Adem Zaplluzha: Letër atdheut
| Friday, 05.20.2011, 01:00 PM |  

Redaktor: Bedri Neziri

Recensent: Mazllum Baraliu

Lektor: Bedri Neziri

 

Botimin e këtij libri e ndihmoi Departamenti për kulturë, Rini dhe Sport i komunës së Prishtinës

 

 

Adem Zaplluzha

 

L E T Ë R   A T DH E U T

 

2o11, Prishtinë

 

 

PARATHËNJE

Nëpër shtigjet e shpiritit të poetit Adem Zaplluzha

Kur njihesh me universin poetik të Adem Zaplluzhës, nuk mund të mos rrish e të përsiasësh gjatë. Para teje shfaqet një krijues me një varg poetik tejet origjinal. Ai t’i prek me ëmbëlsi telat e shpirtit dhe të bënë të endesh në botën e ëndërrimeve bredharake. Vargu i tij i ndier të gjendet si melhem për shpirtin, ta ngroh atë dhe të shëron dhimbjen. Herë-herë vargu i tij përcjell trishtim, herë-herë edhe vetë shpirtin e poetit e kaplon një dhimbje ndjesiplote, por prapëseprapë poeti nuk bie në pesimizëm dhe lexuesin e nxjerr drejt  horizontesh me dritë të pashuar. Tematika e universit poetik të Adem Zaplluzhës është e pamatë. Ajo të rrëmben me larminë e saj fort befasuese dhe të bënë ta ndiesh veten mes një fushe të qëndisur me lule shumëngjyrëshe që nuk i duket as fundi, as ana. Një motiv tepër mbresëlënës në poezinë e Adem Zaplluzhës përbën mërgimi apo kurbeti. Braktisja e vendlindjes, braktisja e atdheut është një dukuri e kahmotshme, e njohur edhe për shumë popuj të tjerë. Por kurbeti për shqiptarët simbolizon një plagë të rëndë shoqërore, sepse asnjë etnie tjetër në Evropë nuk i ka qëlluar të përballojë 26 valë agresionesh të egra, duke filluar që nga antikiteti e deri në fundin e shek. XX.Pikërisht tema e mërgimit e përshkon tejendanë  vëllimin poetik “Letër nga mërgimi”. Heroi mërgimtar i poezisë “Ç’ka t’i them unë?” kuvëndon me lexuesin se si ka nisur një letër me dhimbje e lot, të cilën e ka përcjellë me një dallëndyshe. Ja pikërisht këtu vijnë e dalin në të njëjtin shteg trishtues poeti Adem Zaplluzha si dhe poeti këngëtar Neço Muka nga Himara, me këngën “Vajzë e valave”, ashtu si dhe autori i panjohur i këngës popullore “Ç’bën, moj ti, atje përposh?”. Edhe heroi i Adem Zaplluzhës, si ai i “vajzës së valëve”, i drejtohet dallëndyshes për t’ia zgjidhur një brengë që shpirtin ia ka pushtuar cep më cep.”Përse hesht dhe je i mërrolur/Athua largësia po të ligështon/ Apo mallëngjimi të ka lodhur/Dhe në heshtje po mejton”  edhe më tej i ndihet gjëma e poetit  “Fol se plasa nga kjo mynxyrë/ Do të tretem si qiriu në errësirë/ Tregom i dashuri vëlla/ Si është tani në Kosovën e lire”/, njësoj si heroina e Neço Mukës, kur thotë: “Ju të bukur zogj, / Te ju kam një shpresë, / Ju që çani dete,male, / Dua t’ju pyés: / Rron apo nuk rron? / Ndonjë lajm a ndonjë shpresë? /Vallë më kujton?”.    Por dëshpërimi i poetit për brengat e mërgimtarëve të djegur nga malli, apo të atyre që presin krahapur kthimin e tyre nga dherat e largëta,    mbyllet me nota optimizmi në kushtet e reja, kur Kosova nuk lëngon më nën zgjedhën e huaj. Prandaj ai lëshon një thirrje zemërngrohëse për çdokënd që e quan veten shqiptar:“Tani është koha, / Zbardhi agimi i mbarë, / Të kthehet në atdhe / Ai që është shqiptar”.  Motiv tjetër me shumë peshë në krijimtarinë poetike të Adem Zaplluzhës janë tronditjet e rënda që ai përjeton në hapësirat e shpirtit të vet për gjëmën që kishte pllakosur atdheun nën çizmen e huaj. Prandaj në shpirtin e tij ndihet një rënkatë dhe psherëtimë e thellë që gjakun ta trazon: “Dhembjen e kam të madhe, / Më kafshuan hijenat, / Si t’i shëroj plagët / Në trupin e atdheut?”.  Por një katërvargësh befasues ta ndez edhe më shumë kërshërinë për të zbuluar individualitetin krijues të këtij poeti të talentuar, që fatin e vet nuk e përfytyron dot jashtë fateve të atdheut, pa lirinë e të cilit edhe jeta e tij nuk ka kuptim:  “Kam mall, / Kam lakmi e nostalgji / Që s’jam / Në mesin e të rënëve. Ky katërvargësh me një strukturë të thjeshtë sintaksore, nxjerr në spikamë misionin e poetit për ta vënë veprën e vet në shërbim të atdheut, për të cilin është dhe duhet të jetë gati të vetëflijohet sa herë që koha e thërret të dalë në paraskenë. Ky katërvargësh mahnitës më kujton ca vargje jo më pak emocionuese të poetit kombëtar rus - Aleksandër Pushkinit. Kur ishte nxënës i Liceut të Carskoje Sjellosë, që matanë kangjellave ai dikur pati ndjekur me sy një vargan ushtarësh që qe nisur në marshim për t’u përballur me armatën e Napoleonit në betejën e Borodinosë. Prandaj në ato çaste poeti i ardhshëm hodhi në letër këto vargje kuptimplota: Bij të Borodinos’, ore heronj kulmianë! /Ju pash’ kur për në luftë nxitonit për matanë; /Me shpirt të ndezur flakë ju ndiqja si furtunë. Në të betejës fush’ pse s’derdha gjak dhe  unë? Vargjet e sipërcituara dëshmojnë fare qartazi se dashuria për atdheun poetët i nxjerr vetvetiu në kapërcyellin  e vetëflijimit të vullnetshëm.  Por ca kujtime të pashlyeshme më ngjallin këto vargje nga poezia “Marshi i martirëve”: “Mos kalo i shkujdesur / Nëpër udhën e lotve, / Në atë varr të gjallë / Dhe pranë tij / Pushojnë eshtrat e martirëve të rinj”.  Në gjysmën e dytë të vitit 1999, më qëlloi rasti ta vizitoja disa herë Kosovën, si shoqërues-përkthyes i ca grupe gazetarësh nga Ukraina dhe Rusia, që qenë dërguar me sponsorizimin e Zyrës së Shtypit të NATO-s në Bruksel. I ramë Kosovës kryq e tërthor, që nga Kaçaniku e deri në Pejë, që nga Prizreni e deri në Mitrovicë. Gjithandej sytë më zunë varre martirësh të lirisë, mbi të cilat kurorat ngjanin si lulëkuqe të mbjella anekënd Kosovës. Ishin çaste shumë prekëse. Duhej derdhur shumë gjak para se të vinte liria. Prandaj ngjyra e gjakut për ne shqiptarët është simbol lirie se liria jonë rrënjët gjithmonë i ka pasur të vaditura me gjak. Vargjet e mësipërme të poetit m’i tronditën sërish përjetimet e asaj kohe dhe që më sollën në kujtesë vargjet lapidare të Lame Kodrës: “Një kuçedër e tërbuar po pi gjak, / Një popull i robëruar kërkon hak”. Lufta për mbijetesë e popullit shqiptar të Kosovës, kreut të kombit shqiptar, vazhdimisht ka shërbyer si një motiv i fuqishëm për krijimtarinë letrare të shumë poetëve dhe shkrimtarëve kosovarë. Ajo ka qenë një luftë e gjatë, mbinjëshekullore, mes egërsisë së hienave serbe dhe dashurisë për jetën, të palës shqiptare. Është kjo arsyeja që poetit Adem Zaplluzha i del kjo ofshamë e thellë sfiduese që poshtë honeve të shpirtit të tij:“Nga na erdhët në këtë vend, / O djaj të zinj? / Mos dolët nga ferri i Dantes /Për t’i ikur kujtesës? / Por vonë e kuptuat / Se rrapi i ka rrënjët / Përtej çmendisë suaj, / Përtej amshimit”.Nga këto vargje që të duken sikur janë skalitur me  durim në një masiv graniti nga dalta e një dore mjeshtërore, buron një ide e madhërishme që ka flatruar hijerëndë nëpër hapësirat mbarëshqiptare gjatë rrjedhës së shekujve: shqiptari ka qenë, është dhe do të mbetet një rrap me rrënjë bukur të thella në këto troje stërlashtore dhe nuk ka stuhi në botë që të mund t’ia trondisë ato sadopak. Prandaj edhe poeti Adem Zaplluzha del vetvetiu në të njëjtin kapërcyell, si edhe Noli ynë i madh që lëshonte një zë fort të kumbueshëm: “rron, or rron, dhe s’vdes shqiptari!”  Mes gjithë këtij prodhimi të begatë poetik, poeti Zaplluzha ka botuar edhe dy vëllime satirike, të titulluara “Bajraktarët e Vatanit” dhe “Don Kishoti dhe Rosinanti”. Janë dy vëllime që përcillen sa me endje për tematikën boll të pasur, aq edhe me një zemërtrazim për ca dukuri jo pak të pështira që shëmtojnë realitetin shqiptar. Është kjo arsyeja që poetin e talentuar e bën ta mprehë mirë tehun e satirës së vet të pamëshirshme kundr dallkaukëve, gënjeshtarëve, ziliqarëve, parazitëve, smirëzinjve, të pabesëve, servilëve, lajkatarëve etj. Por në këtë mes, poetit ia lëndon më shumë shpirtin përçarja mes politikanëve; një plagë përjetësisht e pashërueshme kjo që mbartet edhe poshtë, në radhët e njerëzve të thjeshtë. Kjo përçarje e mallkuar, si puna e një mikrobi me një aftësi mbijetese të jashtëzakonshme, shqiptarët nuk i ka lënë të qetë për asnjë çast. Prandaj edhe armiqtë tradicionalë të kombit shqiptar kanë ditur ta shfrytëzojnë me shumë marifet këtë përçarje të gjëmshme, për të arritur deri aty, saqë trojet tona etnike të na i bëjnë çarçaf. Tani dëshiroj të ndalem pakëz edhe në lirizmin karakteristik të poezisë së Adem Zaplluzhës. Lirizmi i tij të rrëmben me thellësinë e ndjenjave të autorit, me pasurinë e papërsëritshme të mjeteve artistike si, metaforat elegante, krahasimet tejet të gjetura, epitetet karakteristike, personifikimet e pashembullta apo paralelizmat e goditura artistike.Në poezitë lirike të autorit gjallon jeta e një krijuesi me ndjenja të pastra, si pikat e vesës mbi gjethnajë. Mbresa të veçanta të lë poezia “Letrat” nga vëllimi“Zjarri dashurisë”, e  sidomos vargjet: Ikën dallëndyshet, / Foletë mbetën të shkreta, / Në kositjen e barit / Fshihet e vërteta”.Ky katërvargësh më kujtoi korrikun e vitit 1999, kur, siç e përmenda më lart, Kosovën po e vizitoja për herë të parë. Ishte pisku i verës, por shumë parcela me grurë vazhdonin të mbeteshin të pakorrura. Dhe kjo për faktin se popullsia ishte njoftuar për minimin e territorit të Kosovës nga kriminelët serbë, të cilët, për shkak të disfatës në luftë me UÇK-në dhe NATO-n, në tërbim e sipër, kishin minuar zona të tëra.Ato parcelat e pakorrura nëpër Kosovë, më kujtuan asokohe një katërvargësh nga një poezi e Nekrasovit, me titull “Parcela e pakorrur”: “Ёshtë vjeshtë e tretë, /  Stërqokat janë larguar, / Pylli është zhveshur, / Fushat janë shkretuar”. Pikërisht këtë katërvargësh nekrasovian, tani ma solli ndër mend zoti Adem me atë katërvargshin e sipërcituar. Kjo dëshmon për faktin se sa lehtë përqasen fantazitë e krijuesve në botën e magjishme të poezisë.Dashurisë poeti i këndon me një shpirtngrohtësi përflladitëse. Në poezinë“Sytë e tu”, poeti thotë: “Asgjë nuk ka mbetur këtu, / As lot më nuk kam / Për ta larë vesën e mëngjesit / Nën këmbët e tua”. Ky katërvargësh duket sikur janë sinonimi I vargjeve të Pushkinit, ku autori përshkruan valët e detit, të kapluara nga zilia se cila prej tyre do të shtrihet më shpejt poshtë këmbëve të së dashurës së tij: “Kujtoj një det para stuhisë: / Zilie valësh i përpirë, / Tek vinin radhë, duke azdisë, / Ndër këmb’ të saja për t’u shtrirë!..”.

Mendoj se poezia e Adem Zaplluzhës e ka përballuar dhe do ta përballojë me shumë sukses provën e kohës dhe do të hyjë plot dinjitet në thesarin e modeleve më të mira të poezisë shqiptare. Ai e ka pasuruar gjuhën tonë poetike, duke i dhënë hapësirën e duhur ligjërimit me një strukturë sintaksore tejet të larmishme. Poeti dhe përgjithësisht artisti është pasqyrë e vetëdijes kombëtare e popullit të vet. Kjo është edhe arsyeja që artisti shqiptar këmbët i ka të ngulura fort në tabanin kombëtar, kurse politikani shqiptar këmbët i ka të ngulura fort në kolltukun që gëzon falë politikës. Prandaj, në poezinë e A. Zaplluzhës, vetëdija kombëtare e politikanit shqiptar është e diskutueshme.Njohja nga afër me poezinë e Zaplluzhës, me traditën e tij poetike, na bën të bindemi se ajo ka hyrë në historinë e kombit shqiptar si pjesë përbërëse e kulturës së tij shpirtërore.Dëshiroj të shpreh bindjen se krijimtaria artistike e Adem Zaplluzhës ka tërhequr dhe do të vijojë të tërheqë vëmendjen e studiuesve të letërsisë, të kritikëve, të gjuhëtarëve, të cilët, me metoda shkencore do të mundohen të zbulojnë të fshehtat e shpirtit të poetit dhe t’i përgjigjen pyetjes se ku fshihet magjia e ndikimit të tij mbi shpirtin e njeriut.Trashëgimia poetike Adem Zaplluzhës jo vetëm që mishëron në vetvete vlera të larta artistike, por përfton edhe një tingëllim të ri. Në poezinë e tij vjen e shpërfaqet jo vetëm shpirti i vetë poetit, por edhe shpirti i mbarë popullit shqiptar.Poeti, ashtu si edhe puna e muzikantit, është mjaft i ndjeshëm ndaj kadencës së vargut dhe ndaj tingullit. Prandaj ky merak nuk i ndahet për asnjë çast edhe poetit Zaplluzha në strukturimin e vargjeve të tij, vargje të cilëve u u përshtaten fjalët e historianit të letërsisë gjermane, August Shlegelit, (1767-1854), për për shkrimtarin romantik gjerman Ludvig Tik (1773-1853):

“Gjuha në veprën e tij duket sikur ka hequr dorë nga shëmbëllimi lëndor dhe ka marrë trajtat e një flladi të lehtë. Fjala e tij të krijon përshtypjen sikur nuk shqiptohet, por tingëllon më e ëmbël se kënga”.

Në fund, dëshiroj të theksoj se krijimtaria poetike e Adem Zaplluzhës, si edhe e çdo krijuesi tjetër, duhet të shërbejë si objekt përsiatjesh edhe për psikologët, meqenëse përmes shpirtit të poetit lexuesi vëzhgon shpirtin e mbarë popullit.

Psikologu dhe filozofi i mirënjohur zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961), në veprën e vet me titull “Psikologjia dhe krijimtaria poetike”,   shkruan:

“Është mëse e qartë se psikologjia, duke qenë shkencë e proceseve të shpirtit, mund të hyjë në lidhje të drejtpërdrejtë me studimin e letërsisë, me kritikën letrare. Se shtrati kryesor i të gjitha shkencave, ashtu si edhe i çfarëdo vepre arti, është shpirti. Prandaj shkenca e shpirtit, besoj, duhet të jetë në gjendje të përshkruajë dhe të shpjegojë dy gjëra në ndërvarjen e tyre: së pari - strukturën psikologjike të veprës së artit dhe, së dyti, parakushtet psikologjike të individit artistikisht produktiv”

Tiranë, 20 nëntor 201o                     Prof. Dr. Eshref Ymeri


 Letër atdheut

 

 

E KËRKOJA DETIN E HUMBUR

 

Kur më merë malli për atdheun

I mbathi këpucët  e vjetra

Ulem nën hijen e rrapit

Dhe i fshij lotët

 

Ditët më rrëshqasin si ushejzat

Nëpër ballin

Me përplot rrudha

 

Nëpër kujtesën e pluhurosur

Një kohë të gjatë

I shpalosi kujtimet

 

Si njeriu pa atdhe

Nuk kam as respekt prej të tjerëve

Aç shumë mësova për urrejtjen

Sa që në enigmën e pikave të shiut

E kërkoja detin e humbur

 

Më shtynë prej në skute

Në skutën tjetër

S’kisha as emër

Letër njoftimin ma ndërruan

Sipas dëshirës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nuk isha unë njeriu

Me egon time

Në mua hyri djalli

Dhe i përzuri engjëjt

Përtej shtatë përrenjve

 

Mendova se këtu fillon fundi

I tregimit

U fundosën të gjitha ëndrrat

Në lotin e hënës

 

 

PËRPOS TË DALIM NË MALE

 

Nuk di

A lëmë shteg pa kaluar

Për në plagën tënde atdhe

Kur erdhëm

Nuk patëm forcë

Të shërojmë asnjë fjalë

 

Ti kishe dhembje

E ne kishim mall

Që të dy

Përqafonim lisin si në përrallë

 

Na dolën bastardët në rrugë

E përjargën gjelbërimin

Me pështymën e helmuar

Lëshuan një farë lëngu

Të pangjyrë

Dhe i mbytën kojrrilat

 

Kambanat  lajmëruan

Prerjen e fjalëve

Nuk na mbeti asnjë shpresë

Përpos të dalim në male

E t’i zgjojmë trimat e dheut

Në lashtësinë

E enigmave tona

 

 

LETËR ATDHEUT

 

Nuk di

A mundet ky zog i plagosur

Të vij deri te ti

Atdhe

 

Unë jam shumë larg

Në këtë ujdhesë të vetmuar

I numërojë pikat e shiut

Në lotin e barit

 

Me palcën e dhembjes

Po të shkruaj këtë letër

Ashti gjëmon

Tok me erën që frynë

Nëpër zgavrat e kafkës

 

Ky mall

Që më përvëlon kaherë

Si prushi gjirin e nuses

M’i dogji të gjitha ëndrrat

 

Ja po e shihni edhe ju

Se si kam mbetur

Si gur varri në këtë metropol
Deri sa ty të kafshojnë hienat

Atdheu im i përvuajtur

 

II.

 

Edhe ky zog i plagosur

Që do të niset për të ti

Nuk di

A do të mund të fluturojë

 

E ka dhembjen e madhe

E rënd është ajo peshë

Ngarkuar me vite

Mbi supet e vrara nga stuhia

 

Çdo gjë është e rëndë

Atdhe

Kur t’i numërojmë plagët

Në lotët e tua të tejdukshme

 

III.

 

Sa e sa herë

Na i kanë shqyer letrat

Që i shkruanim me gjak

Kurse ne

Për çdo ditë në vetmi

Vdisnim nga pak

 

Larg teje

Mbetëm të humbur ne

Varr pa gur o atdhe

 

Të lidhur në një thes

Na gjuajtën në harresë

Si një grumbull kockash
të qenve endacak

Dhe na kafshonin nga pak

 

IV.

 

Ndoshta të bie në dorë

Kjo letër

E shkruar para njëqind viteve

Varin tim

As vet nuk di më ku e kam

Më beso

Atdheu i im

Ende sot nuk më kujtohet

Kush isha dikur

E sot kush jam

Nën këtë lëkurë

 

V.

 

Të lutem

Mos e lëndo zogun

Kur ta sjellë letrën

Ofroja një gotë ujë

Se mua në këtë vend të huaj

Nuk më ofruan asgjë

Përpos

Që më gërryejnë

Me fjalë

E me punë

Që sot më

Të mos jem në lëkurën time njeriu

Të mos kem unë

 

 

TAKIMI

 

Çuditërisht

Pas shumë e shumë viteve

Sot u takuam pranë gurit

Kjo torturë

Që frynë nga jashtë

Na i sjellë të reshurat përbrenda

 

Nata sterrë

Në memorien time bluan trishtimin

E hidhur ishte dje buka

Kur e kafshonim

Bashkë me dhembjen

 

Çka nuk pamë përtej lumit

Sa e sa herë na u terën këmishët

Nga plagët që kullonin gjak

 

E sytë e verbuar

Sërish kishin lot

Si sot

 

Kur u pamë për së dyti

Ti ishe i bukur atdheu im

Të zbukuroi nusja

Që na e sollën djemtë

Nga malet

Që me shekuj e kafshuan

Ujqërit e tërbuar

 

 

KOHA

 

Jetova mes tri kohërave

E kaluara e hidhur

Më kafshoi deri në asht

E sotmja e ngrysur

Këputët si kashtë

E ardhmja

Një pikëpyetje e grisur

 

 

KU TË LASH

 

( Si të lash e më s’të pash )

Popullore

 

Në hartën e trurit

Kufizuam çdo shteg

Ikëm si era

Nga çdo bejleg

 

Ujqërit na ndoqën

Dhe na poqën

Si gështenjat në zjarr

Prishën

Dhe nga dheu hoqën reliefin

S’lanë gur mbi varr

 

Na tërhoqën zvarranikët

Gjakosën dheun

Me trupat zvarrë

Ku ju lëmë

E më s’ju pamë

Ende lypim një gur mbi varr

 

 

NA U DESHT TË ECIM

 

Kur i zumë fjalët

Duke ikur nga dheu

Kapëm me duar qiellin

Nga dhembja

Kafshuam diellin

 

Nuk kishim kohë

T’i numërojmë trupat e djegur

Na u deshtë të ecim

Mbi zjarre
Me shputa të pjekur

 

 

ISHTE KJO BOTË

 

Sa i vogël është qielli

Këtu s’paska vend

As toka

E as dielli

 

Na zunë e na përzunë

Djajtë e Ferrit

Ishim një popull

I grimë

E i bluar

Dhe i mallkuar

Deri në skajshmëri

 

Ishte kjo një botë e ndytë

Na u yshtën ujqërit

Për së gjalli
Me na mbytë

 

 

INFUZIONI

 

Më duket se

Po na e zënë frymën hingëllimat

Kuajt e egër

Po ikin nga betejat

E humbura

 

Lidhur me pranga

Zvarriten hijet

Kujt i vdiq mbrëmë nëna

Që kuisë

Me kaq dhembje hëna

 

Nuk na llogaritën në mesin e njerëzve

Ata që nuk ishin njerëz

Sa është rënd

Të jesh i huaji

Në sofrën tënd të vajit

 

Mbetëm si të huaj

Nëpër cepat e atdheut

Ku ende po na kafshojnë

Kandrat e dheut

 

T’i kthehemi vetvetes

Të mos harrojmë se kush jemi

Akoma ka gjak

Ky Zoti i jonë

Damarët e tokës na i shërojnë

Regëtimat

Dhe këtë pak shpresë

Që na mbeti në kujtesë

 

 

IKJA E NUSEVE

 

Mbrëmë

Nëpër reliefin e djegur

Të atdheut

Bëmë dashuri me lisat

 

Para se të lindi dielli

Ikëm  në drejtim të panjohur

Na tradhtuan fluturimet e brishta

Të kojrrilave

Nga buzëqeshja e mëngjesit

Shtrydhëm

Të gjitha dhembjet tona

 

U kthyem pendueshëm

Për të pirë sërish ujë

Nga çezma e thyer e fshatit

Ikën të gjitha nuset

Me ëndrrat e shtambave

 

 

NJERËZIT E FISIT TIM

 

Kur më dëbuan

Nga atdheu

Me trenin e fundit të mbrëmjes

Pash se si iknin rrugët

Nëpër perin e hollë të mëndafshit

 

Më ndoqën fërshëllimat e pandërprera

Deri te balta e Bllacës

Kur i hapa sytë

Sërish u takova

Me dashurinë e atdheut

 

Binte një shi i mërzitshëm

Vetëm atë çast kuptova

Se sa të afërt janë njerëzit

E fisit tim të ndarë

 

 

DASHURIA

 

Mos vafshi në djall

U thash dreqërve të zinj

Në zemër të Kosovës

Mbollët

Dashurinë për liri

 

 

ZONJA E SHTËPISË

 

Pikturova në mur

Reliefin e atdheut të kafshuar

Më mbyllën në një dhomë

Ku urinonte kova ndryshkur

Prej teneqeje

 

Asgjë nuk ka mbetur sot

Prej lëkurës sime të qepur

Përpos eshtrave të thyera

Dhe pak mish njeriu

 

Ju fjetët me brymën

Kur na ngrysej qielli

Në një enë prej dheu

Fërgohej dielli

 

Lugët e palara në cepat e dhomës

Shikohen me mallëngjim

E zonja e shtëpisë bluan kohën

Në ingranazhet e thashethemeve

 

 

EDHE NËSE VJEN

 

Shko ku të duash miku im

Lëri portat e hapura

Një ditë

Do të të pret atdheu

 

Mos i mbyllë dyert

As kur bëhesh mbret

Ose lyps banal

Kjo tokë e djegur të pret

Miku im

Edhe nëse kthehesh këtu

Si vrasës profesional

 

 

LETRA E DYTË PËR ATDHEUN

 

Ky acar i gjakut

Po m’i mërdhinë damarët

Vetmia rri e trishtuar

Në stolin e kujtesës

 

Heshtja sonte

Përplaset dyerve të hapura

Të cilat kurrë nuk i mbylla

Sepse mendoja

Që një ditë të kthehem

Në ty o atdhe

 

Këtu më zuri nata

Mbeta me të gjitha shtigjet e mbyllur

Në morfologjinë e lotit

Më ngulfatën sintagmat

Duke m’i këputur meloditë

 

Për herë të fundit

Po të shkruaj o atdhe

Në rast se vdes

Të lutem

Eshtrat këtu mos m’i lë

 

 

PËRMENDORJA

 

Uji i shkumëzuar

Pastaj fryma

Në vrimat e kavallit

Kënga pikonte

Nga djersa e ballit

 

Sërish

Një erë e freskët

I shprishi flokët e hënës

Nuset dolën te lama

Dhe në kokrrat e grurit

I ngritën përmendore fëmijërisë

 

 

PAS KRISMAVE

 

Kur kalon rrugës

Moj e bukura e dheut

A je duke i dëgjuar hingëllimat

Dhe vrapin e kuajve

Apo troku i hapave të diellit

Zbret në gjakun tim

 

Nuk kam qetësi

As kur fle

E as kur jam i zgjuar

Flokët e erës m’i shprishin mendimet

Ti rrëshqet tatëpjetë rrugës

Më tërë madhështinë e eposit

 

Ua ke marrë mentë

Edhe zanave të malit

Nga xhelozia

Pas shtatë bjeshkëve ikën qyqet

 

Kur kalon ti rrugës

Në madhështinë tënde

Pa djallëzi gurgullojnë

Me miliona qeshje fëmijësh

 

Ti nusja e jonë

Që na hyre në gjak pas krismave

Ti e bukura e dheut

Që të gjakuam para lindjeve



(Votes: 2 . Average: 1.5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •