Kastriot Marku: Përhumbje (III)
| Thursday, 03.24.2011, 04:26 PM |  

Kastriot Marku

 

 

Përhumbje

 

Të dua zeshkania ime

Bash në muzgun e dëshirimit!

Kalamendur nën gushën tënde fjetur.

Pëlcet vala e shpirtit

Kur të ndjej të mbledhur në parzëm

E shpesh kam frikë se të dua me tepri.

Këmishën e ëndërrave ma hodhe përsipër

E tash ëndërrat janë çmendur

E kemi mbetur vetëm

Ne të dy.

 

 

Më lër vetëm

 

Nëse ke bërë shumë gjëra për mua

Nëse je shpenzuar shumë sikur thua

Bëj edhe një gjë të lutem

Më lejo të jetoj i vetëm.

 

 

Pritje

 

Ngjitur pas portës

Dora purtekë që dridhej

E zilja ndjente keqardhje

Se nuk po e përshëndesja.

Zemra rrihte turravrap

E sytë shtrydhnin lotët e nxehtë.

Ndër copa kullonte dashuria e pathënë.

Ka fjalë që nuk duhen thënë

 

 

Gramatikë

 

Dashuria është emër

Gjinia femërore

Trajta e shquar

Rasa emërore.

Dashuroj

Është folje

Koha e tashme

Forma veprore

Keni kuptuar?

 

 

Asaj që…

 

Të dua në pikun e vapës

Kur ujëvara pëlcet mbi buzë

E loti i mallit të vakur

Druhet prej fustanit

Tek fsheh sy e zemër

Në një lojë që nuk e di

Kur do të soset.

 

 

Mirënjohje

 

Kur jam ndjerë vetëm, krejt vetëm

Tek ti jam prehur

E më ke marrë në gji

Ashtu si vajzë, si nënë.

Në frymën tënde ishte Zanafilla

E Shpirti mbi ujëra

Pulsonte Jetë.

Ti vetëm ti di të dhurosh gjithçka

E unë jetimi

Duhet veç të mësoj prej teje

 

 

Dëshirë

 

Të isha zog

Mbi hundën tënde do të mbërthehesha

E të pija ujë mbi buzët e tua

Si zogjtë

Duke u lutur kah qielli

 

 

Me ty

 

Nën pikun e vapës nën blirë

Afër shumë afër

Ajo si gjithnjë e mirë.

Kujdes! Bota ka shumë fjalë!

Kujdes për veten! Je vonë!

Ku do të shkojmë për pushime?

Pastaj sërish vetëm.

Gjoksi valë,

Mendja shkapaderdhur.

Më lini vetëm

Nuk kam kohë të merrem me të tjerët

Se më mjafton vetja ime.

Prej asaj kam lindur

 

 

Mjaft

 

Të desha shumë

Ti e di këtë.

Të dhashë çka munda

Edhe këtë besoj se e di.

Të dua tani? Këtë nuk e di

Të të jap prapë?

Këtë mos e kërko më.

 

 

Zotësi

 

Më dhé dritën tënde e u pashë.

Isha i shëmtuar pa ty

Tani verbuar

 

 

Pa titull

 

Fytyra jote e pakët

Ka nxjerrë në sfilatë

Buzët e holla fjongo pendese

E buza ime e vakët

Rreshket në gavetën e andrrallave të dikurshme.

Kthehem në shpellën time mendueshëm.

Sërish lexoj nga “Kënga e Këngëve”

Pastaj Ungjilin sipas Mateut.

 

 

 Dredhi

 

Duart e tua të ftohta

Këputë prej majes së malit.

Prej tyre

Një gisht me lakun në fyt e kam frikë

Se është cub e më kthe dalë

Përndryshe, ato janë të miat.

Nuk hahem me atë gisht

Se digjem e di.

Të bëhemi miq

Një zgjidhje.

Kështu fitoj dy herë.

 

 

Pa titull

 

Rrëmores së faqes

Orteku i lotit

E fiku mallin.

Frëngjia e syrit tënd më shpoi tejpërtej

Ndërsa tejzat e avullta nën gushë

Regëtijnë.

Flokë bore bien përjashta

E unë të mbështjell që të mos ftohesh

Me petkun e ëndërrës së kahmotshme.

Tekembramja duhemi

Dhe kjo nuk është pak

 

 

Intimitet

 

Sy të tulatur njerëzishëm

Presin rrëzimin e qerpikëve.

Buzët e çelura me masë

Erandshëm

Shpengojnë frymëmarrjen.

Dy ftonj dimërorë heqin pushin verdhosh të stinës.

Stërkala të gëzueshme rënkimi

Dëlirin heshtjen e palosur dëng

Këputjes së puthjes.

 

 

Nostalgjia

 

Grua e lodhur prej dashurive

Tash rrudhat të rrijnë mendueshëm.

Dëshirat na u regjën fort

E kalldrëmi i eshtrave tona

U plas përmidis.

Teshat luspore nuk janë më justifikim

E lëvozhga e fatit

Pret një bimë  të re.

Ne korsinë e damarëve

Gjaku vrapon si dikur

Edhe pse tash është vjeshtë

 

 

Mall

 

Kam marrë një degë lari

Per ta ngjitur në buzën tënde

Për ta tymosur zemrën me tallaze sensuale.

Nuk është e lehtë kjo

Për mua kryekcyemin idhnak për lule si ti.

Lyp ndjesë për çfarë bëra padashtas

Prandaj e kam ndezë këtë qiri.

Në shulla te kraharorit tim të kam fikur përgjithnjë.

Është koha e lutjes e shi bie pa prà.

Limon të kishe qenë do të ishe shtrydhur

Veç unë mbetem të shtrydh mendjen

Për të gjetur një emër.

 

 

Qenkam gjallë

 

Ta njoha erën e ëmbël

Që të vlonte ndër sy

E pata etje pa masë.

Përroska e shpirtit tim

U njomëzua krejt, në heshtje

E tha gazmueshëm:

Ty të kam kërkuar.

 

 

Besnikëri

 

Rrugës më kërkove faqen

E shkula.

Më kërkove puthjen

E linda.

Më kërkove sytë

I nxora.

Me kërkove besnikëri

Ktheva nga kisha ardhur.

 

 

Aksident

 

E shalova tehun e natës

Për të arritur yjet,

Por shkava e rashë i vdekur

Në sytë e tu.

 

 

Pa frikë

 

Përballë sytë e tu,

Pas tyre nata.

Mbylla të mitë

Dhe aty u rrasa

 

 

Ndarje

 

Kapërcyem muret e heshtjes

E u gjendëm përballë.

Symbyllurazi përtypëm vetminë

Atë pasdite të pafund.

Bashkëtingëlloret e pazëshme

Si vetë heshtja

Na i ndrynë fjalët.

Ishte koha për të folur me vete.

 

 

Si gjithnjë dimër

 

Një dac i moçëm ndër hatlla

Më shqetëson në këtë natë Sh’Ndreu

Ndërkohë,

Unë përpiqem të kthej shpinën e mpime

Kah ti e munguara ime.

Ngrihem të gjej një triko leshi

Ritual i vjetër i të parëve të mi

E nuk mundem.

Është kohë ëndërrash

E unë që ushqehem me shkronja

Kam frikë t’i besoj.

 

 

Intermexo malli

 

Currili i lotit të vakët

Kundron mallin e shpirtit

Galuc mbi ravën e fytyrës së lëmuar.

Është ngrohur pushi i dëshirës

E sytë kanë ngrehë shigjetat

Në shqim të zemrës.

Agimi ishte spiuni i mbramë që na pa.

Kur të më dalë shpirti

Nuk do të jesh as ti shpirt.

Nuk ndahet ai përgjysmë

 

 

Kujdes

 

Rrëfehemi për mëkatet e na falen

Sërish bëjmë mëkate

E prapë na falen

Gabojnë të tjerët

E ata …

Ata duhet të vuajnë

 

 

Sërish për ty

 

Ne u ndamë.

Nuk na deshën bashkë

Na ndanë edhe pse u deshëm shumë

Tani jemi larg

Si dy buzë

Të rreshkura

Që fjalë nuk thonë

E mallin e fshijnë

Me korrektor lotësh

 

 

Për amshim

 

E zjarmuar nën petka drite

E vështrime pulitëse

E fundit dashuri e imja

Spirancë në palcën e agimit.

Beli i këputur, pupël malli

Thith nektarin e lules mbi buzë

E shpirti bie erë paqeje.

Mbi barin e njomë të ndjenjës

Korpi im të ka mbjellë vullajë

E sytë e mi bujnë aty

Për amshim.

 

 

Meditim

 

Deti në ethe përzhit guaskat.

Kaltërsia e qiellit zhytet në shkumë

E dëshirat ritmikisht terin vegimet.

Me këmbë i këpus dallgët

Që dënesin psherëtimat shpotitëse.

Nëse të kam harruar

Ti tashmë ke mbërritur.

 

 

Më fal

 

Ata që vdesin për ty

Presin radhën tek dera.

Më fal që ua mbylla padashur.

 

 

Filozofia e marrëveshjes

 

Të flasësh dmth  të komunikosh

Të heshtësh një lloj komunikimi është.

 

 

Nëna ime unë dhe dallëndyshet

 

Në verandën e shtëpisë

Dallëndyshet u kthyen edhe sivjet

Në folenë që pranverën e kaluar ndërtuan.

Ecejaket e çiftit për të ushqyer të vegjlit

Më fërshëllejnë vazhdimisht.

Ato mbërthejnë këmbkat e vogla buzë folesë,

Por toka është larg.

Nëna ime fshin glasat e tyre përditë e inatosur

E ato e shohin kureshtare.

Kureshtare bëhen se asgjë nuk ka ndërruar në këtë shtëpi.

Veç hapave më të ngadaltë të nënës sime

Që tani është një vit më e moshuar

E djali i saj

Me një barrë probleme të pazgjidhura

Lidhur nyje në sqepin e dallëndyshes

Krahgjërë.

 

 

Në burgun e diktaturës

 

Na kishte harruar jeta

Se nuk kishim pasqyra të shiheshim.

Ishim tullë te qethur

Pis

Me mjekërr të gjatë gjer në kërthizë.

Uria jonë peshohej me kile

Kryqëzuar galerive.

Letrat e cigareve,

Lapsi,

Qesja e duhanit,

Luga e drurit,

Tasi i aluminit,

Ishin gaveta e jetës.

Mendjet i kishim në pranga e ndaloheshin ëndërrat.

Me bishtin e lugës bënim afresket nëpër mure.

Nuk kërkonim mëshirë,

Por drejtësi.

Jashtë,

Bunkerët, banderolat, paradat, tribunat e kuqe, kongreset që të hanin veshët.

Inventari i jetës mbështillte

Tela me gjemba, lecka, morra, gulçima, aktakuzë, hetues, prokuror, gjyqtar, polic, spiun

Afër ishte Golgota.

 

 

Françeskanëve

 

Urata e lidhur në brez

Më shtrydh pergamenin e kujtesës

Si dikur

Kur shkoja nëpër Gjuhadol

Me një tufë letrash të zverdhura prej kohës

E fotokopje diftuesish bibliografikë.

Njimend kujtoja se isha me zhgun

Se këmbët më mërdhinin

E sandalet e kujtesës së Shën Françeskut

Më tubonin në lutje darke.

Nuk është gjithçka veshja

Ka edhe të tjera.

 

 

At Gjergj Fishtës

 

Zhgunamurrti me uratën brezit

E përlau puplën në dorë

E Lahutës i ra nën mriz.

Zanat ftilluan vallen mistike

Në Parnasin shqiptar.

U dyndën sa qenë në tubim kreshnikësh

Ndërkaq, frati mori kah Kisha e të Madhit të Vorfën.

Fjalët iu thartuen e heshti.

Kur doli duarsh ëndërrës

Pa se i mungonte njëra dorë

Prandaj përsëri kërkoi lahutën.

 

 

Martin Camajt

 

Gjaku të rridhte turravrap ndër dejet e bjeshkëve

E teshat e laguna me lotët e mallit

Tereshin në frymën e shirokut.

Trandej gjithsaherë mushkënija e pangishme

Me hangër gjoksin e vet,

Por ajo ishte e vogël me u bà kanibale.

Njeriu àsht armik i vetvetes deri në asht.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •