Iliaz Bobaj: Vetëshfaqja (I)
| Sunday, 12.26.2010, 03:35 PM |  

VETËSHFAQJA

 

Nga ILIAZ BOBAJ

 

 

KUAJ DHE KALORËS

 

Të vetmit kalë që s’i mungon kurrë tagjia,

është kali i bëshëm i mbretit.

Të vetmit kalë, që s’i mungon kurrë kalorësi,

është kali me shalë i pushtetit.

 

Kali i dytë ndryshon nga kali i parë:

shpesh e kalërojnë aventurierë të marrë.

Kali i parë nga i dyti ndryshon gjithashtu:

shpesh e kalërojnë mbretër pa tru…

 

 

KORBAT

 

Ca korba, si ishuj të zinj,

mbi krye po ma zinin diellin.

- Ah, - thirra, - do më nxjerrin sytë!

- Jo, - thanë, - do të të nxijmë qiellin.

 

 

KTHIMI I PLLAKËS

 

-Ju s’kini pikëz dinjiteti, -

u thanë drejtuesve të partisë, -

e ktheni pllakën nga do shefi,

pa pikëzën e burrërisë.

 

-Na e do puna, - i tha njeri, -

ta dredhim siç dëshiron shefi.

Po edhe shefi dreqi vetë,

e dredh siç e do interesi.

 

 

MENDIMI I FJALËS

 

I thoshte fletës fjalë e shkruar:

-Nuk di në më kupton,moj fletë,

ç’mendim mbi vete kam ngarkuar,

me ç’mendim rroj në këtë jetë.

 

-Kuptoj ç’më thua, - i tha fleta, -

po mos i bëj shumë qejfin vetes.

Me ç’shoh, më shumë mendim se ti,

shpeshherë mbartin pikat e heshtjes…

 

 

GOJA DHE VESHËT

 

Kish heshtur goja, rrinte si memece.

- Fol, - i tha syri, - thuaj të vërtetën!

- Jam gati, - tha goja, - ta them fjalën time,

po puna është të dëgjojnë veshët…

 

 

OPOZITA PARA GJYQIT

 

Nga akuzat që pati nga pozita,

në dyert e gjyqit përfundoi opozita.

Erdhi dita, para trupit gjykues,

gjykatësit i numëruan akuzë pas akuzë.

Tha kryetari i gjyqit:

-Më mirë opozitën ta nxjerrim jashtë ligjit!

Ka ardhur dita,

të punojë e qetë në pushtet pozita.

Shefi i pozitës:

-Jo, kurrsesi!

Pa opozitë, s’ka demokraci!

Dikush aty pranë:

-Ç’qëndrim me dy faqe

dhe e akuzoni dhe s’e hiqni qafe?!

-Ah, - i tha shefi, - e dua se më duhet,

opozita është mushka,

ku ngarkojmë kusuret.

 

 

FERRA DHE FJALA

 

Njerinë pengoi ferra një ditë,

fjala iu turr me tërsëllimë:

-Ah, ti, ti qenke dreqi vetë,

s’e le një herë të qetë fatzinë!

 

Tha ferra: - Mos fol për të tjerë,

po shih dhe kusuret e tu:

unë ferrë i bëhem nëpër këmbë,

ti ferrë i bëhesh nëpër tru.

 

 

NDRYSHIMI

 

U ndryshua sistemi i mëparshëm,

erdhi tjetri,

krejt ndryshe nga sistemi i parë.

 

Edhe njerëzit ndryshuan

dhe ndryshojnë me orë.

 

Bëhen më të pasur,

më pak njerëzorë.

 

 

GJINKALLA DHE FABULISTI

 

-Ti fabulist, - i tha gjinkalla,

që rrinte mbi një degëz ftua, -

një jetë të tërë, keq më je qepur,

me ato fabulat e tua.

 

-Gjinkallë, po dihet nga të gjithë,

ti vend në fabula ke zënë,

se vjen e shkon e s’bën një punë,

po jeta nuk është vetëm këngë.

 

-Të dija pakëz më të mënçur,

por ti, or mik, s’kuptoke fare,

kur vij, unë vij vetëm për këngë,

se kam talent si këngëtare.

 

Dhe puna ime, është kënga,

në këngë jam e papërtuar.

Nuk kish ç’t’i thoshte fabulisti,

veç bëri tutje i menduar…

 

 

EMBLEMA

 

Në emblemën e një partie:

dy duar, me një pëllumb në mes.

E vërej me kujdes:

hipokrizi pafund.

Ata që janë skifterë rrëmbyes,

e reklamojnë veten për pëllumb.

 

 

ALARM NË KOSHERE

 

Zukama bletore,

mjedisin përpiu:

-Gati për mbrojtje,

po vjen ariu!

U tha ariu:

-Rrini në paqë,

njëherë e një kohë, vija për mjaltë.

S’ia vlen më,

të sakrifikoj mes thumbash,

nëpër bletë.

Tani në pyll jam deputet.

Në pjatë ma sjellin mjaltin qelibar.

Hajt, o bletë, u vaftë puna mbarë!

 

Zukatën bletët e thanë nën zë:

-Tani punon i gjithë pylli për të…

 

 

VENDI I MERITUAR

 

Thërrisnin ca miza,

në shpatijen e malit:

-Kemi pushtuar,

fundbishtin e kalit!

Një flutur,

që rastësisht i dëgjon:

-Kini zënë vendin që u takon.

 

 

PESHA E FJALËS

 

I ndau fjalët me kujdes,

secilën sipas rëndësisë,

në thasë i futi veç e veç,

ia ngarkoi kalit t’mënçurisë.

 

Thesi me fjalë që kishin peshë,

u mbush me to plot e përplot.

Thesi që kish fjalën e lehtë

dhe pse e mbushën, mbeti bosh.

 

Thesi i mbushur gjer në grykë,

rëndon mbi shpinoren e kalit.

-Të tjerat, - pyetën, - ç’u bënë?

I dituri: - I mori ajri.

 

 

MIKROFABUL

 

Tha muri, kur gozhdën,

prej tij e flakën:

-Vërtet të vogël,

po ma la plagën…

 

 

MALLI

 

Hundëpërpjetë padituria,

diturisë i shiste mend:

-Ç’më hiqesh sikur ke vlerë,

e kush e blen mallin tënd?

 

Ndërsa unë, eh, ç’të të them,

mallin e jap lehtësisht,

duart bosh i kam përherë

dhe pse prodhoj me shumicë.

 

-Midis nesh, - tha dituria, -

ka një ndryshim sa një mal:

mallin tim unë e shes shtrenjtë,

kurse ti tëndin e fal.

 

 

VETËSHFAQJA

 

Dikush kritikoi ashpër Skënderbenë.

Një tjetër Naimin,Migjenin,

Ismail Qemalin.

 

Të hidhura i patën fjalët.

 

Pyetën një të ditur:

-Këtë si ta quajmë?

-Mënyrën më të mirë,

për t’u vetëshfaqur bastardët...

 

 

LAKEJTË

 

Një kryeplak mbante për shoqërues,

një fshatar të zgjuar, dinak, mashtrues.

Ç’thosh kryeplaku me pleqtë në fshat,

fshatari dredhisht u vinte kapak.

Një ditë kryeplaku fjalën ka marrë:

-Sonte, o burra, kam parë ç’kam parë:

një qen, duke shkuar, po lehte në qiell.

-Oh, ti gënjen ditën me diell!

Hidhet shoqëruesi, jep argumentim:

-Një buf kaloi këtej fluturim.

Në thonj, mbante, ç’kish marrë në një stan:

një këlysh qeni, që lehte: ham-ham.

Fshatarët gojëhapur, shtangën në vend:

-Një gjë e tillë, s’na shkonte ndërmend!

Dhe ulën kokën e thanë nën buzë:

-I zgjuar qenke, or ti, kallauz...!

Fshatarët e gjorë, të padjallëzuar,

e hëngrën gënjeshtrën e zbukuruar.

 

Fshatari finok, më kujton sot lakejtë:

lustrojnë, zbukurojnë ç’thonë të mëdhenjtë.

 

 

DËBORA

 

Ndërsa bora mburrte veten:

-Pastërtinë s’ma ka asnjë!

Si për ironi të fatit,

shkon një qen, përmjer mbi të.

 

I tha atëherë një korije:

-Je e pastër, por në qiell...

 

 

ÇIÇIKOVI DHE SHVEJKU

 

U ndodhën pranë në një raft librash

dhe Çiçikovi flet i pari:

-Ah, ti je një aventurier,

me ty, o Shvejk, s’mban më kandari!

 

Dhe nuk janë vetëm aventurat,

as ajo punë e ordinancës,

merr qentë e rrugës, mashtron zonjat

dhe jua shet për qen të racës.

 

-Vërtet e kam tepruar pakëz, -

ia ktheu Shvejku me të qeshur, -

veçse unë shes shpirtra të gjallë,

kurse ti shet shpirtra të vdekur...

 

 

E VËRTETA DHE GËNJESHTRA

 

As njerës, as tjetrës,

s’ia gjen dot anën.

E vërteta thuhet nga njërëzit e vërtetë.

Gënjeshtra falet nga mashtruesit,

shitet shtrenjtë nga politikanët.

 

 

DASMA

 

Dasma i ngjante një dasme mbreti:

të ngrënat, pa kufi,

pija, ujë deti.

Nëpër dasmorë,

hidhte valle qejfi.

I zoti rrinte në këmbë qiri,

shërbente,

pyeste me njerëzi:

-Dëshironi gjësend?

Mos ka gjë mangësi?

Njeri, kur dilte,

i tha rëndë-rëndë:

-Sonte e tepruat,

na dhatë shumë për të ngrënë...

 

 

KALI

 

Tani kalin nuk e lidhin në drurin e lëmit,

të shijë gjithë ditën, në mes të sheshit.

Tani me kalin shirës, nuk kanë më punë,

tani kanë punë me kalin e pushtetit.

 


Për ZSH: Kalosh ÇELIKU

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30