Dashnor Selimi: Lirikat e Anëvjosës (III)
| Saturday, 03.12.2011, 11:57 AM |  

DASHNOR SELIMI

 

LIRIKAT E ANËVJOSËS

 

 

ERDHA TË TË ZGJOJ NGA JË ËNDËRR

 

-Vëllait tim,Fredit-

 

Ti ike,

ike pa thënë një fjalë.

Atëhere kur u takuam në HESHTJE

dhe valët e detit në Kretë,

dridheshin prej ngashërimit.

Lëndinat e reve,

copëtonin petalet e shiut,

zogjtë,të trembur,

shkundnin lule mbi arkivolin tënd.

 

Unë po vij,

po vij këto ditë gushti,

për t'u takuar në HESHTJE.

Pasqyra e mermertë vishet nga lotët.

-Erdhe,-më the,-vëlla ?

-Erdha të të zgjoj nga një ëndërr,

për të mos u ndarë kurrë...

 

 

NJË MËNGJEZ

 

Një mëngjes pranvere binte shi,

qielli gjithë shtëllunga resh.

Mes shtrëngatave,në errësirën tinzare,

godita heshtjen,

për të gjetur fatin dhe shpresën.

Zgjatën duart vetëtimat,

të shuanin etjen,

të digjnin ëndrrat.

Atë mëngjes,

stina palosej në fletët e herbariumit,

zhvishej dhimbja brenda dhuntimit të zjarrit.

Mbi to binte një pikë loti.

 

 

NË DUART E FËMIJËS

 

Natë e bardhë.

Natë me qiell pa ëndërr.

Pemët ranë në gjumë,

nën shtatoret e hardhive,

binin lotët.

Një fëmijë po qante.

Hëna u thërriste yjeve...

 

Filloi të binte nata.

Në një kështjellë prej rëre,

princi rrëmbeu neraidën.

 

Bukuria dhe loti,

në duart e fëmijës.

 

 

TRETEN KUJTIMET

 

Loti i pranverës,

ra mbi avujt e burimit,

u kthye në lot ikonash.

 

Shpirti im,

bridhte si një yll,gjithë natën.

 

Klithi ndaj të gdhirë,

një shpend i lirë.

Pas një plisi,

treteshin kujtimet e fëmijërisë.

 

 

MËSUESJA DHE FËMIJTË

 

Dërrasa pas shpatullave të mësueses,

është e zezë.

Fëmijtë e zbehtë nuk pipëtijnë.

Mësuesja e heshtur,

vështron dërrasën sa një qiell.

 

Fëmijtë kafshojnë lapsat me dhëmbë

dhe ëndërrojnë fusha me luleshtrydhe.

 

 

ZGJIMI I ËNDRRAVE

 

Tymi i zjarreve të fëmijërisë,

lëviz gurët në kujtesën time.

 

Kambana e rëndë,e fjetur,

zgjon ëndrrat e mia.

 

 

ERA

 

Netë të bardha.

Përqafoj retë dhe yjet,

ndërsa era fillon të shtrydhë,

mbi gjoksin tim,

pafundësinë e botës

 

 

KREHRI DHE DETI

 

Tërhoqa shtratin në mesnatë.

Ti notoje në detin e poezive të mia.

Veshe metaforat për t'u nisur.

Në brigjet e kripura,

harrove krehrin tënd,

si një midhje e tharë.

Tërhoqe detin

dhe ngeci në breg,atje ku ishe ti.

 

 

KTHIM I DHIMBSHËM

 

Gardhet me gëlqere,

çahen nga dielli në mesditë.

Përbri shtrihen ëndrrat e fëmijërisë,

që bluhen në mokrrat e gurta,

tirren si fije e hollë në një furkë...

 

Kthehem si hije mortore,

në oborrin e shtëpisë,

pa pjergulla,pa dallëndyshe,pa lule,

dielli pret rrënjët e pemëve.

Në ca thasë të linjtë shoh librat e mi,

me shkronja jetime.

Lotët më bien vetvetiu...

 

 

FATI DHE SHPRESA

 

Fatin dhe shpresën,

kërkoja në një masë tymi,

në çastin kur meteorët,

binin nga qielli,

në vdekjen e papritur,

të yllit të mëngjesit.

 

Vite e vite kalova,

nëpër rrugët ku shkelte drita,

nën hirin dhe tymin,

brenda një tavlle cigaresh.

 

 

NË KUFIRIN E BRAKTISJES

 

Kur zbardhim fletët e natës,

qiellin kemi veshje.

Në lutje,

një mister sublim.

Nga gishtat tanë të qirinjtë,

lëshojmë një buqetë me lule në qiell,

si një balonë që shpërndan lumturinë.

 

Një zog në ballkon,

puth fjalë-poezitë,

për të hyrë në thellësinë e një dialogu,

mes dy zemrave të bëra një.

 

 

MALLI IM

 

Ah,moj zemër !

Zemër e brishtë si pëllumbi.

Psherëtimë e ndrydhur,

mbetet malli im.

 

 

MEDITIM

 

Ikën mendimet prej reve,

kur këputa copat e yjeve,

mes klithmave të mëngjesit.

 

Me dritën e hënës lidha yjet

dhe mes hojeve të shpirtit,

ciflosej imazhi i fjalës së pagjetur.

 

 

KUR LINDIN MENDIMET

 

Mëngjesit,

mendimet më lindin me pranga,

nga netët torturuese,

me ëndrrat përbindëshe.

 

Do të laj buzë e sy,

me buzëqeshje,

me valë tingujsh,

që përthyhen ajrit të ftohtë,

atëhere, kur natës,

do t'i mungojnë puthjet fluide.

 

Një pasqyrë hëne,

reflekton vizionin tim stoik.

I ndritshëm dhe i brishtë...

 

Poshtë syve,

një qiell i zi,i ngrirë,

indifernet.

 

 

POHIMI I TË KUNDËRTËS

 

Shtizat e akullta të strehëve qanin...

Drita e zbehtë e hënës së dimrit,

i bëri të heshtin.

 

Gështenja përballë dritares,

brenda një nate shpërtheu në lule.

 

 

ËNDRRAT THYHEN NË MES TË DETIT

 

Deti ishte tërbuar atë natë.

Filloi të fshihte anijet në port

dhe varkat me kupi të shqyera,

ulën velat mbi errësirën e ujit.

Rruga ishte e gjatë...

Në rrugët e heshtura nëndetare,

konturojnë vullkanet,

aty ku gjaku refuzon mpiksjen.

 

Rrotullohet një hinkë uji,

në mes të saj lëvizin trupat e pajetë.

Një pishtar rri ende ndezur mbi varkë

dhe flaka e zbehtë gërrmon valixhen e humbur.

Pulëbardhat hëngrën sytë,

për të çarë errësirën,

ndërsa lavrakët e troftat,

zhvishnin kockat nga këmisha e tyre.

 

Një rjetë peshkatari,

raskapitur nga trishtimi,

nën dritën e agimit reflekton një letër,

larë me pika loti

dhe shkronjat përthyer nga ëndrra.

 

Në fund të detit furtunë,

vallëzime të çuditshme...

Ha kockat e mbetura,bërë gur

dhe thyen protezën,

në bregun që s'bën më shkumë.

 

 

NË GORICËN TIME

 

U ul dielli të më puthte,

me prushin e tij

dhe hiri i hënës,

trishtohej buzë vatrës.

Mbështjellë kujtimet mes gurëve të oxhakut,

lanin me vesë këngën e burimeve.

 

Në atë pllajë me gurë,

baltë të kuqe dhe lëndina,

pikëzat e lotit më bien,

në akuriumin gjigand-Goricë.

 

U ula të puthja,

makinat e drunjta,

lodrat e fëminisë sime

dhe dritat korale me ngjyrën e zogjve,

sillnin nga qielli dritën e yjve,

kur nata mbyllte grilat

dhe përgjonte përvëlimin e mallit.

 

U ula të puthja mëngjesin,

kur era dhe pemët luanin së bashku

dhe lulet që qanin dhe thërrmoheshin petalet,

atje ku të deh aroma e çajit të tharë,

hardhitë ngashërejnë nëpër lisa...

 

U ula në ballkonin,

që më pasqyron Trebeshina.

Dëgjohej gërhima e pëllumbave

dhe copëza fjalësh drithëronin shpirtin.

 

 

ALFABETI I DHIMBJES

 

Hëna kishte mbetur e bardhë,

sy i hutuar,

i ngrirë,

hapësirës qiellore.

Sodisja nga lart dhimbjen e plagosur,

dhimbjen lehonë...

 

Pak frymë,

pak dritë qiriri,

të shkruaj alfabetin e dhimbjes.

 

Hënë !

Je hyjnesha e perandorisë sime ajrore,

të putha ethshëm buzët e etura,

me vesën e trëndafiltë,

të buzëve të mia.

 

Gozhduar rri në dritare.

Sytë e një maceje të zezë,

më përgjonin nëpër terr.

 

 

BUKURIA DRIDHEJ NËN ÇARÇAF

 

Sonte jam i vetëm...

Sa do të doja të vije në shtratin tim,

të bardhë,të bërë akull.

Ti më mungon,

më mungon drita,zjarri.

Nëpër pasqyrat e mureve,

përplasen vizatimet,

hijet e ftohta.

 

Ti erdhe...

Me ata gishta të butë,

më lëmove lëkurën time.

 

Bukuria dridhej nën çarçaf.

 

 

NJË ASPEKT

 

Noton mbi lagështi,

shtëpia ime,

muret të lagështa,

shpirti i lagësht,

me lagështi veshin zemrën time,

mbuluar me rjetë merimangash.

 

Një akrep përdridhet,

kërkon të fshihet,

mbi një gur të djersitur.

Shtëpia ime me myk të jeshiltë.

 

Më mbyllen sytë e rënduar,

nga qerpikët pikon ftohtësirë.

 

 

SHKALLËT

 

Mes dritëhijeve të viteve,

ecte një i moshuar nëpër shkallë.

Psherëtinin dhimbje shkallët e zbritjes,

shkallët që e shpinin drejt përgjumjes së përjetshme...

 

Shpresa e së nesërmes,

vizatohej nëpër duart që i dridheshin,

në bastunin qafëpërthyer të thanës,

në bastunin e lutjeve ndaj perëndive.

 

 

NË SHTEGUN E PANJOHUR

 

Zëri i trembur,

si gur i flakur mbi bar,

shpërfillës ndaj stinëve,

thyen rrezet e nxehta të verës.

Kap një dorë qiell,

aty,ku nën kubenë e tij,

rri varur një kambanë,

aty ku edhe flakët e rrufeve,

fshikin ëndrrat.

 

Në një shteg të panjohur,

takoj engjëjt,

me flatra dhe dhëmbë...

 

 

NJË MBRËMJE PRANVERE

 

Ishte pranverë...

Mbrëmja shuhej

në atmosferë ngjyrash.

Një furtunë ngjyre,

ndiqte pyllin e dendur,

të kapronjve të yjeve.

 

Vij rrotull,

me të shpejtë drejt qiellit,

mbi korniza malesh,

mbi thepisje kreshtash,

mbi peizazhe të këndëshme ngjyrash.

 

Mbi përkundjen e syve të mi,

ra nata.

 

 

DJE ZBULOVA NJË RRUGË

 

Përthyhej perëndimi

dhe shiu shkruante mbi buzët e ftohta,

të monumentit të heshtjes,

monologun e vajtimit.

 

Bukuria jote,

fshehur pas rrezeve të diellit,

kërkonte rrugën e shpëtimit

nëpër ag.

 

Ah ! Dje,

zbulova një rrugë,

të cilën,

thjesht hapat e saj,

ma zhvendosën në zemër.

 

 

DIKUSH PRET NË PORT

 

Deti filloi të tkurrë tjegullat e blunjta verbuese,

mbi yllnajën e diellit.

Sytë rrafshojnë dhe heqin,

''maskën'' e perëndimit.

Dritaret e hapura,

në ato shtëpi përdhese,

bëhen gati të mashtrojnë hënën,

nën shikimin hyjnor.

 

Zëri i kthjellët i dallgëve,

si akord i një pianoje,

zhyt detin në verbëri.

Një parmendë e thyer,

prek plisin e vjetër,

me drita dhe eshtra.

 

Dikush pret në port.

Një valixhe,

me fustanin e bardhë të nusërisë,

kthen sytë nga deti.

 

 

SYRI YT NË PRANVERË

 

-Lindës sime-

 

Kërkova sytë e tu në Qiell,

por as deti aromëmirë i luleve,

as fjala ime nuk goditi dot,

arkitekturën e heshtjes.

 

Unë mbeta me një tufë lulesh në duar,

mes tyre...

 

 

FËMIJA DHE FLUTURAT

 

Një fëmijë,duke ndjekur fluturat,

u gjend nën rrotat e një makine.

 

Në rrugë fryn erë.

Pas rrezeve të diellit,

fluturat luajnë në sy fëmije.

Pasqyrat e pallateve,

godasin fytyrën tënde,

me flakë rrufeje.

 

Ti vrapon.

Ti luan e qesh,

mbi krahë fluture.

 

Kujt t'i flasim tani,

për të blertën e trishtë që të mbulon,

tek ky pyll i dendur mermerësh ?

 

 

DRITA MBULON DASHURINË TIME

 

Gjethet e ullirit,

presin ballkonin e thyer të ditës.

Fryma që ngjitet nën një bluzë,

mori ngjyrën blu perandorake.

Tragjedia,

si në apologjinë e fundit të Sokratit,

zhytur në krahë vetëtimash.

 

Mblidhet nën çarçafët e bardhë të reve,

drita që mbulon dashurinë time.

 

 

MISTER

 

Një vajzë zhvishej.

Hija e saj dehej mbi trupin tim.

 

Si peizazhe të ndezura,

në perëndim.

 

 

UDHËT E KALTRA

 

Në udhët e kaltra të qiellit,

ndez qirinjtë e stinës.

 

Dhimbja e largët shkund mbi bar,

bulëzat e vesës.

 

 

PËRJETËSIA E NJË ÇASTI

 

S' është e vërtetë,se kur bie nata,

në pëllëmbën e agut tënd,

nuk këndon zogu i dashurisë sime.

--



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •