Dashnor Selimi: Lirikat e Anëvjosës (I)
| Saturday, 03.12.2011, 11:59 AM |  

DASHNOR SELIMI

 

LIRIKAT E ANËVJOSËS

 

(poezi)

 

REDAKTOR: ILIAZ  BOBAJ

REÇENSUES: Dr. LUAN  ZYKA

 

 

LETËRKËMBIMI ME NËNËN

 

Shpesh,

shkëmbenim letra me nënën time.

Fillonte për fshatin,

që i ngjasonte një jetimoreje,

për tokat e papunuara,

mbuluar me gjemba.

Për lulet,

tharë teneqeve të ndryshkura,

që u njomën me ujin e stinëve,

për rrugët plot hendeqe,

mbushur me plagë e rudha.

Për kohën,që i kthyen shpinën,

mbetur në to vitet e rinisë sime,

për këngët si piktura tantelle,

që as zogjtë s'i këndojnë,

për mbrëmjet e braktisura qiellit,

për librat e pluhurosura,

që hija filloi t'i zverdhojë.

Për lumin,që kalon në shtratin e vjetër,

pa dashur të zhvarrosë mitrën e tij.

Për një zjarr të ndezur,

me hi e thëngjij të mekur.

Për...

       *   *   *

Të më falësh bir,

që shkruaj gjithë gabime drejtëshkrimore.

       *   *   *

Mua më mjaftonte trishtimi,

për ty,Gorica ime !

 

 

PËRSE IKE ?

 

Përse ike këtë dimër të ftohtë,

ku dhe flokët e stinës kishin ngrirë

dhe nëpër pasqyra pellgjesh copëtoheshin,

ëndrrat e mia në gjunjë lutjesh ?

Mbledh copat e mbetura nëpër rrugë,

si lule të mardhura,të ngrohen

brenda afshit të trupit tim,

zhytur në hijet e qiellit që s'lëviz,

shpresat e pragmuzgut të fundosur.

        *   *   *

Ti ike me mbështjelljen e purpurtë

të ditës së përgjumtë,

pa shkëmbyer asnjë fjalë me njerzit

e thinjur,të cilët qëmtojnë buzështëpive,

përfytyrimet e ëndrrave,

të ëndrrave,që zhvishen në pragjet e gurtë.

        *   *   *

Ti ike me ata sy të rënduar,

andej nga pasqyrohesin në lisin plak,

ca rreze dielli,mbytur nga zërat e shiut.

Le një derë mbështjellë me çarçafë dhëndërrie,

derën e hapur...Të shikoje ëndrrat,

shkundur nga plogështia,

duke nënëshkruar fjalën e fundit:

''Jetova në një botë pa dashuri''.

 

 

BURIMI I HUMBUR

 

Dritat e natës,

ndriçojnë eshtrat e fisit tim,

testamentet e varreve.

 

Heshtje...

Rënkon braktisja,

në palcën e qirinjve.

 

Unë ndez një cigare.

Tymi mbështillet rreth meje

dhe ngroh flijimin e ikonave.

 

 

JAVA E KRYQËZIMIT

 

Ishte java e madhe e Pashkëve.

Kambanat lëshonin litarin nga fyti

e binin papushim duke u cfilitur.

Luteshin njerzit.

Një qiparis i pikëlluar,

përkulte krahët e lutej para qiejve.

 

Ishte e hënë ajo ditë.

Dola në rrugë të martën.

Po ata njerëz,po ajo dhimbje,

qiparisi është përkulur më tepër.

Të mërkurën,

të enjten,radhët kryqëzoheshin,

skeletet e maleve vinin rrotull

e mbrëmja të ngecte në sy.

 

E premte.

Sqetullat e kambanës filluan

të gjakoseshin nga dhimbja e ditëve.

Mbi tempull qiparisi si kurorë vdekjeje,

rrethuar me lule.

Sa andej-këtej në udhëkryqe,

kryqe e njerëz përloteshin para epitafit.

Gjumi u ishte vrarë të gjithëve.

 

E shtunë.

Në kulmin e mesnatës,

udhëkryqet prisnin kryqet,

në heshtje.

U dëgjua një e rënë e fortë e kambanës.

Në dritën e zbehtë të qirinjve,

Krishti i ringjallur shtrin duart.

 

Në tempullin e kambanës,

zgjohej e përgjumur një flutur.

 

 

XHELOZI

 

Në një gërshetëz uji,

ti arratiseshe këmbëzbathur,

...si pulëbardhë.

 

Përreth shkëmbinjtë mbanin vesh...

 

 

RRËKEJA DHE TRISHTIMI

 

Hapësira zhvishet mes shtresave gjeografike.,

kur pikturat e ditës,

ngecen në motive shpresash.

Burimi mbledh një ëndërr qiellore,

në pyll, ku është një urë prej guri.

Aty rritet bari në dhimbjen e mohimit të errët,

aty konfiguron një pemë si një ishull i blertë,

aty është një statujë prej guri,

që pret lajmin e reve,

aty asnjë rrugë nuk i sjell udhëtarët,

aty një gjarpëri i zhvishet lëkura nga vetmia,

aty rrjedh gjaku drejt një gryke...

 

Rrëkeja çurkon me trishtim,

zallin e etur prej thatësirës.

 

 

ËNDRRAT E MIA

 

Çdo mëngjez iki herët.

Si i çmendur.

Pa hedhur një pikë parfumi të trishtë.

Kujt t'ia them të vërtetën ?

Vetëm këmisha e bardhë e mureve,

mban fshehur ëndrrat e mia.

 

 

PERËNDIMI NUK PREKET

 

Mbasditja përskuqi horizontin.

Përplasi nëpër mjegull,

ngjyrën e diellit,

duke e hedhur në degë qershie.

Më mungon shushurima e çurgës,

hijes që dridhet.

 

Perëndimi fillon e përthyhet.

Urat e mbrëmjes,

më mbështeten mbi sy.

Perëndimi si trishtimi,

që është heshtja ime,

si një mal i qetë,

që nuk e prek dot.

 

 

FLETORET E MIA

 

Kridhet kaltërsia e qiellit,

kur lidh me nyje gjaku,

fletët e shkëputura të fletoreve të mia.

Digjet si një kometë,

muzgu i shpirtit dhe dallgëzon kraharori,

kur mes tyre zgjohen kujtimet,

në atë shtëpi të gurtë,

që as dielli,as hëna,

nuk futen dot brenda.

 

Mirazhe fantastikë përplasen nëpër mure,

në çdo fletë fshihet një copëz jete,

pika e vesës,dalë nga sytë e mi,

vjershat e para përbri poemës së Homerit,

ushtrimet e matematikës përbri Pitagorës,

kristali i fjalëve përbri vargjeve të Shekspirit,

degët e pemëve si krahët e zogjve.

 

Fletoret e mia,forca dhe liria,

në hapësira ku mërmërijnë burimet.

 

 

QAN NJË VAJZË NËPËR SHKËMBINJ

 

Bie shi.

Pulëbardhat i mungojnë detit.

Shpirti im fillon e loton.

Befas gjëmon deti,

vrrullon era,

thellë mes leshterikëve,

përkundej një kostum dhëndërrie.

 

Në breg,nëpër shkëmbinj,

qante një vajzë.

 

Me fustanin e nusërisë në duar.

 

 

PËRMETI

 

Atje në Përmet,

dritat vezullojnë,

buzë këmbës së urës së bukur,të virgjër.

Hija e qytetit kridhet nëpër mjegulla

e mitra e Vjosës rënkon nëpër shkëmbinj.

Dëfrejnë zogjtë dhe lulet,

me çuditë dhe magjitë e natës,

nën jastëk shkëmbinjsh tek Guri i Qytetit,

shtojzovallet në furtuna erërash,

mbajnë peng hënën dhe yjet e rënë,

në puthjen diellore të mëngjezit.

Sytë e Vjosës shkëlqejnë vegimthi,

mes shkëmbinjsh, në krahët e trishtë,

kur prehen pak çaste zogjtë e lodhur,

mbi gdhendjet e daltës së Odise Paskalit.

Vajzat,butë,si sorkadhe haplehta,

me një varg të Naimit në buzë,

shkojnë buzëburimeve të Dhëmbelit,

aty ku vaji i kabasë së Laver Bariut,

përpëlitet në sytë e tyre.

 

 

VËLLAIT TIM, FREDIT

 

Ngjesh hirin e cigareve,

dhimbje e hidhërime...

 

Nuk do të shihemi më ?

 

Në negativin e një filmi,

flenë kujtimet tona në trojet e heshtjes.

 

 

NJË NATË GUSHTI

 

Ishte fund gushti.

Natë-yje.

Era lëvrinte kopshteve,

parqeve,rrugëve dhe buzë liqenit.

Unë s'isha i vetëm nën makthin e natës,

kur në jastëqet e shkëmbinjve zhvisheshin dallgët.

Një violinist ishte rrethuar nga zogjtë,

një zanë në ishullin e vogël,

padronia e ëndrrave të mia.

 

 

PENTAGRAM DASHURIE

 

Notojmë të dy në një vaskë uji.

Mbi faqet e porcelanit,

mbështet gjinjtë e tu,

aty ku fle paqja dhe dashuria ime.

Përkëdhel buzët e mia,

me mëndafshin e trupit tënd.

Sirenat që formojnë dallgët,

zgjojnë ëndrrat në brigje dashurie.

 

 

LINDËS SIME

 

Vrapon drejt një mëngjezi,

që e kishim harruar.

Lulet në ballkon,

sjellin ujin dhe detin,

gjurmëve të erës.

 

Sytë e tu,

si prushi i stinëve.

 

Jashtë,një kokërr shegë,

çahej mbi një ftua.

 

 

PSHERËTININ FUSHAT

 

Kujtesa la gjurmë,

në kupolën e qiellit,

la gjurmë si gurët vullkanikë,

në një ishull mendimi.

 

Shiu filloi të dridhej nga ndriçimi,

në takim me enigmat e natyrës.

Më tej liqeni thinjej në mjegulla,

fushat psherëtinin.

 

Mbi çarçaf shuhej drita,

gjunjëzohej nata.

 

 

NË AGIMIN E NJË DITE

 

U ngjethën kambanat,

kur nga gjoksi i shqyer i qiellit,

terri dhe dita,heshtja dhe dhimbja,

shterruan burimet e ëmbla të maleve.

Era gufonte si vela anijesh të humbura,

dielli përtonte të dilte,

në imazhin e harkut të ditës.

Ngrihej si balonë në qiell vetmia.

Vizatimet qiellore,si art i dhimbjes,

shtrirë si një plazh estetik,

kishin rrëmbyer pasqyrimin e yjeve,

me një hënë të vjedhur ndër dhëmbë.

Zogjtë dridheshin nën këmishën e puthjeve,

pemët,shkurret,lulet,etjen dhe frikën,

e strukën nën rrënjë.

Lumi ndërroi shtratin dhe veshi velin e reve.

 

 

DUKE PËRQAFUAR REFLEKTIMIN E HËNËS

 

-Poetit kinez Li Po-

 

Ishte natë,

një natë gjithë yje dhe hënë.

Arusha e Vogël vraponte,

Arusha e Madhe tundte kokën,

duke ndriçuar rrugët e qiellit.

Vendosi të përfundonte poemën e dashurisë,

mori një fletore dhe një shishe uiski,

vetëm kështu,pra,i dehur,

u frymëzua dhe shkroi vargje poetikë,

gjithë befasime dhe fantazi.

Vendosi të pinte pranë një lumi,

me shtrat të gjerë.

Varkën plot alga dhe ndryshk,

e shtynte rrjedha e lumit.

 

Arriti në vargun e fundit të poemës.

Në mesnatë hëna luante me valët.

U hodh në lumë,

për të përqafuar reflektimin e hënës...

 

U mbyt poeti Li Po.

 

 

KËMBËSORËT E SHPIRTIT

 

Skelat e reve i ngjita mes shiut,

për të transportuar dhimbjen,

që vizatonin muret e ikjes.

 

Braktisëm më tej,o Zot !

Në atë hapësirë plot dritë,

e qesh si vesa e mëngjezit,

në barin e njomë.

 

Këmbësorët e shpirtit tim.

Shtrihem i heshtur si guri,

që moti të thahet mbi buzët e ëndrrës sime,

për të më sjellë pas,

një tingull që vite s'e dëgjoja.

 

Në rrugën e gjatë,këmbësorët

shndërrohen në engjëj,

aty pranë qiellit lëshohen qepallat

e lotit,që derdhej në rërë.

 

 

TRISHTIM

 

Unë dhe Ti,

banojmë në këtë qytet me shira,

në të njëjtën re

dhe reja është qielli ynë i paqëm,

që mbulon mëngjesin.

Tërheqim ngadalë,

devenë me gungë të trishtimit tonë.

Nëpër rrugë,

xhamat me avull të kafeneve,

janë sytë tanë të veshur.

Në autobuz apo salla kinemash,

takojmë sy të tjerë.

Devetë e urta,

që nata i nxjerr nga kujtesa e natyrës,

për të renditur yjet,korierë të bardhë.

 

Ne u rritëm në këtë qytet.

Muzgu si sezonet e modës,

s'përfillet nga devetë e trishtimit.

 

 

PASQYRA

 

Djersitet prej avullit pasqyra

dhe refleksi i saj përgjumet.

Heshtja bie përsëri.

Tunden kurorat e syrit të ujtë,

me copëzime të kristaltë.

 

Në çast ndizet një dritë

dhe refleksi i pasqyrës zgjohet,

nga ëndrra nën kurorën ujore.

Dy trupa humbasin,

në detin e largët të reflektimit.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •