Poezi nga Fran Ukcama
| Sunday, 09.05.2010, 06:11 PM |  

FRAN UKCAMA

 

PËR TË BLERË,

A KA NDOKUND PRANVERË ?!

 

Syri s’ma kapi

As zemra s’e pa,

Më humbi rrugëtimit, kaherë

Se ku më ra…

Qysh se kam le?!

Një stinë më mungon, s’më del.

 

- O pelegrin, njerëz bestarë

A ka shitore në udhnajë, të patharë…

Në mujsha për ta blerë,

A ka ndokund Pranverë?!

 

 

KUR FLASIM PËR LISAT

 

Kur flasim për lisat

Fjala rrjedh te ama

Ku zogjtë projektojnë

Folezat e rënda…

 

Kur flasim me zogjtë

Zemra deh te kënga

Mëngjeset rindezin

Elegjitë e ëmbla!

 

 

ZJARR NË ACAR

 

Era vuuu!

Gjoksi bam!

Faqja flakë,

Dielli kallkan,

Ec kaprolle, mos u ndal!

Burr’ i dheut,

Pse po qan?!

Ngrica lotin, s’po ta than

Për askund,

Për askënd,

Ah, rini, që më s’të kam!

 

 

KËLTHASIN PULËBARDHAT…

 

Zemrës së ndezur,

Pse këlthasin sot pulëbardhat?

Në det motivesh, varkat ngecën.

Në faltoren e shenjtërimit

Lus një zot:

Shëro Gërdecin!

 

 

ROB

 

Sot, tash, sot

Bëhem zog,

Valltar në skenat qiellore,

Pëllumba, fëmijë,

Engjëj, prore,

I përpij prej dore.

Mos mundoni

S’u përgjigjemi

Ëndrra – hëna e plotë

Jam alieni i braktisur

Rob, në tjetër botë!

 

 

VLON E VUAN

 

Mos m’i nguc trojet e vjetra

Shenjat e mendimit!

Mos ujit grëmra e ferrat

Në log fluturimi!

…Se jam krua, bëhem lumë!

Kodër jam e ngrihem mal!

Në kraterin e një shpirti

Vlon e vuan një vullkan!

 

 

GJIMNAZIST

 

Dua sot

Të mos zgjatem,

As shkurtim

Qoftë një gisht

S’desha qiell,

As parajsën

Veç të kthehem

Gjimnazist!

 

Thjesht fare

Për një fakt

Që ta kap zogun në ajër,

Dashurinë…

Oh, ç’mëkat!

Si një vjollcë petaletharë

Ku ka mbet?!

Diku… në shpat!

 

 

PLAGA

 

Një thëllëzë pendëshkruar

Dhe një gotë raki,

Kujtojnë kohën e pashkuar

Grackë në gjueti…

 

Kujtojnë çastin e plagosur

Diku, lidhur peng…

Nën qershizën e lotuar

Plagë e vjetër… dhemb!

 

 

PUTHJA E TANUSHES

 

Pak kulloshtër bjeshke,

Bornajave të mjela,

Mjaltë prej lules së verdhme

Gatuar nga bleta.

 

Esencë boronice

Në gjoks të rudinës,

Shtrydhë prej manaferrës

Ballin e rakisë…

 

Çfarë më mungon mua

Në shtratin e qiellit?!

Shtroj për ty moj zemër,

Basmore ylberi!

 

Sot mrizi më dehu,

Gurrës së papirë,

Mbi buzë të Tanushës

Zana më paska ngrirë!

 

 

PËRMBYSJE

 

Lulet po na vdesin,

Po ringjallen plehrat,

Veniten visaret,

Blerojnë antivlerat!

 

Bota çakërdiset,

Vërshojnë të vjellat,

Në tymnajë brigjet

Gromësijnë derrat!

 

Humbur ekuilibri,

Boshtit magnetik

Kafshët ngrejnë motele

Në kopshtin zoologjik!

 

 

ZONJË E MADHE

 

Myzeqe, gjerë e gjatë,

Statujë antike,

Gjokset nxjerr pa marre,

Pimë e hamë,

Hamë e pimë,

Ti përherë bujare!

Fluturova nëpër ëndrra,

Erdha bujtës,

Më the “dhëndërr”.

Ulem në gjunjë përfare!

Ndez qirinj në zemër flakur,

Të falemnderës

ZONJË E MADHE!

 

 

KAFSHATA

 

Tellall, siklet

Poshtë, përpjetë

Thërret, thërret…

Në gojë një byrek

U mbyt,

Pak ujë,

Kafshatë në fyt

Medet…

Për deputet!

Shteti gërhet!

 

 

PASAPORTA

 

Pasaportën falja qenit

Me të shkon në kazan të plehut

Jam qenia e të paqenit

Qytetari i mosshtetit!

 

 

NË UDHËN “ EGNATIA”

 

Mos ma fshij darkën e parë

Mos m’i hiq sofrat

Sa të zbresë nata pa hënë

Do vijnë milingonat.

 

Çajnë mure

Tulla, gurë; tunele në pallat

Vijnë punojnë pak tek unë

Pastaj venë lart.

 

Kokë më kokë, sup më sup

Vargan, fatngrata

Ato ikin, unë nga pas

Në udhën “ Egnatia”!

 

 

VETVETJA

 

Kënga e parë

Dhe një letër

E pafjalë

Sot më kandet me patjetër.

 

Eposet e plakura,

Koha mbi valë,

Në stanin e vjetër,

Muzeum vetvetja.

 

Gërma ngrënë mole,

Varë në pe merimangash,

Humnerave të epra,

Muzeum vetvetja!

 

 

SA?!

 

Sa lumenj humbën

Mbetën zall e gur?

Sa pemë u thanë

Kokërr s’dhanë kurrë?

Sa valë u fashitën

S’puthën asnjë breg?!

Sa varka na ikën

Pa krye, pa shteg?!

Sa lule u vyshkën,

Në orët e para?!

Sa dashuri ranë,

Mbetën të pavrara?!

 

 

MBRO!

 

Padija tej

Të lodh kujtesën,

Djallëzia tej, virus mendjeje

Ndryn subkoshiencën.

Mbro drejtpeshimin

Monument kulture!

 

 

NJË FLETORE

 

S’më hyn në punë noti,

Troftat dikur ma mësuan

Në ujëvara Valbone

Sot më rrëmbyen valët e kaltra

Joniane, të kojme…

Si dre i vjetër,

Sylotuar në gjyqin e kohës

Në peng mos’harrimi

E kam…

Në fletore!

 

 

KATARAKTET

 

 

Kataraktet e trurit

Guralecat i lëmojnë,

Shkëmbinjtë i trandin,

Thëllimet i freskojnë.

Ai ?! Qëndron!

 

 

DREJT

 

Shpinën mbështes te

Cungu…

Hurb vesën te ama,

Diellin kap prej flokësh,

Në gjoks të tokës këmba

Drejtpeshimin,

Mbaj!

Zog i hapësirës

Viset rrok… prej kohës.

 

 

RROJ TË MOS VDES!

 

Në qiellin e kthellët i ndezën rrufetë,

Prijësin e prijësave po na godasin.

Në pritën pabese dolën çakejtë,

Ne rrisim filiza,

Kohës t’i qasemi!

 

Hordhitë sulmojnë, si do t’i zmbrapsim

në sheshbetejë?!

Kohës moderne, mesjetë e errët!

Kaq frikë,

Kaq tmerr në palcë u kallim! Medet!

Shqipen ne mbollëm;

Shqip hodhëm farën,

Kur ishim ne, ata ku qenë?!

Gdhend gurët e shpirtit

Me shenja arbri

Mbush tokë e qiej…

Dhe në gurrë rilindase, në gjunjë,

Hurb amën.

Thërras Kryekombin,

Se rroj të mos vdes!!!

 

 

PIKËPJEKJE

 

Cila m’i ujit lulet e zemrës

Në syrin e gurit ?!

Mas fjalën e kohës

Me kutin e burrit...

 

E dal në pikëpjekje

Kah muzgu i shekullit

Për të rikapur agimin

Që nuk po më vjen?!

 

 

THIRRJE

 

Një eshkë, një uror

Nga galaktika e yjeve

Ndez zjarrin e kohës,

Thirrje për shpirtrat!

- NJË RIT!

Në mëngjes përkthej natën

Përshtas fjalën, ëndrrën,

I marr zogut nota, tinguj,

Nis e ndërtoj këngën…

E përditë më vjen ky rit

Kod, prehistorik.

Zjarri në oxhak s’u shua

Drita nuk u fik!

 

 

STINA E QERSHIVE

 

Ajo vjel qershiza

Të ajthshme, të pjekura,

Unë, në hulumtisje

Kap, soje, të tjera…

 

Plasin kokrra të hijshme,

Gufur nga pranvera

Dy në buzën time

Plot me lëng e erëza...

 

Kjo stinëz qershie

Oreks i pashuar

Si tespi brilante

Dy,i los në duar!

 

 

KUJTOJ FILOZOFËT

 

Kujtoj filozofë

Grekë, mendjehollë

Sot!

Pushtetarë

Të shtirur

Llomotisin

Kot!

Ne poshtë duartrokasim,

E buzagazim

Me lot!

 

UJKU

 

Kaccavirrem sot te yjet,

në puje të thella,kërkoj Trojën,

luaj me fëmijërinë time,

në gurra po flladis krahrorin.

për çudi,në shtrg rrënoje,

ujku më lyp pasaportën!!

 

LOTI

 

U ça pragu i shtepisë,

u tha lulja e bari,

njëzet vjet pikon një lot,

loti, lumë malli!

 

IKU

 

Na iku jeta pa e shijuar,

si një fëmijë që s`mori gji,

ide e ndjenja ,konservuar,

liri pa shpirt,

shpirt pa liri!!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •