çue nji tjetër erë.

 

II

 

U ndie nji za te shtegu;

Cice! del se erdh murgjina,

e mbrapa po vjen Trina

me 'j qingj të sykës ngryk.

 

E duel me mjelcë te burgu

Lokja, nxuer viçin jashtë,

e Shega, e lehtë si kashtë

tue kcyemun u bërlyk.

 

Iu suell oborrit rrotull

tu' u hjedhë me bisht përpjetë;

derisa plaka vetë

rrshanë tu murgjina e çoj.

 

Moli tue këndue, lopën,

tue pritur viçin prorë;

e tambli, bardh si borë

përmbrenda mjelcës gufoj.

 

Mandej muer kijin pezull

e u vu me sykën n'sanë,

sa çote tamblin anë

Zoga me nxe do pak.

 

Muer edhe krande e cokla,

e Trinkën muer për bri:

ish lodhë: i dhimbte nd'ijë,

e kishte mollzat gjak.

 

Vuni do krande n'votër

e fryni n'zjerm qi ish ndalë;

thej pshesh me tambël valë,

e mbushi kupat plot.

 

Pshesha me kollomoqe,

t'mirë edhe për zotni,

kur don për rob e shpi,

me i fal' i madhi zot.

 

E hangri Zoga shishëm,

por Tringa s'hangri gja,

as Lokja, qi ishte vra

mbas çikës, nuk hangri dot.

 

Por tirte ndejë te votra,

tue kqyrë me zemër t'plasun,

tue nduk' at' shllugë të rrasun

iu mbushnin sytë me lot.

 

Kur nji mbas nji pranë zjermit

u mblodhën gjumit fëmija,

u çue, e t'dy, si kija,

mbi t'shtruemen i vendoj.

 

E tirte prap te votra;

penj tirte për xhubleta,

e i dukej se tu këneta,

se n'shpella me dragoj,

 

tirshin dhe shtojzovallet

tue luejtë pa mejun gishtat;

siellshin me pleq ferishtat

ndoshta edhe fëmin' e vet?

 

E shloj me pa tue pritun

dritën e pishës me dorë;

ngrykas, si dy qiellorë,

me krahë pa pupla i gjet.

 

III

 

Cice, shka ka sot Trinka

qi po priton m'u çue?

Zgjoje me dalë me mue,

me lëshue bag'tin' e vet.

 

- Bij', mos e prek, se njomja

tash a tue folë me Zojën;

len zan' e mos çil gojën

se e lumja Zojë t'bërtet.

 

Qe prifti, nanë, qe dajat

mbas tij, me qiri n'dorë;

katundca me malcorë

sa shpia nuk i xe.

 

- Rri, bij' se sonte Trinka

po shkon me bujtë te Zoja;

merri këto lule e çoja

së lumës dhunti për të.

 

 

Zoga

 

I

 

N'për ograjë po këndojnë bylbylat

si tu u prrallë me shoqi-shojnë,

drandafilleve zymbylat

t'kandshmen erë dhunti ia çojnë.

 

E nalt n'qiell ma e bukur hana

rreze t'paqta shkon tue shkri;

maje bjeshkve fillon zana

n'valle shoqeve m'u pri.

 

Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,

si u ba natë, ndej Zoga n'votër;

ndej m'u xe me dru dullijet

kish ba n'për mal, pa motër!

 

E kuvendte me nanë-locen

si përgjumshëm, ndonji fjalë,

derisa bri votrës gocën

e muer gjumi dalkadalë.

 

Fjet bri votrës: e kur shkëndija

shndritte at fëtyr' të patravajë,

ejëll prej qiellit ulet te shpia

dukej faret fëtyra e sajë.

 

Herë n'at' gjumë tue qeshun dukej,

si m'u falë herë dorën çote;

herë përmallshem n'veti strukej

e n'fëtyrë gjaku t'tan' i vëlote.

 

(Ngrimun n'ar, mbi 'i pullali

nën balkue nji beg kish dalë;

holl' e i gjatë porsi selvi

n'rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

 

E nan-bardha tue shikjue:

"Flej me engjuj, thotë, o bi;

pusho shtatin me i ndihmue

Lokes sate nëpër shpi".

 

II

 

Prej nën nji tjegllet kish dalë si 'j tra,

ku nji mij' tesha vëloshin pa da;

përmbi shpi ndihej tue rrahun troka

e ushtonte toka

 

prej kambësh t'bag'tive. Ka dalë Harapi

herët, e shpatit delet ja hapi;

ka dalun Mica me lopë të mëdhaja

nëpër ograja.

 

Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni

e pau se bleta vëlonte te zgjoni;

pau se n'at' nade poshtë nji lavruer

kish ba nji shpuer.

 

Tue sjellun krahnin këndote me veti,

e i rridhte krahve si nji valë deti,

ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta

rrezet e veta.

 

Rreze flak' arit. Por rrotull fëtyra

e fushës kish nd'rrue; kish nd'rruemun zyra

e bimës e e pem've; përmbi balkue

deri kish nd'rrue

 

erë filcigeni; po vite 'j tjetër

erë: porsi makthit; e rruga e vjetër

nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë

shkonte tue qitë.

 

Nuk e kish vrumun kurr nder dit' t'veta

at rrugë n'balkue. Ktheheshin me çeta

asaj katundsit, tue dalë pa pra

e ajo s'kish pa.

 

U nis te puna mërziçëm. Nisi

ndër penj sovajkën, e shpata krisi,

cirliknë rrotllat posht' e përpjetë

nën kambë të shpejtë.

 

E vojt n'dritare prap. Ndoshta begu

ka mbërri te rruga e pret te shtegu

veshun me t'arta, mbi 'j pullali

për bukuri.

 

Nuk ishte begu: nën diell t'valtë

veç dy dallëndysha bajshin do baltë,

balt' e kashtare për çerdhe t'vet,

se Shën Ejëlli a nget.

 

Ndoshta po avitet nji djal' i ri

i holl' e i gjatë porsi 'j selvi,

me rrip rreth brezit, me nji gjashtore

e 'j kacatore.

 

Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,

nji n'drandofille, nji ndër zymbyla,

përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë

me kangë gazmojnë.

 

III

 

Vijnë dallëndyshat porsi era

përte' det te çerdhja e vet;

vijnë bylbylat ku pranvera

n'pyje t'veshuna po i thrret.

 

Se qe pemët kan' endun lulet,

e u vesh fusha me blerim;

lehtas prroni malit ulet

da prej borës që i nep ushqim.

 

E, i dish'ruem, bje për fushore

me rritë bimën për gjith' vend,

ku 'j erë akullit mizore

kishte hupë lul'zim e shend.

 

Edhe ti prej asaj që t'rriti

daju, vash', e mos vajto;

me nji veshë, që kurr s'ta shndriti

paras, shtatin hijesho.

 

Bashkë me lule len dashtnija,

me kangë t'shpendit që galdon;

e pranverës bukuria

bashkë prej gjumit t'tan' i zgjon.

 

Del, o bij', prej shpisë sate,

del prei t'vorfënit katund;

njajo flakë që n'zemër pate

do t'përvjellin tjetërkund.

 

T'pret nji zemër flak' e shkëndija,

pret me tanden m'u ba nji;

sa jetë t'apin Perëndia

mos m'u damun kurr prej 'si.

 

T'lypë nji bes' e ta nep t'ndershme

dora e unazaqë t'ven n'gisht;

e ndërmjet pr'at besë t'gjithhershme

a dorzan' i lumi Krisht.

 

Sogjetarë, porsi furia

e nji rrfes' që qetat shpon,

janë të qiellit nalt ushtria

e n'dorë shpata iu veton.

 

E din idhun regj Davidi,

e dinë lott që pa pra qet,

kur sheh morten se kositi

an' e mb'an krajlninë e vet.

 

IV

 

E kandshme asht hana

kur del me zana,

e n'tokë me dritë përndaret,

Hyjzit që shndrisin

e që shetisin

n'për qiell, jan' t'bukur faret.

 

Kur del agimi

e rruzullimi

me 'j dritë kuqloshe mbëlohet

e përmbi kashta

shndritë pika-lashta,

zemra për mall gazmohet.

 

Asht i madh shendi,

kur ndihet shpendi

ndër pyje tue pingrue;

e knaqshme a 'j lule

kur iu përkule,

o fllad i leht', me e l'mue.

 

Por s'i giet qielli,

nuk i giet prilli

as fllad që shetitë lulet

e me erna veshet,

foshnjës që i qeshet

nanës, kur mbi 'të përkulet.

 

 

Lokja

 

I

 

E n'balkue mbaruen lulet:

shurdh' a vendi e shpia tytë;

jo, me Loken nji e dytë

nëpër shpi ma nuk u gjet.

 

Vetun zbardh' e vetun erret

me krye n'hi e shuemja plakë;

nji dorë krande me i ba flakë

përmbi votër kush s'ia qet.

 

E disprohet me vetveti

që nuk bani kurrnji djalë:

sot e reja i kish dalë

bashkë me dritë për dru në shpat.

 

Kish mbajtë zjermin ndezë mbi votër,

ia kish njomë njat buk' e mjera;

edhe Lokja me gjith' tjera

kishte dalë me petka n'shtat.

 

Kish shkue motin si pranvera

me ndo'j fëmijë tu' e kalamendun;

ishte knaqë tue u përmendun

tash e tash ferishta n'djep.

 

E disprohet ku i ve mendja

or' e ças te Trina, e shkreta!

ia lypë mortës n'ankime t'veta,

por mizorja nuk ia nep.

 

II

 

U shty vjeshta e krisantemi

vetun vorreve lul'zon;

landët e pyje, gjith' ku kemi,

tue fry veri po i cungon.

 

Nd'rron prej dimnit landa veshën,

e lëshon gjeth't qe para pat;

e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,

ia çojnë t'vorfnit me i ba shtrat.

 

Binte bor' e frynte veri

tue çue akull për gjith' vis;

nalt orteku ushton për mneri

tue fundue çetin' e lis.

 

Me dy cokla n'votër plaka

rri gjith' natën e vajton;

rri me duer kah ndezet flaka

porsi njeri kur uron.

 

E shikjon nji dritë t'venitun,

vron pasqyrën e jetës s'vet:

e larg morten tue kositun

e kujton e pran' e thrret.

 

E ndie 'j frymë përmbrenda shpie

porsi erë qe vjen pa shkas;

e, n'at muzg, nji vegim hije

Lokes n'votër leht' iu qas;

 

përmbi plakën krahët i uli

e ngryk t'shuemen e shtrëngoi;

buzët t'shpulpueme n'ball' ia nguli;

u ndal drita e ajo mbaroi.

 

 

I tretuni

 

Nuk kalon nji natë e n'andërr

porsi zgjandërr

e shof nanën këtu përbri;

me krye vjerrte, me lot për sy

rri tue shfry

njat idhnim që don me e gri

 

Ndejun m'duket prap te votra

ku me motra

n'dritë t'kandilit qepte e arnote

por njat gaz ka që i shndritte

kur goditte

petkat e djalit e shendote

 

Kqyr njat vend ku n'mbramje rrishe

kur nuk kishe

fije idhnimi nëpër ftyrë

e ngurron, si t'kenke gurit

e, pshtetë murit

lot' i dalin rrkaje tuj kqyrë

 

"T'kishe dekë ma mirë, o i mjerë -

thotë sa herë, -

Afër nanës qe t'desh e t'ruejti;

t'kishe mbyllë me duer te mia

këtu te shpia

njata sy qe mordja shuejti

 

Afër vorrit tand nan-shkreta

porsi bleta

ishte sjellun tue gjimue

e n'at bar qe kishte qitë

për gjithë ditë

ndonji lule kish kerkue..."

 

...E mandej, si del nji krue

tue bumue

rreth e rreth prej brijes s'malit

rrkaj i ulen lot' per rrudha

- Nuk asht udha

nanë, m'u idhnue per t'zeza t'djalit

 

Kur n'kët shekull n'drit' e qite

kur e rrite

me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh)

"Nji nanë tjetër, - thoshe, - ke,

bir n'kët dhe

nana jote a shqiptaria

 

Mend e zemër për të shkriji

e përtriji

nam e lavd kur t'i vijë dita"

Mbas fjalësh t'tua përherë shkova

e t'ndigjova:

shqiptarin' nuk e korrita

 

 

VELLAVRASI

 

Neper terr qe leshonte nata

ngarkue teshat kaliboç

neper nji pyll ku s'ra kurr spata

ndiqte udhen nji djaloç

 

Landet e pyllit si nji ujk ju dukshin

qe prej ujet ne mal luron

cuba te rrebte qe ne prite u strukshin

gjethet e lisave kujton

 

Oh Shqypni gjimonte i mjeri

pyjet mbushe me gjuetare plot

kesolle e bardhe ku porsi mbreti

shkon barija jete e mot

 

O ju lugje te Prevezës

per ju zemra po m'vajton

te ju Hana me drite t'rrezes

shtigjt udhtarit ja kallxon

 

Shpi e bardhe ku n'drite dola

afer detit te pa-pshtjellim

fis i ambel ku s'parit fola

ne krahet e nanes tue gjete pushim

 

Njikshtu thote e me trimni

u nis rruges udhtari prap

fishklloj landa tue u përzi

e prej friket ngau djali vrap

 

Por m'nji cub mbas gardhit hasi

"Ndalu"- i thote - "nuk ke kah mba"

nji kubure n'brinj ja rrasi

e pa fryme mbi toke e la

 

"Oh nane shkreta" - i shuemi briti

e permbys u leshu mb'nji curr

"qe 3 vjet e shkreta m'priti

e tashma nuk me shef ma kurr"

 

"Por jot amë" - si per qesti, (qesëndi - shenimi im)

i thot vrasesi idhnim plot

"ti me difto ku rrin me shpi,

fjala e jote nuk humb dot"

 

Ne skaj te Shqypnise shkon vorfenisht jeten

e pa djem e shkreta mbet

dy ma te medhajt ne luftra mbeten

e i treti qe ku po jet

 

"Pat edhe nji" - fija e zanit

ju drodh djalit e gjimoj

u dridh vrasesi ai fare luanit

menjiher pushken ne toke e leshoj

 

"Pat edhe nji qe ajo e donte

per mbi driten e syrit t'vet

kurr nga prehri nuk e leshonte

shoke nder cuba vojt e gjet

 

"Vella" - i pergjegji zemerveshtiri,

njiktu t'vrava e njiktu po vdes

nuk kam sy me me pa ma nieri

bashke me ty ketu po mbes

 

"Jo! Por ti fill tek shpija,

tek nane zeza fluturo

pa asnji femij e mbyt vetmia

e mbulon skami" - mos e lesho

 

"E çka ti them une nanes se ngrate

ne qofte se me pvete per ty ndoj send"

"Thueji se mora nji rruge te gjate...

e bashke ne Qiell dikur xame vend!"

 

 

Meyerling

 

E prá gjith shênd e lule

Ç ‘së parit kjo jetë ty t ’ shndriti ;

Nder drandofille t ’ priti

E nder zymyla

 

Plangu mbretnuer. Bylbyla

T ’ këndoshin rreth djepit arit ;

Vajin e fëmijve së parit

S ’ e provove.

 

Ti nji mbretní gazmove

Me t ’ lémin tând, o i njomi

Pinjuell i Absburgut. Kombi

I laracue*

 

E zêmrat t ’ pábashkue

Në nji gëzim per ty shperthyene ;

Mbretin e rí në ty rrfyene

E male e dédi.

 

Ànderr nuk ish : mbí védi,

Pezull prei qiellet, shifshe

Kunorë qi zdrypte, e njifshe

Oren e Austrisë

 

Projtun prei sá mbshín vise

Vistulla e Adriatiku,

E para sáj anmiku

Unjshem heshtote ;

 

E duert prei tejet çote

Nji popull i pá farë** ;

E ty Evropa mbarë

Hetote e pritte.

 

Mbí shkam*** mbretnuer t ’ soditte

Ç atëhernaj e lumote

Se ’j djal ’ i trashigote

Urtín e shkambin

 

Prindi i moçnuem, qi t ’ mbramin

Rrêm t ’ brêzit vet bujár

Mbret e gjytetës e ushtár

Me t ’ lânë gazmote.

 

E prá ty zêmra t ’ gëzote

Jeten sá herë fajtorit

Me i pshtue, e lott te gjorit

Prind o femî

 

Perdllimshem me ja shî ;

E shêndin qi u pertrîte

Nder ta, ty vetë t ’ a ndîete

Ora mbretnore.

 

Sot me njatë dorë mizore,

Gjaksi i vetvedit, fike

Jeten, qi dor ’ anmike,

O çet ’ e trueme

 

T ’ biemit t ’ kunorës s ’ shugrueme****,

Prûjshem ndéroj e ruejti ;

Sot pushka e jote t ’ shuejti,

O i mjerë, gjallimin,

 

E t ’ barazoj me t ’ îmin

Fajtuer. Ti u farmakove

Zêmer e jetë, e u shove

Prindvet t ’ shkretnuem,

 

Shka kishin në botë t ’ dishruem,

E ndijesít qi jeta

Suell n ’ ató zêmra, e t ’ shkreta

I lae pergjithmonë…

 

N ’ brigje t ’ Çamrijes s ’ onë

Ju bje baríve n ’ mriza

Gjâmen qi bân Eliza*****

Èra jugore.

 

E permbí rrasë mortore

Qi fajin tand ká mbëlue,

Nji plak rri tui vajtue

Pá mênd, pá gojë.

 

Mâ ti nderìm e drojë

S pate per Bâs t ’ natyrës ;

Ti zânin e detyrës

Nuk e ndigiove.

 

Epshin per cak shênjove,

E dorë ndeshkuese s dreshte ;

Gjygj ’ e gjygjtár kujteshte******

Andrra t ’ harrueme.

 

Ti zân ’ e ligjës s ’ amshueme

Qi priqet perendore

Baras me kësollë vorfnore

Shklet e soditë,

 

Shpinove tui shpotitë.

Prandej jo nqiellshit çue

Fuqí, o n ’ tokë vêndue,

T ’ vrau dora e jote.

 

* I laracue : lara-lara, shumëngjyrësh, i përbërë nga popuj dhe kombe të ndryshme.

** I pá farë : i panumërt.

*** Shkam : shkëmb ; këtu me kuptimin fron.

**** Bandë konspiratorësh.

***** Çamëria, përballë Korfuzit. Në këtë ishull nëna e Rudolfit, Elizabeta kishte një pallat, që më pas i kaloi perandorit të Gjermanisë.

****** Kujtove, në aorist, nga forma me kujtashë, që gjendet akoma ndër Dedajt e Barbullushit (Mjedja). 30 janar gjenden të vdekur më 1889. Kështjellës mbizotëron edhe sot teza e vetëvrasjes së Elizabetës së Bavarisë.

 

 

Bukuri e virtyt

 

Porsa ditës i pat xanë filli,

Drandofillja muer me cilë

Gjetht e vet e andej prej qielli

Pritte voesen per shtat t' vet.

Kqyra n' nesret, gjetht kish' mshilë,

Dikush ksajë shpejt tash i a shklet.

 

Vrojta 'i halë, s' cillës i kercnohen

Diell e borë e erë e shi:

Rrajtë e saja vec forcohen

E kahë qiella ajo lshon shtat;

Qinda vjetsh kjo pau duhi,

Por duhija c' i ban s' pat.

 

E virtyti asht shemllesa

Ajo halë qi s' lodhë stuhija;

Drandofillja, qi e kohës kmesa

Kputë, hijeshin na perfytron.

- Kalojn ditt e bukurija!

Vec virtyti m' tokë qindron. -

 

 

Grueja shqyptare

(Amë e bi)

 

Ka ra rrezja nder bajama!

T' bin e vet kshtu e pvetë e ama:

- C'ke, moj bi, qi kjan e fshan?

Kjan e fshan, e vetllat vran? -

 

- Kjava shum, mori lum nana,

Tuj qindisë e m' ra gjylpana;

M' ra gjylpana nen balkue,

E jam ulë tash me e kerkue. -

 

- Po cka kje qi lodt t' i xori?

Ku kje dhima, a ku kje zori?

A por, drue, mos m'je harlisë,

Qysh se kjan - o tuj qindisë.

Pasha nanen nuk mund t' bari,

Qi të me ndezet bija zhari!

Do t' a dije e zeza nanë,

Pse ti vetllat shpesh m' i vranë;

Pse c' kah mot, moj, buza s' t' qeshet

E n' argtime zemra s' t' ndeshet. -

 

- Nuk a' gja, moj nanë s' a' gja;

Por po t' tham, se as kot s' jam vra:

Dicka vlon n' ket cerdhe zanash;

Vlon dashtni, si n'bija nanash!

Nane, dashtnija m' ka molisë,

Prandej kjaj - o tuj qindisë! -

 

- T'u thafët goja, bi, c' po thue?

A kaq shpejt ti m' je terbue?

Po shikjo, moj bi kercuna,

Se, po bana 'i herë e t' xuna,

Bana e t' pava tuj m' dalë n' derë,

Nuk m' ke pshtim, jo metsha e mjerë! -

 

- Jam shqyptare e bi shqyptari,

E ato fjalë, nanë, s' mund i bari:

S' ke me m' pa, jo, tuj dalë n' derë,

Si kujton, pse m' ke per nderë;

As, moj nanë, nuk jam harlisë

Vec pse kjaj - o tuj qindisë,

E shka n' zemer m' ka pengue,

Asht gja e dejë, o nanë, per mue. -

 

Fillon nana tash me u vra:

Dicka nakel së mjerës i asht ba;

Don me cilë të ngriten gojë;

Por dro e mjera mos t' gabojë:

 

- Fol, moj bi, mos m' len nder grepa,

Mos më mshef gja, moj, se do djepa

I kam luejtë der tash e m' ke

Dhelpen t' vjeter: Ty sot be

T' paca lshue, tash me m' diftue,

Se pse zemra peshë t'asht cue. -

 

- Nanë, dashtnija m' ka molisë,

Prandej kjaj - o tuj qindisë. -

 

Bindej nana, gja s'kuptote,

Por, te miren kah i a dote

Muer me t' amel e i tha e mjera:

 

- Mori bi, moj si prendvera,

Pash njat diell e pash njat hanë,

Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,

M' difto sot, c' sokol ke xanë? -

 

- C' farë sokolit thue, moj nanë?

T' thacë, moj, t' thacë se s' m' a ban ndera,

S' m' a ban shpija, as s' m' a ban dera

Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:

S' i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.

E po t' tham: Se n' t' endun t' motit,

Po t' tham, po, me besë të Zotit,

Ty due fjalët me t' i ndigiue,

As s' kam mend me t' u largue.

Zemren dysh un s' mund e daj:

M' len t' qindisi, m' len të kjaj! -

 

U ngri nana, lodt i pshtuen;

Para s' bis fort syt i u xuen.

 

Kaluen dit e kaluen net,

Vajza ma me gojë s' po flet:

Me gojë s' flet edhe na a' smue,

Rat e mjera a' tuj lingue:

Lingon keq n' at shtroje deket

E shpesh paket edhe meket.

Ftyra e sajë porsi flok bore;

Mndash, gjylpanë s' i hjekë prej dore;

Por punon e tuj punue,

Shef pelhuren se a' marue:

I lshon syt mi te me mall

Edhe e puthë e e ven në ball.

 

Nana vajzen tuj dihatë

Shpesh e ndien e: - Mori e ngratë,

A njimend s'don me m' diftue,

Se pse zemra peshë t' asht cue? -

 

- Nanë, dashtnija m' ka molisë;

Kjava mjaft-o tuj qindisë!

Kjava mjaft... - Ma desht t'ligjrojë,

Por i u kput ksajë fjala n' gojë.

Si fjalë tjera nuk mund të xori,

Mndash, gjylpanë prap n' dorë i mori;

Por dy duerët, porsi florini,

Mi pelhurë deka i a ngrini.

 

- Kuku nana kjan me lot,

Se c' me gjet mue t'meren sot!

Se c' e gjet të zezen nanë

Nen ket diell e nen ket hanë! -

 

Merr pelhuren, qi pat enë

Bija e sajë; kishte pasë kenë

Kuq e zi e m' te qindisë

Gjet dashtnin qi e kisht' molisë.

N' krye t' flamurit kisht' punue,

Per rreth shqypje, m' dorë prarue,

Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:

Se Shqypnia asht e Shqyptarve;

E nder skaje fjalët "liri".

Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,

Qi, pa njofët tjeter dashtni,

Ishte shkri vec per Shqypni.

 

Eni bija, zana malit,

Ju qi kjani n' dekë t' njij djalit,

E, permysë mi ket bujare,

N' te nderoni bin shqyptare;

E tuj puthë e mall e vajë

Njat flamur, qi dora e sajë

Diejti aq bukur me qindisë,

Pse dashtnija e kisht' molisë;

Lidhniu tok: Per herë dashtnija

Per vend t' uej t' u jet stolija;

Pe, po kje qi, si kjo bi,

Rriten vashat në Shqypni,

N' vend do të shkojë-o fjala e t' Parve,

Se Shqypnia asht e Shqyptarve.

Lidhniu tok, si bajshin motit

Ato bijat e Kastriotit,

E broh'ritni n' gzim e n' vajë:

Rrnofte Shqypnija e flam'ri i sajë

 

 

Shqypni e s’ ke!

Shqyptari e Bylbyli

 

Se c’ do t’ ket mali, qi gjimon?

C’ do t’ jet kjo valle, qi jehon?

Rrethue me lule t’ blera,

Me ‘i zemer si prendvera,

Atdheut Shqyptari,

Si i a la i Pari,

I kndon sot valle:

Shqypnin madhnon,

Kah valle kndon.

 

- Si t’ del, o i mjerë, ty kanga sot?

A s’ban ma mire me derdhun lot?

Shka t’ viejnë ty kangë e valle,

Kur zija i mlon kto zalle? –

Bylbyli pvetë.

Shqyptari i shkretë,

Permallshem ra

N’ kujtim e kjau.

 

Por s’i dha gjatë atij mjerim;

- Shqyptar, tha, un jam, nuk njof ligshtim.

Bylbyl, ti pse m’ trazove?

Pse valet m’ i pengove?

Ah! m’ len t’ dishmoj

Se n’ vaj e n’ mjerim,

Si n’ditë me gzim

Shqyptar un jam. –

 

Kndo pra, Shqyptar, si zemra t’ do,

Vijo nder valle e mos pusho:

Diftoj ti botës krenare,

Se s’ ka me zemer shqyptare;

Se ka Shqypni

Se lir do t’ rrnojë,

Se, pose Shqyptarësh,

Kush s’do t’ a gzojë.

Vetë Perendija

Tha, se Shqypnija

Asht per Shqyptarë:

Shqyptari e gzoftë.

 

- O plang, ku zanat bajn kuvend,

Ku cerdhen Shqypnia e ngrehë njimend,

O dheu i em e i t’ Parve,

O nderë e gjith Shqyptarve;

O nanë fatlume,

Shqypni e gzueme,

Falë t’ kjosha sot

E per gjith mot! –

 

Shka ka prap mali, qi gjimon?

Po fusha e mali pse po ushton?

E qiellve ndritë pasqyra;

Kerthneset mare natyra,

E ‘i za tu’ ushtue,

Shkon tuj lajmue:

Shqypni e s’ ke,

S’ ke kund mi dhe!

 

 

Djali pa nanë

si nata pa hanë

 

Pra 'i djalë i vorfen kuej nuk i dhimet,

Kur, si mue t'shkretin, t'a mlojn mjerimet?

Teper shpejt bora, tuj ra n' vorfunim,

Njatë qi per mue ish' diell n' agim.

 

Emnin e kandshem m'i a ndie kot prita

Njasajë qi n' kobe do t' m' ishte drita:

Kuej nuk i dhimem, askush s' m' kujton,

Sado qi zemra vec gjak m' pikon.

 

Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,

Me nanë, me moter, ah! sa dashtnija

Vlote n' ket zemer, qi sot s'ka gzim,

Vetem pse nana m' la n' ket vorfnim.

 

C' at ditë qi e bora, mue s' m' knaqë natyra,

Nder gzime t' shekllit nuk m' qeshet ftyra;

Kurr s' m' hiqet mendjet kur nana m' tha:

T' laca me Zotin! - e diq e m' la.

 

Ah! se fort m' dote, se fort m' pat gzue,

Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!

Por qe, se une nanen sot ma s' e kam;

Un nafakpremi, c' se i vorfen jam!

 

Kur, n' agim t' ditve, m'ra me shtegtue,

Si dola shpijet, tuj u largue,

E kqyra s'mramit e aq m' permalloi,

Sa dysh mue zemren, dysh m'a coptoi.

 

E kush kalote at ditë bri meje,

At ditë qi dhima m' kish xjerrë mendt kreje,

Thote perajshem: Paska metë shkret!

Zot, njitja doren, majen ti ngiet!

 

C' at ditë, si zogu, larg fluturova,

E n' dhe t' panjoftun treta, u largova;

S' desht kush me m'kqyrun, s' diejta kue' i flas,

Nji dorë ndimtare c' at herë s' m' u qas.

 

E kur vetmija mue m' lodhte naten,

Un n' gjuj u ulshem, thojshem uraten;

Kujtojshem nanen para Tenzot,

E syt m' u mushshin gjithherë me lot.

 

Ah! po, kujtimet e asajë dite

Uratë e kandshme ti m' i persrite:

O nanë e dashtun, a thue t' thrras kot,

C' se fusha e mali me za t' em lot?

 

Ah! po, se dhima zemret nuk m' shkepet,

C' se gjithkund nanen me e lypun m' nepet;

Do t' m' mysë mjerimi, s'kam si gjallnoj,

Pse deka e nanës zemren m' a imtoj.

 

Por, ndale vajin, jeto pa droje,

Mendo se drita prap do t' agoje,

Kur nder Qiell t' epra Zoti tash t' thrret:

Rrethue me lule, nana aty t' pret.

 

 

Fuqija e uratës

 

A s’shef sa thellimi

Per rreth na kercnohet?

Sa lodja dikohet

Mi botë, qi ti shklet?

 

N’ valë t’ mndershme t’ ktij shekull

Perhidhet nier-shkreta,

E idhtë i shkon jeta:

Vec toka s’ pelset!

 

Sa kobe e t’ papritne

Mi te kan randue,

E ‘i dorë, pa pushue,

Nder t’ vshtira e pershkon.

 

Heu! Peshen e mkatit

Aj ndien e krahnori

Dishmon, se mkatnori

Mi tokë ka pse dron.

 

Ke ra kurr nder faje?

Co menden kah qilli

Njandej kah vjen kshilli,

E thirri Tenzot.

 

E lypi Atij të Lumit,

Me fe e me shpnesë,

Me vaj e me dnesë

Pendimin c’ me sot.

 

A balcem urata

Per zemer t’ pendueme;

Pendimi e ban t’gzueme

Pse mkatesh u shkep.

 

Ma t’ kandshem asht t’ flaunt

Qi, vetë Zemra e Zotit,

Rreth gjireve t’motit,

Fajtorit i nep.

 

Prandej perherë lutu,

Uratës mos i a daj:

N’ per t’ lutna e me vaj

Me t’ Naltin pajto.

 

Pajto, sa a’ tuj t’pritun,

Pajto, e ato faje

Pendesa t’ i laje;

N’ pajtim mos vano!

 

Pajto? – Kam pajtue

Pse vetë Perendija

Shljeu fajet e mija

E shpirtin m’ a gzoi.

 

E shof; nderës i falem

Ulë ballin per dhe,

Me shpnesë e me fe,

Pse m’ njalli edhe m’pshtoi.

 

Per mue, dikur t’mjerin,

N’ kto lugje morrizit

Filluen dit Parrizit

C’ se pagja po m’ kthen!

 

Por n’ qiell pres plotsimin

E ktyne lumnive,

Atje, mas stuhive,

A ‘i Zot, qi shpreblen.

 

Ktij due me i sherbye,

E i tij due me metë

N’ tallaze t’ ksajë jetë,

Nder kobe e n’ mjerim.

 

O jetë, jetë e lume:

Me dashtë gjithmonë Zotin,

Tu’ e dashtë me e shkue motin

Ktu n’ tokë e n’ amshim.

 

 

Lulja e bardhe

 

Prite pa nane nji vajze e shkrete

E shkoi motin idhte, n'ankim;

Idhte, n'ankim e shkoi ket jete,

Kah s'i pau kund vedit pshtim.

 

Fati i zi kah muer me e ndjeke,

Kjau sa kjau, mandej pushoi:

Mylli syt e, porsa deke,

Dhe i mjeruem trupin i a mloi.

 

Nji shtegtar andej tuj ardhe

Mas do ditsh, te aj vorr u ndal;

Tu aj vorr ndale, nji lule t' bardhe

Pau tuj cile: Vorrit i u fal.

 

Ndoshta zemra e vajzes s' mjere

U ba lule ku pushon,

M' nji qi shpirti, lil me ere,

Hyll i ndritshem n' qiell vizlon.

 

 

Kujdesi Hyjnuer

 

Ti, qi toket s' din me i punue,

S' korre as qet kurr faren n' dhe,

M' difto, zog, si t' del me rrnue,

Qi i a thue kanges aq me hare?

Ty, zog mali, aq t' lum kush t' bani,

Qi n' ankim kurr s' t' ndiehet zani?

Jam i lum n' sa stine ka moti,

Pse per mue ka kujdes Zoti.

Po ty, lule, si e harrueme,

Qi kurr s' ende e na rrin veshe,

N' ato fushat e blerueme,

Si ma e bukura mretneshe,

Kush t' a dha gjith at stoli?

Kush t' a fali at bukur?

M' shofin t' lume stina e moti,

Pse per mue kujdeset Zoti.

Vetem un, i ligshte kah feja,

Guxoj vedin t' a thrras t' shkrete:

Po kto t' mira, qi ban dheja,

Kush m' i dha? kush s' m' la me mete?

Buke t' perditshme kush m' nep mue?

Kush me petk desht me m' kujtue?

Mos t' ankojm, pse sa t' jet moti,

Per gjithkend do t' mendoje Zoti.

 

 

Anderr

 

Pezull prei qiellit fluturote e shkreta

E si dielli n`mjesdite rreze shperndake;

Engjell nder cucat o nji cike giake

Qi vec qielli numron nder valle t`veta.

 

Arit i kishte floket, e kish si zgjeta

Driten e syve e mollzat rrumbullake,

E buzet e vocrra me te ngjyeme gjake,

Qe kur i pash krejt i mahnitun mbeta.

 

Mandej si njeri, qe prej gjumit ngrihet,

Mora zemer e e pveta me trimni :

„Engjell a vajze je ti, o bukurija?“

 

Qeshi goca nji here, si vashe qe pihet,

Uli kryetin teposhte e me dashtni

„Moter e nane,tha, m`ke- jam Shqyptarija



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •  
  •  
  •