Arqile V. Gjata: Përfytyrime nëpër vargje...
| Sunday, 02.13.2011, 04:50 PM |  

Tri veçori pikasen lehtë teksa lexon poezitë e A. Gjatës. Poezi që ndërtohen mes një itinerari  logjik të mendjes, gatesë elokuente të shpirtit dhe paraqitjes estetike...

Fatmir Terziu

 

Arqile Gjata është sot, sipas bindjes sime, modeli i rezervës poetike të pashprehur në vite, modeli i këmbënguljes për të pasuruar fjalën deri në bashkëjetesë artistike me detajin poetik, model i përpjekjes për të shpërthyer digën e moshës deri në daljen ku ndriçojnë format bashkëkohore të të shprehurit poetik.

Novruz Abilekaj

***

Në shpinë mbaj gjurmët e së shkuarës

të rënduara nga koha.

Udhëtar i përjetëshëm i genit tim

e lë veten peng të së ardhmes,

lëkundem në shtratin e shpresës.

 

****

Me derën e shpresës të lënë hapur

lypa pak buzëqeshje për të shkrirë varfërinë.

Në gjithë kohërat vrapova nëpër skenat e punës

të blija me djersën time

ca të qeshur dhe dashuri.

 

E shkuara më vjen si poezi

 

Nesër, në majat më të larta

 

U ndjeva mirë kur Arqile Gjata më besoi të jemi syri i parë në përgatitjen e këtij vëllimi me poezi që “maten sup më sup„ me më të arrirat e ditëve të sotme.

U ndjeva mirë sepse kam qenë rreshtuar në skeptikët e poezive të para, kam paragjykuar daljen e tij me vonesë në mejdanin ku beteja artistike është më e mprehtë se në çdo fushë tjetër të artit.

Tashmë, duke parë ngjitjen e suksesshme vertikale të Gjatës, po e riformuloj hap pas hapi opinionin tim. Ardhja në dorë e tufës së poezive që do të përmblidhen në këtë vëllim ishte rasti më i përshtatshëm për këtë riformulim.

 

Krejtësisht e paprofetizuar prej meje dhe prej miqve rrotull nesh ky vertikalitet gjatë përjetimeve të fillimit, kur dukej sikur autori sapo filloi bëlbëzimet.

Arqile Gjata është sot, sipas bindjes sime, modeli i rezervës poetike të pashprehur në vite, modeli i këmbënguljes për të pasuruar fjalën deri në bashkëjetesë artistike me detajin poetik, model i përpjekjes për të shpërthyer digën e moshës deri në daljen ku ndriçojnë format bashkëkohore të të shprehurit poetik.

Nuk ndodh asnjë çudi sikur ta shohim nesër në majat më të larta, atje ku shpatojnë vetëtimat …

Novruz Abilekaj

 

Arqile V. Gjata

 

Përfytyrime nëpër vargje...

 

 

*  *  *

Të shikosh dëborën dhe erën

kaq afër nëpër fshat e t‘i ledhatosh me duar cung

në këto vise të veriut,

rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,

që si muzikë-Pop- bredhërinë

nëpër shtëpitë e fshatit.

 

Në ish sheshin e Katundit

grinden meloditë e humbura

në skamje për kufoma këngësh,

dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve

për të qenë të lumtur një çast.

 

 

*  *  *

Kishte sëmundje të keqe...

Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë

shkruar me bojë dyshimesh.

Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,

që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.

Kështu, përsëri zbriti të ndiqte shtëpinë e vet që lundronte mbi lumë.

 

*  *  *

Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,

se çfarë kam për të lënë peng,

si një mendim i prishur

rrjedhojë e fërkimit me jetën

m‘u tha qëllimi i vetes

për të shkuar deri te pragu i një kasolleje,

ku jeta ecën shaluar mbi një mëz

për të gjuajtur lepuj.

 

*  *  *

Sot, në kohën e divorcit, kujtimet më të bukura

shkruhen në “bashkëjetesë”

Pëllumbat fluturojnë nëpër aerodromet e shpirtit të mangët,

të patejdukshme, si smog ndër sytë e ngjyrosura,

të thara nga padashuria.

 

 

Trembja Poetike

 

 

A të mjafton vetmia e trupit tënd...?

 

 

*  *  *

Ta shporrësh jashtë derës atë,

që dikush e pret me trembje.

Ai është misterioz,

struket diku thellë në mendjen tënde...

 

 

*  *  *

Përkrah mendjes misterioze

mjegulla e qullur nga dhimbjet e gjymtyrëve

vajton intuitën e milingonave

të tmerrshme.

 

 

***

 

Milingonat...!

Nuk i keni parë rrugëve pafund,

se si tremben nga jeta në globalizëm

edhe pse nuk fluturojnë, ato zhyten thellë

në metrotë e tokës.

 

 

*  *  *

Dhe vjen shiu litar i dhunon,

i mjeron,

i sakaton

milingonat “zuzare”.

 

 

Trembeni?!

 

Trembeni...?!

 

Të gjithë trembemi,

dhe toka rreth hijes së saj,

dhe yjet atje lart,

rrëzohen në vrimën e zezë nga bukuria e hënës.

 

 

*  *  *

Tremben vargjet nga duart e ndrydhura,

trembet shiu nga barku shtatzan i lumit,

trembet syri nga rrezja e diellit ngjyrë ari.

 

*  *  *

Nga heshtja e bukurisë

po tremben vjershëtorët

me sy të mbetur te fjala.

 

*  *  *

Në qiell po dëgjohet muzikë,

retë e bardha po luajnë balet në ajër,

nga majëmalet fluturojnë hije njerëzish të trembur,

si shpend të flamura.

 

Të gjithë,

në mënyrën e vetë sodisin heshtjen e bukurisë,

dridhur nga frika si lypsarë.

 

 

*  *  *

Aty, nën lëkurën tonë të trembjes,

me përbuzje

shkulim bimët e bukurisë së shkuar

për të shkruar poezi të palumtura.

 

 

*  *  *

Heshtja e bukurisë veshur me rrobat e pikturës

qesh e qan nën frikën e vetmisë

nga tallëzitjet e çmendurisë së kohës

për jetën dhe vdekjen e së ardhmes.

 

Dhjetor 2009, Athinë

 

 

Kali i jetës sime

 

Hipur mbi kalin e jetës

udhëtoj në hapsirë për të kapur vetveten.

 

Në shpinë mbaj gjurmët e së shkuarës

të rënduara nga koha.

Udhëtar i përjetëshëm i genit tim

e lë veten peng të së ardhmes,

lëkundem në shtratin e shpresës.

 

Me brishtësinë e fjalës së sotme

mendimi im jep koncert

për të shkundur këto re të ngarkuara

dhe mbushur një boshllëk

të kësaj moshe që kërkon blerim.

 

 

Në konakun e emigrimit

 

I lodhur...,

ulur në oxhakun e mendimit,

vendosa të rrugëtoja në tokën e kurbetit,

si udhëtar i një emri brigjeve të jetës

të shkoja mik në Konakun e tjetrit.

 

Me derën e shpresës të lënë hapur

lypa pak buzëqeshje për të shkrirë varfërinë.

Në gjithë kohërat vrapova nëpër skenat e punës

të blija me djersën time

ca të qeshur dhe dashuri.

 

Kështu,

i shpenguar me dhembshuri

përqafova rreth vetes  njeriun e kurbetit.

 

 

Ekziston diçka sot

 

Tek qetësohesha poshtë qiellit

gjeta një mendim të shkruar nëpër re:

 

-Ato që ikën s’kanë më frymë!

Ekziston sot diçka që s’e ke parë kurrë.

 

Afroju!

Ta prekësh krah hapur lulishten njerëzore,

parcelë njomëzake e ndarë në vuajtje

nëpër rrugë dhe kulla të zhurmshme.

 

Dhe era e këngëve kundërmon aromë sysh,

si motërzim shpërthimesh

nëpër autostradat e mendimeve.

 

Ku luhet pjesë me fëmijët

për t’i lënë lamtumirën stinëve,

e për të sulmuar kështjellën e kohës

drejt majave ku duam të arrijmë.

 

 

Si në përrallë

 

Dje…

 

Njeriu,

statuj e lashtësisë në shtegtim

të syrit tonë

 

… si në përrallë.

 

Luftëtarë të ndritur ,

nga të shenjtat eshtra rrëmbenin

shpirtërat e të vdekurve

 

… si në përrallë.

 

*  *  *

Sot…

 

I lajthitur,

duke përkëdhelur qenin,

njeriu hamall me flok gri

fle bashkë me njeriun lakuriq,

që ende lundron me varkë

të ndihmojë të marrët

 

…si në përrallë.

 

 

Mbetëm larg …

 

Sa keq,

që nuk lundruam së bashku në dashuri …!

 

Eja!

Merrëm një copë herë prej dore

të vizitojmë ato kopshte dashurie

që i kam baritur netëve pagjumë.

 

Do ta kërkojmë njeri-tjetrin

duke u dalluar nga shija e flokëve,

të pafuqishëm do mbahemi në kujtime,

veç sytë do puthen si dikur.

 

Janar 2010  Athinë

 

 

Ai...

 

Ai lehtësisht në dorën e majtë

mbanë dëshirën e tij

drejt ngjitjes së një kodre.

 

Në të djathtë diçka femërore shijon

shumë të virtytshme.

 

Me të dy krahët luan shpejt

pjesë argëtuese,

mishërim i shijes të ringjallur përsëri

nga jeta e tij ironike,

që ende nuk është e mrekullueshme.

 

 

Englantina

 

Eglantina kalon orë intime

me poezinë.

Këtë e thotë autografi im

për librin që kam në mendje.

 

Zgjas dorën të mbledh shkronjat,

të josh Englantinën me lotin tim,

t’i them:

-Kjo është fytyra ime...!

 

 

Fjalët e Pemëve

 

Në 45 vjetorin e lindjes së studiuesit dhe krijuesit Fatmir Terziu

 

Fjalët e pemëve më mbetën në kujtesë...

Zhytur në përfytyrimin e tyre,

Unë, njeriu, loz e qaj,

rrugëtoj në burimin e  fjalëve.

 

Hipur nëpër shpinat e kopshteve,

pyjeve dhe deri në pemët e vetmuara

më trazohet një dëshirë,

të dëgjoj fjalët e pemëve...

 

Nga goja e pemëve thithim aromë mendimesh

edhe në se u thyejmë krahët nga xhelozia,

apo i gjymtojmë sipas buzëqeshjes sonë,

përsëri erërat s’ua vjedhin dot këngët.

 

Fjalët e pemëve,

nën këmbët e njerëzve flijuar

hiri i tyre dhe në gjumë na viziton.

 

*  *  *

Nëpër qytete dhe larg tyre

shëtisin pemë me pamje fisnike

-Hajt të pimë një gotë

me lëng fjalësh nga jeta e pemëve,

dhe t’ju urojmë:

Jetë të gjatë e paqe...!

Korrik 2009  - Athinë

 

 

Njerëzia

 

Njerëzia ...

prej vitesh është novatore e urrejtjes,

si motra e së shkëlqyerës

dhe flakë e barutit poetik,

si përzierje sëmundjesh

ka të bardhën e syve të qytetërimit.

 

Njerëzia ...

dhe dje dhe sot, drejtë rrugës

së “ Perëndisë së Madhe”,

me shpirtin dhe kurmin e saj,

me veten lufton,

pleksur me përzierje identitetesh

botën sundon.

 

Kur vdesin  njerëzia,

nga frika

varrosen thellë,

duke mbushur thesarin e ëndërrimeve

me fytyrë të akullt.

26.7.2009

 

 

Në kopshtin e dashurisë sonë

 

Në kopshtin e dashurisë sonë,

po i gëzohem një luleje

të mbjellë në kohë të rinisë...

Flokët e ndritshme të kohës 60 vjeçare

feksin dashuri

nga dashuria jonë.

Ende Asaj i lëngëzojnë sytë dhe i qeshin fjalët,

prej shkëlqimit të vështrimeve

akoma kemi shumë dritë

e tingëllima e jetës na mirëpret.

 

Dritarja e shtëpisë buzë detit

na buzëqesh që të mblidhen brenda saj

buzët e fëmijëve...

 

E dashur!

Duke parë detin,

do përsërisim dëshirën tonë:

-Të jetojmë

deri sa të bien yjet e mbrëmjes së gjatë…!!

 

Në 60-vjetorin e lindjes së Xhenit

 

Vlorë 9-1-2010

 

 

Fytyra e fotografisë

 

Në perëndim të vitit...

i habitur vështroja fytyrën e fotografisë,

nga malli

ajo dëshironte të shkëmbente disa urime.

 

Kudo dëgjoheshin hapat e rrugëve,

përshëndetje sysh

dhe fytyra në rrugëtim për diku larg.

 

Të pambaruarat mbrëmjet vlonjate

sodisin nga detit e deri lart

duke prekur ndjeshëm fytyrën e fotografisë.

 

Fytyra e fotografisë fle

mbi valëvitjet e vargjeve

kundërmuar aromë dëshirash,

që sa po kanë filluar të nanurisin

nën hijen e hënës verdhuese të fillim vitit.

 

Nën xhamat e hollë të syve

ndizet përsëri agimi i një dite tjetër nga ku;

Shumë gjëra të vogla-a të mëdha,

të harruara-apo të shndritshme,

të fjetura-ose të vërteta

ikin dhe shpërndahen

për të lënë pas

kopshtin tonë të këngëve.

Vlorë  6-1-2010

 

E kuqjaraki

 

Dje...

Të nesërmen e darkës së madhe

djem këmishë-bardhë, mustaqe-spic

hedhur mbi sy buzëqeshjen dhuronin të kuqen raki.

 

Gëzohej djalëria nga rakia e kuqe

rrjedhur nga poshtë këmbëve të trëndafilta

të dashurisë virgjërore.

 

Sot...

në natën e lodhjes së madhe

muret e virgjërisë thërrasin përmallshëm

gjysëmburrërinë vjeshtore.

 

Krehur nga erërat, djemuria

mbushin enët e lashtësisë me parfum,

që frymëmarrin të dëshpëruar në qetësinë e natës.

 

Nesër...

Ata brenda qendrës së tyre

të shpërndarë në qiellin gri, të shkelur e me fytyrë të vetmuar,

do kujtohen të thonë:

E kuqjaraki i përket legjendës njerëzore!

 

Ps:Kjo poezi është frymëzuar nga një traditë e vjetër(zakonore) që djemtë e fshatrave të jugut të vendit bënin të nesërmen e dasmës së tyre.

Athinë  Dhjetor 2009

 

 

Ty Shkodër të qoftë e mbarë!

 

Në prehër të Bunës,

Shkodra luan me hënën të rehatojë Drinin.

Rend qyteti në rrjedhën e ujërave

për të kapur imazhin e përkujdesjes së vetvetes

nga shakatë e zërave të politikës.

 

Ju u shkritë, u tretët, ende nuk jeni lagur,

por mbytur deri në mes,

deri atje ku arrin këpuca e padrejtësisë.

 

 

*  *  *

Pemët e Shkodrës pse s’kuvendojnë?

Ne e dimë...

jeni miq me fisnikërinë.

Fytyrën aq të bukur me tualet humori,

pse e keni lagur...?

Ne ende e kemi nëpër sy buzëqeshjen shkodrane.

 

 

*  *  *

Ty Shkodër të qoftë e mbarë...!

Ndërtuar mes këngëve e qerpikëve të dhimbjes

në çdo kohë,

në zemër të fjalës ke qëndruar Zonjë.

 

Po tani Shkodër...?

Dëgjo Bunën si qanë

dhe Drinin si këlthet nëpër diga!

Kështu,

sot je velë e bardhë ujore në zemrat tona.

Janar 2010

 

 

Vendi im Kërkëllin Vajtueshëm

 

Ishull shpërndarë nëpër ujë,

i bukuri, vendi im.

Drejt tij gjithçka fluturuese

kërkëllinë vajtueshëm virgjërinë.

 

Vendi im, jugë e shi,

qielli prerë nga vetëtimat,

era dhunshëm loz.

Për gjatë ditës,

Gri, i qulltë qielli, ajri, toka.

 

Mbrëmjeve

vendi pikëllimë ngjyrash

si mendim në fluturim,

shpend të gjalla firuar nga uria.

 

Nëpër rrugë të shkara

vendi im

ecën me mushka e xhipa drejt tokave të vjetra

e nëpër det,

njeriu luan monologun e shishes

veshur me gjethe greke a romake.

 

I lajthitur

nëpër sheshet e fshat-qyteteve

vendi im përtyp i verbër,

ato çka i kanë mbetur nga torba e gjyshërve,

me dëshirë t’i vërë zjarrin pranverës vyshkur nëpër pyje,

ku fëmijë topbore heqin vallen

e Lek Dukagjinit.

20-2-2010         Athinë



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •