Avni Azizi
| Saturday, 06.05.2010, 09:30 PM |  

Avni Azizi u lind më 06 shtator 1970 në Tërpezë të Vitisë.  Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Viti.  Studioi Gjeografinë dhe Letërsinë në Universitetin e Prishtinës.

  Me shkrime merret që nga mosha e re shkruan poezi, prozë dhe publicistikë.  Një kohë të gjatë është marr me publicistikë, ishte redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshmen “24 Orë” pastaj një kohë ishte edhe Kryeredaktor i revistës “Çlirimi” si dhe botoi një mori shkrimesh të zhanreve të ndryshme publicistike, letrare e studiuese etj.

 Avniu më 1995 ka botuar përmbledhjen e parë në poezi “Buzëqeshjet e thyera” ndërsa në dorëshkrim ka veprat "Duke shikuar hartën e atdheut" poezi , “ Shpërputhje kulturore” (komente dhe analiza mbi artin dhe kulturën) “Kodërrahu”(Roman), “Metaforat e Lirisë” (libër me kritika letrare), si dhe "Flakadani i Karadakut" monografi kushtuar dëshmorit të kombit Njazi Azemi. 

 

Mendime e vlerësime mbi krijimtarinë poetike të  poetit AVNI AZIZI

 

 

RRJEDHA SPONTANE E VARGJEVE

 

Nga Ismail SYLA

 

     Kritiku dhe studiuesi letrar Sabri Hamiti është autor i një shkrimi diskurziv “Ese mbi librin e parë” në të cilin vërtetohet anticipimi mbi tre poet që paraqiten me libra të arrirë që në fillim të daljes para publikut lexues, kurse botimi i mëtutjeshëm verifikon parashikimin mbi ta.

Nga poetët që krijojnë dhe botojnë aktualisht, emri i Avni Azizit është shpresëdhënës se do të paraqitet në të ardhmen me libra të arrirë dhe të drejtpeshuar mirë në çdo aspekt, në radhë të parë duke u bazuar në lirikat e librit të tij të parë “Buzëqeshjet e thyera” dhe botimet e ndryshme nëpër periodikun tonë. Përmbledhja e parë e Avni Azizit përmban poezi të realizuara në shkallë të lakmueshme, qoftë në rrafshin e ideve të qëndrueshme, qoftë me atmosferën lirike që sugjestionon me spontanitetin dhe rrjedhën e shpenguar të ligjërimit lirik. Këto rrafshe të ligjërimit poetik i gjejmë në një pjesë të poezive më të mira në përmbledhje, që dëshmojnë talentin e poetit për të krijuar vlera të mirëfillta artistike.   

 Autori që në fillim poezia “Portat e poezisë” e kupton botën e artit dhe kërkon futjen në atë botë duke shkëmbyer konkreten (bilbilin dhe trëndafilin) me abstrakten (feniksin) dhe të pamundurën të humburën që dëshiron të ri konstruktohet si realitet mendor dhe shpirtëror (Atlantidën). Rruga jetësore e njeriut, arti i pushtimit të caqeve të gjakuara në poezinë “Deti im” shfaqen me një spontanitet dhe siguri duke krijuar imazhin e fiktives, Ideales, aktin e krijim-frymëzimit kur nisë “gëlltitja e gjërave” e gjërave e jep poezia “Natyrë e gjallë” – Abazhuri gëlltiti errësirën / Taketukja pakon / Fletët gëlltisin shkronjat / Frymëzimi njeriun.

   Një varg tjetër poezish janë të tipit metapoezi (poezi për poezinë) ku shtrohen kritere dhe kërkesa të caktuara estetike. Edhe thërmiat lirike me intensitet erotik shquhen për vrejtëshmërinë e hollë të poetit që shpesh kurorëzohen suksesshëm me mbështjellje metaforike. Në poezinë e tij përgjithësisht aktivizohet një numër i madh “fjalësh jo poetike” por të përdorura në kontekst të ideve nuk mbesin jashtë funksionit lirik kjo edhe është përparësi krijuese e autorit. Në përmbledhje hetohen edhe vargje ide dhe imazhe që janë mjaftë funksionale po të ruajnë drejtpeshimin brenda poezisë si njësi e pavarur dhe substanciale e ndjenjave ideve dhe realizimit stilistik.

 

Bajram KOSUMI 

 

    Që me librin e tij të parë « Buzëqeshjet e thyera » (pranverë e thyer, prill i thyer, dashuri e thyer) poeti Avni Azizi e arrin standardin e poezisë bashkëkohëse shqipe. Ecja nëpër rrugën e rrahur të poezisë rrallëherë i krijon poetit siguri të gjatë, e për këtë është i vetëdijshëm edhe poeti. Ai mëton të krijojë tjera marrëdhënie me poezinë : ia dhuron asaj bilbilin e trëndafilin dhe i kërkon Feniksin dhe Atlantidën.   

Ky qëndrim ndaj poezisë nuk është vetëm programatik, sepse në disa poezi të këtij libri shënjohen prirje për thyerjen e standardes. Këto prirje nuk anojnë, siç ndodhë shpesh te poetët e rinj, kah eksperimentimi, por shprehen në ligjërimin e ngulitur poetik, në idetë, në krijimin e natyrshëm të figurës, etj.  Botimi i librit « Buzëqeshjet e thyera » të Avni AZIZI –it e pasuron poezinë shqipe dhe i hapë portën e poezisë poetit të ri.

Korrik 1995

 

BARASPESHA E MENDIMIT TË SHFAQUR POETIK

 

 Nga Merxhan Avdyli

 

Baraspesha e mendimit, fuqia e fjalës dhe shtresat kuptimore janë përbërësit themelor të bërjes së poezisë së Avni Azizit. Intelekti, intuita dhe invencioni janë shenja dalluese që shquhen në përgatitjen poetike të poezisë së këtij poeti. Intima, përkushtimi dhe refleksi i japin vulë të veçantë poezisë së tij. Lidhja e tërësisë poetike, në përmbledhjen “Buzëqeshjet e thyera” bashkë me leximin e lehtë dhe të këndshëm të shpijnë te kuptimi i drejt i poetikës së një poeti që po vjen, i cili ndonëse fillimtar, në poezi, është fitimtar.

    Një aftësi e theksuar e Avni Azizit në poezi është krijimi i artit thënës, i artit që të thënës i jep domethënie të veçantë, që domethënien e veçantë e kuptimëson pa hamendje dhe hutueshëm. Poezinë e Avni Azizit askush nuk mund ta lexojë pahetueshëm. Te poezia e tij shumëçka është e dukshme dhe e tejdukshme, e pasur dhe e pastër, e krijuar për t u lexuar dhe për të mbetur.

 

Përmbledhja e poezive “Buzëqeshjet e thyera” ndahet në katër njësi të veçanta poetike. Secila tufëz poetike, e ndarë nga tërësia, i ka karakteristikat e veta të veçanta, të cilat së bashku mbulojnë titullin e përmbledhjes, e cila si tufë e parë e poezive të këtij poeti të ri, del mjaft interesante.

   Cikli i parë i përmbledhjes mban titullin “Shpresë e shpaluar”. Në poezitë e këtij cikli vihet re një prirje e përgjithshme e intimitetit të autorit një si shpalim i shpresave. Kemi këtu ballafaqimin e gjërave në të cilat shpresa vetanake, udhëtimi individual, apo qoftë edhe dhembja, të poetizuara dalin mjaft mirë të realizuara artistikisht. Poezia e parë me titull “Portat e poezive” është njëra prej poezive më të mira dhe më të realizuara, e cila shpreh dëshirën intime të autorit për të qenë poet, përkatësisht shpreh përpjekjet e tij për të krijuar marrëdhënie intime me vet poezinë, për të arritur deri te gatishmëria e poetit për të këmbyer me poezinë një feniks dhe një Atlantidë, për një trëndafil dhe një bilbil.  Një raport të ngjashëm poeti dëshiron të krijoj edhe me muzën e poezisë dhe të muzikës, Evterpin nga e cila, në fund kërkon, madje edhe t’ia mbuloj trupin me fjolla lirike, dëshirë të cilën e konfirmon te poezia “Unë dhe Evterpi” Po te ky cikël i poezive ndeshemi edhe me dëshirën e poetit për të qenë udhëtar i palodhur, qoftë drejt detit. (Poezia Deti im) Vetmia malli, dhembja janë gjithashtu nocione, jo vetëm filozofike, as jo vetëm poetike, të cilat përplotësojnë mendimet e shprehura artistikisht dhe i japin rëndësi të veçantë poetikës së poetit në fjalë.

    Cikli i dytë i përmbledhjes që titullohet “Pamja e natyrës së gjallë” ngërthen në vete poezinë paksa më të konkretizuar. Lirizmi i këtij cikli është ndërtuar mbi baza të figurave nga natyra, qoftë konkrete apo edhe abstrakte, duke u dhënë shpirt sendeve të ndryshme por edhe dukurive të ndryshme natyrore, duke u dhënë atyre formë të veçantë. Të kësaj natyre janë poezitë: “Natyrë e gjallë”, “Nata e ndezur”, “Ura” e ndonjë tjetër. 

“Duke pritur buzëqeshjet” emërtohet cikli i tretë i poezive, ku janë të përfshira poezitë, në të cilat objektivi poetik është i përqendruar në tashmërinë tonë shoqërore, politike dhe kombëtare. Tek këto poezi dalin në pah preokupimet e poetit për fatet e atdheut, në të cilin “diejt rrezojnë e valët gjëmojnë”, për fatin e Kosovës, të cilin “sa herë e kemi përmendur, buka na është zënë në fyt” “për tokën “nga prangat e përgjakur” për të ardhur deri tek përkushtimet poetike, që janë brenda sferës poetike të autorit, si ndaj të burgosurit, martirit, luftëtarit të lirisë etj.  Është interesant se përkushtimet e këtij poeti nuk janë përkushtime të pa definuari, ato shpeshherë janë fare të qarta, me domethënie dhe kuptimplota.

      Cikli i katërt dhe i fundit mban titullin “Rritja e barit të egër” në të cilin ndeshemi me një poetizim më të theksuar, përmes, ironisë, madje edhe sarkazmës të dukurive të ndryshme, të veprimeve të ndryshme, të veseve të këqija njerëzore. Kemi këtu, madje edhe një shpalim të prirjeve të ndryshme të mashtrimit, apo të moralit të dyfishtë, që mundohen të arrijnë deri tek qëllimet e tyre me refleksione negative. Të gjitha këto dukuri, bashkë me bartësit e tyre, fishkëllehen nga poeti si p.sh. te poezitë “Erërat”, “Pritje e rrejshme”, Nostradamusi”, “Misionari”, Vizitori”, “Petku i ri” e ndonjë tjetër në të cilat veç pasurisë figurative nuk mungon as pasuria e mendimeve të shprehura.

Prandaj për poezinë e Avni Azizit mund të thuhet, pa hezitim, se është poezi në të cilën ekziston një baraspeshë e mendimit të shfaqur poetik, me kuptimin e asaj që thuhet e që shprehet e ka kuptimin e vet, e ka plotësinë, të cilës nuk i mungon domethënia, që bashkë me shtresat e saja kuptimore dhe me fuqinë e fjalës, e cila është e shprehur me një lirizëm lehtë të kapshëm përbëjnë krejt bazën poetike në të cilën është ndërtuar poezia e Avni Azizit.

Lidhja e tërësisë poetike në përmbledhjen “Buzëqeshjet e thyera” bashkë me leximin që është fare i lehtë, dhe aspak i bezdisshëm, por, madje edhe i këndshëm të shpiejnë deri te kuptimi i drejtë i poetikës së një poeti që po vjen, i një poeti i cili që në përmbledhjen e parë të tij ani pse fillimtar është fitimtarë, është fitimtarë sepse ngadhënjen në përpjekjet e tij për ta krijuar poezinë ashtu çfarë mëton ta bëj.

Një aftësi tjetër e Avni Azizit është edhe krijimi i artit thënës, i atij arti që asaj të thëne i jep, madje domethënie të veçantë, duke e kuptimësuar pastaj atë hetueshëm. Prandaj poezinë e poetit Avni Azizit askush nuk mund ta lexoj pahetueshëm, sepse te poezia e tij shumëçka është e dukshme dhe e tejdukshme, ajo është poezi e pasur figurativisht dhe e pastër gjuhësisht, është poezi që është krijuar për t’u lexuar dhe për të mbetur.

Duke u bazuar në lirikat e këtij libri ekzistojnë shpresat se ky poet në të ardhmen mund të dëshmohet.

 

ËSHTË LEHTË TA NJOHËSH POETIN...

 

Nga Bajrush Xhemajli

 

     Njeriu, me shumë njerëz mund të takohet edhe të rrijë me ta, e ndodhë të mos i njoh apo edhe të mos dojë t’i njoh, madje shumë prej tyre as që ka pse t’i njoh, ndërsa me shumë të tjerë, edhe pse ndoshta kurrë s’i ka parë, mund t’i njoh fort mirë! E poetin Avni Azizi nuk është vështirë ta njohësh.

Në pjesën e çliruar të tokës shqiptare, poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu, detyrohet t’i “lutë” minatorët. “vetëm ju të më jepni motivet. Motivet. E për poetin që e përjeton rëndë robërinë, nuk është vështirë t’i gjejë ato në Kosovën e trazuar - vullkan, madje ky poet i kësaj toke të robëruar sikur çuditet me ata “poet” të cilët në mungesë frymëzimi shkarravisin ashtu që “Nëpër ashensor shkruajnë vargje të poezive lirike” (Antiart) dhe në këtë mënyrë e banalizojnë aq keq artin.

   Motivet frymëzuese Avniu i gjen në të kaluarën tonë historike, në realitetin e ashpër në të cilin jeton ky popull i robëruar, në meditim, në ecje... Filozofinë popullore nuk e merr vetëm si dekor poetik por e pragmatizon, nga që bajlozët “Të gjithë njësoj janë të zinj” andaj patjetër duhet që “Zjarri të mos shuhet kurrë / për udhëtarin e vonuar / e për flamur bëhu edhe urë” (Më tha një plak). Mbi të gjitha poetin e mundon Kosova në pranga. Dhembjen për tragjiken e popullit të ndarë, gjysma e të cilit mezi frymon nën peshën e rëndë të robërisë e ka shprehur në mënyrë emocionale. Për Kosovën e vuajtur do të thotë plot dhembje: “Sa herë të kemi përmendur / Buka në fyt na është zënë” andaj edhe s’pushon së medituari për ata që për t’ia hequr prangat e robërisë flijuan pjesën më të mirë të jetës nëpër burgje e shumë nga ata edhe u martirizuan, u shndërruan në përmendore, të cilat poeti i viziton me pietet: Kaluam pranë lapidarit / Ku shkrihej buzëqeshja e heroit në të / E morëm një pjesë të buzëqeshjes së tij’ ( Buzëqeshje).

   Aq sa është e gjatë robëria, po aq do të jetë e gjatë përpjekja e të robëruarit për t’u çliruar, andaj burgjet e okupatorëve janë të mbushura me të burgosur, gjeneratat e të cilëve ndërrohen e shumë prej tyre edhe riburgosen. Këtë realitet e përjeton thellë ky mjeshtër i fjalës së shkruar, tamam si t’i kishte kaluar vetë këta rrathë të ferrit dantesk. Ai sikur sheh si në shuplakë të dorës jetën në këtë kazamat ku jemi Shkëlzeni, Fehmiu, Hysniu, Bajrami..., që sapo kanë shkelur në dekadën e tretë të jetës, mbajnë burgun e parë të tyre dhe ndjehen tamam si nxënës ndaj të riburgosurve të cilët edhe për nga mosha janë më të vjetër – ndaj bacit Shefki, Ramadanit, Xhavitit, Dinit...: “Aty nxënësit tuaj do t’i gjeni / Në qelitë ku keni qëndruar dikur / Përsëri së bashku do të jeni / Me inicialet e shkruara në mur” (Të burgosurit).

   Veçse poeti i shqetësuar për fatin kombëtar, nuk do të mjaftohet në riprodhimin artistik të këtij realiteti të ashpër objektiv; ai ato motive të cilat ia japin ata që kanë “Fjalën flamur/ zërin atdhe / zemrën gurë” (Hapi yt), nuk do vetëm që t’ia transponojë vetëm artistikisht veprimtarinë e tyre atdhetare, por ai, meqë e ndjenë”... si gumëzhinë historia” (toka) dhe meqë është i bindur se, me gjithë përgjumjen narkotike që ka krijuar aktualisht kreu politik shqiptar, “Doemos një ditë / nga gjumi do të zgjohen pritjet / Me flakën e ëndrrave / Do të shuajnë dashurinë e dheut” (“Zgjimi i pritjeve), andaj edhe vetë poeti do të vihet në dispozicion të kauzës sonë supreme me tërë qenien e tij, sepse, “Edhe unë jam një atom / I tokës nga prangat përgjakura / Tokës që po i japim frymë” (Toka) madje ai nuk do të kursej asgjë: zemrën, fjalën e tij të kulluar, ëndrrën... aq sa me tërë zemërgjerësinë dhe sinqeritetin thotë: “Urdhëroni këtë pjesë jete / që më ka mbetur / Ja urdhëroni ... / Merrni të gjitha (Urdhëroni) gjë që vërtet është e madhërishme.

Veçse poeti i shqetësuar për fatin kombëtar, nuk do të mjaftohet në riprodhimin artistik të këtij realiteti të ashpër objektiv; ai ato motive të cilat ia japin ata që kanë “Fjalën flamur/ zërin atdhe / zemrën gurë” (Hapi yt), nuk do vetëm që t’ia transponojë vetëm artistikisht veprimtarinë e tyre atdhetare, por ai, meqë e ndjenë”... si gumëzhinë historia” (toka) dhe meqë është i bindur se, me gjithë përgjumjen narkotike që ka krijuar aktualisht kreu politik shqiptar, “Doemos një ditë / nga gjumi do të zgjohen pritjet / Me flakën e ëndrrave / Do të shuajnë dashurinë e dheut” (“Zgjimi i pritjeve), andaj edhe vetë poeti do të vihet në dispozicion të kauzës sonë supreme me tërë qenien e tij, sepse, “Edhe unë jam një atom / I tokës nga prangat përgjakura / Tokës që po i japim frymë” (Toka) madje ai nuk do të kursej asgjë: zemrën, fjalën e tij të kulluar, ëndrrën... aq sa me tërë zemërgjerësinë dhe sinqeritetin thotë: “Urdhëroni këtë pjesë jete / që më ka mbetur / Ja urdhëroni ... / Merrni të gjitha (Urdhëroni) gjë që vërtet është e madhërishme.

   Këto vargje s’kanë se si të mos ma kujtojnë altruizmin e poetit hungarez Shandor Pëtef, i cili filloj me vargje e pastaj, po me të njëjtin temperament dhe vendosmëri, edhe me tërë qenien e tij i sfidoi mbretërit të cilët veç ishin bërë pengesë për ecjen përpara të shoqërisë njerëzore. Pra poetin e ri e njoha në vargjet e tij të cilat padyshim në vetvete përmbajnë artistiken – të bukurën, të mirën, dhe të madhërishmen. Veçse për këto anë të poezisë, ashtu si edhe për shtresat kuptimore të vargut poetik të tij, për figuracionin e metaforat që përdor, për sintaksën e vargut etj, me siguri që nuk do të mungojnë kritikët letrar të cilët do ta japin fjalën e tyre meritore si për vargjet e shkruara ashtu edhe për ato që do t’i shkruaj në të ardhmen ky poet i ri e i talentuar.

   Me këtë rast  vetëm desha të theksoj se vargjet e poezisë së tij patriotike, padyshim se, ndër të tjera, kanë edhe dobi të madhe utilitare për kohën dhe rrethanat që po i mbijetojmë si popull i robëruar, anë kjo e cila nga shumë poet lëre që s’kultivohet por edhe përçmohet! Pra, poezia e tij patriotike është një klithje e fuqishme për ndërgjegjësimin e ngjeshjes së radhëve për liri. Me këtë vepër, poezisë sonë atdhetare, padyshim që i janë shtuar vargje të mirëfillta, të cilat do t’i qëndrojnë kohës. Poetit të ri i uroj nga zemra suksese të reja drejt Olimpit poetik.

 

Dubravë, 5 nëntor 1995



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •