Cikël poetik nga Avni Azizi (II)
| Saturday, 06.05.2010, 09:28 PM |  

Avni Azizi

 

 

PETKU I RI

 

Bukur e mbaje flamurin në dorë

Mirë i dole hakut ngjyrës së gjakut

Ushejzat mbëltove e fronin fitove

Në log të betejës me plagë patriotike

Në kuvende burrash dokumente nxore

Atëbotë i firmose tash u plagose

Atëherë në zemër sot në thembër

Ç’të zbehet nuri rojë të bën flamuri

Gravura kudo edhe në lapsin e harxhuar

Kohëve të acarta mbi mijëra vula

 

 

ANTIART

 

Nëpër ashensorë shkruajnë vargje

Të poezive lirike

Nëpër videolojëra hartojnë plane

E në diskoklube lozin tango

 

 

VJESHTA

 

Të kujtohet pranvera Atilë

Kur pulëbardhat e ëndrrave

Fluturonin në sfondin blu

Jone të këngës më të bukur

 

Sa shpejt erdhi vjeshta

Dielli i madh gënjeshtar

U shkundën gjethet verdhane

E gjaku ngriu në damarë

 

 

K U M T 

Më vjen keq 
Që ta përcjell kumtin 
Me vargje të poezisë 
Kur e di se për ty 
Veç tufë shkronjash janë 
Fjalë pa asnjë kuptim 
Apo udhëtar të gëzuar 
Në sytë e diplomatit të huaj 
Kur mendueshëm shikon 
Nga dritarja e ambasadës 

Në unin tënd 
Veç një rreze vagëllon 
Që ngryset e gdhihet 
Me tejpamje të burgosur 

Çdo natë brenda teje 
Troket ritmi monoton 
Zbrazëtia të bezdisë 
E fryma të zihet 
Në dashuri trupi 
Në shkëlqim mëngjesi 


DUKE SHIKUAR HARTEN E ATDHEUT 

Mbi një shkëmb të thepisur 
Damarët po më pëlcasin 

Çdo pikë e lartësi 
Shoh Pulëbardha krahëlehta 
Vorbull resh në veri 

Rreth meje flutura të çelikta fluturojnë 
Në sytë e m`i qielli i përthyeshëm 
Po zemra e trandur rrah 
Drejt valëve të ngrohta të detit 

Trupit më rrjedhin lumenjtë 
Ultësirat e dëshirave epike më pushtojnë 
I druaj shikimit e dashurisë 
Këputjes së lules në kopshtin e atdheut. 


ENDRRA PER BISMARKUN 

Krahu i pulëbardhës 
Trishtueshëm nga gjumi më zgjon 
Tinguj krrokatë fjalë të liga 
Me trishtimin më arrijnë 
Sulm gjeneral mbi velin pelerinë 

Pranë një foltore të ndragur 
Një hiç burrë nisë e llomotit 
Fraza vrasëse ngjyrë të pistë 
Në mur shkaba më pëlcet 
Kur shtatin e hartës së atdheut 
Me kamxhik ma godet 

Pse me aq ligësi çirresh hirësi 
Klithi zëshëm apo ëndërr jam 
Kur ankthshëm nëpër mendje më shket 
En las puertas del Oriente 
Se esconde mi suerte* ... 


*Nëpër porta të Orientit 
Fati im iu shtrua gazepit
 


S N A J P E R I S T I 

1. 

Mbi një godinë të Kosovës 
Hije e çmendur vëzhgon 
Në dorë mban snajper 
Rrugët e kryeqytetit 
Me radhë shënjon 

Mbi hekurin e ftohtë mbështetet 
Duke shikuar njerëzit 
Kujtime vdektare të frikshme 
Konfiguracione malesh i shtegtojnë 
Prej nga dikur kishte qëlluar 
Snajperisti me emrin Bato 
Në luftën e Bosnjës i graduar 

Vrasje të shumta 
nëpër kokë i enden 
Me re mortore ajri i mbështillet 
Me urrejtje hakmarrëse soliterët shikon 
Të gjëra i duken rrugët 
Të mëdha maternitetet shtëpitë 
Dridhja trupin ia sëmbon 
Ngrihet drejton snajperin 
Krenari e mjerueshme 
Bebëzat i kalëron 

2. 

Siluetën e njeriut të tmerrshëm 
Mbi një godinë  të  Kosovës 
Mitet e rrejshme e sollën 
Lyer me krime nga faqet e historisë 
Padëgjuar për biografinë e qytetit 
Pranverat e çuditshme të tij 

E çuditshme kjo stinë si i ka mbledhur 
Rreth iluzioneve për të shtegtuar 
Me gjithë farë legjendash i rrisin fëmijët 
Të ashpër janë të çuditshëm ai mendonte 
Pas pak nga duart lëshoj snajperin 
Mbi kangjelet e akullta u mbështet 
Diçka më shumë të kuptonte 
Për njerëzit që thneglave i ngjasonin 

Secila rrugë që sillte njerëz në qytet 
Nga një ditë të jetës ia vrisnin 
Udhëkryqeve ku turma bashkoheshin 
Edhe aty ku tanket gati rrinin 
Askund nuk ndalej marshimi 
Si flurudhë flamujt qiellin e shponin 
Të larë nga gjaku i dëshmorëve 
Sikur nga dheu mbinin 

3. 

Pas pak snajperisti i graduar Bato 
Që njerëzit pigmenj i shihte 
Para syrit ofroj dylbinë e snajperit 
Por në vend se dëshira të shuante 
Shpërthim vullkani iu fut në sy 
Uragan i fuqishëm ia shpoj kraharorin 
Sa shumë dëshira kishte ky qytet 
I vogël iu bë vetja ndaj tij 
Ndonëse aq lart kishte hipur 

Me shikim të urrejtshëm mbuloj qytetin 
Sikur donte ta shtrydhte në grusht 
Nga ai kat i lartë ta hidhte 
Qytetin dhe marsin e çuditshëm të tij 
Mundohej t`i shqyente t`i gllabëronte 
Në katakomb të heshtur t`i kthente 
Pamenduar gjatë drejtoj snajperin 
Dikë duhet vrarë patjetër 
Po cilin në shenjë ta merrte 
Cilit në gjysmë t`ia ndalte pranverën 
Dhe prapë të ri gradohet për trimëri 
Fare pa kuptuar snajperisti i mjerë 
Se në lule të ballit trimat i puthë liria 
Mbi ideale të gjakuar i zgjon pavdekësia 

4. 

Mbi një godinë të Kosovës 
Hije e çmendur snajperin drejton 
Popullit Promethe në rrugën e lirisë 
Duke menduar se fare lehtë vritet liria 
Nga Kopaoniku i ftohtë kishte ardhur 
Me rroba të hekurta i mbështjellë
Një tokë të huaj për ta gërvishtur 
Një faqe të re krimesh për ta shkruar 

Sikur të kishte mësuar snajperisti 
Për erën pranverore të këtij qyteti 
Kurrë mbi godinë nuk do të hipte 
As mite të rrejshme nuk do të besonte 
Askujt nuk do t`ia drejtonte hekurin 
Sikur harta të kish shfletuar 
Jo elaborate për shfarosje të popujve 
Doemos nuk do t`u bindej eprorëve 
Me krime ta shkruante biografinë 

Athua u ndal ndonjëherë snajperisti 
Të pyeste vetën çfarë kërkonte 
Mbi atë godinë të lartë në këtë qytet 
Apo zemër i jepnin avionët 
Tanket si gjarpinj shtat plagosur 
Që pamëshirshëm shkelnin mbi qetet 
Apo donte i droguar të përfundonte 
I pa gjurmë me një gropë mali 
Para se me të merrej tribunali 

5. 

Para tankut një djalosh vështronte 
Që drejt vdekjes shkonte duke buzëqeshur 
Më tej një fëmijë i përgjakur 
I cili tërë sheshin në gjak lante 
E i erdhi snajperistit dëshira për të vrarë 
Po cilin të qëllonte në atë shpejtësi 
Hamendej e nuk mundej krimineli 
Edhe pse në Bosnjë mirë kish qëlluar 
Gra pleq e fëmijë 

Çka është kështu me këtë dreq qytet 
E papërshtatshme iu duk lartësia 
Plotë hakmarrje ofroj dylbinë 
Një të riu në shpinë kryqin ia shënoj 
Zgjodhi vendin ku plumbi ta marrte 
Por ai i humbi nëpër shumë të tjerë 
Sepse qyteti dhe pranvera e thërriste 
Të ecte rrugëve trëndafila të këpuste 

Era e marsit shpirtin ia ligështoi 
Në kraharorë ndjeu ftohtësi 
Vezullueshëm filluan t`i sillen njerëzit 
Rrugët pallatet qielli pranveror 
Ngadalë edhe gishti iu rëndua 
Para i dilnin fytyra të përgjakura 
Rënkime nënash e vaj fëmijësh 
Epror të graduar e kafka njerëzish 
Gjitha filluan t`i lëvizin me shpejtësi 
Gjersa në fund ndjeu zërat 
Liri Liri Liri 

Mars 1998 


K U V E N D I M 

Buzëmbrëmje e trëndafiltë 
Sytë i freskon nëpër hijeshi 
Si vashëz hir plote flokët lëshon supeve 
Shëtitet e shkujdesur bluzë shkopsitur 
E diku pas majave të akullta bota zhurmon 
Gazmon e feston dehet e rrëmbehet 

Dridhshëm nisem rrugës por s`e di ku 
Së paku të mos dëgjoj për buzë të hekurta 
Lindje e ringjallje e rreze të akullta 

Në verandën e një restoranti dhembjet shpaloj 
Mbi tavolinë plastike kërkoj gëzimet 
Një melodi e bastarduar prehjen ma helmon 
Më vret e me hije morti më mbulon 

Dora e miqve në supe më rëndon 
I stërkënaqur ulem në lumturinë e pafund 
Që nuk do ta ndjeni e besoni 
Se Migjeni, Agolli, Lorka, Brehti e Unë 
Me një restorant në Prishtinë 
Jemi takuar jemi çmallur e çlodhur 
Kemi pirë kafe e thithur nikotinë 
Nikotinën e reve të freskisë së trëndafiltë. 


Z I N XH I R E T 

Kur ta lidhin fjalën 
Arterien e frymëmarrjen 
Të mashtron kaltërsia 
Po nuk të këndoi 
Zogu në kraharor 

Kur ta lidhin shpresën 
Kalorësin e bebëzën 
Të verbon mugëtira 
Po nuk u azdise 
Si kali hamshor 

Kur ta lidhin ylberin 
Lahutën e ninullën 
Të kafshon nepërka 
Po nuk u përpëlite 
Si në ëndërr të keqe 

Kur ta helmojnë lumin 
E urën ta rrënojnë 
Tek burimi kërkoje 
Legjendën e ujit 
Dhe harkun e urës 


P I R A T E T 

Nëpër labirinte të shpellës 
Piratët e ëndrrave të liga 
Krahët ia balsamuan mjellmës 

Si gjela mbi pleh janë krekosur 
Duke u parë në det 
Në vetën janë dashuruar 
Tërë jetën me gjethe janë ushqyer 
Si kuajt nëpër lëmë 
Gjelbërimeve kanë lodruar 

Nëpër mjegull i kam parë 
Nëpër shevar duke u fshehur 
Hijeve të qiparisave thurnin plane 
Për lirinë e dashuruar 

Mos më shiko habitshëm 
Ata të tillë janë 
Aq u bën për vargje të pagjuma 
Net të bardha të kristalta. 


SKICË PËR PËRRALLË

Në duar mbanin liri të frymuar 
Kot ajo ngjyrën e qiellit mbante 
Fjalët s`i thyenin dot prangat 
As me lutje ato nuk u ndryshkën 
Akuj u bëheshin thirrjet nëpër hapësirë 
Vesë lotësh lëndinat i mbulonin 
Në fund të detit fundosën Atlantidën 
Nga faqet e verdheme ngjallën Mathuazenin 
Ata dëshirat i mbërthyen në piramida 

Nga thirrjet e tyre u mbars mali 
Në fushën e guximit lodronte miu 
Pa pikë loti mbetën krokodilët 
Memec u bën korbat krrokatjet mat harruan 
Në gjirin e tokës kartmortale gozhduan 
Flakënajën e saj e bekuan me amshim 
Kur asaj veç fryma i kishte mbetur 
Ajo kodrave të rrahura mblodhi eshtrat 
Vullkan i gufoi llava e patretur 

S’dinin çfarë u mbeti për të thënë 
Të thoshin se mbi kështjellë rrezon dielli 
Ndoshta mali do të thahej nga ironia 
Erdhi koha që i këputi zinxhirët 
Pëshpëritnin ende në qiell mjeranët 
Kur tokës nga fjalnajat të vjellë i shkonte 
Somnambulët meskin të vetë gënjyer 
Nuk besonin se veç ëndërr kishin parë 
Se lojë fati nuk ishte liria. 


Z J A RR 

Pranë meje ngrysin kokë merimangat 
Vrasin rrugët turbullojnë shikimet 
Litarin në fyt ia vënë Dardanisë 
Në palcë ma gërryejnë poezinë 
Mbi gurët e ftohtë gjarpinjtë zvarriten 
Ëndërrimet kujtimet m`i helmojnë 
Katrahurë m`i bëjnë fijet e shpresës 
Thithin nektarin nga poret e jetës 
Fatit të brezit tim ëndërr plagosur 

Mbi supet e kohës papagaj zhurmojnë 
Gajasin fjalë të rralla tregojnë përralla 
Krehën e lazdrohen e mbajnë fjalime 
Krekosen mburren e s`dinë të heshtin 
Ashtu sikur strucët fytyrën fshehin 
Si të flas në këtë natë plotë zjarrmi 
Kur urith të verbër lodrojnë 
Papërfillur zjarrin që shkrumbon 
Vullkanin e brezit që përvëlon 

Mendueshëm nga dritarja vështroj 
Pulsin e dhembjes ia ndiej Dardanisë 
Përpara më del portreti i një miku 
Vdekja e tij një natë nëpër shi 
Kur një rrufe për shkëmbi ishte thyer 
Një pulëbardhë kishte ikur në fluturim 
I vrarë nga ikja e paharrueshme 
Shoh majat e pirgjeve që përflakën 
Erën e kufomës që po kalbet ndiej 


Z GJ I M 

Shtatëdhjetë e dy vite 
Pas ndërtimit të xhamisë 
Mblodhi njerëzit e ju rrëfeu 
Për Prometeun e mbërthyer 
Myshkun nëpër gurët e varreve 
Legjendën e ujit të gjallë 
Kur në kolovajzë përkundej fati 
Ëndrra syhapur shihnin Zeusit 
E plane vrastare thurnin 

Në vendin ku thirrej Azani 
Nën portretin e kryetrimit 
Me një kitarë ndër sqetull 
Me afsh të zjarrtë këndonte 
Balada për lindjen e kohës 
Pa kuptuar se pas dy viteve 
Pluhuri i kohës memece 
Melodinë do t`ia vriste 
Për guri do ta gozhdonte 

Pas gjithë asaj zallahie 
Labirinteve të ardhmërisë 
Si zogu pas fluturimit 
Lodhshëm zemrën e valoj 
Se deti i heshtjes u trazua 
Ëndrra e shtypur mori dhenë 
Uji i vdekur u zgjua. 


P I K T O R I 

Në vargonin e stinës tkurrej mëngjesi 
Nga mrrola e moshës së shtypur 
Re të verdha nga pikëllimi rigonin 
Pak vite ikën shumë hithra mbinë 
Në blerimin e shpresës parajsore 
Secili në çerdhen e qyqes vetën strukte 
Heshtja për gjuhe i kishte kapur shpresëplotët 
Pranë stufës së jermisë e kënaqësisë 
Kolonat e librave merimangat u rijetonin 

Në atelienë e dhembjes shpalosi guximin 
Në humbellë hodhi netët plotë fantazma 
Një mëngjes të virgjër hodhi në pëlhurë 
Një pasqyrë të madhe u bëri zuzarëve 
Karajfilen e shpirtit u dhuroj moshatarëve 
Bashkë u nisën aty ku jeta ka kuptim 
Syve të njomur peizazh të blertë u solli 
Skenës së mashtrimit ndryshkun ia fshiu 
Në varrin e kohës heshtjen e mbylli 

Një vit të verdhë mblodhi fëmijët 
Retë t`i kërkonin nëpër kopertina 
Gurëve të varreve plisa t`ju vënin 
Vështrim prehtë u nis në shtegtim 
Se veç pikturë s`do t`i mbetej rruga 
Se mijëra buzëqeshje do të bulëzojnë 
Mbi heshtjen e thyer do të këndojnë. 


Z E U S E T 

Mbylleni atë horr dikush bërtiti 
Atë prishës të mirëqenës shoqërore 
Të harruar eshtrat lë t`i kalben 
Fjalët le t`i thahen e sytë shteren 
Atë prishës rendi rrëmbejeni 
Të mos mendoj se jemi vdekur 
Mendimtarët e tij le të tmerrohen 
Harron se ne jemi prerësit me gërshërë 
Nuk na shpëton as miza pa e parë 

Mbi këtë tavolinë kokën e tij dua 
Ta shoh duke pështyrë veten e tij 
Duke thyer dhëmbët në ato fjalë të rralla 
Ta shoh si e zgjon ai ujin e vdekur 
Si e zëvendëson hoxhën në minare 
Këtu thonjtë kam për t'ia shkurtuar 
Gjuhën e gjatë kam për t'ia prerë 
Me ujët e vet kam për ta zgjuar 
Në rëntgen veten ka për ta parë 

Të gjitha ato piktura ia grisni 
Mbi ato pëlhura fshihet shpirti i tij 
Pastaj helmin tek Zeusit shpërndajeni 
Se zemrat e besuara veç ata sëmbojnë 
Pastaj ndonjë zallahi kodrave lëshojeni 
Venave të shpirtit le t`i rrotullohet 
Ai Gjordano Bruno s`guxon të bëhet 
Të gjitha duhet sot t`ia rrënojmë 
Se nesër busti i tij në kokë të na bie 


SATIRET 

Kohë e gjatë u duhej 
Gurin e rëndë për ta luajtur 
Vetëm për ta kuptuar 
Dhembjen e një fjale 
Me lot të përgjakur 
Derdhur nëpër fusha 
Sikur shiu vjeshtak 

Kur takoni të vërtetën 
To mos trembeni aspak 
Të mos ju ngashënjej 
Nostalgjia 
Për atë që se keni bërë 
Siç i bëtë fjalët 
Parashikimet projektet 
Për kalanë e ngritur 
Në rërën e plazhit
Piramidat e larta 
Në shpirtin e popullit. 


F Y T Y R A T 

Lexoj Hëlderlinin 
Zemra më rrëqethet 
Përpara më dalin 
Fytyrat e njerëzve 
Me kafka të hekurta 
Me hapësira të muzgëta 
Ku humbellave të thella 
Shtresë-shtresë pajojnë 
Shigjetat e Apolonit 

Vrullshëm ngrihem 
Nga shtrati i shpellës 
Fugimthi gjej daljen 
I shkujdesur qesh 
Me fytyrat e njerëzve 

Nën qepallat e mia 
Bredhë Hëlderlini 
Si dikur Laokoonti 
Me bijtë e helmuar 
Lodhshëm shtrihem 
Shtratit të pagjumësisë 
I mllefosur qaj 
Për fytyrat e njerëzve. 


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •