Dashnor Selimi: Përballë njëri-tjetrit
| Friday, 03.11.2011, 08:02 PM |  

PËRBALLË  NJERI-TJETRIT

 

Tregim  nga  DASHNOR  SELIMI

 

Ç'mëngjez i bukur ! Dielli kishte hedhur gjithandej rrezet e ngrohta,ndërsa në qiellin e pastër një

çarçaf rresh kishte qëndruar i palëvizshëm në malin përballë.Ishte me të vërtetë një gjë e rrallë,

fantastike ! Të gjitha përreth,kishin një të veçantë atë mëngjez,bukurinë.Kjo e bëri Albanin të

buzëqeshte më ëmbël.Akoma edhe shtëpia përdhese,bajamja përballë, e zhgënjyer nga temperaturat

e larta të marsit dhe qeni,që sillej rrotull oborrit me këmbët e shtrembëra dhe kokën e madhe,që

lehte në orët më të papërshtatshme.Nuk e shqetësonin as boritë e makinave,zërat e çjerrë të

shitëses së fruta-perimeve,as zhurma therrëse e disa motorëve,që kishin disa bashkëmoshatarë të tij.

Si mund të mos jenë të gjitha këto të veçanta !Edhe sot,ashtu si edhe dje,do të takohet me Shqiponjën.

Që nga viti i parë i gjimnazit janë bashkë në një klasë,por para disa ditëve,sepse vështrimi i saj,buzëqeshja,

,e ata dhëmbë aq të shndritshëm,si ata që reklamojnë dentistët.Ç'farë ishte ajo që e tërhoqi më tepër dhe

zemrën e bëri të rrahë me pulse më të shpejta?Ndoshta sytë e saj.Të bojëqiellta janë.Një ngjyrë e thellë.

Ashtu siç është sot qielli.Ndoshta edhe buzët e saj.Të kuqe,si ajo ngjyra e vezëve të Pashkëve,apo si

dielli i sotëm.Kaq të kuqe !

Albani hyri nga ballkoni në kuzhinën e vogël,piu pa oreks qumështin e vakur,po kaq edhe bukën e ngjyer

me një shtresë reçel qershie.Mblodhi disa thërrime mbi mbulesën e tavolinës,të qëndisur me ngjyrën e

luleve të marsit dhe zogj,që rrallë gjenden nëpër pyje.Ata flatronin vetëm në imagjinatën e gjyshes në

fshat,e cila e kishte qëndisur me aq merak.

Mori me të shpejtë çantën me libra dhe e hodhi në krah.Por ajo më e veçanta,më e rëndëshmja,ishte

në xhepin e pantallonave.Një letër.Një letër e shkruar me shkronja shtypi.Për kë të ishte vallë?

Vetkuptohet,për Shqiponjën.E kishte shkruar me aq kujdes,si asnjëherë tjetër.Me tre fjalë:Shqiponja,të dua... !

Sa arriti në portën kryesore të pallatit katërkatësh,u kujtua se nuk ishte krehur dhe as xhel nuk kishte vënë

si zakonisht.Vrapoi shkallëve deri në katin e dytë,hapi portën e shtëpisë dhe u drejtua në banjë,aty ku

ishte pasqyra.Qëndroi përpara saj.Pasqyra tregonte një fytyrë të mbushur,të rrumbullkatë,zeshkane, me sy

gështenjë,djalë simpatik.Vetëm diçka e mundon:mustaqet..Ato nuk rriten.Vetëm një push i lehtë,pa

qime të plota.Edhe flokët nuk janë ashtu siç duhej të ishin,do të ishin më të bukura po të ishin më të

gjatë.Flokët e tij janë disi të zinj e të rënë ballit.Duke i hedhur një vështrim të shpejtë pasqyrës,me atë

çka ishte përballë,mbeti i pakënaqur,ashtu si çdo moshatar.Pa orën dhe foli me zë të ulët:-Bobo,u vonova !

Vrapoi,vrapoi me të shpejtë,aq sa filloi të merrte një pamje tjetër fytyra e tij.Gati njëqind metra para

oborrit të shkollës,qëndroi për pak çaste,duke marrë frymë thellë,për të mos treguar tek të tjerët se ishte

i lodhur dhe jo vetëm nga të vrapuarit.

Oborri,çimento dhe pllaka betoni,pemë të ulëta rrethuar me lulishte e tek-tuk disa sytha të saposhpërthyer

nëpër pemë.Nxënësit luanin dhe bisedonin me njeri-tjetrin me zë të lartë.Zëra herë-herë të çjerrë,të

grupuar,duke luajtur e shpejtuar kush e kush më shpejt.Vajzat,disi më të qeta,duke  përshëndetur shoqet

e duke puthur njera-tjetrën në faqet e njoma,plot kremra dhe rimel nëpër sy,me flokët lloj-lloj ngjyrash.

Buzëqeshin dhe hedhin vështrimin tek djemtë,një vështrim disi të veçantë.I ka mosha këto vështrime,

buzëqeshje,përshëndetje,veshjen kush e kush më të bukur se tjetra.

Më tej mësuesit më të qetë me një hije disi më të rëndë,nxitonin për t'i futur nëpër klasa.Albani  hodhi

vështrimin në grupimet e vajzave.Në çast,kur dalloi së largu Shqiponjën,ra zilja.U fut nga të fundit në klasë,

duke u drejtuar nga rrjeshti i mesit,aty ku ishte  ulur Shqiponja me shoqen e saj,Blerinën,një vajzë e dobët

e shtatlartë,me ato duar e këmbë të gjata si një stekë bilardoje.Të dyja nuk ndaheshin jo vetëm në mësim,

por edhe jashtë klase,kur dilnin shëtitje mbrëmjeve apo në kinema.ndaloi për një çast,bëri të nxirrte letrën

e palosur,por diçka i kaloi me të shpejt ndër mend.Ku ta gjente atë kurajo të merrte atë guxim?Dhe ku?

Përpara tridhjetë  shoqeve dhe shokëve të klasës.Duke kaluar në krah të bankave,Albani përshëndeste

shokët,duke u rënë lehtë nëpër supe,duke u shtrënguar dorën apo duke u dhënë një buzëqeshje.Sa herë

përshëndeste,sytë i hidhte nga Shqiponja,duke e përkëdhelur ashtu siç  mendonte.

Filloi mësimi.Një,dy,tri orë.Albani tani nuk dëgjon më,nuk shikon,nuk mendon,gjithshka ia ka kushtuar

Shqiponjës.Ra zilja e pushimit të madh.Doli nga të parët në oborrin e shkollës.Disa nga shokët e tij u bashkuan

me të,duke pritur edhe shokë të tjerë.Disa të tjerë u larguan pas palestrës së gjimnastikës,aty ku pinin

cigare disi fshehtazi nga mësuesit.Edhe Shqiponja,së bashku me tri shoqe të tjera,u drejtua nga grupimi në

oborr,aty nën tabelën e basketbollit.Bisedonin kush e kush me zë të lartë,të tjerë duke përsëritur mësimet.

Përfundimisht,ballë përballë me atë vështrimin e tij aq të ndjeshëm,pa buzëqeshjen e saj ledhatuese.

Vështronin njeri-tjetrin dhe vetëm nëpërmejt syve shkëmbenin mendimet e tyre.Për një çast iu afrua aq pranë

dhe tha me vete:''O zot ! Ta puthja një herë dhe në çast të mbyllja sytë e të ëndërroja !''  Shqiponja tundi

për një çast kokën dhe nëpërmjet buzëve të saj iu duk se i tha:''Pres.Pres letrën tënde,që ti e fsheh akoma

në xhepin e pantallonave!''.Këtë kuptoi Albani e në çast të përqafoheshin,të putheshin dhe të thërriste sa

të tundte botën:''Shqiponja,të dua !''

Vrapoi me të shpejtë,hyri në klasë i pari dhe u ul në bankën ku rrinte Shqiponja.U ndal i hutuar dhe i papërqëndruar

për një çast.Vendosi dhe nxorri letrën nga xhepi,duke e vendosur mbi librin e saj,ashtu të palosur dhe disi

të zhubravitur.E vendosi mbi librin e matematikës,duke mos lënë asgjë tjetër në bankë.Edhe librat e

Blerinës i futi nën bankë.Shkoi si pa u ndjerë në vendin e tij,shtriu këmbët dhe mbylli për një çast sytë.Kur

i hapi sytë,vështrimi i tij ra poshtë bankës.Një fotografi e  prerë nga një gazetë.Kush e la aty?E mori për ta

zhubravitur në duart e tij.Diçka e tërhoqi për ta parë.Asgjë e veçantë.Të tilla fotografi shikojmë përditë nëpër

faqet e gazetave.Një polic ngre shkopin e gomës.Për një çast u hutua.Fytyra.Ajo fytyra.Kaq e njohur dhe e dashur

Babai i tij.Kështu nuk e kishte parë asnjëherë në jetën e tij.Fytyra iu egërrsua,flokët iu ngatërruan dhe i ranë mbi

ballin e djersitur.Vallë,mos nuk është babai im?Ndoshta ndonjë ngjashmëri ?! Jam i sigurt,nuk është babai im!

Ai nuk mund të ngrejë dorën dhe të qëllojë njeri.Të gjithë në lagje e duan dhe e respektojnë.Edhe në shkollë nuk

vjen përherë për t'u interesuar për  djalin e tij,për mbarëvajtjen e tij në mësime.Sa herë është ndodhur midis tyre,

flet me një gjuhë tjetër me mësuesit,por edhe me shokët e shoqet e Albanit,bën shaka sikur të jetë i një moshe.

Shepsherë vetë nxënësit në klasë thonë:-Lum ti për këtë baba,Alban !Jam i sigurt,që pas gjithë këtyre mendimeve,

nuk është babai im! Ngre kokën lart dhe ndeshet me sytë e shokëve të klasës:sy ojëqielli,gështenjë,të zinj.Të

gjithë ata sy të drejtuar nga Albani.Hedh një vështrim drejt tyre.Ndoshta sytë e Shqiponjës janë krejtësisht ndryshe,

gjysmë të lotuar.Kështu mendon.Po,të përlotur.Të gjithë kanë ndryshuar fytyrë,janë disi të egërrsuar:përse

babai i tij ngre shkopin e gomës.Këtë thonë të gjithë,këtë lexoj rishtaz në sytë e tyre.Kur hyri në klasë mësuesja

e letërsisë,Albani mori çantën dhe u largua,duke tërhequr këmbët zvarrë dhe trupin të përkulur.Filloi të qante,nuk

i shikonte dot në sy shokët e klasës.Kishte rënë një qetësi e çuditëshme,aq sa edhe zhurma e rënies së lotëve

në dysheme,thyente qetësinë.Gjthshka i dukej e zezë përpara syve.Herë-herë mes atyre hijeve në thellësi,i

shfaqej fytyra e babait.Dritëhijet e marsit e egërrsuan më tepër.Ndërsa mbylli portën e klasës,zhurma e

makinave iu duk si shkrepëtimë në atë qiell të rëndë,të vrejtur.Aq të rëndë e të vrejtur e kishte  edhe

shpirtin e tij të vrarë.Asgjë nuk i shkonte ndërmend.Ajo copë e prerë gazete i kishte bllokuar gjithshka.

Iu duk se për një çast po futej në një tunel të shumë të errët e prapëseprapë fytyra e babait të tij dallohej aq e

pastër.I dukej se e shoqëronin ata sy të egërrsuar, edhe pse jo të përlotur,zëra,zëra të çjerrë:-Babai i Albanit

është polic.Qëllon,qëllon...!

Kur arriti në shtëpi,u mbyll në dhomën e tij.U shtri në krevat për të fjetur.Donte t'i harronte ata sy,ato fytyra,që

la në klasë.Nesër,nesër do t'i takoj dhe do t'i përshëndes përsëri.Nuk do të shkoj në shkollë nga turpësia,mendoi

për një çast.Por,po nuk shkoi në shkollë,nuk do të shikojë Shqiponjën.Ajo vetëm i buzëqeshi,i shtrëngoi dorën me

sy të përlotur.Ata sy i dukej se e shoqëronin në vetminë e vrarë,mes atyre mureve dhe sendeve përreth.Ata sy

kishin përqafuar edhe shpirtin e tij.Në thellësi dëgjoi zërin e të atit:-Alban,boll lexove,eja në sallon,derisa të vijë mamaja !

Nuk lëvizi nga krevati.Trupi i ishte bërë plagë.Si ta shikojë në sy,kur të jetë përballë tij,çfarë t'i thotë?E gjithë

klasa dhe e gjithë shkolla flet vetëm për fotografinë në gazetë.Ç'farë t' them shokëve të mi? Për këtë punë paguhem,të

godas.Oh,sa turp !Dhe u kthye përmbys në krevat.Ai e dinte që i vogël që babai ishte polic në një nga rajonet e

qytetit,po kurrë nuk i kishte shkuar ndër mend,se një ditë do të shikonte të atin e tij duke qëlluar njerzit në rrugë.

Përsëri u dëgjua zëri i të atit:-Alban,edhe pak dhe vjen mamaja,eja të shtrojmë tryezën! -Thirr sa të duash ti,

unë nuk vij ! pëshpërit me zë të ulët dhe nuk lëvizi nga krevati.U dëgjua përsëri zëri i babait:-Alban ! Mjaft lexove,do

të të dalin mësimet nga veshët,nuk do të t'i nxëjë më koka ! Kështu ishte i ati,me shaka dhe buzëqeshje.Por

edhe me shkopin e gomës.Ai me shaka,apo ai me fytyrë të egërrsuar,duke ngritur shkopin e gomës?Ai ishte shumë

më tepër.Edhe me bashkëshorten e tij,edhe pse kishin gati njëzet vjet martuar,asnjëherë nuk i kishte dëgjuar

të grindeshin me njeri-tjetrin.-Po,po,pëshpëriti përsëri Albani.Babai im është i veçantë.Jo vetëm me mua dhe me

mamanë,por edhe në lagje.Ndoshta nuk e panë me vëmëndje shokët e klasës dhe ashtu të tronditur nga ai veprim

i egërrsuan ata sy.Mund të jetë ngjashmëri.Kjo ka ndodhur shpeshherë.Dy njerëz të panjohur të ngjajnë kaq shumë

me njeri-tjetrin.Jam i sigurt,kështu do të jetë !...

Albani nxorri nga xhepi fotografinë e prerë nga gazeta dhe e vërrejti me një vëmëndje dhe kureshtje të veçantë.

Ka ngjashmëri,por nuk është babai im! Kjo është e sigurt ! U lehtësua disi prej këtyre mendimeve.-Nesër,kur të shkoj

në shkollë,do të thërras me zë të lartë:-More budallenj !Nuk është im atë,është një ngjashmëri kjo fotografi !

Ç'kënaqësi ndjeu në çast! Ngriti gjoksin lart dhe nisi të buzëqeshte para pasqyrës varur përballë krevatit.U hodh

nga krevati dhe veshi pizhamat,duke u drejtuar nga kuzhina.I vuri të atit dorën në shpatulla.Kishin të dy të njëjtin

shtat,të njëjtën buzëqeshje.Duke vënë mbi tryezë fotografinë e prerë nga gazeta,i tha?-Shiko,shiko,baba,ç'ngjashmëri ke

me këtë policin ! Të gjithë në klasë besonin se je ti,por unë do t'iu tregoj nesër se në këtë fotografi nuk je ti,baba !

I ati i hodhi një sy,pastaj një tjetër,pastaj humbi në thellësi të fotografisë.E sillte para syve,e largonte.Pastaj e la

mbi tryezë.Në ato pak sekonda kishte marrë një pamje tjetër,të pazakontë.Albani u shqetësua:-Çfarë ke,baba?

e pyeti.Ai nuk foli.Mbeti përsëri i palëvizur në thellësinë e fotografisë.Albanit iu duk se kishin kaluar orë pa marrë

përgjigje.U ul në karrigen përballë,pa e parë të atin në sy.U  dëgjua zëri i tij,tepër i menduar:-Unë jam ! -Ti je,baba ?

Ti ?...Ato fjalë iu dukën se i ranë me një peshë të jashtëzakonshme dhimbjeje në shpirt.Nuk mund të fliste.Gjithshka

kishte marrë një pamje tjetër.Dhimbja dhe urrejtja,lotët dhe gëzimi i pak minutave më parë,turpësia dhe ai veprim me

shkopin e gomës,zërat dhe sytë e shokëve të klasës,iu bënë një lëmsh.Shikonte të atin dhe fotografinë e tij mbi

tryezë,ndërmjet atyre luleve dhe atyre zogjve të qëndisur me merak nga gjyshja.Nuk fliste as njeri,as tjetri.Qetësi.

Sa kohë.Dhe ajo nuk mund të matej.E vështroi drejt e në sy të atin me vendosmëri.-Nesër,pasnesër mbaroj shkollën,

diku do të punoj.Si të gjithë,edhe unë do të kem probleme.vështirësi,pagë ditore apo mujore,orë pune.Ndoshta mund

të dal në rrugë dhe të protestoj...

E pa përsëri në sy të atin.Ai nuk fliste.Ai nuk fliste.Nuk mund ta shikonte të birin në sy.Albani ngriti zërin:-Në rrugë,baba,

në rrugë.Ja,mendo për një çast,unë në mes të shumë të tjerëve.Vijmë drejt jush dhe ti përballë meje.Ju bllokoni rrugën,

ne vazhdojmë.Në çast gjendemi përballë njeri-tjetrit,si në fotografi (dhe ngre fotografinë nga tryeza).Ti ngre me forcë

shkopin e gomës.Do ta ulësh apo do ta mbash ngritur,apo vallë do ta vendosësh në brez...?

Lëvizi nga karrigia:-Ti je im bir.Nuk më bëjnë duart !Jo,jo,nuk mund të ndodhë...!

-Mos iu largo pyetjes sime,baba ! S'mund të jem unë,mund të jetë një shok i klasës sime,një shoqe(mendoi Shqiponjën),

një në lagje,apo më afër,një fqinj i pallatit tonë !

I ati uli kokën.-Nuk është kaq e lehtë ,Alban! Është puna ime e përditëshme,aty ku më urdhërojnë.-Të gjuash ? bërtiti i

biri.Vendosi kokën ndërmjet dy duarve të mbështetura mbi tryezë.Mos vallë mendonte një përgjigje për të birin?

E vërteta është krejt ndryshe.Është polic,mbrojtës i rendit publik.Ka detyrime ndaj çdo qytetari.U betua për ruajtjen e

rendit,është puna e tij.Nga ajo punë paguhet,jeton.Nga kjo punë paguan ushqimin,rrobat,shkollimin e të birit të vetëm.

Nuk kishte guxim t'ia përcillte të gjitha këto fjalë Albanit.Tani,jo.E dinte që i biri do t'i kundërpërgjigjej.Krejt ndryshe.

Ndoshta mund t'i thoshte:-Këto lekë nuk i dua!Edhe mamaja punon ! Nuk donte të debatonte me të birin me një gjuhë

të tillë.-Është i ri,mendoi,-me kalimin e kohës do ta kuptojë,si të gjithë.Asgjë nuk mund t'i thoshte.Nuk donte ta

vazhdonte më këtë bisedë.Albani priste.I ati duhej të përjigjej.Çfarë do të bëjë me shkopin e gomës.

-Baba,të pres ! foli përsëri i biri.-Shkopin e gomës do ta vendosësh në brez,apo do të bjerë mbi kokën time?

I ati u ngrit nga karrigia,pa i kthyer përgjigje.Qëndroi pranë dritares dhe vështroi jashtë.Pa të njëjtat,ato që kish parë

edhe i biri në mëngjez.Retë mbi malin përballë kishin bllokuar krejt horizontin dhe tek-tuk vetëtinte.Dukej që do të

binte shi,pritej furtunë.Edhe qeni këmbëthyer ishte strukur e herë-herë kuiste.Gjethet e pemëve dridheshin dhe dukeshin

sikur i kishin mbërthyer thonjtë e trishtimit.Krejt ndryshe dëgjoheshin boritë e makinave,ndërsa zhurma e motocikletave

ishte më therrëse,nxirrnin një tym krejt të zi.

U drejtua nga Albani me një notë melankolike,krejt të veçantë.Në derë u dëgjua zhurma e çelësave.U mundua të

buzëqeshte,por gjithshka kishte ngrirë,kur dëgjoi të birin:-Jemi përballë njeri-tjetrit...!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •