Cikël poetik nga Andrea Zarballa
| Saturday, 07.09.2011, 11:40 AM |  

ANDREA ZARBALLA, Sarandë

 

12  POEZI

 

 

VETVRASJE

 

Pardje, brenda meje vrau veten me kallash

fjala «Κryengritje»,

e fundit, që më kish mbetur

nga ato që Kavafis i quan të «kumbushme».

 

Për çudi,

nuk më bënë pis trutë e hedhura në erë,

as u mbulova me njolla gjaku.

 

U vertëtua kështu, që, megjithë pretendimet

se lind mendime të reja,

nuk kishte tru,

dhe megjithëse e mbulon botën me gjak,

venat i kishte të zbrazura.

 

 

SPANJA

 

Spanja i provokon me këmbëngulje demat

ta vënë përpara, të tërbuar,

sokakëve të ngushta të Pablonës.

 

Spanja rrit apostafat kope me dema të egërsuar,

që një ditë t’i ngulin brirët brinjëve,

ta rëzojnë përtokë,

ta shkelin fortë me thundrat

sokakëve të ngushta të Pablonës

 

Spanja nuk e thotë brengën torturuese,

por çdo vit kërkon me insistim një vdekje

të dhunshme, të ashpër,

që atëhere që ngriti dorën,

dhe vrau vetë Poetin.

 

 

FATALISHT

 

Asnjë nuk e bind Marien se nuk është

gruaja më  e bukur e qytetit.

 

Asnjë nuk e bind Teofanin se nuk është

poeti më i madh i Evropës.

 

Asnjë nuk e bind Luanin se nuk ka

zinxhir dyqanesh në Ballkan.

 

Asnjë nuk e bind Fatmirin se nuk qendron

mbi një kodër dhe nuk drejton një betejë.

 

Asnjë nuk e bind Teodosin

se nuk është president i një vendi të madh.

 

Dhe tha Pirandelo: Kështu është,

poqë se kështu mendojnë.

 

 

DISTANCA

 

Mbaje në një farë distance njeriun

për të mos u gjendur para rrudhave neveritëse,

para shtupës se qimeve të veshëve dhe të hundës

që të mos zësh hundët prej kutërbimit

që i del nga gropa e kalbezimeve.

 

Mos e shiko fundin e detit,

kënaqu me ngjyrën, freskinë dhe llokoçitjen,

sepse po t’i shikosh fundin,

do të të bie alivania nga krimet

që kryen toka dhe i fsheh atje thellë.

 

Ruhu mos të të  mbështjellë fort ideologjia

wepse do të deformohesh krejt,

do të zhdukesh

si një lis i mjerë, që e shtërngoi, e mbyti kulpra.

 

Mbaje në një farë distance atdheun,

po të duash të provosh një dashuri unikale,

ndryshe, do të të thithi palcën,

do të të bluaj kockat si gurë mulliri

dhe do ta lë hirin ta marri era.

 

 

SHKËMBINJ

 

Pesë masive të bardha, të tmerrshme,

befas ndaluan mbi Korfuz.

 

Qielli e do ishullin e blertë,

veç, po e anulloi për më vonë zemërimin.

 

 

DENIMET

 

Bota moderne, e civilizuar, e hoqi

denimin me vdekje për njeriun.

 

Dhe la në fuqi

denimin me vdekje të popujve.

 

 

DEMOKRACITE BASHKËKOHORE

 

Demokracitë e përsosura, bashkëkohore,

lënë takime me diktatorët,

dalin shëtitje të zëna përdore me diktatorët,

drekojnë me diktatorët.

 

Kanë dhe ato huqet e tyre.

 

 

I BURGOSURI

 

Ka shtëpi dykatëshe me oborr dhe kopësht,

por flë në kapanon.

 

Ulet për të ngrenë në sallonin modern

me bashkëshortën pranë,

por ha në mencën e gjatë

së bashku me një mijë bashkëvuajtës,

 

Pjata e tij është prej kristali

dhe gota e birrës e akullt,

por vazhdon të ha në gavetë alumini

dhe pi çaj të ftohtë në gotë plastike.

 

Pasditeve del shëtijë në bregdet,

pranë detit ë freskët,

por shëtit në oborrin e burgut.

 

Kaluan tridhjetë vjet

nga dita që trupi iu lirua nga burgu,

por shprti i tij kryen denim të përjetshëm.

 

 

EPIDAVROS

 

Sapo i shkela pragun,

hapi menjëherë erashkën e gurtë

dhe më mbylli brenda.

 

Thirra në ndihmë një goce japoneze,

por nuk dëgjonte, as shikonte.

I harroi siç duket fjalët e babait

«Shiko, atje ku do shkosh,

përmbaje sa të mundësh admirimin»

dhe u kthye në shtyllë kripe.

 

Hodha një monedhe në kërthizën e Epidavros

dhe ajo mu përgjigj menjëherë:

-Ata që vonojnë dy mijë vjet të kalojnë,

i mbaj robër përgjithmonë.

 

E dinte siç duket,

se s’ kisha haber nga gjuha e lashtë

dhe më foli vetëm me një tingull tronditës.

 

 

UDHETIMET

 

Kaloi kohë që udhëtimet e vogla i braktisa

dhe fillova udhëtimet e mëdha.

 

Udhëtimet e vogla të çojnë në anën tjetër të botës,

ndërsa të mëdhatë të çojnë në anën tjetër të jetës.

 

Udhëtimet e vogla e kanë bashin gjithmonë para,

të mëdhatë, e kanë të kthyer prapa.

 

Të voglat përshkojnë fusha dhe dete,

të mëdhatë oqeanin e kohës.

 

Udhëtimet e vogla djegin kërshëri,

udhëtimet e mëdha djegin embëlsi dhe shije.

 

Udhëtimet e vogla pak e nga pak të mplakin,

udhëtimet e mëdha pak e nga pak të rinojnë.

 

 

SEPATA

 

Të gjitha dyert janë në radhë,

çdonjëra me emblemën e vetë,

me ngjyrën e vetë: e blerta, e blujta,

e kuqja,e zeza.

 

Ditën tjetën mund t’i shikoni

me të njejtën emblemë, me të njejtën ngjyrë,

por në pozicion tjetër: e kuqja, e blerta,

e zeza, e blujtja.

 

Gjithëmonë ndërrojnë vend dyert e pushteteve.

 

Por në anën e pasme asgjë nuk ndryshon,

të gjitha pushtetet kanë ngulur një gozhdë

ku varin sëpatat e tyre.

 

Janë sëpata të njejta, idem,

a thua se kanë dalë nga duart e të njejtit kovaç.

 

Ndoshta u farkëtuan në kovaçanën e Limnosit

sepse te Hefesti,

tek ai porositnin sëpata pushtetet.

 

 

DUARSHTËRNGIME

 

Çdo gjë varet

nga mënyra se si ta japin dorën.

 

Mundet që në pëllembën tënde të cicerojë një zog,

mund të avullojë një bukë e ngrohtë,

mund të mbash psh një trendafil të vyshkur,

ose të çmendesh nga kruarja e hithrës.

 

Por ajo që nuk durohet

është një pëllembë gjithmonë e tkurur,

sikur kërkon të fsheh diçka ose të fshihet,

gjithmonë e djersitur, e lagur si bretkocë

aq, sa të vjen t’i presesh për fare

duarshtërngimet.

 

Të gjitha varen

nga ajo që duan të të përcjellin të tjerët,

nga ajo që do ty t’ u percjellesh të tjerëve. 

 

Sarandë, verë, 2011



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •