Dashnor Selimi: Lirikat e Anëvjosës (II)
| Saturday, 03.12.2011, 11:58 AM |  

DASHNOR SELIMI

 

LIRIKAT E ANËVJOSËS

 

 

PËRQAFIM DHE DHIMBJE

 

Kam ardhur pranë teje,

Goricë !

Më ke mbërthyer shpirtin,

qerpikët e gurtë lotojnë,

kur mbi shpinë,

shikon një torbë mërgimtari.

Janë zhveshur pemët.

Një trëndafil,një zambak,

bien të flenë.

Shtëllungat e reve vijnë e tjerrin,

hardhitë nëpër lisa...

Si fushat lehona,

magjia e kroit,

ndjell sorkadhet e lëndinave.

 

Dashuria që lashë pas,

tani përqafon dhimbjen time.

 

 

BUSTET

 

Bustet shikojnë ëndrra,

nën hijet e mbrëmes,

kur vesa i zbut nga makthi i natës.

 

Një bust qyshkur i ngritur,

si varr i harruar,

në të përhumbet dimri.

 

Një drer i çmendur,

godet epokat e metalta,

në atë mjegull çudie.

 

 

BOTË

 

Në terr,

fëshfërima rënqethëse dhe ankth.

Flokët e saj,

me vajtje-ardhjet e hënës ngatërrohen,

në bukurinë misterioze të natës.

Yjet,si spektatorë vështrojnë,

me dritëzat e tyre,

si në alfabetin Mors.

Në intimitetin e saj,

e madhërishmja,fuqiplota,Nata sundon...

 

 

QIELLI DHE KAMBANAT E YJEVE

 

Qielli ishte djersitur në pragmuzg,

përrallat e pathëna arratiseshin,

nën hënën që buzëqeshte,

duke i mbuluar ngjyrat e natës,

me një tërfil të artë.

Brenda pasqyrave të thëngjijta,

dëgjohej kambana e yjeve,

në lotët e fjetur të një legjende.

 

 

PUTHJA JONË

 

Kur jeta më puthi për herë të parë,

s'dija ç'ishte puthja.

Qava,

klitha,

u tremba...

As vetë s'e kuptova se ç'bëra.

Se nuk shihnim dot më tej,

ngjyrën e grurit të pjekur.

Bebëzat e syrit,aty ku kishte hedhur,

themelet,pragu i shtëpisë.

 

S'e shijova dot puthjen e parë,

vështrova në mëngjes herët diellin,

vështrova hënën si lule mimoze,

e asaj mbrëmjeje.

 

Rrëmbeva puthjen e dytë,

por imazhi i saj,

nxitonte në një botë vegimesh.

E pyeta,por përgjigje nuk mora.

 

Rrëshqiti si rreze dielli

dhe puthja e dytë.

Po ç'të jetë puthja e tretë ?

 

Tani,kur puth,

lë lot mbi buzë...

 

 

MALI I SHENJTË

 

( Ajios Oros )

 

Në Malin e Shenjtë,

koha rrjedh pa nxitim,

nën timbrin

e këngës së Bizantit.

 

Shekujt kthejnë kujtimet,

që rrëfehen në këtë emblemë,

mes dritës së lotëve të dyllit.

 

 

E VËRTETA IME

 

Lulet me besnikëri virtuoze i dua shumë,

edhe kur sytë e mi m'i mbyllin me gjethe arre,

që të kujtojnë ditën e kungimit,

të të vdekurve në kishë.

 

Pemët,kur fryjnë erërat e vjeshtës,

janë si klithmat e pëllumbit të egër,

gjethe të verdha-hulumtim i stinës.

Ato dhe diellin doja t'i hidhja në det.

 

 

UNË MBETA NJË PELEGRIN

 

Akulli i fundit i thyen rrezet,

unë mbeta një pelegrin,

në kishën e shtatë martirëve.

 

 

SIMETRI DHIMBJEJE

 

Në agoninë e kohës,

më ka mbirë një lot,

ngjyrë qielli.

 

Syrit më janë zbardhur qerpikët.

 

 

KTHINAVE TË MBRËMJES

 

Ftohtë !

Një piano me krahë të mbërthyer,

në shtegun e rrezeve.

Kthinave të mbrëmjes,

mushkëritë e mia mbushen me hënën,

që s'e panë kurrë.

 

 

NDËRRIMI I STINËVE

 

Dimri uturin kërcënueshëm,

i bardhë,i ngrirë,

gjunjëzuar mbi çarçafët

e kristaltë të dëborës.

 

Pranvera pret agimin e stinës,

për të ngjyrosur thonjtë e saj melankolikë,

për të gërvishur,

qiellin e rënduar,

si një trumbozë gjaku.

Pranvera,stampuar në peizazhe,

të shkëlqimta,të largëta,

pret me padurim,

të gozhdojë në sirtarë të vjetër,

dimrin me thinjat e mbrapshme.

 

Në qiell kumbojnë kambanat

dhe ndizen yjet në ndërrimin e stinëve.

 

 

ÇAST ËNDËRRUES

 

Mbrëmja është e ftohtë.

Rrugët më çojnë në fundin e natës,

si gurët e lashtë në perëndim.

Butësisht lë pas,

botën e përflakur.

 

Hëna ndriçon dhe ikën,

me kokë të varur mbi gjoks.

 

 

NJË NATË

 

Natë,

xixëllonja.

Gurit të thyer,

shelgjet përreth kuvendojnë

me erën.

 

Stërkalat e holla të shiut,

nuk i fshehin dot peizazhet

hieroglife,intime.

 

 

LUTJET E PËRCJELLJES

 

Lulet përgjatë shkallëve të shtëpisë,

me pak aromë,me pak petale,

plot gjemba e barëra të egër mbuluar...

 

S'ka kush t'i ujitë.

I mora me lotët e përcjelljes,

në funeralin e nënës sime.

 

 

HIJET

 

Nata zbehet.

Zhduken yjet.

Ti si dielli ndriçon.

Dora jote,këtu pranë times.

Përzgjatet hija,

era lëviz gjethet e pemëve të përgjumura.

 

Dashuria shtrin degët,

ndjej trupin të më zhytet në hije.

 

 

VJOSA

 

Burimet e fshehta të Vjosës,

zgjaten si një fije e hollë,

përmes Pindeve eshtërthyer.

Mes psherëtimash të kaltra,

qielli zgjohet në përplasje dallgësh,

derisa prehet në deltën e Vlorës.

 

Unë i ndjek gjeografikisht,

me hapa të ngadaltë.

Nuk dua të më humbasë nga sytë.

E ndala për pak çaste në Përmet,

por mitra e saj rënkonte nëpër shkëmbinj.

 

 

NJË MËNGJEZ PRILLI

 

Prilli tështiti,

kur trokthi i kalit një mëngjes,

la gjurmët e tij në asfaltin e lagur.

Ujrat e lumit filluan të zgjoheshin,

të trembura nga pasqyra të fshehta,

shkëmbinjve gjysmë të lagur,

mbështjellë me fije fantazmash skeletike.

 

 

ANTITEZË

 

Rrënjët e pemëve përdridhen,

faqeve të shkëmbit,

të vjedhin një pikë shiu.

Gjethet shtrihen drejt horizontit,

të shuajnë etjen,

me vesën e një mëngjesi.

 

 

DUART E NËNËS

 

Për një çast m'u kujtuan,

duart e nënës sime.

Kujtimet tingëllonin rëndë,

deri tek rrënjët e luleve.

Tek ajo shtëpi,që më shfaqet hija e saj,

mes rrëkeve të lotëve.

 

Duart e nënës...

E vetmja pemë që mbahet në këmbë.

Kujtimet dhe ëndrrat e mia,

i shkërmoq në mokrrat e gurta,

mbuluar me cergat e trasha,

deri tek frëngjitë e hajatit dritëmekur.

 

 

KRONIKË

 

Hijet filluan të zhvisheshin,

para një pishe që nusëronte.

Degët zgjatnin duart me halat e gjelbërta,

për të hapur shtegun e dritës.

Pika-pika ditirambet e shiut,

lagnin buzët e gjetheve,

nga dhimbja e prushtë.

Lulet,fshehur nëpër ferra,

kërcenin valsin e mbrëmjes.

 

 

SHËTITJA E ËNDRRAVE

 

Vesa kish rënë,

mbi heshtat e barit të njomë.

Lulet dukeshin,

sikur kishin larë sytë në mëngjes,

me ujin e ftohtë,

nga Sena,buzë Eifelit.

Akoma dritat marramendëse të Parisit,

si pasqyrat, shëtisnin në lumë.

Donin t'i zinte gjumi ëmbëlsisht,

në freskinë e flladit.

 

Ato shëtisnin...buzë Eifelit.

 

 

POEZIA MË MBAN MËRI

 

...Sepse e kam braktisur.

Tashmë më mbulojnë gjetheputhjet,

si flatra zgalemi.

Thellë, në rrënqethje ajri,

pikëllohet hëna,

mbi puplat larushe të yjve,

që flenë si princi i heshtur,

në qiellin e larë.

 

 

INTIMITET

 

Makthet e natës,

si lavdia e shekujve

fshihen pas perdeve,

aty ku ngrihet errësira,

aty ku epshet e brishtë,

lëvizin grilat.

 

Në dy dritare të dy do të rrimë,

ti,si Hëna,nuk shkulesh,

veshur me këmishë ngjyrëfloriri...

Brenda saj fshihej virgjëria.

 

 

NJË METEORË DHIMBJE

 

Mbi vendlindje,

në qiellin me guna të zeza resh,

engjëjt flinin me kokën mbështetur,

mbi një lutje.

 

 

TRISHTIM PAS SHIUT

 

Sapo ka pushuar shiu,

një mbasdite vjeshte.

Lulëzon jasemini,

era e detit qetëson nëpër stolat e parqeve,

të dashuruarit.

 

Para shtëpisë sime,

në një cep të parkut,

dielli përkëdhel ngadalë,

gjethet e saporëna.

 

 

NJË MBRËMJE

 

Një mbrëmje dritat e makinave,

verbuan lulet në dritaren time

dhe u kthyen në statuja,

që u morën sytë.

 

Hëna sa vjen e më tepër zbehet.

 

 

U LARGOVE SI HËNA

 

Ti ike,

përmes pikëllimit.

Një fije floku mora në dorë,

për të mos e harruar kujtesën,

sepse unë i di shtigjet dhe rrugët,

ku fryn veç erë vendlindjeje.

 

Mos u fsheh pas një rruge,

po përtej gadishullit tonë,

ose më mirë fshihu mbi ngjyrat e mia,

që nuk treten nga stinët e lodhura.

 

Ti ike,

sa hëna, që të të shoh.

 

 

THIRRJA E VELËS SË BARDHË

 

Kur ti u zhveshe,

një natë,

një velë e bardhë anieje,

thirri nga kaltërsia:

Plasa nga pikëllimi,

që s'jam aty pranë...

 

 

BREDHI DHE DËSHIRAT

 

Bredhi është pema,

që stoliset në ditën e Vitit të Ri.

U nisëm të katërt për ta zgjedhur në pyll.

E sollëm viganin magjistar,

në ballkonin e madh.

Në degët e tij lidhëm dëshirat,

me letra të shndritëshme,shumëngjyrëshe.

Unë dhe Linda në heshtje,

Xhoni dhe Fredi kanë radhë të gjatë.

       *   *   *

Në ballkon vështrojmë yjet

e natës së Vitit të Ri.

 

Arusha e Madhe tund kokën,

e Vogla më tej hap sytë.

Era gris qiellin e natës

e njerëz nën bredha,

përqafohen me Horoskopin e ri.

 

 

LIBRI DHE DASMA

 

U mbështeta në dritare.

Nisa të lexoja librin,

me mesazhet e vendlindjes.

Mbi kryqëzimin e fjalëve,

zjarre të ndezur në kornizën e pritjes.

 

Era filloi të shtynte retë.

Unë strehoja në tempullin tim,

këngët përmetare,

që vinin nga një dasmë emigrantësh.

 

 

FOTOGRAFIA

 

Ajo ishte aty.

në atë mur me vite të tëra,

me një shikim keqardhës,

mbuluar nga pluhuri i yjeve,

rrethuar nga drurët e shkretëtirës.

E lodhur nga vitet,nga këngët,

nga lotët e dhimbjes.

 

Ajo ishte aty,

në atë mur,

me vite të tëra.

Herë shkundte nga sytë,

fantazmat e fshehura,

mblidhte rreth vetes atë mall,

herë urrente atë ditë largimi.

Largimi...

psherëtinte në zemër,

brenda atij arti të kornizës.

 

 

RIMA ME NJË ZOG

 

Një degë prej palme fëshfërinte.

Era filloi të transformonte retë.

Në ujë shtrihej hieja e shelgut

dhe mbi gjilpërat e barit qëndronte vesa.

 

Pylli përgjonte ofshamat e pranverës,

mardhur nga dimri.

Ishin futur në një stinë të re.

Rima e një poezie,

u bë degë peme për një zog.

 

 

ÇAST

 

Peshqit vodhën një copë qiell,

i morën rrjedhën lumit.

Rrënjët e thella të atij mëngjezi,

kalojnë thellësive të shpirtit,

gjithë trishtim dhe ankth.

 

Ajo copëz qielli,

ajo rrjedhë lumi,

ndriçon në sytë e peshqve.

 

Sa më mungon ky çast.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •