Avdullah Sh. Bunjaku: Sikur të ishte ëndërr (I)
| Sunday, 02.13.2011, 03:41 PM |  

Avdullah Sh. BUNJAKU

Sikur të ishte ëndërr

 

Redaktore & Recezente

Remzije J. Zekolli

 

Lektor & Korrektor

Prof. Naim Bunjaku

 

Prishtinë

2007

 

Dy fjalë për librin

 

Në librin Sikur të ishte ëndërr të Avdullah Bunjakut shtjellohet fati i njeriut, shtjellohen ngjarjet që përjetuam si komb duke mos kursyer as kritikat për ngjarjet e tmerrshme që përjetuam si popull. Vepër e krijuar nga nëntë tregime ku secila në vete ngërthen kapitull të rëndësishëm duke përfshirë këtu edhe pasojat e një realiteti të hidhur ku shoqëria shqiptare u gjend në një periudhë të pasluftës.

Tregimet janë të shkruara në periudha të caktuara kohore dhe kanë një simbolikë reale. Përshkruhen fatet e njerëzve të shtypur, të njerëzve të zhgënjyer por, edhe fatin e njeriut që sypatrembur flijohet për idealin e tij atdhetarë, për kombin e tij. Personazhi i njërit nga tregimet e këtij libri Bekimi sa e sa herë do të shprehet sipas autorit:

Unë do ta sjell nusën e Kosovës, do ta sjell Lirinë.

Në prozën e Avdullah Bunjakut trajtohet jeta me ngjarjet e saja ku secilën temë që e lexojmë lexuesi i nderuar nuk do të shpëtoj pa thënë:

O Zot ishalla është vetëm ëndërr, një ëndërr e keqe e cila do të ketë mbarim e jo që është një rrëfim që del nga shpirti i njerëzve të vuajtur.

Avdullah Bunjaku percepton realitetin e kohës që fatkeqësisht jemi duke e jetuar.

Autori shprehë brengosjen e tij për pozitën e femrave shqiptare si psh në tregimin Një jetë më të mirë. Vet personazhi anonim na bënë të kuptojmë psikologjinë e autorit i cili me atë personazh pa emër na bënë të kuptojmë se prostitucioni ka gllabëruar edhe një numër të femrave shqiptare. Ai me mjeshtri arrinë ti kritikojë organet e thirrura për luftimin e kësaj dukurie në shoqëri me një shprehje të njohur policore: Hetimet vazhdojnë! Autorët e këtyre veprave nuk zihen e vajzat tona çdo ditë bëhen viktima duke kërkuar jetë më të mirë.

I preokupuar me ngjarjet që i ka parë dhe ndier thellë në shpirtin e tij, Avdullah Bunjaku na rrëfen për to sikur të ishte dëshmitarë i gjallë i atyre ngjarjeve.

Vet titulli i librit është simbolik dhe domethënës. Ngjarjet që kanë ndodhur dhe e kanë frymëzuar krijuesin e ri janë një realitet i hidhur për të gjithë ne por, edhe njëher them se lexuesi i nderuar kur ta merrë këtë vepër në dorë ku ta di për të satën herë do ti lutet Zotit që kjo të jetë vetëm një ëndërr.

 

Remzije J. Zekolli

 

 

Drita e hënës u la nga lotët e mi

 

Thjeshtëri im kishte temperaturë. Përpiqesha ta qetësoja dhe t’ia lehtësoja dhembjen që kishte në trupin e tij të njomë.

- Eja me teten, pije pak supë se do të bësh më mirë. Pasi hëngër e piu, djalin e zuri kllapia. I rrija afër, dorën ma përvëlonte temperatura që kishte në kokë. Me kujdes ia ndërroja leckat mbi ballin e tij. E brengosur për shëndetin e tij, mendja më shkoj tek vajza ime të cilën para tetë muajsh e braktisa pa vullnetin tim.

“Isha një vajzë e re nga fshati, rreth të katërmbëdhjetave. E përfundova shkollën fillore dhe u regjistrova në shkollë të mesme. Si fëmijë isha mjaft e lumtur, rritesha pa as më të voglin problem; isha gëzimi më i madh për prindërit e mi.

Në shkollë mësoja shumë mirë dhe duke u bazuar në këtë sukses dhe në sjelljet që kisha, ata më premtuan se nëse do të mësoja mirë do ta vazhdoja edhe fakultetin. Prindërit më thanë se nuk do të më pengonin në shkollimin tim dhe përpiqeshin të më përgatitnin për jetën në qytet. Ata më flisnin për vështirësitë e ndryshme, për problemet që do të mund ti hasja gjatë vijimit të shkollës e shumë gjëra të tjera. Gjithashtu kërkuan nga unë që t’ju premtoj se pa dijen dhe pëlqimin e tyre të mos bëja asgjë. Unë u premtova.

Jeta në fshat dallonte shumë nga ajo e qytetit; çdo mëngjes zgjohesha nga gjumi, nga rrezet e diellit të cilat depërtonin nëpër dritaren e dhomës sime. E rregilloja dhomën time dhe nganjëherë i ndihmoja nënës rreth punëve të shtëpisë. Sa gëzohesha kur na vinin mysafirët. Ishte një kënaqësi e madhe, sidomos kur vinte xhaxhai me fëmijët nga qyteti, sepse ishim moshatare me vajzat e tij. Tërë natën rrinim zgjuar duke biseduar për shumë çka, për shkollën, qytetin, e unë ju tregoja për fshatin. Pastaj të nesërmen kur zgjoheshim e përfundonim mëngjesin, shkonim tek kopshti me pemë, shëtisnim, i shikonim bagëtinë duke kullotur.

Erdhi shtatori. Filloi viti i ri shkollor. Ishte një gëzim shumë i madh për mua, më dukej vetja se isha rritur, se isha bërë shumë e madhe. E kisha vështirë të përshtatesha me rrethin, me shoqërinë e re, me sjelljet e kohës që mbizotëronin në qytet. T’ju them të drejtën as rrugët nuk i njihja mirë. Ishte shumë vështirë për mua, mirëpo vullneti dhe dëshira ishin shumë të mëdha.

Çdo gjë filloi si më së miri. Në fillim isha paksa e vetme, nuk kisha shoqëri por me kalimin e kohës fillova që të njihem me shoqe e më shokë më pak. Unë vajzë fshati nuk isha edhe aq e lirë. Pas ca ditëve fillova ta organizoi jetën time. E kisha ndarë kohën për të mësuar, për tu argëtuar, madje edhe për t’i ndihmuar nënës rreth punëve të shtëpisë, dhe në mësime fillova të tregoj suksese. Profesorët filluan t’i spjegonin mësimet, unë vazhdimisht i mësoja në mënyrë që të mos më grumbulloheshin, dhe pothuajse në çdo orë e bëja përsëritjen e temave që na i spjegonin profesorët orë më parë. Menjëherë u vërejt interesimi im që kisha për mësimin, dhe ky fakt e bënte mjaft të lumtur familjen time.

Koha filloj të ndryshonte, e me kohë edhe shumë gjëra të tjera. Djemët filluan të më bezdisnin, dhe kjo për mua ishte një pengesë shumë e madhe për vazhdimin normal të shkollimit. Kisha frikë nga ta, friksohesha mos po ndodhë gjë e keqe. Mendoja në njërën anë se do të mbetesha në shtëpi, e do të më shuhej ëndërra ime e madhe për tu shkolluar. Po ashtu, më kujtohej premtimi që ua kisha dhënë prindërve të mi.

Sa frikësohesha nga një djalë, i cili e kishte mësuar orarin tim të shkollës, dhe vazhdimisht më pengonte në rrugë, më ngiste nga prapa, më lëshonte fjalë.

Aty në klasë i kisha disa shoqe, por më të afërmen e kisha Shpresën, me të cilën kaloja mjaftë mirë. E ndihmonim njëra – tjetrën rreth mësimeve, detyrave të ndryshme. Tërë kohën e kalonim bashkë. Shpresën e bëra sikur ta kisha motër. Sa shumë i besoja; për çdo problem që kisha i tregoja asaj. Disa shoqe të tjera me të cilat kisha më pak kontakte sepse nuk më pëlqenin sjelljet e tyre na ftonin nëpër ndeja në kafene të ndryshme, dhe gjithmonë i refuzonim ato.

Çdo ditë vështirësoheshin gjërat, problemet ishin më të mëdha, vardisjet e djemëve vetëm sa vinin e shtoheshin.

Në mbrëmje babai më pyeste se mos kisha ndonjë problem mirëpo unë nga frika se mos po më ndalte nga shkolla nuk i tregoja asgjë. E kisha mjaft të vështirë që të gënjeja. Nuk kisha gënjyer kurrë. Më vështirë e kisha kur më kujtohej premtimi që ua kisha dhënë prindërve në fillim. Vazhdoja të përballem me të gjitha ato probleme vetëm e vetëm që të arrijë të shkollohem. Çdo ditë më duhej të udhëtoja me autobus. Shpeshherë vonohesha deri në orët e vona të mbrëmjes.

Edhe në vitin e katërt gjimnaz pata suksese në mësime. Tani më isha mësuar me orarin e mësimit, udhëtimin, punët e shtëpisë.

Shpresa, shoqja ime më e mirë, më tha se kishte për të më pyetur diç posa të hyjmë në klasë. U bëra kureshtare ta dija se për çka kishte për të më pyetur. Në orën e parë mungonte profesoresha e matematikës. Ne dolëm në oborr të shkollës. Menjëherë e luta Shpresën të më tregoj se çfarë kishte për të më thënë. Ajo u ul afër meje e më tha se një të afërmit të saj po i pëlqeja, dhe se dëshironte që të njoftohej me mua. Në fillim mendova se po bënte shaka. Më tha se është djalë i mirë, i sjellshëm, me familje të mirë dhe për mua kishte qëllime serioze.

Një ditë gjatë pushimit të shkurtër, ishim afër dritarës dhe Shpresa më tha:

- Ja shiko, atje jashtë në oborr, është aj djali me të cilin do të njoftohesh.

Dukej një djalë i bukur, me shtat të gjatë. U habita me bukurinë e tij. Pas orarit të mësimit, ai djaloshi na priste në hyrje të oborrit të shkollës. Disi filloi të më rrihte zemra sepse kurrë nuk isha gjendur në një situatë të tillë. Shpresa na njoftoi, shkuam në një kafene. Pas pak ajo na la vetëm ndërsa ai djaloshi pa ndalur më fliste, më tregonte se sa më donte, më premtonte se çdo gjë do të ishte në rregull nëse unë do të pranoja që të isha e tij. Nuk vonoi shumë e unë pranova. E pranova për të dashur atë djalosh, te i cili çdo gjë më dukej e përkryer. Takimet tona u bënë të shpeshta, dilnim, shëtisnim, argëtoheshim, çdoherë m’i plotësonte dëshirat që kisha. Ishte mjaft i sjellshëm me mua; kalonim për mrekulli pa e lënë anash edhe mësimin kështu që familja ime nuk dyshonte fare.

Shpeshherë në mbrëmje më kujtohej premtimi që ua kisha dhënë prindërve. Përpiqesha që t’ju tregoja për lidhjen time me atë djaloshin por, nuk arrija; disi më lidheshin fjalët në fyt. Ndihesha shumë keq. Kisha një ndjenjë se po e tradhtoja besimin e prindërve që kishin ndaj meje.

Një ditë, u takuam dhe më tha që të mos hyja në mësim. Familja e tij na kishte ftuar për drekë. Unë nuk kisha munguar asnjë ditë në shkollë dhe mezi pranova. Hymë në oborr. Nga jashtë dukej një shtëpi e madhe dhe e bukur. Ndjeva një turp, zemra më rrihte ndryshe sepse takohesha me familjen tij. Vazhdimisht isha në pritje se a do të dal ndokush nga familja e tij të na shoqëronte. Ne hymë brenda dhe shtëpia ishte e zbraztë. Nuk kishte asnjëri në të. E kuptova se isha gënjyer. Sapo hyra në një dhomë më luti që të ulem.

U ula në një cep të dhomës derisa më ofroj një pije të zakonshme. Edhe ai u ul pranë meje. Më thoshte se kjo shtëpi do të ishte e jona, kur do të martoheshim. Ishte një shtëpi shumë e bukur.

Biseduam mjaft gjatë. Bëmë plane të ndryshme. Unë fillova të ndihem rehat. Gjatë tërë kësaj kohe më shikonte në sy. Kohë pas kohe më shikonte në tërë trupin. Aty u krijua një atmosferë shumë e mirë. Dikur më propozoi që t’i shikonim dhomat. Të gjitha ishin të bukura, të mobiluara.

Atje në fund të koridorit ishte një derë. Sikur me qëllim e kishte lënë të fundit për të ma treguar. E hapi derën e dhomës së fjetjes. Ishte mjaft e bukur. E mbylli derën. Më ofroi afër vetes, më shtrëngoi dhe filloi të më puthte. Në fillim tentova të ikë, por nuk pata fuqi. Ai vazhdimisht më puthte, më ledhatonte. Në atë mënyrë fillova ti përgjigjem edhe unë. Filloi të mi zhveshte rrobat dhe pas pak u gjendëm të dytë lakuriq të shtrirë në shtrat. Aty bëmë dashuri. Pas atij momenti ai më thoshte se ishte njeriu më i lumtur në botë, dhe tashmë taman ishim burrë e grua.

Atë natë kur shkova në shtëpi e ndjeja veten mjaft të turpëruar. E shikoja babain. Ishte i rraskapitur nga puna. Në anën tjetër ndjeja një kënaqësi kur i kujtoja ato momente të bukura që i përjetova për herë të parë. Më brente edhe ndërgjegjja sepse unë e tradhëtova besimin e babait që kishte ndaj meje.

Gjërat çdo ditë vështirësoheshin. Takimet tona ishin më të rralla. Gjithmonë gjente ndonjë arsyje për të mos u takuar. Më thoshte se kishte filluar të punonte në një qytet tjetër dhe mezi po gjente kohë që të takohej me mua. Sa e marrë isha që i besoja.

Pas një kohe kuptova se kisha mbetur shtatzënë. Vetëm sa nuk u çmenda nga kjo. Në takimin e parë i tregova për këtë. Në fillim u duk se u gëzua, më bleu një unazë të bukur si dhuratë. Më premtoj se për dhjetë ditë do t’i bënte disa përgatitje dhe do të më çonte në shtëpi. As kësaj radhe nuk tregova në shtëpi. Disi ndjeja një siguri dhe besim në fjalët e tij.

I numëroja ditët. Një kohë të gjatë nuk e takova fare. Në ditën e nëntë ndodhi më e keqja. Më ndali në rrugë një i afërm i tij deri sa po shkoja në shkollë, më tha se ai kishte ikur nga Kosova dhe kishte shkuar në Austri duke më lënë porosinë që më kurrë s’do të takohemi. Mu duk se erdhi fundi i botës. Menjëherë u ktheva në shtëpi. Qaja me lot. E thirra nënën time dhe i tregova për të gjitha që më kishin ndodhur me atë tradhëtar. Edhe nëna ime nuk mund të përmbahej. Në mbrëmje nëna i kishte treguar babait. Të dytë ishin tërbuar, më rrahën, më mbyllen në dhomë. Kam qarë me netë të tëra deri sa edhe drita e hënës është larë me lotët e mi.

Të nesërmen isha duke u përgatitur që të shkoja në shkollë. Babai hyri në dhomën time, më tha:

- Në shkollë nuk do të shkosh më. Nuk dua që të gjithë ta kuptojnë se ti ke mbetur shtatzënë. Ti bija ime e ke tradhëtuar besimin tim. I ke besuar shoqës më shumë se mua. Tash, më thuaj, çka të bëj me ty ? Më thuaj bija ime! Si të vërboi kjo e mallkuar dashuri?

Unë vetëm u struka. Jeta ime ka ndryshuar e tëra. Nga shkolla më ndalën. Mbeta e mbyllur brenda katër mureve. E mallkoja atë tradhëtar, i cili ma shkatrroi jetën, m’i shkatrroi ëndërrat e rinisë. Mallkoja edhe Shpresën e cila për të gjitha këto që më ndodhën ishte fajtorja kryesore. Por, edhe unë se shumë i besova asaj.

Çdo ditë e kujtoj shkollën, shoqërin. Ah, sa shumë e urrej Shpresën, të cilën dikur e doja sikur motrën time.

Prindërit më panë dhe më kuptuan që po i bëjë disa plane pasi që të lindja fëmiun. Mendoja që ta rrisja fëmiun, ta kem pranë vetes. Fatkeqësisht, babai më tha:

- Atë fëmijë nuk do ta pranojë në shtëpi. Ai tradhëtari duhet të kujdeset për të. Shiko, të ka lënë mes dy zjarresh.

E linda fëmiun. Ishte një vajzë shumë e bukur. Prindërit nuk ma pranuan në shtëpi. Shumherë mendoja ta merrja me vete vajzën e ta lëshoja shtëpinë, por nuk kisha ku të shkoja. Kush do të më pranonte me fëmijë të huaj ? Në anën tjetër kisha dëshirë mjaft të madhe që ta rrisja, ta edukoja, që nesër të mos ketë fatin tim. Përkundër dëshirës sime u detyrova që ta lë në spital. Shumherë i thoja vetes më mirë është që të vdesim që të dyja dhe të mos jetojmë në këtë botë plot gënjeshtra. Kur erdhi momenti i ndarjes, i tërë spitali u trishtua nga klithjet e mija. E humba dritën e syve të mi dhe qaja fatin tim të hidhur.

Sapo hyra në shtëpi nuk doja të takoja asnjëri. U mbylla në dhomë me ditë të tëra. Aty kalova shumë ditë pa ngrënë e pa pirë, mu dobësua edhe shëndeti. Babai m’i sillte në shtëpi mjekët që të m’i bënin disa kontrolla. Çdo natë në ëndërr e shihja vajzën time duke ardhur, më hynte në gji, ushqehej me gjirin tim. Zgjohesha në mes të natës, zemra donte të më dilte nga vendi.

Pas gjashtë muajsh, babai pa më pyetur më martoi për një të moshuar dyzet vjeqar, të cilit i kishte vdekur gruaja dhe kishte mbetur me një djalë të vogël.

Një mbrëmje në dhomën time erdhi nëna dhe më tha:

- Bija ime, babai ka vendosur të të martoj për një njeri. E di se nuk do të të pëlqej, dhe kjo do të bëhet pa vullnetin tënd, pa dashuri.

Unë u bëra viktimë e dashurisë. Ah, sa vështirë e kisha të pajtohem me këtë realitet të ri. Shkova kinse nuse pa dasëm në atë shtëpi. Burri kujdesej mirë për mua. Më tha se duhet të kujdesem për shtëpinë, për djalin e tij, do të bëjmë edhe fëmijë të tjerë”.

Nga ky kujtim i hidhur i jetës sime më zgjoi një lëvizje e vogel e djalit i cili tashmë ndihet më mirë. I kishte kaluar temperatura. U zgjua nga gjumi dhe më buzëqeshi. Mendja më shkoi te vajza ime e cila një zot e di se ku është. Nesër do të rritet e do të bredhë rrugëve të kësaj bote të ndyrë me gënjeshtra e mashtrime.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •