Jeton Muçollari
| Saturday, 10.02.2010, 12:44 PM |  

JETON MUÇOLLARI

Ka lindur në krahinën e Gorës të rrethit Korçë.

Ka mbaruar shkollën e Mesme për Argonomi në vitin 1979 me rezultate të mira. Për arsye ekonomike nuk vazhdoi shkollën e lartë. Punon në bujqësi e më pas në minierë ku dhe aksidentohet në vitin 1991. I detyruar nga jeta e ndryshuar fillon të lexojë.  Deri tani ka botuar:

 

1-‘’Shpirti brengosur’’ libër me vjersha e poezi 2006

2-‘’Dhimbjen në poezi e kam kthyer’’ libër me poezi 2009 sh.b. Toena

 

 

Dy fjalë për librin

 

Nga Bardhyl Xhama, Shkrimtar

 

Vëllimi poetik “Në poezi dhimbjen do ta kthej” është libri i dytë me vjersha i autorit Jeton Muçollari.

Siç kuptohet edhe nga titulli, Jetoni ka pasur e ka një jetë të dhimbshme e me shumë vështirësi. Para 18 vjetësh, në moshë ende të re, ai është aksidentuar dhe gjymtuar rëndë duke punuar në një minierë të Pogradecit.

Si  një invalid me aftësi të kufizuara, i mbetur për jetë në karrocën me rrota, Jetoni  ka mundur t’i mposhtë dhe t’i kapërcejë deri diku vështirësitë e jetës me përpjekjet e tij, me kujdesin e veçantë dhe dashurinë e pathyeshme të gruas së tij fisnike dhe vajzës së vetme, tashmë moshatare me vitet e aksidentit. Kështu, Jetoni, siç thotë në disa nga  poezitë, i ka thyer muret e izolimit, e ka mposhtur dhimbjen e gjymtimit dhe të vetmisë, pavarësisht se shoqëria e shteti ende nuk po tregojnë përkrahjen e duhur  për t’i siguruar të drejtat ligjore.

Dhe është pikërisht poezia ajo që e ndihmoi dhe po e ndihmon fuqishëm që ta shohë të ardhmen më me optimizëm. Këtë e shpreh në shumë nga poezitë e vëllimit, në njërën prej të cilave thotë: “Pas më kokën nuk e kthej”. Kjo është një nga karakteristikat dalluese të librit, krahasuar me të parin me titull “Shpirt i brengosur”, ku vjershat pesimiste  të një shpirti të brengosur zënë më shumë vend.

Në vjershat e Jetonit  shpërthen bota e tij e brendshme, me emocione herë të skajshme e herë të shtruara, herë si “poet dhimbjesh në mjerim”,  herë optimist për jetën e kujdesin familjar, për krahët që i jep poezia të shprehë në vargje atë që ka provuar në jetë, që ndjen në shpirt, që sheh në vendlindje dhe në realitetin e sotëm.

Janë të shumta poezitë për jetën e tij, për dashurinë, për vendlindjen,  për shokët e të njëjtit fat me aftësi të kufizuara, të cilëve u bën dhe një thirrje të fuqishme që të mos rrinë të ngujuar në fatkeqësinë e tyre, por të shpërthejnë me vlerat dhe aftësitë e çmuara që kanë, që të mund të ecin bashkë me të tjerët. Në vëllim gjen edhe vjersha për probleme të mprehta të shoqërisë së sotme, si për emigracionin, për fshatin e lënë në harresë,  për sjelljen e moralin, për veset e virtytet etj. Vend të veçantë zënë poezitë për natyrën, ku Jetoni ka derdhur me sukses aftësitë e tij poetike. Pra, vëllimi përfshin poezi me një tematikë të larmishme, madje  edhe disa vjersha me karakter filozofik.

Pavarësisht nga ndonjë e metë e vogël teknike, që lidhet me ritmin, rimën, strofën, apo me disa vargje prozaike,  kam bindjen se ky vëllim poetik  është në nivel më të lartë artistik se i pari, gjë që tregon se Jetoni po punon më me ngulm dhe pa u ngutur që të na japë poezi cilësore, jo vetëm me ndjeshmëri që prekin zemrat e njerëzve, por dhe me një figuracion më të pasur e gjuhë letrare  sa më të arrirë.

Ai që do të lexojë  këtë vëllimin me poezi, jo vetëm që do të ndjejë kënaqësi dhe emocione të veçanta, por do të mësojë e do të kuptojë sadopak për vullnetin e papërkulshëm, shpirtin heroik dhe guximin e Jetonit, për një familje të qëndrueshme edhe në fatkeqësi të tilla madhore, duke u bërë kështu një shembull frymëzues për të gjitha brezat. Kjo, mendoj, është një ndër meritat e veçanta të këtij libri poetik.

Së fundi, dua të falënderoj edhe në emër të Jetonit e të familjes, por edhe të televizioni ‘News 24” që trajtoi në emisionin “Me zemër të hapur” shqetësimin e Jetonit për botimin e poezive, zotin Fatmir Toçi, President i Shtëpisë Botuese “Toena” dhe zonjën Irena Toçi, Drejtore Ekzekutive, që morën përsipër sponsorizimin dhe botimin e këtij libri poetik.

Këto fjalë hyrëse për vëllimin me poezi të Jetonit, me një paraqitje të shkurtër të ideve e tematikës, i bëra i shtyrë edhe nga përfundimi i suksesshëm i emisionit “Me zëmër të hapur”, ku pata rastin të jem i ftuar dhe u zotova ta radhis vëllimin e shkruar me dorë në kompjutër, ta redaktoj e t’ia çoj “Toenës” të gatshëm për botim.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •