Arqile V. Gjata: Poezitë e ditës
| Sunday, 02.13.2011, 04:44 PM |  

Arqile V. Gjata

 

Poezitë e ditës

Një e “marrë”...

 

Një e “marrë” u hodh nga maja

e një shkëmbi...

Maja e shkëmbit ngriu, u këput.

Nga humbja e peshës u ndjen klithma.

 

Tej, poshtë, piktura e kufomës e përdjellur,

e qetë, normale,.., e flijuar!

Në fustanin e bardhë

u mblodhën meloditë e kukuvajkave,

ushqim për jetimët.

 

Qershor 2010

 

 

Koha dhe Morali

 

Koha përkëdhel fytyra  morali.

Ato qeshin me sy palarë,

rrugëve pa strehë...

 

Nga larg diçka prekin,

me barkun plot ushqejnë të porsa lindurit

nga psherëtimat e moralit,

për të recituar të tjera pëshpërima.

 

Sot,

përmbi ballin rebel shkëlqen dhunshëm

medaljoni i moralit modern

varur mbi shandanin e autostradës,

që si semafor kontrollon kohën e zotëve...

dhe nesër bashkëshortë të ligjit

të pabarabartë në gjatësi.

Qershor 2010

 

 

Urdhri Magjik

 

Në thellësi të mistershme, të dremitur,

njerëzia si kuaj ulur këmbë-kryq

u faleshin varreve...

 

Në ditët që ikin askush s’ka pyetur;

-Me ngashërim, pse qajnë për të vdekurit?...

 

Një ndjenjë e kohës,

pështjellur ndër dhuratat e ditë-lindjeve

frymëzon një mesazh magjik.

“Koha e gjatë e varreve skadoi”!

 

Kështu,

“Urdhri Magjik” varret e kohës sfidoi.

Skalitur në katër cepat e syve,

ai fletë  për kohën e re të amshimit

njollosur si lesbike.

-Një varr i vetëm mjafton për të gjithë...

Qershor 2010

 

 

Ku shkoni, o të plakur...?

 

Çapiten nëpër ajër të kohës,

kukurisin me pak zë grumbuj të moshuarish.

 

-Ku shkoni, o të plakur,

nëpër mjegullën e bardhë?

Jeni hallexhinj

deri në shpirt të thinjur.

 

* *  *

Tani nuk ka lojëra për ata,

veç fjalës që ua dhurojmë

a belbëzimin e një foshnje...

 

Mbetur me veten,

qeshin me fytyrën plakushe të tyre

dhe ëndërrojnë kujtimet e së djeshmes

varur në kopshtin e lodrave.

 

Në gramë të shpirtit

ndihen pëshpërima buzësh

që dikur puthën...

 

Të ecin duan, diçka më tutje, ashtu,

me gjysmë fryme, ecin...

 

 

Në qytetin ku unë jetoj

 

 

Në një ishull, ku unë jetoj

dielli ecën njësoj si këmbësori

dhe tërheq ngadalë gjithë të gjallët.

 

Në këtë qytet

ndriçojnë eshtrat e fiseve,

të bardha, të ngrira

veshur me këmishën e lavdisë.

I lodhur nga kënga dhe pabesia

qyteti mban emrin e fiseve antike.

 

Monumentet shpërndarë si kufoma

flasin gjuhën e dashurisë

dhe sot, askush nuk e di,

veç muret e muzeut në qendër të sheshit,

pse ende belbëzojnë si papagall madhështinë...

e tretur nën gurë.

 

 

Unë i moshuari

 

I mbajtur në kërrabën e kohës

ngjisë shkallët e jetës...

 

Jetën e kam timen, askujt s’ia fal.

Dhe pse i thinjur lojërat më pëlqejnë,

“Valët e Danubit” me elegancë e vallëzoj...

 

Në këto ditë të jetës time

frymon palosur me fjalën:

-Bukuria dhe loti pikojnë në shpirtin tim!


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •