Cikël poetik nga Avni Azizi (III)
| Saturday, 06.05.2010, 09:27 PM |  

Avni Azizi


ARTISTI IM 

Dhjetë vite 
Bustin ma paske ngritur 
Që një ditë të mbytem 
Nën peshën e tij 

Errësirës së paanë 
Paske fshehur fytyrën 
Me hapa të plogshëm 
Udhën paske matur 

Sa lehtë hyre në kopshtin tim 
Artisti im 
Artisti im 


P A S J E 

I imi është qielli me re 
Nata e mbushur plotë yje 
Çdo rrugë që nisem është e imja 
I imi është shiu që rigon 
Bulëzimi pranveror lulet freskia 
Gjethet verdhane lisat e zhveshur 
Të gjitha të miat janë 

I imi është deti me pulëbardha 
Qetësia e brishtë  e natës 
Sytë e përlotur të vashës 
Buzëqeshjet e fëmijëve 
Malli që përvëlon 

Pagjumësia e atdheut është e imja 
Lumi dhe vala e trazuar e tij 
E imja është vuajtja shqetësimi 
Dhembja krenaria 

E imja është një natë trishtimi 
Kur këmbët më mpihen e gjumë nuk kam 
Kur ende pa lindur një varg më vdes 
E nata si anije e madhe fundoset. 


PORTRETI YT 

Tek më vështron në heshtje 
Një zë më thotë 
Sa shumë të ka lodhur poezia 
Mua më zverdhet fytyra 
gishtërinjtë më dridhen 

Në sytë e tu 
Një lodhje të vogël shoh 
Por s`e fsheh dot 

Gjersa flet 
Kipci deklamon vargjet e një poetuci 
Që çdo natë dërgon krizantema 

Seç më vërshon një ndjenjë e çiltër 
Që lumit t`ia rrëmbej valën 
Yjeve drithërimën hënës shkëlqimin 
Por diçka më shtrëngon në fyt 
Ashtu siç më vdes ndjenja 
Nga portreti yt. 


P O E T I 


Në tregun e devizave 
E shesin poetin 
Të shkretin 

Në ankand e nxjerrin 
Sytë ia vjedhin 
Nuk lënë gjë pa i thënë 

Në tregun e pemëve 
E nxjerrin poetin 
Për molla dashuritë ia shesin 

Në tregun e kafshëve 
E lidhin poetin 
Baras me një gomar kushton 

Eiii i shkreti poet 
Kurrë nuk e shkroi fatin e vet. 


DËSHIRAT 

Mbi pllakat e varreve 
Si nëpër xham rigat e shiut udhëtonin 

Pranë trungut të një rrapi 
Ishte mbështetur Shpëtimi 
Dhe më tregonte për natën 
Kur paramilitarët u kërkonin para 

Ndezëm cigaren e vetme 
Ndoshta për të parën herë 
Dëshirat rrëfenim 

Nga rrapi na pikonin pikat 
Atdheun nuk e zinte gjumi atë natë 
Flisnim ngadalë 
Sikur na përgjonin pllakat e varreve 
Për shokët që nuk na u bashkuan 

Erdhi agsholi 
Si me dorë nga rrapi hoqi rigat 
E ne ende kënaqeshim me dëshirat 


NATA E HIJEVE 

Në fytyrën e atdheut rigonte shi 
Dridhje e fuqishme 
Fjalët e rralla i ndërpriste 
Secili në vete diçka mendonte 
Secili kishte diçka të thoshte 
Ndoshta nata e fundit ishte 

Një blic vetëtime 
Atdheut fytyrën ia mbulonte 
Nëpër vezullime shuheshin barbarët 
Në shpirt krenari na jehonte 

Të veshur në pritje 
Natës pulsin ia numëronim 
Mbi fytyrën e atdheut rigonte shi 
Me re na bashkoheshin mendimet 
Cilin shok do ta përcjellim 
Cilën shtëpi do ta djegin 
Bastardët që vinin me shi 
Barbarët që fytyrat maskonin me hi 


VIZITORIT TE HUAJ 

Merreni një copë nga çatia e saj 
Si një copë historie ruajeni eksponat 
Ajo shtëpi dikur nxjerrke tym 
Kishte pleq të heshtur mjekërbardhë 
Që këmbëkryq prisnin mëngjeset 
Duke u treguar nipave e mbesave 
Për plis bardhë të veshur me gjerdan 
Histori me mbretër gjeneral e sulltan 

Nëse frëngjitë si fotografoni dot 
Vështroni nga mali jehun mund ta gjeni 
Me iluzione barbarësh ta krahasoni 
Nëse doni legjendën e urës ta shihni 
Gjurmoni nën themelin e rrënuar 
Eshtrat e një nuse do t'i zbuloni 
Një gozhdë të ndryshkur tek oxhaku 
Dhe thirrjen që lëshonte kryeplaku 

Në pamjen e kamerave tuaja 
Një zog do të fluturoj sigurisht 
Ndodh të mos shihni nga mjegullnaja e hirit 
Por puplat e bardha sikur do të u thonë 
Merreni zotërinj  një copë nga kjo shtëpi 
Nëpër laboratorët e juaja studiojeni 
Dhe thoni se nën këtë çati të rrënuar 
Shumë lirë kushtuaka jeta. 


PARANDJENJË 


Shoh pemë të fërfëlluar pas shakullinës 
Gjethe të kalbura nëpër rrugë 
Sy të thelluar deri në pafundësi 
Trokitje monotone nëpër shpellë 

Ndjej përpëlitjen e shpirtrave të thyer 
Vyshkjen e lules anemonë 
Ecje nëpër labirinte të mashtruara 
Ligjërata të rrejshme për qiellin e shpellës 

Dëgjoj krikëllima pranga e hekurash 
Si diademë mbreti që shkëlqejnë 

Vraponi o njerëz të dalim nga shpella 
Se mbreti ynë qiellin nuk e sheh 
I dehur në orgji 
Pushtimit të Trojës nuk i beson 


VDEKTARËT 

Sa të gjatë e keni farkuar vargonin 
Duart buzëqeshjes për t’ia lidhur 

Pagjumësi e keni mbushur detin 
Me karvanë marrëzirash vdektare 
Niseni për ta shkatërruar Atlantidën 
Për ta vrarë poetin 


SATIRET 

Kohë e gjatë u duhej 
Gurin e rëndë për ta luajtur 
Vetëm për ta kuptuar 
Dhembjen e një fjale 
Me lot të përgjakur 
Derdhur nëpër fusha 
Sikur shiu vjeshtak 

Kur takoni të vërtetën 
To mos trembeni aspak 
Të mos ju ngashënjej 
Nostalgjia 
Për atë që se keni bërë 
Siç i bëtë fjalët 
Parashikimet projektet 
Për kalanë e ngritur 
Në rërën e plazhit 
Piramidat e larta 
Në shpirtin e popullit. 


KTHIMI 

Me fytyra të buzëqeshura 
Me plagë të lidhura 
Ngadalë nga mali zbresin 
Ndalen tek një varr i njomë 
Pranë tij kapelat heqin 

Një nënë fytyrë thatime 
Nga fundi i një sënduku të vjetër 
Nxjerrë shkresa e gazeta ilegale 
Ato që dikur ia kishte lexuar djali 
Sakaq e mallëngjyer 
Hedhet në përqafim të një ushtari 



MIOPET 

Ai muret e përgjumura i kalonte 
Me një grusht mëngjes futej çdo shtëpi 
Peng u linte porositë e shokëve tjerë 
U thoshte demonët nuk shihen 
Grunajat nëpër ara ata ua djegin 
U turbullojnë mendjen sinorin ua shkulin 
E mes jush fara intrigash mbjellin 
Ai padëgjuar fjalët futej çdo shtëpi 
Ndonëse dilte i ronitur e zemërthyer 
Se Kodërrahun me re të amullta 
Miopët e kishin nemitur... 


KUR THIRRI ATDHEU 

Ishte zhbërë diku 
Madje edhe emri i kishte humbur 
Nuk kishte varr shenj as nishan 
Nuk shihej as në qytet 
As në kafenenë ku rrinte 

Kot e pritën shokët tek qafishta 
Ndoshta imitonte ilegalët 
Shokët që binin betejave 
Që luftonin maleve 

Ku mund ta dish 
Ndoshta ishte strukur në dhomën e tij 
E përmendësh po mësonte 
Teoritë e luftës 


TRËNDAFILAT 

Pas një rrethoje të hekurt 
Me gjuhën e tyre petalet flasin 
Çdo qiell i lirisë 
Ka trëndafilat e vet 
Që nuk përkthehen në asnjë gjuhë të botës 

Trëndafilat nuk jetojnë gjatë 
Vetëm në varret e dëshmorëve 
Ata janë të përjetshëm 


HARRESA 


Shumëçka mund të harroj njeriu 
P.sh. mund të harroj 
Se dikur me një mik kishin projektuar 
Një det apo edhe një oqean 
Kishin pritur shumë mëngjese 
E kishin pirë shumë duhan 

Njeriu mund të harroj 
Marrjen e një krahu me libra 
Përcjelljen nëpër natën me hënë 
Dhe shtrëngimin e dorës nga shoku 

Mund të mos i kujtohet njeriut 
Telefonata e një miku 
Rrëfimi për mungesën e parave 
Për rrugën që të shkonte në provim 
E tregimet plot halle të tij 

Sklerozë e rëndë mund ta zë njeriun 
Kështu duke u përkundur në karrige 
Harron ballin e përgjakur të shokut 
Dhe madje mund të harroj që kishte 
Ndonjëherë shokë... 


ARIXHINJTË 

Ti miku im nuk ke besuar 
Se edhe për arixhinjtë 
Shkruhen grafitë në mur 
Si fate të lexuara në shuplakë 
Ata janë moderuar 
Dhe nuk bredhin më fshatrave tona 
Me trasta shpikjesh në shpinë 
Ata tash e dinë fare mirë 
Se nuk hapen rrugët nga kallamet 
Për të vërtetuar se Makondoja 
Është e rrethuar me dete 
Me pikëllime të vesuara 
Shugurohen para portreteve 
Vdesin para këmbëve 
Për të qëndruar në këmbë 

Miku im i besimeve të blerta 
Ata ia kanë thinjur kujtimet miletit 
Me shirita ylberesh 
Të vetëtimave të djegura 
Tmerrin e xhindosur kanë fshehur 
Gozhdët e përgjakura 

Miku im demaskues rrufjanësh 
I finokëve me shestime të verdha 
Besoje se ende mureve tona 
Grafitë arixhinjsh gravohen 
Portrete të lirisë së shpikur 


LAMTUMIRE 

Lamtumirë... 
Sot po ndahemi përgjithmonë 
T'i me Ballin e Zabelit në krah 
Unë në shpirt 

Çdo mëngjes do të përtërihemi 
Ani pse mua harresa e rrugëve 
Buzëmbrëmjeve më mallkon 

Lamtumirë ara të pa rrëmihur 
Patate të bardha të nxjerra në vjeshtë 
Me falni për largimin tim 
Se njëmijë punë më presin 
U betohem se në çastet më të vështira 
Do të jam aty kur edhe rrezet e fundit 
përgjithmonë veniten e vdesin 

Të betohem arrë trupmadhe 
Që më freski më ke dehur 
Një ditë me vetëtimë do të kthehem 
I paharruar në shtatin tënd të mbetem 

Lamtumirë njerëz të funeralit tim 
Po zgjohem të ikë përgjithmonë 
Ata që vijnë do të ju ndëshkojnë 
Ata që vijnë do të ju ndëshkojnë 

11.gusht 1997 


GJËMË E RE PLAGË E VJETËR

1. 

Kujtimet në ty janë si zogjtë 
Ushtimë e cemtë flladi malor 
Apo buçimë shungullonjëse 
Në krahun tënd të shtangur 
Përqafimet tuaja gëzimplote 
Janë si eteri kur shokun ftojnë 
Por ti e di se ai tashmë pushon 
Nën mbulojën e rrezeve të thyera 
Të perëndimit të atij dielli vjeshtor 
Pranë varrit të tij bari i njomë 

Në errësirën e pikëllimit të përditshëm 
Të plumbta gdhihen e shuhen ditët 
Kundërmojnë kohët e ëndërruara 
Si goma të rrotave të djegura 
Ç’fliten bëmat e heronjve të gjallë 
Si ditët e ofensivave të ashpra 
Mallkon lumi i gjakut të derdhur 
Si toka e atdheut pa njerëz mbetur 

Pas tij përditshmëri e akullt tretet 
Me re të amullta të pikëllimit 
E ai në pllakën e ftohtë të shokut 
Kërkon fjalët që e ngushëllojnë 
Ulet pranë varrit mallshëm vegon 
Ballin e përgjakur që e zbukuronte 
Buzëqeshjen e lehtë në fytyrë 
Fjalët e mbetura në parzëm 
Ndjenë se në krahun e plagosur 
Ende armën e tij mbanë 


2. 

Sa shumë gjëra sot ke për t’ia thënë 
Aq shpresa të thyera e fjalë 
Që janë të mëdha sa malet 
Të egra si dhiaret nga keni kaluar 
Por ato s’të dalin goje ushtari im 
Se në buzë të është ngrirë buzëqeshja 
Me borë të janë mbuluar betejat 
Me mashtrim po të vritet liria 
Por fjalët janë të rënda sa idealet 


Përruan gurgullues mallshëm shikon 
Nga thellësia e errësirës një siluetë zbret 
Me këmbë të përbaltura e djersë të gufuara 
Me retë mbi supe e mjekër të parruar 
Mbi gjethnajën e kalbur nis e flet 
Për diademën e mbretit pa mbretëri 
Marshimin e kolonës nëpër shi 
Zgjimin e shkabës çdo mëngjes 
Jehonën e malit kur atdheu thërret 

Ca vogëlush kalojnë pranë varreve 
Pranë varrit të tij atë e vështrojnë 
Mbështetën për rrethojën e hekurt 
Dhe secili në vete kujton çastet 
Kur tek ajo pllakë lule kishin vënë 
E me çiltërinë e tyre fëmijërore 
Pllakat tjera i shndërrojnë në ushtarë 
Por ai si vëren ata matanë varreve 
Pjerrinës me shkurre ai udhëton 
Kujton krismat që shpirtin ia copëtuan 
Si shtatin e atdheut kufijtë 

3. 

Sa shumë gjëra sot ka për t’ia thënë 
T’ia dëfton zëri i dridhet 
Rrokjet me gjak i përzihen 
Krisma të reja ndjen në kraharor 
Si zogun e bardhë kur e gjuajnë 
Në çdo ecje rrugët pikojnë gjak 
Në çdo shpat gurët i bëhen varre 
Në çdo dasmë dasmorët mungojnë 
E dasmat i kthehen në funerale 

Nga portreti i tij fytyrëqeshur 
Ata sy vështrim prehtë sikur e pyesin 
Një fije diell mbi pllakë vezullon 
Si shkëlqimi i ditës së pritur 
Por larg varreve e pritura mashtron 
Larg varreve varret janë harruar 
Bëmat janë hedhur e shpërnjohur 
Me suferina harrimi janë mbuluar 

Sa shumë gjëra sot ka për t’ia thënë 
Si atëherë kur vigjilonin pranë rrapit 
Si t’ia thotë që brufulluan heshtakët 
Epshet e siluruesve që janë përndezur 
Për Tonin që shkatërronte tanket 
Që sot rravgon rrugëve çfarë t’i thotë 
Sakaq vogëlushja e Hysit në vegim i bie 
Dhe një lot i vagët me duf i përzier 
Si krismë pranë varrit të shokut i bie 


NË MUZEUN E KOSOVËS

Si trupa meteoritësh 
Si eteri në qiell të kaltër 
Qytetërimi i një kohe të lashtë vezullon 
Përplot vegla pune e vizatime ilirësh 

Porsi një gjarpër kokështypur 
Që barinjtë trupin ia varin në pemë 
Eksponohet epoka tjetër e barbarisë 
Me litarë thika e kmesa të përgjakura 
Gëzhoja predhash të kalibrave të mëdha 
Dorëza me gishtërinj-thika 
Hata… 

Një sofër me pjata e lugë gjysmë të djegura 
Në një varse rrobash 
Xhemper të djegur pantallona të vrimosur 
Që ashtu të bëra shoshë 
Ngjajnë me yllësit 
Si breshëri mbi pemët e lulëzuara 
Nëpër ato vrima kalojnë historitë 

Në muzeun kombëtar të Kosovës 
Si askund nëpër muzetë e botës 
Mbi shpata thika e pjesë të tankeve të djegura 
Llahtaria e frikshme e krimit qëndron 
E në rrobat e thjeshta të një ushtari 
Dhëmbët e thyer të mitit 


EPOPEJA E RRUFJANIT 

Pasi lexonte shkresurinat 
Fliste ëmbël e plotë skofi 
Por pas asaj buzëqeshjeje 
Eklips i burracakërisë 
Vijonte ortekshëm silurimi 
Fryt i një sqime të përndezur 
I karrierës politike të tij 

Mbi sinqeritetin e miqve 
Kërkonte va për amalgama 
Ku mund të lozte me profka 
Se ato u duheshin tarafitë 
Për t’i bymyer poltronat 

Një ditë sulmoi qiellin 
Yllësin e Pegazit ta rrënonte 
Ata që e rrethonin i duartrokitën 
Më pas me një gjilpërë 
Si balon epopenë ia pëlcitën... 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •