Arqile V. Gjata: Poezi të ditës
| Sunday, 02.13.2011, 04:37 PM |  

Arqile V. Gjata

 

Poezi të ditës

 

Bisedë me Migjenin

 

Migjeni!...

 

I kanë ngelur veç kockat...

e shpirtit krenar.

 

* * *

Akoma është dimër...

Ai pareshtur përpëlitet i vetëm, i uritur

mbetur në këngët e rinisë.

 

Opingat e Lulit të vocërr

i hodhi në makinën larëse të padrejtësisë,

për t’i falur pak dashuri mjerimit

mbështjellë me shpërgënjtë e buzëqeshjes

si fëmija me kukulla

në varrin e porsahapur ku gurgullojnë

idetë rebele të së ardhmes veshur me maska.

 

Nga duart e Migjenit e kemi urimin:

“Zoti të dhashtë!”

 

 

Në stinën e verës

 

Tani,

në verë

ishuj të futur në rrobat e pushuesve,

lakuriq,

shkrihen e bëhen një pikë ujë

dhe mbrëmjeve ngrihen pezull

mbi dallgë.

 

Pushues të gllabëruar si një tufë epileptikësh

kërkojnë të ndryshojnë mendimet,

të gjejnë një shteg në bregun e largët,

atje ku bashkohet qielli me ujin

të provojnë ndjesi

sikur kanë humbur gravitetin.

29 Qershor 2010

 

 

Zemërdhuruesi

 

Kushtuar Mjekut kardiolog Dhimitër Maxuratos

 

Një ditë vere qava nga gëzimi për kohën...

që mjeku mblidhte për të dhuruar,

shpirtin ndarë si shegë.

 

Nga sytë e tij zbulova gjurmët e një peme

rënduar nga cicërimat e zogjve

që hedhin hapat e dijes.

 

Ai noton i qetë, si rreze drite,

të mbledh piktura me motive shprese

për të sëmurët.

 

Në  intimitetin e tij kalojnë rrugët e shpëtimit.

Si një statuje i falen pacientët

duke tërhequr ngadalë secili jetën e tyre

bleruar nga Zemërdhuruesi Dh. Maxoratos.

Korrik 2010

 

 

Me sy nga vendlindja

 

***

 

Një natë,

ulur mbi një shkëmb të thinjur,

me sy nga vendlindja një burrë,

i heshtur bisedonte me hallet.

 

Nën qiellin e natës,

në tymin e cigares

ngrohte duart e mardhura.

 

Deti i trazuar bridhte

dallgëshumë,

në breg ai dëgjonte frymëmarrjen e rëndë

të peshqve,

që flenë deri në agim kur mblidhen rrjetat

e pulëbardhat bien mbi valë.

 

Nga kënga e tyre,

ai qante si fëmija

e dalëngadalë shkrihej si mjegulla e bardhë

buzë kaltërsisë,

mbi një shkëmb gri me sy nga vendlindja.

 

 

Dëshira ime

 

Kur dua të shkruaj poezi

vete të puthë disamuajshen Melita,

mbesën e vogël qumështore.

 

Më pas shkoj e fle me ëndrrat,

në mëngjes puthjen e diellit

mbi shpatulla hedh.

 

Dëshirë të madhe kam

të thinjem mbi një varg,

të mbetem një gjethe në pemën e ullirit.

24-27 Korrik 2010

 

 

Ma këngëzoni fotografinë...!

 

Fotografia e saj gjak nuk ka,

veç një hark buzëqeshjesh

brenda së cilës gurgullojnë fjalë...

 

Me profil gruaje,

ajo  ngjan si këngë djepi

përkundur  nëpër jetë.

 

Në trajtën e një engjëlli

të gjithë

duan ta puthin.

 

Fotografia udhëheq funeralin e dasmës

me fustanin e bardhë vendosur mbi një kurorë,

që mbanë erë trëndelinë.

 

Gjatë gjithë rrugës me pemë

disa zogj të heshtur çuçurijnë,

këngëzojnë fotografinë

që shkoi e u tretë...

1-3 Gusht 2010

 

 

Nën tingujt e jetës

 

Jetoj në tingujt e jetës

zgjuar, gjithmonë i uritur

në ato tinguj e shuaj etjen.

 

Tingujt e jetës shkëndi të ndezura

stolisin ballin e ditëve të mia

e fijet e shpresës i bëj gërshetë.

 

I shkundur nëpër ëndrra

dhe ngjyrat e detit në tinguj shkrirë

me qiellin loz si bajzat.

 

Në djepin e urimeve të mia,

mes përshëndetjeve

thinjosh siç jam, dua...

Të jetoj me tingujt e së ardhmes

në qytetin tim, atje larg...

14 Gusht 2010 Athinë

 

 

Sytë e Kohës po flasin

 

Nënë hijen e ambicies,

të qullura sytë e kohës

kuturisin sa andej-këndej.

 

*  *  *

Nëpër ajrin e kohës

nga poshtërimi i të mundurve

kufomat lëvizin nga vendi

t’u bëjnë vend të porsaardhurave

e kështu me radhë, palë-palë.

 

Të gjitha janë në përgjumje

buzë vyshkura për një pikë ujë.

Me zemrën copë-copë

kërkojnë të ngrihen, të ecin,

të ecin në oklokracinë * e kohës.

 

* në qeverisjen e llumit.

Gusht 2010

 

 

Dita dhe Nata

 

Dita në të perënduar jep shpirt ...

Mëngjesi e gjen nuse të virgjër,

që e përdhunojnë të gjithë

të mençur e të çmendur...

 

Andaj e dua natën,

se njerëzia janë të fjetur,

të pushtuar prej ëndrrave,

nga dashuria për njerëzit.

 

 

Njeriu...

 

Njeriut,

nga avullimi i ecjes pas dritës

i sëmurë nga vetmia,

çmenduria

iu përngjit në kokë të vetë.

 

Mendje prishur nga dashuria

dorën zgjati drejtë hënës

ia rrëmbeu bukurinë.

 

Shtigjeve pa shteg rrëshqet njeriu,

si bredharak nëpër degët e pemëve

lë gjurmë

nëpër shtratin e tokës

veshur me trimëri të akullt

fushave të mashtrimit.

Athinë 20 Gusht 2010

 

 

Të mbledh këngë poetësh

 

Nëpër fund të dheut

po mbledh këngë  poetësh...

Jo si fantazmë

fantazinë e tyre dua ta përkëdhel.

 

Këto këngë të mbyllura nëpër dru

kanë formën e të gjallave kujtime

e krijesave që ndjenja kanë krijuar.

Ato janë në moshë të re,

në lulëzim,

qajnë mungesën e qeshjeve nëpër viset poetike.

 

Mbledh vargje poetësh...

t’i kem me vete,

në një çantë qelqi

e t’i mbjell në kopshtin e syve

më të bukura.

 

T’ia dhuroj me bujari ditës së nesërme

që do gdhihet.

 

Ps: Kjo poezi është ndërtuar mbi motivin e poezisë  “Këtu shiten kocka poetësh” të poetit Myslim Maska.

 

 

Ajo kodër ka një emër

 

Ka vite që ajo kodër merr frymë...

Me diell, ujë e qiell jeton përditë,

nata i jep ngjyrën e ëndrrës,

mëngjesi e gjen djersitur, llërëpërveshur.

 

Në atë kodër flenë shpirtra

të porsa lindura

me fytyrë, sy e flokë,

prej andej dalin në fluturim.

 

Ajo kodër ka një emër.

Shtator 2010

 

 

Familja në ëndërrime

 

Dita dhe nata rendin të sfilitura

të zgjidhin çështjen në kolaps

të familjes në univers.

 

E pa zgjidhur loja prind-fëmijë

si materie e re.

*  *  *

Në ëndërrime,

familja pret rilindjen,

melodi fëmijësh të flakura

qëndisur me akte bashkëjetese.

 

*  *  *

Pyjet po firojnë, dru nuk ka

të ndezin zjarrin...

Burra e gra figura të ftohta

nuk dinë ku i çojnë këmbët,

fikin vështrimet në kujtimet e tyre.

 

*  *  *

Nata dhe dita pyesin:

-Do ketë akoma frymë familja...?

Athinë, 12.09.2010

 

 

Pulëbardhat

 

Pulëbardhat,

përjetësisht e shijojnë lirinë,

pa pasaporta e viza lundrojnë brigjeve

në thellësi të zbrazëtive, shkëlqimtare

dëgjojnë  këngët e kohëve...

stampuar në hartat e vjetra detare.

 

Sytë e tyre foto-teka e jetës lundërtare

mbushur me horizonte, të malluara

për stuhi dhe të mbytur.

 

Ato,

si shpezë detare të pakufishme

mbi valët e serta i thurin meloditë

e dhimbjes njerëzore.

20- Shtator 20101

 

 

Ku jam...?!

 

I pash gjithë ëndrrat e së shkuarës...

Regjistrin e klasës së parë,

Mësueses Krisanthi dorën i putha.

 

Kundrova dëftesën e të shtatës klasë,

shpërndava mjegullën ngelur mbi dëftesë...

Paskam dhe unë një emër në shkollën e Skelës!

 

Ku janë ndjeshmëria dhe koha e viteve...?

 

Në librin e gjendjes civile,

jetojmë të gjithë bashkë me familjen,

këqyrur nga heshtja, zgjohem prej pickimeve të punonjëses

kur shkruan mbi fytyrën time.

 

Unë jetoj në ambiente inerte,

me dëshira,

të gjithë kanë harruar të luajnë me mua

tek rrugicat e vegjëlisë.

 

Pyes veten, ku jam...?!

 

Diku aty,

në kujtime të lodhura e buzëqeshje të humbura,

dhimbje të pa mbledhura nëpër dyer.

Gjithçka tretur në humnerën e jetës.

Athinë 21-9-2010

 

 

Pisha Flamur

 

Lart, mbi Llogora

jeton e thinjur Pisha Flamur...

 

Mbi të ngjiten e zbresin shikimet

dhe më pas vetëtimat.

 

Atje është pylli i reve,

zogj kuvendues të erërave

thërrasin mjegullën, kaltërsinë.

 

E virgjër gjelbëron,

me rrënjë në gurë Pisha Flamur...

E kërkojnë, e duan ëndrrat e gabuara,

që shpërthejnë në delir.

 

 

Ti

 

Ti dashuron një vetmi…

Unë e urrej,

e përkund në gjumë,

të bëj pak dashuri.

 

Atje,

mbyllur nëpër dorëshkrime.

 

 

Duke pritur miqtë

 

Meshkuj e femra rrinin të ulur cepave të trapezave

në kafe “Evropa”.

Nëpër rrugë makinat u binin borive

aq sa të mërzisnin dhe ato pak çaste

dashurie që mund të bëje.

 

Disa metra përtej rrugës sodisja hijet

e atyre njerëzve që janë brenda historisë

(Monumentin e Partizanit të panjohur)

rreth e qark njerëzit më dukeshin të mirë

dhe unë prisja një zonjë të tillë,

ndoshta shumë të bukur.

 

Pas disa çasteve pashë një fustan elegant,

qepur bukur pas trupit.

i them vetes:

Kjo është Majlinda...!

 

 

Unë

 

Unë shkruaj poezi

por ...

Megjithatë, dhe unë dhe poezitë

hapojmë në rrafshnalta,

nuk ngjitemi dot drejt qiellit.

 

 

Librat

 

Në një dhomë me libra

ndihem i dehur.

.

 

Ato grinden për gjithçka,

u ngjajnë krijuesve

pijanecë e kokëkrisur.

 

Librat flasin gjuhën e tyre

dhe kanë një mënyrë të fjeturi të veçantë,

prej gojës shpërndajnë tinguj të çuditshëm

nga xhelozia për kohën,

të dehura, librat kalërojnë kuajt e kokëkrisurve...

 

 

Poetët

 

Poetë të malluar,

si zogj prilli ardhur nga qiej të largët,

shihen sy më sy në folenë e tyre.

 

Duke u mbajtur e lozur me veten,

flasin me përgjërime për poezinë,

nga dekolteja e gjerë e shpirtit

derdhet shtrati i urimeve.

 

Veshur me lëkurën tonë,

si shkëmbinj nëndetarë jetojmë ne

të munduarit e poezisë

që nesër do të na mbjellin anës rrugës

në vend të shelgjeve vajtues

nga ku do ndihen trokamat e shpirtrave tanë.

 

 

Vlerësime

 

mbi Krijimtarinë

 

Poetike

 

të  bëra nga kritikë dhe krijues

 

2009-2010

 

Tredimesionaliteti i poezisë së A.Gjatës

 

... Me këto vargje:

 

” Të shikosh dëborën

dhe erën kaq afër nëpër fshat e t’i ledhatosh me duar cung”

 

Je në atë lartësi që prek Majat e Poezisë Shqiptare.

*

Gjata është një poet i fjalës së natyrshme. Një poet që meriton, respekt, përkushtim dhe impenjim për ta lexuar.

Ai është jo thjesht një zë poetik. ËSHTË një POET i MIRËFORMUAR.

 

*

Tri veçori pikasen lehtë teksa lexon poezitë e A. Gjatës. Poezi që ndërtohen mes një itinerari  logjik të mendjes, gatesë elokuente të shpirtit dhe paraqitjes estetike...

Gjata pa dyshim është një poet i mirëfilltë, një mjeshtër vargu, një prurës i këndshëm e merakli i fjalës së bukur artistike.

...Të tre veçoritë në poezinë e A.Gjatës, nuk janë rastësi, apo një krijimtari e ngjeshur dhe e rëndomtë, por një logjikë tredimensionale që duhet vënë në interes të vëmendjes kritike. Duhet respektuar si poezi me vlerat e saja në rritje.

Fatmir Terziu

 

Alush Avduli

 

.Poezia e Arqilesë është si melodia e bukur që na vjen para natës së thellë. Poezia e tij - fllad përkëdhelës që shfleton ditarin e zemrës e cila trokon drejt artit

 

 

Fatime Kulli

 

“Të shikosh dëborën dhe erën kaq afër nëpër fshat e ti ledhatosh me duar cung

Në këto vise të veriut rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave që si muzikë pop

bredhërijnë nëpër fshat.”

 

Mjafton të analizosh këto vargje dhe gjen të gjithë elementët e një poezie të mirë,

e një poezie metaforike e filozofike.

22-12-2009

 

Iliriana Sulkuqi

 

Librin tuaj (të A. Gjatës) e lexova me një frymë... shumë nga poezitë i kisha lexuar ... dhe më kishin lënë mbresa për gjetjet dhe stilin tuaj të veçantë ... Kam hedhur diçka në letër që e kam titulluar “Ah, sikur të isha gruaja e poetit ...!

 

Koço Mërtiri (Kosta)

 

... në qoftë se në poezi ka Ben Xhohsi e Karl Luis, Arqile Gjata në mes të rrugës realizon një sprint të fuqishëm, iu afrohet atyre që udhëheqin garën.

28 Mars 2010

 

Luan Xhuli

 

...”Dikush, e ngriti në krah deri te frymëmarrja që i përgjigjej peshës së tij të lodhur...”

 

Një poetizim sa metaforik, aq meditativ dhe filozofik... një frymëmarrje.

Poeti, që di të zgjedh ozonin poetik mes atmosferës krijuese.

... Arqilea, di të magazinojë të tilla frymëzime!

27-12-2009

 

Odise Goro

 

A. Gjata ndihet poet i ditëve të sotme dhe si i tillë, ai nuk pranon të mbetet në kohërat e shkuara poetike. Veten e mbanë rob të ndryshimeve të vazhdueshme...

Gazeta “Tribuna” Janar 2010

 

Raimonda Moisiu

 

Te poezia “Gratë e poetëve ... poeti Gjata ka dhënë gjithë esencën e një krijimi, i cili përmban në brendësi cilësinë e të gjitha krahasimeve dhe shoqërimet, që krijojnë botën e poetëve, që sjellin frymëzimet e tyre

Shtator 2009 (Fjala e Lirë)

 

Roland Gjoza

 

I uroj sukses të mëtejshme mikut tonë (Arqile Gjatës) për poezitë e veçanta që shkruan, për atë vështrim metaforik të botës, për  vështrimet meditativo-lirike me një ngjyrim të spikatur ....

 

Spiro Xhavara

 

... në krijimtarinë e Arqile Gjatës impulsivi i talentit pas akumulimit të gjatë ndër vite është i dukshëm.

... ka një këndvështrim të vetin në ambientin krijues apo vizual që e rrethon.

02-04-2010

Thanas Boçi

 

Vëllimi poetik”Gratë e poetëve” i Arqile Gjatës përshkohet nga metafora e kujtesës që konverton në një entusiazëm tepër rinor e romantik që burojnë nga dallgët e shpirtit dhe bjerrin fuqinë e tyre deri sa shuhen ngadalë-ngadalë

si puhiza të lehta.

Dhjetor 2009 “Fjala e Lirë”

 

Thodhori Baba

 

Autori (A. Gjata) di të përdorë figuracionin letrar. Ai di njëkohësisht të gërshetoj vargun metrik, me atë të lirë, apo ta thyej pa humbur muzikalitetin...

Gazeta “Tribuna” 26 Shtator 2008

 

Vullnet Mato

 

... Në vargjet e tu ndjenjat pleksen bukur me element të natyrës dhe detaje të gjetura me kujdes, të cilat shprehin nëntekstin e tyre në harmoni me fjalën e fuqishme poetike

... Je një poet i pjekur, që e kërkon të bukurën gjithandej dhe e stolis mirë brenda vargjeve.

13-3-2010



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •