Poezi nga Anila Brakaj
| Sunday, 11.28.2010, 02:08 PM |  

Pa titull

 

 

Poezi nga Anila Brakaj ©

 

 

***

 

Gjithçka rrjedh ndryshe në botë

Kur jam me ty e me mua je ti.

Çasti s’njeh veten e koha thotë;

jam magjistare, a nën magji?!

 

 

***

 

Se i furtuntë është gabimi,

poi ngadaltë është pendimi.

 

 

***

 

Kyçet po zbërthehen

Si kopsa të këputura,

Shpërbëhet skeleti

Kërkëllonjës nëpër ditë,

Eshtrat shoh  përmes lëkurës,

Venat e holluara

Çojnë gjak me përtim.

 

 

***

 

Vajtova veten gjithë natën,

u zura me të egër,

e shtyta në harrim.

 

Pastrova me kujdes çdo plagë,

E lashë të prehej qetë

Deri në agim.

 

Kur dielli lindi varrosa natën,

Por vetja nga shtrati

Asfare s’m’u ngrit…

 

Qepjet sërish vetë i pata çarë,

Plagët cova në vend,

Pa to s’kisha gjallim.

 

Dhembja është kujtesa e shpirtit të vrarë.

Në lëndimin tim

Gjej shërim.

 

 

***

 

Një peng i hidhur mbetet plagë çdo ditë,

Një rrahje ngelet mangët çdo minutë,

Një liqen i ngrirë mblidhet heshtas në sy;

Është mundimi, dhembja për ty…

 

 

***

 

Heshturas harruar harrimit hirnosës,

Fjalët flatrojnë fletëve të kohës.

 

Gjallërisht gjakojnë gjethet e pranverës,

Shushurima e shiut t’u shkojë drejt zemrës.

 

 

***

 

Zhytesh në baltovina fjalësh pa kokë,

Njeri me sy krisur,

Që me lotët kërkon të pastrosh.

 

Ecën baltrash të ngjitshme mendimesh,

Njeri me zemër thyer,

Që me lotët përditë përfytesh.

 

Teresh në ishuj njerëzish të çiltër,

Njeri me shpirt të rilindur,

Që me lotët mëkon imazhin e dritës.

 

 

***

 

Harruar

Diçka

Tek unë,

Fshihet

Cepit të nxirë të syrit,

Qan

Strehëzës së qerpikut

Përvëluar

Nën shi.

 

 

***

 

Deri sa erdha,

Pashë një re në formë kërmilli,

Pashë se kishin çelur akaciet,

Se bari ka një të gjelbër

Më të çelur se ferrës,

Pashë se dita jo gjithmonë

Duket që në mëngjes,

Se, ja, të pashë ty,

Dhe shiu

pushoi menjëherë!

 

 

***

 

Symbyllur në një realitet ku ëndrra është zgjim,

Kafshoj copëza të vetvetes për të ndier se jam gjallë,

As dhimbje rrjedh prej saj, as vrer, asnjë ndijim,

Heshtur futet zemrës së ngrirë gjaku ngjyrë mall…

 

 

***

Brengë brendingrënëse

Që mundohet buzëqeshshëm të ruajë

Fasadën e ish lumturisë së vet…

Brendi brendingrënëse

Që jashtësisë detyrohet t’i falet

Në tejsakrificshmëri.

Qaj përbrenda, palaço!

Ulëri!

…veç botës qeshju...

            …ti qesh…

                 …qesh ti…

 

 

***

Ajri ngrohet,

artificialisht,

rreth meje,

Ndonëse mendimet pa ty akullojnë.

Hapa.

Je?

Jo, s’qenke ti.

Por do të vish, e di,

ma ke premtuar.

E në pritje,

Unë ajrin ngroh

Me kokën që zien mendimesh të akulluara.

 

 

***

 

Xhiboksi gri, i hirtë, pret.

Vijat blu përgjatë krahëve zgjaten

Në paralele pa fund shprese,

Pa pikë takimi…

Hedhur në të fundit prekje të dorës sate,

I heshtur, ende pret.

Koha kalon mbi të pa e pluhurosur,

Pa i falur rrudha,

Por as nurin e vet.

Koha ngec pastaj mbi të e pluhurosur,

E s’e rrëmben dot në rrëmujën

e sendeve përreth.

Xhiboksi pret sërish krahët e tu,

Të marrë ngrohtësi, e formë,

e jetë nga qenia jote,

të harrojë se është thjesht një copë rrobë,

një tjetër send i kotë i kësaj koti bote.

Pret t’i vish.

Të frymojë në çdo lëvizje tënden

E të përgjërohet prekshëm

Pas lëkurës sate.

Heshtja s’i rëndon;

E mbush me ëndërrime.

Koha s’e prangon;

Me mendje kthehet në çastet kur të kishte.

Vetmia s’e lëndon;

Pranë më ka mua besnike.

Qetësisht, bashkë, të presim,

Lumturuar përtejbotshëm nga qenia jote unike.

 

 

***

 

Zgjohet përgjumshëm mëngjeseve Vetja,

E ndarë në dy, në tre, në katër…

Humb nën gurët që sizifisht

duhet të ngrejë çdo ditë,

shtypet nën identitete të huaja,

veshur forcërisht njerëzish të tjerë

…e s’mbetet më Vetja…

…asgjë nga ç’ish, asgjë…

Veç një copëze drite të mekur,

Që fsheh në shpirt pa zë.

 

Shkon të flerë copëtuar mbrëmjeve Vetja,

Vete që unët e ndryshëm veshur të tjerësh

Si kuba formues rendit mundimshëm

Për të rikrijuar unin e vet…

Kuba formues që, tjetërsuar tërësisht

Nën shtypje-kafshimet e ditës,

S’ribashkohen kurrë më plotësisht…

 

Zgjohet. Fle.

Fle e zgjohet në net e ditë

Vete e trembur që prehje s’ka.

Humbet mes turmash ngjyrapapagallëshe

Nuancën e brishtë të vet,

E vuan tjetërsimin e pafaj

Që e mëson të ketë

…elasticitet…

 

Vetet e heshtur, që bërtet.

Britmë e heshtur që veshin e askujt s’vret.

Brengë e pashfrehur

Që përbrenda përditësisht tret…

Pse s’është më ajo që ishte?!

Pse s’mbeti dot vetja e vet?!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •