Arqile Gjata: Refleksione në prag të ditëlindjes
| Saturday, 07.02.2011, 10:11 AM |  

Arqile Gjata

 

 

REFLEKSIONE NË PRAG TË DITËLINDJES

 

***

Globi,

dhe pse rrotullohet,

ne,

me shpatulla e shtyjmë,

me shpresë

të bjerë në greminë

ku shtrihet një fushë e begatë

me pemë të pavdekshme.

 

***

Vendi im, i mërzitur...

faj kam edhe unë

për dramën që luhet nga ngjyra gri

për ditët e pajetuara.

 

***

Një mëngjes,

 më kujtohet ikja e yjeve

nga frika e mureve të ftohtë,

për vajzën e bukur, iku...

pa kthyer kokën pas.

 

***

Shpesh më shfaqet një merak

për lotët e tua,

mikja ime!

 

Çdo ditë,

ti kafen e pi me burrin

varrosur në shtratin bashkëshortor.

Nuk na kuptojnë...

qetësohu,

pije kafen të hidhur,

zier me lot,

me pak shpresë.

 

***

Mendoj për veten,

për të ardhmen...

hirin e syve të mi t’ma mbillni  buzë detit,

atje, tek Shkëmbi i Doktorit.

Sa i bukur do ishte varri im!!

 

***

Njeriu vdes mbi tokë,

në ujë,

duke pritur...

apo në gjumë.

Poeti vdes në ajër,

i pa tretur...!

 

***

I zhveshur,

jam në luftë me të ardhmen.

Të gjithë kemi harruar të qajmë,

na i vodhën lotët

njerëzit e tokës time.

 

***

Ata që ikën.

i quajta të gjithë të vdekur.

 

Më vijnë si dritë,

nga dritaret,

mes tyre është dhe ajo...

Ja dhe motra!

 

***

E çuditshme,

s’paskeni ndryshuar fare,

ju mbaj mend!

Uluni, të shmallemi!

***

Mos ikni,

ku shkoni!?

***

Në ajrin e sëmurë

u plakën idetë,

deti u thinjë deri në rrënjë

pikë loti nuk ka në sy.

 

Veç zogjtë jetojnë të lumtur.

***

 

Ah nëna...

jeta mbi prerin tuaja mbahet!

Netëve,

të dëshpëruara, ju jeni sy çelur,

guximtare,

ninulla këndoni me duar ngarkuar me fruta.

 

***

Vjeshta e sivjetme

s’pati të mbaruar,

u zverdhën gjethet, bashkë me të papunët.

 

Trishtimi ua kanë këputur duar e këmbë.

Jashtë,

janë mbledhur fëmijët

me dhimbje në mëlçi.

 

Ora është një e ditës

dhe dreka shtruar ka urinë

për pak bukë...

Tek pragu i derës, gruaja

me barkun tek buza djersinë,

për një kokërr frutë.

 

***

Profesioni im

këndon përmes telave,

e miq të kujdesshëm me veten jemi,

si zogj sjellim diell në banesën tuaj.  

  

***

Të vrarët,

rinë aty, shtrirë në bulevard

gjaku i tyre shndrin pikë-pikë

 

Katër të vdekur përmbys...

përgjatë ditës, natën me hënë

shëtisin ëndrrat e këputura

deri në çastin që populli

të vi me këngë në Sheshin e Dëshmorëve.

 

***

Pesha ime është e lodhur

nga fjala e hijes time.

Hijedritat në garë me kohën

mbushen me ide për të ardhmen.   

 

 

KUR E SHËMTUARA

         RRUGËN TË KA ZËNË

 

Ç’më tha e nesërmja...!

 

E shëmtuara

ju ka zënë rrugën e stinëve.

Do ecësh,

do lodhesh nga fajet e të vdekurve.

 

As turp, as frikë mos ki,

gënjeshtrën kyçe,

porta hap!

 

Grindjet e njerëzve,

mos i puthë,

kryqëzoje urrejtjen në vende të pashkelura.

 

 

JAM NJERI I VENDIT TIM

 

Të moçmin qiell sodis...

 

Kur isha foshnje

yjet dëshiroja t’i kapje me doçka.

 

Përsëri kokën lart e ngre...

Toka është plakur,

yjet rinuar

sy nuk kemi t’i shikojmë ato thërrime drite

skuqur si zjarr,

zëri na digjet nga etja,

nga uria.

 

 

I PËRLINDURI

 

I përlinduri mbuluar me hënë

njeri i bardhë,

lakuriq vizaton poezi.

Pranë i shkon edhe era.

 

E dashura që pi ujë aty

sheh vargjet e vjershëtorit

sesi rrëshqasin përmes kopshteve

e më pas i bënë portretin.

 

***

Ia vlen të shikosh botën e tij,

në të majtë puhit e vargjeve,

djathtas një këngë e gjatë,

e gjatë sa vetë mosha.

 

Detet dhe ngjyrat urtësohen

në shpirtin e pagjumë.

Me gëzim të pa cak

ai,

shumë lehtë mund të vdes,

të këputet si petale qershie.

 

 

FSHEHURAZI, BINTE  BORË

 

Ajo,

u shkroi letrën e fundit

nënës dhe shokëve.

Në të gdhirë sy më sy me xhelatin,

në lak të litarit jeta e saj lëkundej.

 

Mbi kalldrëmin e akullt

një palë nallane druri...

Dy malet e hirta

qyteti i gurtë mbytur në lot.

 

***

Në ajër është ende aroma

me duar të shtrira drejtë dritës.

 

 

AJO KOMPOZON DRITË

 

Sapo lind dielli

ajo ngre zërin zbukuruar me melodira

mëngjesore.

Së brendshmi ia praron fytyrën

një sifoni

kompozuar nga zogj fluturues mbi ylber.

 

Ajo dita-ditës lëshon dritë

mbi një lëndinë me lulëkuqe,

ku miq ka përherë në sytë e saj.

 

Tingujt shkojnë larg...

tej mbulesës së bardhë të trupit

e një pëllëmbë më lartë

zemra rikompozon dritë të kuqe.

 

 

JETA

 

Jetë,

mbamë dhe pakëz!

Akoma nuk ka rënë nata

për mua.

 

Do të mbaj shtrënguar!

Të dua jetë,

ashtu si je,

lakuriq.

Ende jetoj

dhe emrin nuk e kam harruar.   

 

 

KUR NATA IKËN PREJ MEJE

 

Sa herë që nata ikën prej meje,

unë shndërrohem.

Dua të ngelem ku ka gjëra të ndaluara

nga deriçka të fshehta

të futem në botën  e mëkateve...

 

Është marrëzi!

Kështu janë të gjallët,

botën e mbajnë dhe mbi supe

veç me të bukurën të çmenden...

 

 

DHIMBJA E SUKSESIT

 

I neveritshëm suksesi,

karikaturë e pështirë që të tradhton

kur dhimbje ndjen.

 

Dehur nga humbja e përfoljes,

si gurë i ftohtë

përsëri dhimbja dëfrehet me suksesin.

 

Rritur nëpër gjethe

ushqyer me të korrat e lotëve,

ndodh...

ndonjë fluturak guxon t’i thotë:

Eja,

fluturo me mua!

Të mos lagesh nga shirat

e suksesit

dhe i vdekur të ngrohesh

në dëshirat e njerëzve.      

     

 

ËSHTË KOHA KUR NJERIU PO VDES

 

Njeriu...

me fytyrë binjakësh

mes armësh shkruan vdekjen.

Të poshtëruarit,

parajsë nuk kërkojnë,

veç rivëllazërim për mollën e ndaluar

të ngrohin gjakun e ngrirë

me shurupin e vdekjes.

 

 

TEK AJRI JANË GJITHË

         GERMAT E SHPIRTIT 

 

Kur linda,

u bëra mik me ajrin.

Çdo mëngjes puthem etshëm me të,

është drithërues,

rreth tij shpaloset natyra.

Ai m’i dhuron këngët e zogjve.

 

Tek ajri janë gjithë germat e shpirtit,

ato si degëzat e pemëve luajnë mrekulli

kur rrugën harron e vetmitar qëndron,

me shpresë

të durosh vetveten, mendje zhveshur,

a me xhaketë pranvere.

***

Pas frymës së ajrit,

si durimtar vrapon vargu im.

Nëpër ëndrrat e jetës

e qeshura,

zgjatë dorën të ledhatoj ajrin e virgjër.

 

 

***

Sa e dhimbsur poezia...!

 

Gjakosur nga hëna,

lodhur

nga rrugëtimi nëpër pyje

fryrë si sy kau,

dehur me verë.

 

Nën këmbët e poezisë

shoh botën të sillet me të

si fëmija,

me një kurorë në dorë

nëpër legjendat e kalldrëmta

përqafuar me diell.

 

 

NATA E BARDHË

 

Në natën e bardhë

së larti zbret me jehonë

i shenjti lis,

Adem Jashari!

 

U çelën portat e festës...

***

Për të kuvenduar

Ai,

nga zemra e maleve hapon drejt Kullës,

ku ende është varur qielli i vranur.

 

Është në këmbë...

Fytyrë veshur me diell

nëpër gurtonët e flakëruar

që kanë një emër,

këndon këngët e lirisë.

 

Në të gdhirë

me të dy krahët mbledh yjet

në qiellin e zjarrtë,

i shtron në sofrën e madhe

të Ditë-Lindjes.

 

Si rreze drite rend nëpër Dardani

bashkë me gjakun e shokëve

kënga ‘’U KRY BAC’’

i dhanë Ymër Mëvetësisë...

 

Nga vlaga e tokës

pëshpërimat e shpirtrave të vrarë

kanë çelur luleborat...!    

 

   

VAJZA E KËNGËS LABE

 

Vajza e këngës labe

nga majëmalet

hapi derën e mëngjesit...

 

Bukurisë së saj

i rrinë afër retë dhe erërat.

E pavëmendshme prej tyre

qëmton këngë

me iso labe në trastën e saj

për ditën e Shën Valentinit.

***

Shikonte lindjen...

Nga një zhurmë e bardhë,

nën gjethet e një lisi

iu shfaq dëshira

për ta thyer qelqen e moshës.

***

Dua të soditem,

t’i jepem djalit të isos!

Tingëllimën e qelqtë ta shijojë

si melodi këngësh

dalë nga oshtima e zërave tanë,

në ditën e të dashuruarve

kur dielli do çlodhet

dhe hëna të fle.  

 

 

IMAZHE ËNDRRASH

 

Leshra prishur nëpër re

me zë burri, ëndërrimtar

i këndoj vendit tim,

si i mitur në përrallë.

 

Fluturoj nëpër erë

të shohë çatinë prej kartoni

buzagazin, vendin tim,

kur ai ndërron vend  

nga një dorë e ngrohtë

pa përmbysur kujtime.

 

***

Dremitem  mes vështrimeve të ëndrrave,

me ato nuk ka heroizëm...

zhytesh thellë,

rrokullisesh humnerave.

Pas zgjimit

veten e shikon të kthjellët.

 

***

Kur isha djalë

qeshja shpesh,

tani e qeshura është frika që kam

nga vetja

e në dritë të vetëtimës

më ka filluar t’më vdes koha

nëpër duar.

 

***

E qeshura ecën vrullshëm nëpër  ëndrra,

as dashuria nuk shuhet.

Nëpër rrugica të këndshme, buzëqeshja,

shpirtin ta bënë pasqyrë nga thinjat. 

 

 

MONOLOGU I SHURDHUR

 

I betuar,

në sytë e kohës

ndërgjegjja ime qëndron si kockë

në këngë

e hovshëm merr frymë

monologu i shurdhur.

 

Monologu...

pret  të shkruaj mes erërave

në qiellin që pikon yje

të nesërmen,

mbetur në asht të trupit.

***

Në vite ndërtuam gjigandë,

më pas i tretëm rrëzë maleve

ngrohur në dritën e hënës.

 

Në monologun e shurdhur,

hija ime

banon me vdekatarët

ku stinët kremtohen me dhimbje.

 

***

Të gjithë ankohemi për keqësimin e motit,

më shumë natë se ditë,

me mall e kurajo pimë gotën e verës

nëpër rrathë ku nuk ka rrufe djegëse.

 

***

Flokët e monologut

krehin mallëngjimet e detit,

ku e djeshmja mungon

në përgjigjen time,

veç e nesërmja zgjatë krahët

të shuaj etjen e moshës.    

 

____________

 

Arqile Gjata

 

AI QË I FUNDIT QESH

 

Të gjallët...me ajër nuk i ngopëm,

dritë në sy

sa për një natë dimri kemi.

 

Nga ujë kockat do na treten,

e dheun kemi deri lartë...

nën të,

mbetur ca grimca ari.

 

Pikëlluar,

si gjethe vjeshte jam dergjur,

skelet

nga hallet për të ardhmen.

 

***

Në këmbë,

me sy nga dielli,

si ai,

që i fundit qesh

për të ndrequr sado pak

ditë-natën...e jetës.

 

 

NJË LUFTË E RE KA FILLUAR

 

Në mungesë të syve të ditës

një luftë e re ka filluar.

Shtrojnë gurë e çakëll,

molet e etura,

detin e tërheqin osh

princat e bregdetit.

 

...Dhe më pas,

diellin ta ndajnë

në vija lumi, pronë të pa luajtshme.

Erdhi koha e njeriut hije

detin ta rrethojnë si oborr shtëpie...

 

 

GRUAJA NË KËLLËF

 

Si qenie e zakonshme

gruaja këllëf jeton netët e saja,

e gjallë si vetmia.

 

Misterioze,

merr frymë...e me një qiri në dorë

ngjit shkallët e përgjumta.

 

Thellë në brendësi të saj

britmat e një të qari...

mbyllur në këllëf,

deshte të shihte dritë nga mania

e buzëqeshjeve

gjatë rrugës për në shtëpi.

 

Gruaja në këllëf...

mbetur,

e përjetshme në ëndrra

duke lozur me hilet e joshjes.

 

Athine Qershor 2011



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •