Albana Mëlyshi Lifschin: "Ka gjithmonë diku" (I)
| Saturday, 08.07.2010, 05:06 PM |  

Albana Mëlyshi Lifschin

 

 

SHKALLA E POEZISE

 

A. Podrimjes

 

Zotëri,

bujarisht

nga ai fron perëndie

ku qëndroni Ju

me lëshuat një shkallë...

Ngjitu! Më thatë

Po a mundem?

Tek ju shoh Ju aq lart

ndjej të më merren mënd.

 

 

AI/AJO

 

Ka gjithmonë diku

një Ai

një Ajo

për të cilët zgjohemi.

Pa Ata

jeta do të ecte somnambul.

 

 

PO PRES

 

Kjo është koha kur ti shfaqesh

Për të pagëzuar mengjezin tim

Po pres.

Ke të drejtë të sëmuresh,

Të qeshesh edhe të vdesësh.

Por jo të vonohesh.

 

 

SHPIRTI I POETES

 

Mbrëmë një gotë verë

piva me një poete

Pashë si shpirtin

magjishëm hodhi në gotë,

unë gotat i shkëmbeva

dhe shpirtin ia mora me vete.

 

 

TRI HERË E HUTUAR SOT

 

Sot që të takova ty:

 

Më kaloi pa vënë re

stacioni i autobusit ku do të zbrisja,

 

Ngatërrova telefonin e shtëpisë,

që t’u thosha se do të vonohem,

 

I lashë motrat pa mënd

kur thirra vëllanë me emrin tënd!

 

 

PLANETI

 

Në ç'planet të ri më fton, miku im,

kur e di, që s'shkojmë dot kurrkund tjetër,

ë ndrrave krahë u dhamë, por jo adresë,

tokësore do të kthehemi te planet' i vjetër .

2010

 

 

MOS MË DËRGO HESHTJE

 

Mos më dërgo heshtje

Heshtja bluan gurë.

Nuk është për mua.

Në çdo fjalë që dërgon ti

tek unë merr frymë një poezi

 

 

DJE PREVA FLOKËT

 

I dashur,

dje preva flokët,

flokët e mi të gjatë

që aq shumë i doje ti

flokët që të mbulonin

gjoksin mbrëmjeve

tek vija kokën

mbi ty.

I dashur,

dje preva flokët

qe të të harroja ty

I pashë si u këputën,

si ranë,

një fshesë i mblodhi

bashkë me plehrat,

tutje i hodhi...

Sot u zgjova

flokëprerë,

qafë zbuluar,

fytyrë e çuditshme,

në pasqyrë

shpërfytyruar,

aspak e lumtur

aspak e qeshur

vetes ngërdheshur,

pa ty dhe pa flokët

dy herë e zhveshur…

 

 

SI NDODH QË…

 

E di se ç’po mendoja tani?

Sikur ti të ishe unë dhe unë të isha ti,

në qytet do të vihej një shpallje:

" Ka humbur një vajzë njëzetvjeçare!"

E do t’i bëja gojët të flasin.

Si ndodh që djemtë njëzetvjeçarë

nuk humbasin?

 

1999

 

 

LËRMË

 

... lërmë të çlodhem

pas këtij udhëtimi të gjatë,

kryet ta vë në gjoksin tënd,

vështrimin qelibar,

ta mbaj nën qepallë,

vitesh u lodha kërkimit për të.

... lërmë të çlodhem.

 

 

DREJTËPESHIMI

 

Ti hesht, miku im

për të mos shtënë më

në peshoren e fjalëve.

Ruajmë drejtëpeshimin,

duke kërkuar cakun e fjalës

që para nesh askush s'e gjeti.

 

 

ZBULIMI I KOLOMBIT

 

Zbulimi i Kolombit nuk qe asgjë,

para zbulimit që bëmë ne të dy:

Si dy anije në ujërat e njëri-tjetrit

ishim endur në vite,

kaq larg dhe kaq pranë,

ç uditërisht të panjohur ende!

 

 

DASHURIA E GRUAS

 

Vetëm

një moment

i duhet gruas

të bjerë në dashuri,

ai mund të jetë:

moment

admirimi,

sinqeriteti,

boshllëku,

përngjasimi,

ekzaltimi,

rrëfimi,

mirëkuptimi,

keqardhjeje,

pranvere,

rinimi,

iluzioni,

hakmarrjeje,

nevoje,

vetëm

Një Moment,

për te ngecur

në grackën e saj

e rreth Tij

të endë

fijen e mendimit

tërë jetën…

 

 

PA GJUMË MË LË

 

Sa kohë vallë kaloi nga ajo mbrëmje,

kur mbi duart e mia buzët vure ti?

Magjinë e dashurisë ndjeva unë

Si kisha bërë pa të, s’e di

 

Trazuar, hutuar përkulem sot

Mbi copëza shënimesh kërkoj për të

Drithërimi i ardhur nga tjetër mot

Prapa më merr, pa gjumë më lë.

 

 

PUTHJA

 

Dy herë hyra sot në dush

Dy herë dola e tharë...

Puthjen që më le në gushë

Nuk desha uji të ma marrë

 

 

DJE, SOT DHE NESËR

 

Dje, duke menduar për ty

humba autobusin

 

Sot, duke menduar për ty

humba trenin.

 

Nesër, nëse

ende do të jem

duke menduar për ty

 

do të humbisja jetën…

 

1996

 

 

MË MBAJ MEND TË SHËMTUAR

 

Më mbaj mend

të shëmtuar,

i dashur

të vrarë, të plakur

prej netëve pa gjumë,

me varrat e dhimbjes në fytyrë.

Pas operacionit të dështuar

me të shkuarën

erdha të të lë zemrën...

 

 

MAGJIA E NJË ZËRI

 

Ç’ magji pati yti zë

i derdhur vetëm në dy rreshta

frymëmarrja ime pa frymë u bë

nga dimri deri te vjeshta.

 

 

SI?

 

Më pate thënë, që në dashuri

nuk ka as skllevër, as fitimtarë.

Por... si më robërove ti?

 

 

NGJYRA E SYVE

 

Sot dikush më tha se

sytë i paskam të shkruar,

një tjetër më pat thënë

të trishtë i ke, të lënduar

 

Oh, unë ngjyrën syve të mi

qyshkur e kam harruar!

 

Por mbaj mend sytë e tu

të kaltër si qielli i ke,

blu të thellë, të menduar

kur s'më ke mua atje…

 

2002

 

 

VËSHTRIM I SHPEJTË

 

E ndjej vështrim tënd të shpejtë

pas shpatullave tek shket tani

 

A thua isha unë, Ajo?

A thua ishe ti, Ai?

 

S’ka më Veronë as magji.

U zbardhëm i dashur, u zbardhëm

Dashuria mbeti fëmijë…

 

 

E PAPRITURA

 

Ç 'qe kjo e papritur

për ne, sonte!

Habitur, shtangur,

mbetëm te dy,

bota s'qenka aq e madhe,

sa thonë,

për t'më harruar ti mua,

e humbur unë ty...

 

 

SHINAT

 

Ndjenjat si trena të çmendur

vrapojnë mbi binarë paralele

përjetësisht

Afrohen, rënkojnë, ulërijnë e ndahen

për të thyer qafën diku tjetër

përfundimisht

Në pafundësi binarë që zgjaten

për të mos u takuar

kurrë

Njëra isha unë e tjetra ishe ti…

 

 

PRITJA

 

Jam kaq e lodhur

duke të pritur ty

të kthesh sytë nga unë,

sa, kur të kujtohesh ti,

ajo, s’do të jem më unë!

 

 

MOLLA

 

E fortë, e rrumbullakët,

I erdhi përreth dielli,

ajo u skuq, u rrit,

u lëngëzua,

nga pesha e saj

dega u rëndua,

mollë e pjekur pret te bjerë

Po... ku?

 

 

TIS I HOLLË

 

Vetëm një tis i hollë

E ndante miqësinë nga dashuria.

Tani i qajmë të dyja!

 

 

CELULARI

 

Duhet të ndërroj zilen e celularit.

Tani çdo tingëllimë e saj më dridh.

Në kraharor, një zog i vogël zgjohet,

shkund pendlat, gati bëhet për fluturim

Harron se i ka të prerë…

 

 

VATHËT

 

Sot vura vathët, që më pate dhënë ti

dhe në restorant hyra me dikë tjetër.

Oh, jo! Nuk qe restoranti ynë.

Dhe porosia... jo nga menyja jonë.

 

E lashë të më lëvdonte sytë,

fustanin dhe vathët pikë-loti.

 

Ai i kënaqur nga hiçgjë,

Unë vështrimin te dera tretur.

Pse erdha këtu, kot së koti?

Kur shpirti te ti kishte mbetur?

 

 

TELEFONI

 

Alo?.. Alo?.. Alo?..

Heshtje, heshtje, heshtje

Ai maste heshtjen.

Ajo në heshtje maste dhimbjen.

 

 

PSHERËTIMË

 

O Zot! Ç’po ndodh kështu?

Po bien të tërë në dashuri me mua.

Si mund të jetë kaq indiferent

pikërisht ai, që UNË dua?

 

 

MEDALJONI

 

Dikur blemë një medaljon,

në formën e një zemre-kuti.

Aty mbyllëm dy shpirtra-flori.

Sot ndjeva zemrën të më rëndojë.

Ti shpirtin tim e kishe shitur,

I yti qe kthyer në plumb të zi.

 

 

NJË JETË

 

Lamë ditët të na shkisnim,

Lamë vitet të na iknin…



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •