Pirro Loli: Metodë për leximin e hirit (II)
| Sunday, 11.28.2010, 02:22 PM |  

PIRRO   LOLI

 

METODË

PËR LEXIMIN

E HIRIT

 

  

TË VDEKURIT

 

Kat mbi kat gjënden të vdekurit e mi

Veç jo në tokë. I takoj kur hipin

Pallatit të bardhë

Me një ashensor të tejdukshëm

Që ishte nisur në parajsë. Më kapin prej krahu.

Më flasin. Më urdhërojnë. E zbrezin me qejf

Deri te vdekja.

Ata që mungojnë janë tanët

S’ka të tjerë

veç atyre që humbasim.

 

 

REPORTAZH PËR CA KUJTIME DASHURIE

DHE NJË PLEP

 

Ky plep bardhosh Na i fshihte vështrimet e kalimtarëve

Strehë i kishim fëshfërimat Dhe mornicat e argjenta nëpër trup. Ai merrte lulkuqet e faqeve të tua E i shpërndante gjeth më gjeth

 

Tani plepi i ka fikur dritat  Të heshtur hapojmë pranë kujtimeve

Vjeshta i ka fshirë stinët Me këpucët tona të pamëshirshme

Shkelim gjethet e verdha

dhe vezullimet

 

 

KLAN

 

E tërhoqa litarin e lumit e hodha në

Det. Ishte i gjatë Që nga akulli deri te rëra.

Herë herë  humbet humnerave të detit

Por nuk këputet.

Gen i pavdekshëm

Lesh leshteriku

Që nga shiu,

Deti

e rëra.

 

 

“ STOP”

 

Emri i poetit është një rrugë

S’ka rëndësi në qendër apo në periferi të qytetit

Nuk ka shenja orientuese

as për makinat luksoze as për opingat me baltë

Rrugë që shkelet, shkelet, shkelet

Shkelet

 

Nëpër hapat e vashave sykaltëra

Çelin zambakët e zemra çahet nën ritme takash

Në kthesat e natës varur qendron hëna e plotë

Që të mos e humbasin rrugën kalimtarët

 

 

STATUJA PREJ RËRE

(60 vjetorit tim)

 

Në 60 gropa të shkuara

Këpucët e mia

i kanë tradhëtuar gropat dhe majat

 

Duart e erës sajojnë statujën time prej rëre

 

Nuk vajtoj çka humba

unë i fik qirinjtë me një gulç frymëmarrjeje

Të gëzuar.

Të errta xhamet dhe ujvarat e diellit

I trishtuar shpirti i dallandyshes…

 

Hyj e dal eklipseve të vetvetes

Dhe nuk e di

Zbres drejt një honi prej rëre

Apo ngjitem drejt një mëngjezi të shndritshëm…

 

 

S’ PIRO-  S

(një greku që fillonte dhe mbaronte me “s”)

 

S - bashkëtingëllore e pazëshme

Kulpër e spërdredhur para emrit tim mijëvjeçar

Në vite e vite zgjat buzët prej Jude e

gurët e kufirit ha me dhëmbë. Nga ankthi

kapërceu mbi trupin tim M’u kokleps si apendiks

në fund të barkut

U ngop me qelbin e vet

E pret, e pret

Të pëlcasë.

 

 

BALADA E PLEPIT PLAK

 

I ishte ftohur limfa në damarë

E zogjtë rrallë e më rrallë

Kujtonin foletë e vjetra.

 

Një pasdreke, një nuse i vari të linjtat

Në degë, plepi plak u drithërua

Dhe e shtyu vdekjen më tutje.

 

Le të jem, tha

Shkopi i një yllke, – rreze e praruar.

 

Në mëngjes befas thirri sopatën e vdekjes.

Merrmë, – i tha i vendosur

- i pashë të gjitha:

Dhe pjalmin e luleve kur isha mbushur me gjethe e lastarë

Dhe foletë e pranverës

Dhe zogjtë që tringëllinin kujtimeve,

Merrmë, pra!...

 

U drithërua që nga rrënja në gjeth

U la lamtumirën e muzgut të gjitha dashnoreve

Dhe qetë qetë ra me ballin në baltë.

 

 

KOHA E AKULLIT

 

Mish i huaj

akull akullnaje

gungë e frikshme

Na kish mbetur në mes të trurit

Rrumbullakosur

si syri i kuq i Ciklopit pas djegies së madhe.

Brenda në shpellë.

 

Durimi është gjuhë e huaj

Me thikë të mprehtë iu vërsulëm trurit

Deri në përgjakje ia rinxorrëm syrin Ciklopit.

 

Të kristalta erdhën pastaj metastazat.

 

Bora na ra në pëllëmbë të dorës

E ngricat egërsisht sulmuan eshtrat

Ciklopi i egërsuar përditë hedh shpella akulli

E deti i mbyt barkat tona.

 

 

QIPARIZA DRITE

 

Zjarri i shpërfilljes doli në majë.

U dogjën livadhet e fjalës

Si bari.

Një re e terrtë tymi rëndon në qiell

E pozon

Fantazma poetësh

 

Si qipariza drite

Në heshtje Të vetmuar

zgjaten drejt qiellit

E pyllëzojnë pllaja netësh të bardha.

Fantazmat.

 

 

VIOLINA DHE HARKU…

 

Violina me harkun shaluar

Është një grua seksi

Këndon,

Vajton

e klith në mijra zëra

 

Harku mashkullor

I lodhur

bije

Gjer te tingulli i fundit.

 

Përsëri violina mbetet e virgjër

E përsëri pret

Vuan

hesht

 

Po gishtat ,

Gishtat kush i luan?

 

 

GURRA

 

Mali ,

Orë e çast ngarkon mushkat me dëborë

E fshehur nga dielli

i shkarkon drejt zemrës së vet.

 

Nëpër aortën e nëndheshme,

Mespërmes zajeve të kulluar

Qarkullojnë e treten balada, ulërima ujqish,

thëllëza të habitura e bilbila.

 

Shtatë trëndafila më poshtë

Vrullshëm ka shpërthyer e bija.

 

 

ÇIFTI PLAK I AP.nr.2

 

Ia ndjej zhurmën e flokëve kur

Ajo stis forma zambakësh

para pasqyrës së ashensorit

e zambakët e hirtë shprishen, shprishen.

 

I tij është bastuni

nëpër pllakat e bardha të korridorit

Dhe dora që i dridhet.

 

Zogj të lodhur shfaqen në xham

E tremben..

 

Nuk është hëna

Që pa Adami për herë të parë

Kjo kafe s’është e zezë

As ky filxhan nuk është i bartdhë.

 

 

PUSHTETI  I  BORËS

 

Dimri i egër, i plotë , i mermertë

U vendos nga unë gjer te guri i lumit

 

Pas xhamit të dritares

Përgatita planin e rrebelimit kundër tij

I vetëm isha me vetveten, misterioz

Mbaja në zemër diskun e diellit

Dhe mijra shatërvanë të kaltër

Do të shpërtheja nëpër  ballkone e alabastra

 

Pa kuptuar

po ndihmoja pushtetin e ardhshëm dhe

I mundur hoqa dorë nga rrebelimi.

Hapat m’i mori lumi

 

Me trupin e ujtë

Rrjedh nëpër gurë bore.

 

 

GORRICA

 

Mars më mars i tregoja sharrën

I flisja për një dardhë të ëmbël për Dy bisqe

të rinj e të butë

Dhe një shami për t’ia lidhur plagën.

Por

Nuk hante gozhdë gorrica

Gjeth më gjeth kreshpërohej

Me inatin e gjëmbit të egër

Drizash e korbash e gjinkallash

Që grisnin fytyrën.Pragu i dimrit

kishte gjuhë tjetër. I ftohtë tehu i sopatës.

Priste .Gojëhapur oxhaku në vatër

Dhe ulërima e ujkut pas derës.

 

 

MITRA E SHIUT

 

Atje i lëshoj shigjetat nëpër natë

Pa marrë asnjë në shenjë. Si gjethet që bien në shi.

Erë jam Që fle në folenë e erës

Bora e yjeve Që bije pingul mbi ty

Breshër Që thyen rrasat e shtëpisë së vet

Ylber Me të gjitha ngjyrat e nuancat

Që harkon mbi brigje e humnera.

 

për një çast m’u duk vetja si poet

E luaj me shkelma e bërryla

Në mitrën e erës

Ku brofin trëndafila shiu.

 

 

BISHTI I BALONES ME NR. 55.

 

Pas bishtit të balonës i gjetën duart e mia

Alarmi arriti gjer në  zyrat e larta të shtetit

Folën për shkelje kufiri  nga një balonë e panjohur

Dhe për rrufe në qiell. Që u ngrit si rrufe

Në qiell të kaltër.

 

Nuk më besuan që balona

Qe mbushur vetëm me ajër.

 

Kur m’i prenë gishtat e përdredhura me fill,.

Më shpërthyen pesë currila me lëng të çuditshëm

Dhe, brenda balonës,

Në agoni dhimbjesh, në fjalën time

shtova  dhe një zog

 

Mjafton! – thirri hetuesi  triumfator –

Një ajër dhe një zog, përbëjnë një paragraf

 

…I pandehuri u gremis në gojën e vet…

 

 

ZAGORIA

OSE PORTRET ME NJE GROPE NE MES

 

Gropë dhimbjeje në kraharorin tim

E pafund. Brenda meje

Fërshëllen era cingërrime. Fluturon

Pëllumbi i egër.

Të habitur Grinden përrenjtë

Dhe hidhur pikon rigoni në  vjeshtë.

 

Rrallë e më rrallë këndon gjinkalla

Që gris fytyrën në heshtje

Dhe trumcakët fëmijërisë

më fshihen nëpër gjethet e erës

 

Portret i përbashkët si vëllezërit siamezë

Me një gropë në mes

Pa trajtë Pa karakter

Dhe mungon Salvador Dalia

Të na bëjë  të njëjtin portret.

 

 

ËNDËRR…

 

E pashë përsëri sonte

babanë,

Qëndronte në stolin e tij në guzhinë,

Pëllëmbat prej dheu i rëndonin në gjunjë,

Jashtë binte shi me baltë,

E xhamet e natës kuqëronin frikshëm,

I kaltër ish si bora,

Në ballë kish një çarë rrufeje

Përtypte duhan të grirë

E qante,

Qante nën zë

për ca zënka të kota me mëmën time.

 

 

KAMBANA

 

Të gjithë hodhëm nga një dorë

në derdhjen e kambanës

Na duhej një shembull

Shtuam dhe metale të tjerë në tunxhin e saj

Dhe zëra nga tanët

Dhe nuk e kuptuam

ç’zgavër lamë bosh në laringun e saj metalik

 

Kumbim kambane nuk patëm kurrë

Zëra të ngjirrur

Grahma gurmazi të çarë

Mbi një pirg të vdekurish harruar.

 

 

MALI I KAPROLLIT

 

Ai vetëm gjuhën e gurit dinte

Lëndën që thërrohet e prishet.

Prej vetes e lëshoi

E si gur e rrukullisi në brinjë.

 

Po ai ishte prej mishi

Dhe i gjeti shtigjet

Nga shkojnë kaprollët

 

Mali gaboi

Dhe kur i ngriti kurthe të bardhë

Këmbën të thyente në zgrip të prillit

e të harrohej  në ndonjë gropë bore.

 

Kaprolli kish ca të fshehta në sy

Në gji ca fjalë të arta

Gushës i gurgullonin rrokje prej lotësh

Që vendlindja  të mos mbetej pa balada.

 

Mali i lartë humbet e harrohet përditë

Veten ha në shi e dëborë

në hartën  e re topografike

Vizatuar është një kaproll

 

 

PROTAGANIST

 

Një turmë qensh shkoi me vrap

E la gjurmët

Mbi asfaltin e patharë.

Të gjithë kalimtarët e mëvonshëm

Hap pas hapi kalonin nëpër putra të ngrira

 

Historia i tha të gjitha, ç’kish për të thënë

Dhe për fajin e asfaltit

Ngjyrën e qenve, borën, shiun e erën

Po, asnjë fjalë për

Të lehurat dhe dhëmbët

Që kishin vënë vulën mbi ngjarjet.

 

 

ENIGMË

 

Pas gjethes së fikut

Nuk fshihej dora që këputi mollën

As buzët që ia thithën lëngun

As dhëmbët që e kafshuan

...

Poetët e kuptuan thelbin tragjik

Që e priste njerëzimin dhe nuk qëndruan

Krejt lakuriq si Adami e Eva.

 

Gjethen e fikut e ngjitën në ballë

Që dikush të zbërthente enigmën

Larg organeve mëkatare,…

Te rrudhat.

 

 

KJO THIKË

(L.Aragonit)

 

Nuk e di kush ma nguli këtë thikë në Zemër

Ndoshta një fëmijë i uritur,

Një nuse që shiti trupin

për të blerë një fustan nusërie

Tehu i mprehtë thikës është

Nëna ime Që e kam braktisur

 

Tani kam tri barkushe me gjak të kulluar

Të thellë si nata

Që nxë miliona fëmijë të uritur

Miliona nuse që presin një fustan nusërie Dhe

të gjitha nënat e braktisura

 

Kirurgët që më prisin në sallë

Me bisturi në duar

Më kot do ma çajnë barkun e natës!

 

Jam i pavdekshëm nga çdo dhimbje tjetër

Në zemër kam këtë thikë,

Burim i gjakut të kulluar.

 

 

DRITA MBI DUAR E BABAIT

 

Ngujuar në mermer

Dremit brenda ëndrrës sime babai

I ftohtë

I bardhë

Me flokët anash si të miat

Me sy e buzët prej bryme

Përsipër mbi varrin e rëndë i rritet bari

Dhe dielli ka ngrirë.

 

“Cliromë nga ky nder – më tha sonte në gjumë -

Janë shumë të rëndë këta blloqe mermeri

Nuk e dua as emrin, as fotografinë

E mbërthyer në beton.

Nëse nuk mbjell dot një pemë pranë meje

Lermë të më mbulojë bari i gjelbërt

Ta shoh me sy shiun dhe ylberin

Lulja e gjëmbaçit si drita

Të çeli mbi duart e mia…”

 

 

METODË PËR LEXIMIN E HIRIT

 

Nëpër duar po ua lë lëndën e ftohtë

Hermetik është hiri dhe Koha e shkuar

Prushi

Dhe flaka

 

Nëse doni të lexoni fletët e hirit

kujtimet e zjarrit dhe flakët e puthjeve

Ringjallni barishtet, degët e gjethet

Trungjet e trashë që kam djegur

Temperaturat. Gjeni flakët e kaltra

E prushet  ku dimrat  ngrohin duart.

 

Edhe me një qiri në cep të syrit

Mund të shikoni zambakët

të çelur. Metafora të shuara pemët.

Ndoshta,

me një fije shkrepse ndizet çarçafi i diellit

E merr trajtë vdekja e poetit

E butë

Fosforeshente

Që fëshfërin e  mëndafshtë

Në një natë të bardhë

Prej hiri

Dhe letre...

 

 

POEZI HERMETIKE

 

Ti je vajzë prej letre. E palexueshme.

E bardhë shkruar me të bardhë. Nuk e dija

Që kodi i leximit Ishte puthja ime në kërthizë. Sytë e tu shkrepën

Dhe mu hodhën në qafë.

Pasdita e Adamit ishte e qetë

Flokët e tu

mbanin erë mollë.

 

 

PËR TY

 

Ditën të bëj roje pranë fytyrës sate

Të ta ruaj ballin nga dielli

Dhe syrin nga bora.

 

Natën do hipi nëpër degët e hënës

T’i shfletoj të gjitha fletët e njoma.

 

T’i gjej duart e mia

Dhe të ndez një cigare

 

 

ZGJIMI I BLETEVE

 

Para meje iku mitra e zërit tim

Tani fjalët më

Rrukullisen si gurë

të ashpër. Miqtë e mikeshat m’i presin në dorë

E gurët më bëhen qingja të bardhë.

Kullosin barin e njomë

Që mugullon në livadhe të gjera

dhe kudo Zgjohen bletët e vdekura.

 

 

MIQTË

 

Me laps të kuq heq viza

Mbi emra shokësh e miqsh. Në heshtje

I shtyj tutje në honet e harresës. Ata

Më ngrihen si lugetër në gjumë Më plagosin

Me thonj në shpirt, e zhurmojnë.

Eci gjithomë e më tepër drejt vetmisë Dhe ngec

Nëpër klithma violinash e  gërmadha

poezish të harruara.

 

 

DIDAKTIKE

 

Nëse do të më puthësh, hiqi buzët prej bryme

çvidhose dorën e drunjtë

thirri shënjtorët prej mishi.

Të Ndezet sërish eshka e shpirtit

Të rrotullohet sërish globi Të dridhen meridianët Të çelin paralelet

Kështu e nisin lojën

magjistarët.

 

 

POEZI E HARRUAR

 

Copa copa këputur këtu e atje

Tek e përpjeta e thiktë,

Pas tufave të rralla të çajit. Atje

Flinte një nepërkë pika - pika

Atje m’u gjakos këmba nga sandalet me tela

Prerë rripa rripa nga palldëmi i gomarit.

 

Në plasën e imtë të një guri të bardhë,

Ku çdo mëngjes çmendej thëllëza

Kam fshehur dhëmbin e qumështit

Që me dy pika gjaku e prita në dorë.

 

Mbeti bosh dhëmbi i qumështit.

Një jetë të tërë

Pikë

–pikë

gjaku i ngrirë.

Poezi e harruar.

 

 

SHEJTANI DHE ZOGU

(Shakirës)

 

Sonte

Shakira këndoi lakuriq

Krejt lakuriq Sytë i vesonin

dhe nga qerpikët shpërthenin copa yjesh  e vezullimesh

Një gji i kërcente si kokërr breshri

tjetri hidh e prit në duar spektatorësh

Një nepërkë e hollë i niset nga mesi

Dredhon  e i zgjatet mbi flokë. Zgjohet

shejtani në mes të shalëve

Dhe në çdo shkarje të belit

telat e kafazit një nga një i këput. Yjet përplasen

E digjen. Zezakët të dehur zezojnë.

 

Gruaja ime diçka pyet për këngën

...

unë them i hutuar : “ nuk qe shejtan

por  zog...

 

 

JAM I SHËMTUAR

 

Ke të drejtë të mos më duash, e dashur

Më janë rritur gjymtyrët si përbindësh

Jam shëmtuar

Në zemër kam një vrimë të pashërueshme

Mbi shpinë një gungë si të Rigoletos

 

Mos më prit

Në portat e ngushta të manifestimeve tona

Nuk hyj dot

As dora dorës me ty

 

Me dëshirë

U përkulem vetëm pemëve të heshtura

Dhe fëmijve që qeshin

 

 

AUTOKRITIKË SORRE

 

Bëra ca kërcime pupthi mbi çati

Shpupurisa leckat e zeza në ajër dhe

Për inat të shqiponjës

Qiellin do ta shkatërroj-

thashë,

Jam e zonja

 

- por,

 

Kjo nuk është provë

qiell do të thotë pamundësi sorre

Ose shqiponjë

që mban yjet mbi shpinë.

 

 

GJURMËT E ZOGUT

(Montales)

 

Në oborrin tim me pllaka guri.

Shtresë e butë bore

Mbi të ca gjurmë të ndrojtura zogu

Të vogëla fare, hollake

Pranë e pranë kthetrave të maces.

Kryqe. E vija. E pupla. E rrathë që ndërpriten

Mbi dëborë. Të pambaruara

Të pa deshifrueshme. Si heroglife kineze.

Ndoshta zogu ka qenë i plagosur

A ndoshta kthetra e hollë

E kish prekur në zemër.

I mbërthyer në këto diagrama

ia preva kthetrat maces

Lus erën të mos fryjë lus shiun të mos bjerë

Gjer në fund

ta deshifroj shpirtin e zogut

shkruar mbi dëborë

 

 

ËNDËRR PELLGU

 

Pa në ëndërr pellgu sikur u fry furtunë

E  turravrap me gurgullimë

U derdh pllajave të pjerrta,

Një çast

Shkumëzoi si ujvarë

 

Në të aguar

Një çift bretkokash i krokitën brenda barkut

Dhe u zgjua

 

Ashtu faqe më faqe

Me gulçet ofshamat myshqet e shushunjat

I tha vetes:

“Të q...nënën pse nuk je i vërtetë si në ëndërr”...

 

 

FSHATI

 

Tërë jetën ndoqa këmbakëmbës

një dhi të bardhë. Që më tërhiqte rrugëve të pjerrta

deri në zgrip të shkembit. Vetëm atje kish gjethe

ngopur me diell. Nëna më thoshte është e bekuar e

unë shikoja ëndërra me shkumë qumështi e kulloshtër

e sikur bëja kakërdhi të bardha  dhe blegërisja si dhi.

qumështi ishte i trashë

dhe e hollonim me ujë

 

një ditë

tek zgjatesha për gjethet e diellit  në zgrip

shkajta

dielli më plasi

si një kupë e kristaltë me qumësht

 

e ëndrra

më humbi

në ëndërr.

 

 

“TEMPULLI I PLEQËRISË”*

 

Më në fund e gjeta pyllin

që kërkoja në Athinë. Nuk pashë

as shkretëtirë trungjesh të braktisur

as vjeshtën

të hynte e të dilte

për një gjethe e uritur

 

Orë e çast këtu vijnë gjyshër

me nipër e mbesa pas dore

 

Ndoshta

u tregojnë këtë trung stërgjyshor prej lisi

Që nëpër palcen e tharë

Fsheh një gjarpër të frikshëm

 

*- kështu quhet një pyll në Athinë

 

 

POHIM I NJË DIELLI TJETËR…

 

i grisa të tëra ato që kam shkruar Mbetën

vetëm kopertinat që s’janë të miat Si vjeshta

frutat dorëshkrimet

e mblodha grusht si letër të zhubravitur

të kaltrën e qiellit Ia përdhrodha qafën diellit

që ndriçoka për të tërë(!)

 

që breshëri dhe shiu të mos

bien kur të dua unë

që të mos fshihen pas meje shpirtrat e pistë

që akujt e urrejtjes detit të shkihen si kripa

 

(Nisja nga fillimi është fakt i kryer

Si fryma…).

 

 

Athinë- Tiranë 2001-2010



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •