Kolec Traboini: Murro
| Monday, 06.20.2011, 06:23 PM |  

Tregim

 

KOLEC TRABOINI

 

MURRO

 

Nga Kanadaja në veri drejt Bostonit kish nisur të dyndeshin erëra të ftohta dhe krejt papritur nisi të bjerë një breshërizë dëbore që do të qëndronte gjatë si një endërr e makthshme në hapsirën e Nju Inglandit deri përtej pranverës.

Tek shihja flokët e parë te borës që lëshoheshin në qiell në një vallzim të bardhë e të hazdisur, në tis të kujtesës, m’u shfaq koha kur isha ushtar në Malësi të Gjakovës, në një prag dimrit në vitet 70, kohë kur e ndjeja veten si kafshëz e mardhur.

Kishim një qen të madh në repart të cilin e thërrisnim Murro. Mund të ishim rreth dyqind e pesëdhjetë ushtarë të dy kompanive të artilerisë tokësore që ishim stacionuar në qytezën minatore të Kamit, jo shumë larg pikës kufitare të Qafë Prushit.

Të gjithë e donin dhe të gjithë i donte i miri Murro. Ishte një qen me trup të lidhur, shumë i fortë, me ngjyrë të përhimtë e gati në të bardhë të qimeve. Racë ujku, ose shartim i ujkut me qen, që e bënte sa të fuqishëm e të egër me të panjohurit, aq të mirë e të dashur me ushtarët.

Ai nuk ishte nga ata qen që mund të gjeje rëndom pranë restorantit të qytezës veriore të minatorëve, në zallamahinë e skotave bastarde që shqyenin njëri-tjetrin për një kockë. Jo! Murrua ishte nga tjetër sërë. Ai kurrë nuk shkonte pranë restorantit, kurrë nuk afrohej tek guzhina e repartit. Ai qëndronte gjithnjë pranë ushtarëve, madje edhe kur merrnin rrugën e lodhshmë të stërvitjes taktike.

Kur zbardhte dëbora në Malësinë e Gjakovës, mbi Majat e Hekurave, Dragobi, Shkëlzen, në Qafë Luzhë apo në Majën e Fushave dhe tej e përtej Bjeshkëve të Namuna, ne ushtarët mblidheshin kruspull rrëzë kapanoneve për të mos na zënë era, cikma e dëborës. Murrua na afrohej pranë e na shihte me ata sytë e tij të blertë. Sikur na fliste. Sikur na pyeste: "Kaq shumë mërdhini ju ushtarët?!"

Sikur kërkonte të na afronte ngrohtësinë e qimeve të tij të dendura që nuk merrnin lagështirë e ku fluturzat e borës shkrinin e shkisnin si lotë.

Por ne e dinim që edhe Murrua kallkanosej nga të ftohtit. Atë vit, kur dëbora shkoi sa një njeri në këmbë, Murrua u tret aq shumë… E kjo, jo se mungonte kujdesi ynë për të, por se tërë natën, ndërkohë që temperatura kishte shkuar minus dhjetë gradë, ai nuk shkonte të flinte tek kapanonet, pranë fuçisë që bënte punën e sobës, por shkonte e qëndronte i heshtur tek parku i topave të mëdhej, Obuz 122, pranë ushtarit që kishte rradhën e rojës. E, me që ushtarët në situata të jashtzakonëshme ndrroheshin për çdo orë, Murrua shoqëronte për në vendroje secilin prej ushtarëve të rradhës dhe i bënte shoqëri tërë kohën e shërbimit. Ushtarët ndrroheshin, Murrua po aty. Sytë e tij nguleshin në errësirë si thëngjij të zjarrtë dhe kundronin nga ushtari me ndjenjë dhëmbshurie.

Sa herë kam bërë roje nate me Murron, sytë e tij aq të zgjuar e të dashur më dukej sikur më thoshin:

"Pse qëndron këtu?".

"Se ruaj armikun", përgjigjesha me mendjen time.

"Po ku është ky armik?"- më bëhej se më thoshte Murrua.-Ma trego mua pa shkoj dhe e shqyej, dhe ti të mos rrish më këtu në mes të borës e kallkanit që na ngriu të dyve."

"Është edhe këndej-edhe andej. Është edhe para edhe pas. Është kudo, Murro. Është kaq i fshehur e i djallëzuar armiku sa në të shumtën e herës të shfaqet si mik."

"Edhe si komandant?"-më shpotitën sytë e Murros.

Unë heshta.

"Përse nuk flet?"- më pyesnin sytë e Murros.

"Sepse, i dashur miku im, armiku të shfaqet si mik...dhe ndoshta

edhe si Murro."

"Këto janë përralla që nuk i beson njeri. As ne qentë nuk i besojmë"- më bëhej se më fliste Murrua.

-"Këtu në bjeshkë ka vetëm një armik dhe ky armik është bora..."

Nisa ta përkëdhel. Ishte mardhur keq i shkreti Murro. Lashë automatikun në një anë dhe nisa ta fërkoj fort me duart e veshura me dorashka.

Murrua nisi të lëvizë në dëborë. Donte të nxehej. Si e mori veten, u afrua e u mbështet më kurriz pranë këmbëvë të mia që më ishin kallkanosur.

Nuk m’u durua pa i thënë: "Ah, miku im i mirë, që nuk të harroj kurrë derisa të vdes.

Ti ke të drejtë. Ti je më i zgjuar e më guximtar se çdo njeri, po ndodh që shpesh herë dhuntia i bëhet plagë në trup e në shpirt njeriut. E ndoshta kjo ndodh edhe me qentë. Prandaj mos fol. Mos fol se do të përfundosh në një qen burgu..."

Murrua hungëroi dhe m'i skremiti dhëmbët...

"Atje në burg, edhe qeni e ndjen veten si një njeri i mardhur" m’u bë se më tha Murrua.

" Ndërsa njeriu, pa qënë në burg e ndjen veten një qen i mardhur" - ia ktheva unë.

Murrua kuiti dhe u mblodh kruspull sërish pranë këmbëve të mia për të më ngrohur sadopak, nga frika se mos unë, miku i tij në atë botë të akullt, kallkanosesha e vdisja mbi dëborë...

Vite më pas, sa herë më kthehej në kujtesë ky dialog emotiv i thosha vetes se, si qen i mardhur e ndjen njeriu veten edhe kur dështon në veprën e vet, kur ka nxjerrë nga duart as një të dhjetën e asaj që mendon dhe ëndërron. Nuk e krijon pra në lartësi estetike, jo se nuk e ka ekuavalentin shpirtëror, ndjesinë perceptuese, aftësinë e vëzhgimit, por se mjedisi në të cilin gjallnon, është si një cipëz akulli që e rrethon tërë qënien tonë e na e bën ndjenjën kallkan e gjymtyrët si ca shkopinj të thatë.

E di që koha e Murros ka ikur, kush e di ku i ka mbyllur sytë me trishtim nën stuhi bore, por edhe në kohrat e reja që jetojmë ka borë, ka Murro, por ka edhe njerëz zotërues, imponues që i bëjnë të tjerët të flasin me vete.

E hera herës ta ndjenin veten si të ishin qen dëbore…



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •