Albana Mëlyshi Lifschin: "Ka gjithmonë diku" (III)
| Saturday, 08.07.2010, 04:56 PM |  

Albana Mëlyshi Lifschin

 

 

VITET?

 

 

Ç 'janë këto vite që thoni ju,

unë nuk i takova vitet.

Ato i u afruan avllisë sime

më panë tek kërceja në litar,

e thanë se ngatërruan derën,

të qeshur fëmije më dhanë

e më kthyen sërish pranverën.

 

Korrik, 2002

 

 

NUK E KUPTOJ

 

Nuk ta kuptoj këtë poezi,

mik,

me drurë ia ke zënë dritën

pyll i zi - vargu yt,

më shtie frikën.

 

 

MËSIM

 

Sot, o mik, nga ty mësova

Të dua veten më shumë se të tjerët.

Unë paskëshe ngecur tek orë e vjetër,

Ti, që kur qenke hedhur në bregun tjetër?

 

 

INTER-FE

 

Meditim ne Krishtlindje

 

Babai im mysliman, kur qe 20

rrëmbeu pesëmbëdhjetëvjeçaren,

katoliken e bukur Mari.

Martesa u dha tre fëmijë,

me dy gjysma fe.

 

Vëllezërit

unazat shkëmbyen

me ortodokse.

 

Që cikli të bëhej i plotë,

për mua Zoti në Amerikë

kishte zgjedhur një hebre.

 

Tani, të shkoj në sinagogë,

në kishë apo xhami, nuk ka nevojë

Të tria janë tek unë,

apo unë - e ndarë në tre?

Dashurinë e përbotshme gëzoj

në Inter-fe.

 

25 dhjetor 2009

 

 

KËPUCËT E IMELDËS DHE TË MIAT

 

Kronikat thonë që Imelda Markos

iu gjenden në dollap 3000 palë këpucë…

 

Dikur në Tiranë, të vetmeve palë këpucë,

u merrja shpirtin nga e hëna tek e shtuna,

Të dielën, të mjerat gojëhapur,

prisnin në radhë te këpucari,

ndërsa prapa dritares në shtëpi

unë Hirushja, këmbëzbathur,

lutesha në heshtje që atë mbrëmje,

në shëtitjen e madhe, në bulevard,

të mungonte princi.

 

 

BURRI

 

Shtyllë, mur, e çati bashkë,

strehë e dhimbjes, dashurisë

Ë ndrra e parë e vashërisë.

toreador i jetës.

 

 

NËNA IME KA DITËLINDJEN

 

Sot

nëna ime ka ditëlindjen

Fisnikja flokargjendë, me onde

Të bardhë si flokët, zemrën ka,

Ç’ më zgjon kaq mall e kujtime sonte!

 

17 prill, 2008

 

 

KONTRATAT

 

Sot

ka superprodhim

kontratash me

korrupsionin,

hipokrizinë,

falsitetin,

kurorëzimet,

me djallin,

armët,

seksin,

dollarin...

Të gjitha le t’i marrin!

Unë prej kohësh kam firmosur

kontratën me shpirtin tim.

 

 

SHAKA E ZOTIT

 

O Zot!

 

Ç’ shaka bëre me ne

Kur moshës i dhe vite

e zemrën pa moshë e le?

 

Gusht ‘2007

 

 

DYSHIMI

 

Të gjithë e ndjemë

se si papritur diçka e madhe

u thye,

e sotmja e gëzuar

në të djeshme u kthye.

 

Përpiqemi të buzëqeshim,

dikush gëlltit lotët,

me dyshim shikojmë njëri-tjetrin

në heshtje kërkojmë

shokët.

 

8 gusht, 2000

 

 

HAITI

 

Dhjetëra mijëra trupa, pirg.

Qindra mijëra klithin

të rrëqethin Diellin.

Holokaust i natyrës, Haiti.

Lufta mes kontinenteve ngrin

Urrejtja hesht.

Sytë kërkojnë çmimin e jetës pa çmim.

 

14 dhjetor, 2010

 

 

URA QIELLORE

 

Sot,

ura qiellore ra,

(si mund të qëndrojnë

urat në qiell?)

Bota e të verbërve

më dysh u nda,

e baltosur.

 

 

POEZI TË AMPUTUARA

 

Kam frikë t’i shoh poezitë e mia

Rrinë shtrirë si në qivure,

me gjymtyrë të prera, si prej lufte.

Fqinjët m’i grabitën, siç mundën

U duheshin paterica për

pjellat e tyre.

Si harruan të më grabisnin zemrën?

 

 

GJINKALLAT E SHTATORIT

 

Disa rënë prej peme,

të plasura nga dielli i verës.

Të tjerat ende zhuzhojnë,

zhuzhojnë, zhuzhojnë, zhuzhojnë.

Duan mendjen të na mbushin...

S’e dinë që vapa iku me gushtin?

 

 

RREZE MIRËSIE

 

Kaq të etur jemi për mirësi

sa kur shohim një rreze

themi janë dy…

 

 

MARATONË

 

Ndryshe nga të gjithë,

në këtë botë, unë

erdha më këmbë.

Jeta për mua një vrap.

Maratonë në dy kontinente

Mbi qiej detesh bëj hark.

 

Janar, 2010

 

 

HIRUSHJA

 

Ma morët gëzimin

motra, ma morët

harruat se e ruaja për ju,

as sytë s’u panë

nga xhelozia e vjetër

më grisët, më çorët

të më shëmtonit.

S’donit tjetër.

Unë prapë ju dua

te hiri i vatrës,

për ju kthehem

Veç, e di? Princit

një këpuckë tjetër

i kam dhënë

për fare do më marrë

në një natë me hënë...

 

 

KODRA ME QIPARISA

 

U kthyem kokëvarur nga kodra me qiparisa,

Në mëndje na mbeti një zog i vogël, i zi

rreth këmbëve të gjyshit, seç desh të thosh

ndërsa trupi i nipit mbajtur nga litarë

të gjatë shkiste poshtë, poshtë…

 

I lamë varrezat me sytë drejt qiellit,

të pafuqishëm për të menduar, të mpirë,

të trembur në blasfemi, përulësisht ndaj

të Madhit. Kërkonim ngushëllim.

Veç një zemër gjithë jetën do të rënkonte

misterin “Pse o Zot, djalin tim?”

 

Natën ra një shi i butë, një shi si miliona lot

sipas profecisë së priftit për të njomur farën

e porsa hedhur në tokë, fryte për të dhënë.

Ç’ë ndërr vallë i dha të gjorës mëmë?

 

7 janar, 2007.

(Në kujtim të E.T. djalit që iku në lulen e moshës, javën e martesës)

 

 

NGJYRAT E KËTIJ DIMRI

 

Janari na mbështolli me dy ngjyra,

Të Bardhë e Gri, mbi to lufta

nxiton të pikojë të kuqen.

 

Kush do të bjerë i pari?..

Unë?

Po i fundit?..

Ti?

 

Pyetja merimangë kacavirret mbi glob

Këmbëthyer nisi rrugën ky shekulli i ri.

 

Janar, 2003

 

 

PRANVERË E KËPUTUR

 

Kjo,

pranverë që stinën humbi,

pranverë e këputur nga plumbi,

pranverë e ikur nga vetja,

pranverë e këputur nga vdekja,

mos ardhtë më!

 

Mars, 2001

 

 

MARSI I DYTË

 

Po bie me duf ky shi pranvere,

kujtimet e ikjes, dhimbje na zgjon,

foshnjat mbi karroca ngarkuar,

familjet shtrydhur në një furgon.

 

Helikopter, ti gjëmë mallkuar,

përsëri mbi kokat tona ti,

S’u ngope me ne dy vjet të shkuar

I bab ëzitur je për gjak të ri?!

 

A thua do të thahen lulet e mollës

përsëri syve do na shkasin lot,

Marsi nuk ardhka dot ndryshe për ne,

veçse me krisma e erë barot?

 

Mars, 2001

(Nga ngjarjet e Marsit 2001, n ë Maqedoni,)

 

 

BETIMI

 

Në solemnitet

atë mëngjes u betova

besnike t'i qëndroj

flamurit me 50 yje të bardhë.

Unë, më e reja amerikane e botës.

Në mbrëmje

dëgjova Himnin kuqezi

e nuk munda të gëlltis lotët…

 

 

SHTYPËSI DHE I SHTYPURI

 

Mik i dashur,

Na u dhimbse kur tregoje

Si të kishin shtypur,

marrë nëpër këmbë...

 

Liria erdhi… u ngrite.

Na le pa mënd:

Sa shumë i ngjave

Shtypësit tënd!

 

 

NJË ZARF PENG

 

Zotëri serbo-viç,

që në atë zyrë postare

pas syzeve të zeza,

zarfin tim e mban peng,

ç 'mendon?

 

Të theu në dysh adresa

“ Republika e Kosovës?”

 

Hajt, lëre zarfin tim të shkojë.

Don Kishot!

Akrepat e kohës pas s’i kthen dot.

 

Dhjetor, 2009

(Mjerisht korrespondenca postare me Kosovën ende kalon përmes Beogradit)

 

 

DHIMBJE DHE MALL

 

(Emocionet e vizitës sime të parë në Prishtinë)

 

Sot bulevardi i rinisë sime tiranase

me rrugët e tua Prishtinë u shkri e u bë një

E tronditur në mes pranverës së dubluar,

shpirti mall e lot mbi faqe për ty derdhte…

 

Një mollë ndahet në mes për dashuri, një pjeshke po ashtu,

por një Atdhe për dashuri nuk ndahet në mes, kurrsesi!

 

Damarët e gjakut na i prenë vëllezër,

damarët e jetës në fasha mbështjellë i kemi mbajtur,

gjaku të mos na ikë, të mos na prishet,

të fikët të mos na bjerë, në tokë të mos biem,

dhe në gjunjë të mos gjunjemi, gjithashtu….

 

S'e ndjeva mungesën tënde në Prishtinë, Tiranë,

Ç farë ndjeva ishte dhimbje dhe… mall.

 

Prishtinë, Maj 2001

 

 

Ç’TË THANË DHE Ç’U THE?

 

Je si fëmijë.

Dua jetën ta gëzoj

 

Je romantike.

Dashuroj

 

Je e vërtetë

Nuk dua t’u gëngjej.

 

Je idealiste.

Gënjemëni po mundet!

 

 

VARGU MBRET

 

Fantazma e tij në mes të natës, u shfaq

Urdhër dha t’i mblidhen ushtarët

Ç’ mund të bëjë një i vetëm mbret?

Poeti nga dheu zgjoi të vrarët...

 

 

PEJSAZH SHIU

 

Nën një mushama të zezë Klejborn

shëtis në lagjën time këtë mëngjes me shi

ç ati të pjerrta, të lagura, trotuare të larë

mbi bar këpurdha që s’ishin më parë...

Shiu i verës ullukut zhurmon, troket,

mbi mushamanë time rrukulliset, shket,

pika shiu mbi gjethe pjeshke, mbi bli,

inxhi mbin mbi flokë, në faqe, në sy...

 

Verë, 2000

 

 

DESHA SHPIRTIN TIM TË LIRË

 

E desha shpirtin tim të lirë

Që të ta jepja ty,

Bashkë me trupin tim të bukur.

 

Ah, sikur ta dija!

Gjithshka doje ti nga une,

Që trupi im i zhveshur

Nga shpirti dhe nga zemra

 

Menduar rri e mekur:

Si mundet vallë

Të bëjë dashuri një trup i vdekur?

 

 

HIRI I DASHURISË

 

Pusho pak, i dashur.

Sytë mbylli, fli pak.

Në mundsh.

E di që të kam lodhur.

 

Me hirin e dashurisë,

Përkundem dhe unë.

Kur t’i hapim sytë,

do të duhemi më shumë.

 

Mars

 

 

ARENA

 

M’u shfaqe i madh,

i fuqishëm, gladiator

Të vështroja nga larg,

Me atë hije fisnikërie

Për t’u provuar muskujt

Nuk ishte nevojë.

Arenën ta kishin imponuar.

 

 

PSE TË DESHA TY…

 

... sepse ti prure tek unë

thesarin e rinisë sime

që unë e kisha kyçur,

çelësin e kisha fshehur,

harruar e humbur diku...

 

Si munde ta gjesh ti?

 

 

ULU PRANË MEJE

 

Ulu këtu pranë meje,

të presim bashkë edhe një herë

ardhjen e mëngjesit, si atëherë

bashkë të presim hapjen e qiellit

të ndajmë bashkë ardhjen e Diellit,

të mos flasim, të mos bëjmë zë,

kujtimeve të tretemi, se s'do shihemi më!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •