Cikël poetik nga Avni Azizi (I)
| Saturday, 06.05.2010, 09:29 PM |  

Avni Azizi

 

 

PORTAT  E POEZISË

 

Shkrova disa vargje

Mendova se u bëra poet

Radhita shumë rima

Kritik u bëra vet

 

Qëndrova statujë

Para dyerve të poezisë

Porta u hap ngadalë

Roja më pyeti çka doni

 

Ja këtë trëndafil

Dhe këtë bilbil

Më jepni një Feniks

Dhe një Atlantidë

 

 

UNË DHE EVTERPI

 

Symbyllur kokën lëshuar mbi tavolinë

Padashur me ballë fletët i zhubros

Jashtë nuk shoh nëse fryn erë apo bie shi

Ndjej se cigarja deri në gishta qenka bërë hi

Qenka shprishur mbi vargun e një poezie lirike

Si qenie e ngurtësuar me muzat e Zeusit bisedoj

Varri m u kujtua ftohtësi në shpirt ndjeva

Lidhur me qefin këmbë e krye isha

Me fjolla lirike trupin mbuluar e kisha

 

 

DETI IM

 

Rrugë e gjatë deri tek ti det

T’i shoh pulëbardhat krahëlehta

Mbi shkumën tënde duke fluturuar

Një gjarpër shtatplagosur më pret

Mua me djersët e akullta në ballë

Me erërat e serta nëpër damarë

Ma kërkon syrin ta sheh diellin

Ma kërkon zjarrin ta shkrijë acarin

 

Çel sytë shkundem nga ekstaza

Nga shpirti im fluturojnë pulëbardhat

Në qenien time gjethet verdhane dridhen

Goja më bëhet pelim e fare nuk flas

Për valën tënde të ngrohtë deti im

Kur rrezet të puthin agsholeve jehonë

Muzgjeve shkëndijat kur thyhen mbi ty

Zhurmërimës sate që ikin në pa kthim

 

Kthesave të jetës ty të ëndërroj

Pranë më shtrihet një tunel i zi

Si të tejkalohet verbëria e tij

Muret e gurta ku myshqet lulëzojnë

Fishkëllima trishtuese e trenit të zi

Që m’i bart dëshirat për ty det

Mua të fundit nga brezat ëndërrplagosur

Me dëshirat e vatrës drejt teje udhëtoj

 

KËNGA  IME

 

Art mos i mbaj mëri këngës sime

Ajo është dehur pishnajave me erë

Muzgjeve ka shëtitur këmbëzbathur

Përherë petale e lules

Për një fije diell

 

Fjalët ka gdhendur

Nën peshën e gurit

Me pak dashuri e shumë pikëllime

 

Të lutem art

Merre këngën time

Ndërto kështjellë dhembjesh

 

 

AJO

 

Gjithçka ishte pyetëse

Bashkudhëtarja ime e autobusit të mëngjesit

Shikimet lëvizjet ndjenjat

Çfarë sëmundje ngjitëse qenkan pyetjet

Në çast ndjeva se dikë lëndova

Ajo më buzëqeshte si me pahir

Zëshëm klithi ndërgjegjja ime

Nuk ngrihet dot lumturia

Aty ku dikujt i fillon tragjedia

Dritares i fshij avullin

Pastaj bashkë me Borhesin udhëtojmë

Gjer në stacionin e fundit të qytetit

Natën e mirë më tha dhe iku

Metaforë e rëndë për atë mëngjes

Të mashtrueshëm m’u duken sytë

I dashur Borhes

 

 

UDHËTIM

 

Udhëtoja

Nëpër buzëqeshjen e saj

Fusha kodra livadhe lumenj

Pa skaj

 

 

TË PRES

 

Buzëqeshje e praruar

Tregoma rrugën sonte

 

Në dritare hënën gjysmëlakuriqe shoh

Me buzëqeshje të pastër si ideali

Që vret e pret retë me teh sëpate

 

Ku ta vë këtë det brengash unë

Kur djajtë më presin në derë

Akrepat e orës më ngatërrohen

E më mbysin oazat e shikimeve memece

 

 

MENDOJA

 

Frymëzimet më vërshonin

Si valët e detit

Mendoja s’ka dashuri më të madhe

Se vargjet e Bertold Brehtit

 

Dashuri me kohën

Në përqafim më ranë vrap

Dhe aspak s’mbajta mëri

Veçse kuptova se paska

Dashuri mbi dashuri

 

 

VETMI

 

Heshtja ka mbuluar gjithçka

Dhe gjithçka më duket zbrazëti

 

Gjarpër i zi i vetmisë më godet

Hartës gjeografike të shpirtit

 

Mbyll sytë dhe shokën e ylberit shoh

Rrethuar me prangat e Zhak Preverit

 

 

DHEMBJE

 

Askush të mos vijë sonte

Në pyllin tim të dendur

Se dua vetëm të shëtis

Të jem zog i mendimit tim

Më kuptoni për një çast

Gjërat që i dua më rëndojnë

Kur koha s’po më mjafton

Ta frymoj një çast së bashku

Në pastë mbetur pak dashuri

Sonte të gjitha dua t’i gjej

Labirinteve të dhembjes sime

 

 

DHEMBJE RRETHORE

 

Ofshamë e xhindosur

Me çka kalëron

Nëpër dhembjen time

 

U mësova me ty dhembje

Me fytyrën tënde lajkatare

Me trokun tënd të zi

 

Muri më ndan

Nata më vështron

Diku larg një zë më thërret

 

Pranë më qëndron zbrazëtia

Që do të më përpijë

Por sonte jam i rëndë

 

 

DYLUFTIM

 

Në pritjen time

Zgjohen baladat

Në mërinë tënde

Zgjohen intrigat

 

Në heshtjen time

Zogjtë këndojnë

Në fjalët tuaja

Korbat vajtojnë

 

Unë rri zgjuar

Fushave e maleve

Të dheut tim

 

Ti gënjehesh

Se kam fjetur

Diku në agim

 

 

URDHËRONI

 

Urdhëroni zemrën time

Bëni ç’ka të doni me të

 

Urdhëroni fjalën time të kallur

Në dallgët e kohës

 

Merreni ëndrrën time

Të mbushur me zogj shtegtarë

Që fluturojnë në agime

 

Urdhëroni këtë pjesë jete

Që më ka mbetur

 

Ja urdhëroni...

Merrini të gjitha

 

 

NATYRË E GJALLË

 

Mbi tavolinë një abazhur

Fillon ta thithë errësirën

Pranë abazhurit një taketuke

Fillon ta zbrazë pakon

Pranë cigareve dy ngjyra

Gishtat e zverdhur fletët e bardha

Vallja e mesnatës fillon

Abazhuri gëlltiti errësirën

Taketukja pakon

Fletët gëlltisin shkronjat

Frymëzimi njeriun

 

 

BALLI I ZABELIT

 

Si div mbi fshat

Zabeli ngritur

Ballin plot rrudha

Zemrën e ndritur

Me gjymtyrë të lodhura

Me halle i vuajtur

Në kohëra e stuhi

Emrin ka ruajtur

 

 

BINTE SHI

 

Fjalët na mbetën jashtë ombrellës

Ato i lante shiu i pranverës

Heshtja hodhi vështrimin në asfalt

Ku miliona kristale flakëronin

Qielli u rebelua me imazhin gri

Shiu na depërtonte gjer në palcë

Sikur të kishte zgjatur ajo qetësi

Që edhe dritat e neonit e kishin zili

 

Shi binte dhe bukuria tretej

Në zhurmat e njerëzve që nxitonin

Atë mbrëmje aspak s’vonoi urbani

Ëndrrat rinore qiellin kaltëronin

 

 

DIKU LARG

 

Vetmia të vriste në atë bardhësi

Ëndrrat të mashtronin

Diku larg me gjelbërimin e pranverës

Shqipja të priste me shkronjat e mësuara

Ti larg përqafimit të ngrohtë frymoje

Të tregonte kush gruri në ishte rritur

Livadhi në ishte bërë për ta kositur

Binte shi apo merrte thatësi

 

 

 

ZGJIMI I PRITJEVE

 

Asketë jemi bërë

Duke vrarë mendjen

Djallin për ta mundur

E pritjet seç po plaken

Nga shiu i rrëmbimshëm

 

Doemos një ditë

Nga gjumi do të zgjohen pritjet

Me flakën e ëndrrave

Do të shuajnë dashurinë e dheut

 

 

MË THA NJË PLAK

 

Aspak mos u habit biro

Çdo fis e ka nga një pis

E çdo bung s’bëhet cung

Unë sot jam nesër s’jam

Kushedi si vijnë kohët

Ndonëse buzagazin ta shoh

Si farë e grurit në arë

 

Rrudhave të mia  në ballë

Fat i balsamosur kaloi

Nëpër duart e plasaritura

Shih ashpërsinë e stuhive

Në plisin tim të zbardhur

Besa e Konstantinit flet

E plot ëndrra të bardha

 

Mos u habit që flet guri

E koha të ngjeshë për muri

Bajlozët të sillen kokës

Të gjithë njësoj janë të zinj

Zjarri të mos shuhet kurrë

Për udhëtarin e vonuar

E për flamur bëhu edhe urë

 

 

URA

 

Nën të rrjedhin

Dëshirat e pashterura

 

Mbi të kalojnë shpresat

Me buzëqeshjet e fëmijëve

 

 

LULE NË SHI

 

S’më ndalni dot të mos e përjetoj

Ëndrrën për lulen erëmirë

Me rrënjë ideali ujitur me gjak

E mbirë në stuhi zjarrin ruan në gji

Burim për breza shend për shpresa

Ku diejt rrezojnë e valët gjëmojnë

Me shekuj pritur në ideal të rritur

Aty ku Drini me Drinin përqafohen

Rrjedhin frymojnë prapë të ribashkohen

Pranverës së bukur drejt stinës së re

Rrugës së zjarrtë për të dashurin Atdhe

 

 

KOSOVË

 

Sa herë të kemi përmendur

Buka në fyt na është zënë

 

Sa herë kemi qenë të etur

Kemi pirë ujë burimeve tuaja

 

Shtroje sofrën tënde të madhe

Të ngopemi njëherë

Me buzëqeshje

 

PRANË TEJE

 

Në shënjestër

Të kishin baladat

Në prita

Kali i Trojës

 

Kryefjalë

Në mure

Varë legjendat

 

Ranë teje

E vogël është poezia...

 

TOKA

 

Vë faqen në tokë

E ndjej si gumëzhinë historia

 

Mbi supe diçka më rëndon

Një peshë marramendëse

Si gjarpër më kafshon

 

Edhe unë jam një atom

E tokës nga prangat përgjakur

Tokës që po i japim frymë

 

 

BUZËQESHJE

 

Kaluam pranë lapidarit

Ku shkrihej buzëqeshja e heroit në të

E morëm një pjesë të buzëqeshjes së tij

Tërë jetën buzëqeshëm

Diellin duke shikuar

 

 

VARRI I MARTIRIT

 

Buzëqeshje e argjendtë

Që në mugë flakëron

Diell në piedestal

Feniks që këndon

 

Në varre

Mos e kërkoni

Aty nuk është

E fundit fjalë

Amshim

Zog në shtegtim

 

 

TË SHOH

 

Të shoh në këtë kohë të vjedhur

Vuajtjet tuaja të një nate shekull

 

Mos më thuaj se jam i ri

Dy shekuj kam jetuar

 

Të shoh te balli i zabelit

Tek uji gurgullues të shoh

 

 

RILINDJE

 

Po u nise mos u ndal

Udhëtar i shtigjeve

Ëndërrues i luleve shumëngjyrëshe

Të vjen zëri jehonë nga lashtësia

Rrugës së njohur Via Egnatia

Asnjëherë shtruar me lule

Ndonëse ato ëndrrave kanë çelur

Po u dogje mos e ndal hapin

Zog që rilindesh nga hiri

Shekujve do ta marrësh vrapin

 

 

DRITËRO AGOLLI

 

Rrjedh poet rrjedh si Devolli

Koha në vena grurin ta mbolli

 

Kur s’kishim bukë për të ngrënë

Hanim vargjet tuaja dhe thërrisnim nënë

 

Kur na merrte malli për peshk e putargë

Shtronim kripë në sofër e të ftonim për darkë

 

Dimrave të fortë kur fishkëllente acari

Kur rrotull nesh sillej gjarpri prore

Ngroheshim me vargjet tuaja të Poemës malore

 

Rrjedh poet rrjedh si Devolli

Edhe pse flokët të janë zbardhur shumë...

Rrjedh poet rrjedh se ne jemi të pagjumë

 

 

ERËRAT

 

Erërat e serta

Lisat rrëzojnë

Në sqotë e shamatë

Buzëqeshjet gurëzojnë

 

Snobët servilët

Gjuhët përflakin

Degëzohen rrethohen

Zjarrit  që s’djeg

 

 

NOSTRADAMUSI

 

Lan fytyrën lëpin buzët fshin jargët

Flet shtruar për fatin tonë të muruar

Me fjalë të rralla kolitet në andralla

Të tjera fate zbulon përrallat shpërrallon

Ato zbehen nxihen shthuren e rrënohen

Ai prapë i ngritë me një frymë i rritë

Kur flet bërtet mbi tavolinë godet

Rrugë të reja improvizon në miniaturë

Lakmuesi i gjithëdijshmi fatpredikuesi

Fatet zverdhen ligështohen sëmuren vdesin

Me dhembje e nostalgji i dërgon në kirurgji

I ringjallë i shëron dhe i reprizën

Me finesë e madhështi për vitin dymijë

 

 

MISIONARI

 

Eci e eci

Hapin nuk e ndali

Në kohë të turbullta

U lind misionari

Prej derës në derë

Me qiri në dorë

I priste e prisnin

Përgjumshëm me orë

 

 

VIZITORI

 

I veshur bukur si yll Holivudi

Kostum blu xhins  kravatë të kuqe

Me syze dielli e dollarë në xhep

Mjekër lëshuar me emër të ndërruar

Kur kaloi kufirin e puthi flamurin

Në fytyrë i lexohej mallëngjimi

Tërë ditën e kaloi në udhëtim

I urtë dhe i mençur në çdo shoqërim

 

Kadarenë e lexonte natën vonë

Kur edhe bënte ndonjë telefonatë

Fliste pastaj edhe për rrathët e ferrit

Shpatën e Damokleut Mollën e sherrit

Për Ballkanin Evropën fqinjësinë

Tjetër e mendonte jetën e shqiptarit

 

 

MATHAUZENI

 

Të gjallët e të vdekurit një u bënë

Dhe panë si mbyllet fati në gjemba

Në emër të njeriut për njeriun

Asgjë nuk ishin më shumë se njerëz

Me emër e mbiemër i thërriste vdekja

Varri i madh gojëhapur i priste

Me vete morën qiellin rrezet diellin

Të nesërmes për t’i dëshmuar

Se ishin bijtë e nënën kurajë...

Ani pse në fytyrë nuk u shkruante

Në ngjyrë ideale fe e atdhe

Fati i hidhur në emër të njeriut



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •