Kastriot Kol Marku ka lindur më, 30.09.1970 në fshatin Skuraj të rrethit Kurbin. Ka kryer shkollën 8-vjeçare në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme dega Agronomi e ka kryer në Milot në vitin 1990.
Në vitin akademik 1995-1996 është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi". Ndërkohë vijon studimet doktorale pranë Qendrës Albanologjike me temë: Shkolla Letrare e Franceskane e Shkodrës.
Ka bashkëpunuar me shumë organe shtypi shkencorë e letrarë si; Rilindja Demokratike, Shekulli, Gazeta shqiptare, Mësuesi, Kurbini, Kumona e së Diellës, Orana, Kuq e Zi, Revista Pedagogjike, Emathia, Kisha dhe Jeta etj., me mbi 50 artikuj të ndryshëm për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Për disa kohë ka qenë kryeredaktor i revistës kulturore “KUQ E ZI”, e cila botohet në Bruksel (Belgjikë), ndërsa aktualisht banon në Milano dhe është kryeredaktor i revistës Miqësia/Amicizia. Prej vitit 2006 është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit Kurbin.
Ka botuar:
Poezi: Përhumbje, (poezi), Camaj-Pipa, Shkodër 2001. 84 ff. ISBN: 99927-49-51-2.
Studime letrare: Kritika dhe studimet letrare shqiptare në revistën “Hylli i dritës„(1913-1944), (studim), Camaj-Pipa, Shkodër, 2000. 62 ff. ISBN: 99927-41-90-2.
Studime historike:
1. Arsimi në Gallatë, Chaminade, Lezhë, 2005. 69 ff;
2. Kishat e Kurbinit. (Kishat dhe organizimi kishtar në Kurbin), Geer, Tiranë, 2008. 418 ff. ISBN: 978-99956-22-22-0.
Guidë turistike: Miloti, Guidë/Guida, shqip-italiano, Milot, 2007. 40 ff. Miloti, guidë, Milot, 2008. 20 ff.
Librin didaktik: Libri i provimit, gjuha shqipe dhe leximi letrar” (për mësuesin dhe nxënësin), Chaminade, Lezhë, 2005. 235 ff.
Ka përgatitur për botim: ILLIA, Frano., Famullia e Milotit. (Famullia e Shën Nikollës (Milot), Famullia e Shna Prendes (Gallatë), Famullia e Shna Vlashit (Skuraj). Shkruar në Milot në vitet 1962 - 1967. Përgatiti, Kastriot Marku, Chaminade, Lezhë, 2006. 254 ff.
Është përfshirë në: Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001. hartuar nga Hasan Hasani dhe botuar nga Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë,
VELLIMI POETIK
MARKU, Kastriot., Përhumbje, (poezi), Camaj-Pipa, Shkodër 2001. 84 ff. ISBN: 99927-49-51-2.
Kam adhuruar Zotin, nënën dhe babanë tim që më sollën në jetë ditën e 11 shtatorit të vitit 1970. E kalova fëmijërinë siç mund ta kalonte një djalë fshati, pas zogjve dhe topit të futbollit. Gjyshja ime e mirë ishte lektorja e parë që më mësoi përralla, uratë dhe rrëfime nga Bibla. Fliste rrjedhshëm, qartë e pas pushimeve të vogla me “qeraste me arra fiq të thatë e fruta të tjera në pikun e frurit”. Fillova të lexoj edhe shumë libra jashtë programit mësimor, dëshirë të cilën ma edukuan mësuesit e leximit të cilët, më rekomandonin disa prej tyre e që megjithëse me mundësi të vogla ekonomike, unë nisa të blija ndonjërin e kështu do të niste udhën e saj edhe biblioteka ime. Libri i parë që kam lexuar ishte me përralla dhe i shoqëruar me fotografi në të cilat një tufë ujqërish shqyheshin me njëri-tjetrin. Më vonë kjo skenë më është shfaqur vazhdimisht, pasi e tërë jeta jonë, një luftë e tillë kishte qënë më të vërtetë. Nisa të shkruaj hartime të lira dhe më vonë edhe ndonjë varg, por nuk kënaqesha me to dhe kështu ishte zjarri ai që i lexonte e i interpretonte mesazhin që mbartnin. Studimet universitare hapën mundësi që të kuptoj më mirë fenomenin e artit bashkë me studimin e tij. Që prej asaj kohe e që tash po bëhen 10 vjet një pjesë e poezive janë ruajtur, e që këtu po dalin prej vetvetes. E ndjej se po testoj guximin që më ka munguar gjer më tash, por që do të më jetë i tillë nëse ju të dashur lexues do të sforcoheni sado pak për të komunikuar me këto tekste në heshtje.
Nëse do t’ju mërzisin, unë jam këtu.
Ju faleminderit.