Albana Mëlyshi Lifschin: "Ka gjithmonë diku" (II)
| Saturday, 08.07.2010, 05:02 PM |  

Albana Mëlyshi Lifschin

 

 

PETALE TË THARA

 

Brenda një libri sot në zarf

më erdhën dy petale të kuqe

Trëndafili i tharë ngacmoi kujtime,

djalin çapkën në rininë e parë,

foshnjaraken dashurinë time

 

Dy petalet - qenë buzët e mia

që ai at'her s’i puthi dot kurrë,

këpusja petale mbi buzë i vija

qeshja shenjtërisht, siç qesh fëmija

s'dija se isha lindur për një burrë.

 

 

PSE?

 

Pse duhet të vrasim më parë,

për të ndjerë më pas dashuri?

 

 

SHI NË ISHULL

 

Shopeni i dashuruar në ishull

kishte ngecur,

në një ishull të blertë, ishull me shi.

 

Sikur ta dinte që në atë ishull,

një ditë do të ngecja edhe unë

do të ngecje edhe ti...

 

A do ta vuante aq shumë limontinë e tij?

 

 

MESNATË TEK UNË

 

Te ti është mëngjes

mesnatë, tek unë

pa gjumë duhet të rri,

të mos presësh aq gjatë.

 

Tek unë shndrit Dielli,

tek ty hëna e artë

nga pas më ndjek, e dot s'më zë

sa larg jemi… Eh, sa larg!

 

 

ZEMËRIMI

 

Mbeti foleja bosh...

Unë padashur përplasa derën,

Ti nga zemërimi e tërhoqe… osh!

 

 

MOMENT

 

U ktheve një moment

sa të shkëmbenim lotët,

vetëm një sekondë

sa të më ngrije kokën

u largove i kërrusur

duke mallkuar botën...

 

 

DUELI I HESHTJES

 

Ushtria e fjalëve na la

Tani mbetëm unë dhe ti

tërhequr në duelin e heshtjes.

A duhet të ishin hedhur

aq shumë ushtarë,

kur mjaftonin vetëm dy pale

sy-kryqëzorët tanë?

 

 

ÇAPKËNËRI

 

S'e di pse më pëlqen,

të luaj me ty,

në shtëpi kur kthehesh,

të kërkosh çdo qosh,

e të mos më gjesh,

kur buzët të varësh,

e jashtë të dalësh

fshehur pas dere

fëmijërisht të qesh,

në krahë t'më marrësh,

e lart të më ngresh.

 

Gusht, 2001

 

 

NËN HIJEN TËNDE

 

Të falem o lis i madh,

nën hijen tënde

ndihem e sigurtë

nga krahë të fortë

mbështjellë.

Stuhisë nuk i jepem.

Por kur fryn i liri fllad

i paudhi bohem

shoqëri i bën shpirtit

e më rrëmben

 

 

PSE ERDHE KAQ VONË?

 

Pse erdhe kaq vonë tek unë?

kur gruri u korr

e në fushën e përvëluar

mbeti vetëm kashta?

 

Pse erdhe kaq vonë tek unë,

Kur edhe dera e fundit

u mbyll

Dhe dimri të la përjashta?

 

 

IMAZH

 

Mbi komodinë

nga fotografi e vjetër

vështrimi yt i trishtë

më merr me vete

në një kohë tjetër…

 

Në atë ballë të lartë,

në ata sy përrallë

ç’ sekret mbaje fshehur,

do ta thoshe vallë?

 

Me ata sy të bukur,

me ata sy blu

kë përgjoje natën

kush rendte ashtu?

 

Ç’ qe ai trim, ajo trokëllimë?

Si era fshatin mësynte

mbi vithe të kalit të hidhte

nën gunën e tij të fshihte?

 

E bukur ti dritë e hënës,

gjeraqinë e trembur,

në sytë e tu përrallë,

botës i mbaje fshehur

sekretin tënd të parë…

 

2000

 

 

PRIFTI I SHPRIFTËRUAR

 

(Atë ditë në kishë mungonte prifti Dominik

dhe në radhën e parë, e bukura Anna Mari Shik)

 

Kur ai ngrinte lart sytë e kaltër,

t’i lutej Zotit për besimtarët, i falte atij

dashurinë e mbledhur nga dyqind palë sy.

Por ajo Anna Mari Shik, perria e Kishës,

gjithnjë në radhën e parë, për vete e donte të tërën

dashurinë e Dominikut, dyqind pjesësh të ndarë.

 

Djalli lutjen pëshpërimë e dëgjoi, e tinëzisht

dashurinë e tërë, si krua ia derdhi në sy.

Fytyra e vajzës prush u bë, u përshkëndit.

Kur e bukura ngriti qepallat të digjte

nën qerpik të devotshmin Dominik,

prifti ndjeu turbullim djali,

e kaltra e syve u mbulua me mist…

Tek zgjaste duart nga Altari, zbrazëtirë

ndjeu t'i falte Zotit përulësisht.

 

Në gjunjë e ulën priftin Dominik,

të pranonte fajin,

se s'qe më i denjë për altarin,

se urdhrin e vet kish dhunuar

se kishte fyer vetë të madhin Zot.

Shën Mërinë, me Anna Marinë kishte ndërruar

nëmur nga Ati do të qe përgjithmonë,

nga njerëzia përgjithmonë i harruar.

 

Atë ditë në kishë mungonte prifti Dominik

dhe në radhën e parë, e bukura Anna Mari Shik.

 

2001 (bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, të cilën e mësova gjatë një vizite në London, ONT. Kanada)

 

 

PENTAGRAM

 

Mbi paralelet e tua

Edhe Dhimbjes më të madhe

pesë nota i mjaftojnë.

Për të klithur.

Lumturisë - për t’u dridhur.

Pentagram, çelësi është i yti

apo i shpirtit tim?

18 janar, 2010

 

 

I FALEM

 

I falem fisnikërisë së kalorësit

në pëllëmbë zemrën ia jap,

ndërsa lutem në heshtje,

ta marrë nën mbrojë,

në turravrap të mos i bjerë,

ndër patkonj.

 

 

ZONJA HESHTJE

 

Zonja Heshtje më porositi

me një lëvizje qerpiku.

Unë e përzura.

 

 

KOHË MONEDHASH

 

Në këtë kohë

monedhash

zemra erdhi falas.

Dhe

pësoi infarkt!

 

 

LARGOHEM

 

Larg

u rri xhamave të errët

që fshehin ligësinë e syrit,

 

bartësve të bagazheve

me ilaçe për të vdekurit

e gjarprinj për të gjallët.

 

U largohem,

që të mund të marr frymë

në hapësirën time...

 

 

E FUNDIT

 

Renda e fundit

para se të mbyllej porta e vitit.

Një orë më pas po të isha lindur

do kisha kapërcyer pragun tjetër.

Vetëm për një orë,- një vit më e vjetër!

Nga padurimi për t'u takuar Ju!

31 dhjetor 2009

 

 

MUZË E RE

 

Pas vargut tim

po të kërkojnë,

muza ime e fshehur.

Kërkojnë gjurmët

e nurit tim të pjekur.

 

Janar, 2010

 

 

FALJE DHE PENDIM

 

Dhe vjen një ditë, që i fal të gjithë,

se jeta zemrën të madhe e ka,

dhe dashuri e dhimbësuri pafund.

Ah, ky lëshim ç’më sjell pendim,

se djajtë paskan mbetur po ata!

 

shtator, 2002

 

 

METROTË E NJU JORKUT

 

Gojë gjigante

na përpijnë çdo mëngjes

na vjellin çdo mbrëmje.

Rit njëqindvjeçar.

 

Të durueshëm deri në habi

u besojmë jetën,

ndërsa për çdo rast

me vete mbajmë

qefinin e vdekjes.

 

 

APOKALIPSI

 

Pa u ndjerë,

ka kohë që na rri pranë

S'e vini re?

 

Lules i iku aroma,

Buzëqeshjes i iku hiri

Zemra u fut në kuletë.

Pëllumbi në korb u shndërrua

Në shtrat,

Burri ra me burrë

e gruaja me grua.

 

Apokalipsi-

S’përbën më lajm.

 

 

PRANGAT E MIQËSISË

 

Miqtë e mi,

 

Në më doni,

mos më vini pranga,

mos më thoni më kë të flas,

kur të hesht e kur të bërtas.

 

Në më doni,

gëzoni miqësinë time

ajo është lule që vetiu çel,

njëlloj si zemra urdhra nuk merr

komandant nuk njeh,

kurth për ju nuk bëhet

dhe as për mua çengel!

 

Miqtë e mi,

mos i vini pranga

miqësisë sime

As tuajën

në pranga, nuk e dua!

 

 

ZEMËRIMI I DIMRIT

 

E pashë sot zemërimin e dimrit,

tek i preu rrugën pranverës,

si dashnor hakmarrës e avdall!

I shfryu bulçitë, me vërtik i ra derës

kova uji derdhi, xhamet i ngriu, i bëri kristal.

 

Mars, 2007

 

 

SHIRAT E VJESHTËS

 

Nisën edhe shirat e vjeshtës

shirat që trokasin në dritare,

shirat që na sjellin kujtime, mall,

që na zgjojnë vargjet e të famshmëve,

që pas u shkojnë vargjet tona të thjeshta,

që na djegin edhe ato në shpirt e në eshtra...

 

2000

 

 

MBULESA E BARDHË

 

Sonte,

zonja e bukur Dëborë,

shtriu krahët mbi çdo gjë,

kangjellat, çatitë, oxhaqet

kërcinjtë e murrmë të pemëve,

të gjitha ngjyrat i mbuloi.

Edhe të zezën nën të bardhë

e fshehu mjeshtërorja.

 

Në heshtje,

pres Diellin.

 

 

PËRSE DRUAJ T’U KËNDOJ TË GJALLËVE?

 

Thjeshtë:

Sepse nuk më le ime gjyshe.

Edhe përtej varrit më vjen ai zë:

Bijo, këngët janë për të vdekurit

Sa kohë që jemi gjallë,

Kemi kohë të turpërohemi…

 

 

AI QË S’JE

 

Shanset humbasin

kur mungojmë

aty ku duhet të jemi.

 

Humbasin

edhe kur s’guxojmë

të vërtetën të themi…

 

Humbasin

kur i vetëdijshëm i le.

Humbasin edhe kur hiqesh

Ai që s’je.

 

 

LOT NË SYTË E BURRIT

 

Lot në sytë e tij, s’i kisha parë kurrë

Thosha burri është si guri.

Sot, m’u shkul zemra, më tradhtoi bindja

Burrin shkëmb e paska bërë dhimbja…

 

Mars 19/2008

 

 

DJALI

 

Foshnjë, të mbaja në gji

Të vogël, të mbajta në duar,

S’të lashë kurrë të biesh,

as të pengohesh.

Tani u bëre burrë, bir,

Kujdes mos rrëzohesh!

 

 

E BRISHTË...

 

Ë shtë si një copë qelqi,

transparente,

ju pëlqen ta merrni në duar

t'i besoni shëmbëlltyrën tuaj.

 

Kujdes, është ende e ngrohtë,

masë fluide,

në kërkim të formës së saj...

 

Do të shndërrohet në gotë vere

për pritje mondane?

Në kristal mikasa, shandanë solidë?

Në çfarë vallë... ju ende s’e dini.

 

Ndërkohë jepini kohë,

admironi transparencën

e mos harroni se është ende një copë qelq,

mos peshoni në të, se është e hollë, e brishtë.

Nuk mban, mund të thyhet, e në u theftë,

mund t’ju presë e t'ju dhembë në shpirt.

 

Prill, 2004

 

 

«GJER NË VDEKJE… »

 

S'më hiqet nga mendja piktura e Gojës,

e fishkura mbretëreshë para pasqyrës,

hoshafka pudroste rrudhat e fytyrës,

për shpirtin pudër gjetur s'kish...

 

 

NË THELLËSI TRISHTIMI

 

Ndjeva zemrën si gur

Në thellësi trishtimi u fundos

Përpiqem e verbër të gjej

spirancën dhe limanin

 

 

MUZG NË MOL

 

Sot në muzg

panë sërish gruan-fëmijë

të zbriste te moli.

Në breg u ul, pulëbardha

Këmbët zhyti në ujë

me krahë mblodhi gjunjët

mbi kokën e bukur

ë ndrrat ç’pështolli...

 

 

IKJE…

 

Ndonjëherë dua të iki diku

më mirë "e vetme"

në qetësinë time,

mrekulluar nga virgjëri

e natyrës diku, larg nga

buzëqeshjet hipokrite,

të pafundmet "çu çu çu".

 

 

TË DIELAVE

 

Të dielave miqtë e mi

i kërkoni Zotit t’ju falë,

e i flisni jo për ato

që bëtë dje e pardje,

por për ato që do të bëni

nesër e pasnesër,

e deri sa të vdisni…

 

Vjeshtë, 2001



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •