Iliaz Bobaj: Vetëshfaqja (II)
| Sunday, 12.26.2010, 03:29 PM |  

VETËSHFAQJA

 

Nga ILIAZ BOBAJ

 

 

ÇMIMI I VITIT

 

Shkencëtarit,

i dhanë Çmimin e Vitit,

(për të cilin kish punuar një jetë).

Futbollisti,

e lexoi lajmin në gazetë:

-Të mjerit shkencëtar,

ç’t’i thuash,

aq sa çmimi i tij,

unë i marr për një muaj.

E la gazetën mënjanë dhe shtoi:

-Do apo s’do bota,

sot paguhen më shumë këmbët,

se koka.

 

 

PIKA E YNDYRËS

 

Nga luga,

ra pikë e yndyrës.

-Ah, më ndote! -

thirri mbulesa.

 

-Oh, kush duron mizat! -

psherëtiu tryeza.

 

 

TRASHËGIMTARI I FRONIT

 

Me gjoks të ngjeshur me grada, dekorata,

ka dalë në foto,

trashëgimtari i ri.

Në fron,

mban fronin e dhuruar,

në uniformë,

meritat e pamerituara të paraardhësve

dhe meritat e pamerituara të tij.

 

 

TEK PELLGU

 

Pellgun e zaptuan buajt,

pinë ujë, u qetuan.

Dy prej tyre matën forcat,

po e pësuan bretkosat:

thyen brinjë, kokë e këmbë,

disa mbetën top në vend,

hidhen t’i shpëtojnë thundrës,

midis tmerrit, midis dhunës,

dhimbje, lotë, po kujt t’i qahen...?

Buajt shtyhen, s’dinë të ndahen.

Një bretkosë me vete flet:

-Të zë hall me të mëdhenjtë...!

 

 

INTERESI

 

Kërkonin dikë,

vlerën e njeriut, ta vinte në provë,

ta peshonte saktësisht.

 

U lodhën fort, askush s’e gjeti.

 

Ndërkohë u dëgjua një zë:

-Ma lini mua, - u tha interesi.

 

 

VESI DHE VIRTYTI

 

Virtyti shkonte nëpër rrugë

Dhe vesi nis duke e ngacmuar:

-E shoh, s’të shkoka më lëkura,

në këtë kohë të tjetërsuar.

 

-Ke sy e faqe të më flasësh,

ti, negativi i kësaj bote,

po ç’të thotë mendja, o dritëshkurtër,

mendon se shkon lëkura jote?

 

-Vë maskë dhe veten për virtyt,

ta dishë, e shes me lehtësi.

-Ti dil me maskë hipokriti,

po për virtyt, s’të blen njeri.

 

 

KANDIDATI I PAVARUR

 

Gomarin nuk e zgjodhën kandidat,

u mërzit, ndenji hundëvarur.

Pastaj palli me zë të lartë:

-Do dal kandidat i pavarur!

 

Me ca nënqeshje ironike,

nisën ta tallnin të tjerët.

-Mos u habitni, - tha veshgjati, -

unë vota do marr nga gomerët.

 

 

FSHATARI DHE DHELPRAT

 

Një fshatar në një fshat,

ndiqte dhelprat,

që s’i linin pulat rehat.

I tha një tjetër:

-Mos u lodh kot,

me dhelprat e pyllit,

nuk ia del dot.

Po deshe, një këshillë,

ma dëgjo dhe mua:

më mirë shko mblidh,

pulat e tua!

 

 

RJETA E DASHURISË

 

Ia qepa rrjetën dashurisë,

Po prapë e grisur qe e tërë.

-Ah, - thashë, - s’ia ditkam mjeshtërinë!

Tha rrjeta: - S’mbaja më gjilpërë!

 

 

BLUZAT

 

Një mjek të nderuar, e thirrën,

t’i jipnin post të lartë në politikë.

-Nuk pranoj, - tha mjeku, -

nuk pranoj dhe pikë!

Këmbëngulën: - Së paku,

na thuaj, cili është shkaku?

-Se një gjëje të hidhur,

i druhem vërtet:

hyj me bluzë të bardhë

e dal me bluzë të zezë...

 

 

GOMERËT E FABULËS

     DHE NJERËZIT

 

Më pyeti dikush:

-Pse i telendis gomerët në fabula?

Ç’faj të kanë bërë të ngratët?

I thashë:

-Nga gomerët, nuk kam asnjë ankim.

Tall gomerët,

Që të kuptojnë ca njerëz,

Se janë më pa tru se veshgjatët.

 

P.S. Arti është si deti,

       si venë e vijnë valët:

       sot, bashkë me gomerët,

       në vend të parë, po dalin zagarët. 

 

 

PREDHA E FJALËS

 

Krenohej goja për ca fjalë,

që i lëshonte pa mendim:

-Fjalën time askush s’e ndal,

se çan si predha në luftim.

 

Tha syri: - Ti, predhën e fjalës,

të rëndë hedh prej artilerisë,

po kë lëndon, kujt i hap plagë,

ti, armë e fjalës, s’do t’ia dishë.

 

 

DY KUAJT

 

Një kalë ngarkese,

i tha kalit të pushtetit:

-Ty s’të mungon gjë,

si kalit të mbretit,

ndaj je i fortë si dori.

Mua më bie bretku

dhe prapë uria, uri.

-Ah, ato fjalë,

kot sa m’i thua,

kjo shpina ime,

e di se ç’vuan.

Njerëzit e pushtetit,

kanë babëzinë,

të më rrinë ditë-natë mbi shpinë.

nga përvoja,

kam nxjerrë përfundime:

ëndrra e tyre,

është shpina ime...

 

 

GOMARI JEP MENDIM

     PËR KRIZËN

 

Me njerëzit qeshi gomari:

-Po të tillëve ç’t’u thuash:

sa pamend, flasin për krizë,

kur ka gjemba sa të duash...!

 

 

ROSA DHE ROSAKU

 

Rosaku pa rosën:

-Vesë përmbi zambak!

Rosa pa librezën:

-I pasur, ah, ç’fat!

 

Dhe vunë për martesë,

njeri bukurinë,

tjetri, natyrisht,

vuri pasurinë.

 

Ikën vitet, ikën,

i pari,... i treti,

rosa, dashurinë,

ia dha një tjetri.

 

Mori vesh rosaku:

-Tradhëti, hata!

Rosa qetësisht,

rosakut i tha:

 

-Tek ti bukurinë,

dhashë për pasuri,

po zemra, ta dishë,

s’blihet, kurrsesi.

 

 

KUJTESË

 

Në zyra pushteti, në zyra private,

një fakt domethënës, në sy të bie:

sekretaret janë të gjitha vajza të reja,

të gjitha të hijshme, të bukura si yje.

 

 

TELLALLI

 

Një gomar e vunë tellall,

e bën punën më së miri.

-Ej, - tha lopa, - zot na ruaj,

ky ka lojtur nga fiqiri!

 

-Ule zërin! – iu lut delja,

po veshgjati prapë avazin.

U desh të ndërhynte kali:

-Torrollak, mbylle gurmazin!

 

Ai tha: - Ç’kini me mua,

pëllas me urdhër nga lart.

Ç’më thotë shefi me zë të ulët,

unë e them me zë të lartë.

 

 

ZOGU I QYQES

 

Në folezë të huaj,

i vetëm rri brenda.

Pyeti: - Ku ndodhem?

-Tek të mbolli nëna.

 

 

KORRUPSIONI

 

Sa herë flitet për korrupsionin,

gjithkush merr masa, ashpër e lufton.

Tek ne,

ka një mënyrë krejt origjinale:

korrupsioni luftohet me korrupsion.

 

 

RIGONI DHE BAJGA

 

Pranë një rigoni, në pllajë,

shkon një lopë, lëshon një bajgë.

 

Sa për njohje, shpejt e shpejt,

e bënë një dorë muhabet.

Tha rigoni: - Jam prej fisi,

fisi ynë rrjedh nga lisi.

 

Tha bajga: - Dihet prej botës,

ne jemi nga fisi i lopës.

 

 

FAMILJA E RE

 

Burri kish me të shoqen dy fëmijë

dhe një vajzë me gruan e parë.

U nda dhe me gruan e dytë,

Ia la asaj dy fëmijtë,

Mori me vete,

Vajzën e gruas së parë.

U martua me një grua tjetër.

Edhe ajo me dy fëmijë të saj

dhe një fëmijë, nga burri i parë të gjetur.

 

 

KËSHILLA

 

I thotë faqja, gojës pranë:

-Kij kujdes, kur lëshon fjalë!

 

Ia kthen goja e menduar:

-Kjo këshillë s’ka të çmuar!

 

Sot e tutje do vë mend,

s’do flas më vend e pa vend!

 

Po këshilla s’mbajti gjatë,

harroi goja, llapi prapë.

 

Faqja ndërhyn hera-herës:

-Moj, po mbylle, vuri çelës!

 

Hunda bisedën e mbyllë:

-Kujt ia jep atë këshillë...!

 

 

KREHJA

 

Dha urdhër luani, dhelprën thirri pranë.

I tha: - Krehma bishtin, të më shkojë pas mode!

Ajo nisi punën, me zell të paparë.

Në fund, si ia krehu, ia mbushi me rrodhe... 

 


Për ZSH: Kalosh ÇELIKU

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •