Cikël poetik nga Zyba Hysa
| Thursday, 07.14.2011, 06:44 PM |  

Zyba Hysa

 

 

Një zemër që zemrës i flet

 

Të ka ndodhur me vetminë të rrish,

Të pranosh atë, aqsa shpesh e urren?

Je ndierë në mes të njerëzve si jetim?

Po, përmbi vale, ke provuar të kërcesh?

Të ka gëzuar si një pasuri,

Një diell mëngjezor në park?

Të ka ndodhur në dashuri,

Të jesh djegur në bubulak?

Thuamë, për çfarë të ka ngjarë,

Më e bukura bukuri në jetë,

Ta di, që në takimin e parë,

Të t‘i shprish, asgjë të mos mbesë!

 

 

Në tokë kishte zbritur Hëna…

 

Sonte,

Prushit i fryve me buzë,

Flakëruan thëngjinjtë himbuluar,

Që ditët,

Aqsa mijëra vite pritur,

Kishin strehuar në gji…

Ditë e net,

Takime imagjinare,

Më imagjinarë se imagjinata,

Por asnjë si takimi ynë,

Nën dritë neoni,

Në tokë,

Kishte zbritur Hëna...

 

 

Thesare…

 

Erdhe…

Ike…

Mbete,

Me një mbetje,

Më shumë se vetvetja…

E dua mbetjen tënde,

Aty ku e kam strehuar,

Çdo ditë i dërgoj,

Më të bukurat fjalë,

Më të magjishmet këngë,

I dërgoj puthje zjarr,

Puthje,

Që fikur dhe ndezur shpirtin mbajnë...

Shpirt të kam!

Ti nuk e kupton,

Shumë thesare më ke falur,

Thesare,

Që as Ali Pasha nuk i ka pasur fat,

Thesare vështrimi,

Thesare përqafimi,

Thesare puthje,

Thesare…

Thesare…

Thesare,

Që kurë s’i kam parë!

 

 

Fati

 

Të pashë,

Të njoha me shqisën e panjohur,

Doja të qëndroja gjatë,

Të kundroja nga larg,

Magjia mistike,

Më bëri të qesh,

Si miq që shiheshim pas vitesh…

Oh, ç’lumturi!

T’u derdha në qafë,

Për të shkarkuar mallin,

Që as vetë nuk e di si qe bërë mal,

U mbështeta tek ti,

Si kulpra mbi lis,

E mbeta aty…

O zot,

Sa shekuj kemi qënë larg,

Sa herë kemi vdekur

E sa herë kemi lindur,

Këtë cast për të pritur?!

Një cast, një jetë,

Një jetë, një cast,

Ky është fat!

 

 

O shpirt

 

Ku e kam parë këtë vështrim,

Që më duket se me të jam rritur?!

O shpirt,

Që shpirtin ma trazove,

Deri në grimcën më të vogël të grimcës,

O ëndërr,

Që ëndrrat m’i shtove

Edhe pse gjumi nuk më merr,

O jetë,

Që jetës m’i dhe shpresë,

Gaz, dritë,

Të shoh yjësitë!

 

 

Puthjet tua

 

U ça diga e mallit,

Puthjet vërshuan

Dhe mbytën shpirtin me kënaqësi…

Në agoni,

Përpëlitet shpirti,

Herë nxjerr kokën e merr frymë,

Herë zhytet në të rrëmbyerin lumë…

 

 

Eh, lumturi, lumturi

 

Nuk janë vitet ato,

Që sjellin lumturinë,

Është misteri i një çasti,

Duke e pritur,

Pa ditur se një ditë do të vijë,

Është vështrimi i syve,

Që edhe ngjyrën nuk e dimë,

Është përqafimi,

Me kokë mbështetur mbi gjoks,

Në atë gjoks,

Që të ndjell aroma e tij,

E ti nuk e ke ditur që ekziston…

Eh, lumturi, lumturi...

Vjen si vetëtimë,

Ikën si era me shi shtrëngatë,

Duke lënë pas katastrofën!

 

 

Orgazma shpirti

 

Që sot i kam telefonuar vetmisë,

Që ajo të mos mendojë se e kam harruar,

Por ajo telefonin fik,

Ndaj po të thërras, mos ik!

Eja, pra, eja të rrimë bashkë,

Të shihemi,

Sa për gjithë ditët,

Që vetmia do na bëjë shoqëri,

Të përqafohemi,

Që duart t’i ndjejmë edhe në largësi,

Të puthemi,

Që puthjen buzët ta mbajnë në buzë,

Si këngën tonë të preferuar,

Që pëshpërisim çdo cast…

Kaq na mjafton,

Poetët provojnë orgazma shpirti,

Që askush,

Nuk ka fatin t’i shijojë…

 

 

Zemër e çmendur

 

Zemra është çmendur,

Si një zog,

Që e mbyllin për herë të parë në kafaz,

Përplas kokën, sa në një anë,

Në anën tjetër të krahërorit,

Unë i shtoj rrjetën,

Ajo tërbohet më shumë,

Ç’të bëj unë?!

 

 

Aritmia e zemrës

 

Ka ditë,

Që edhe rakija,

Nuk po e qetëson aritminë zemrës,

Ajo nxiton,

Sikur dikush po kanos zemrën e saj...

Zemra ka zemër,

Një zemër që rregollon pulsin,

Një zemër që e ushqen me pigment jete,

Një zemër,

Që vetë zemrës i fal jetë!

 

 

Zemrat

 

Udhën marrin për tek një strehë,

Një strehë, që as vetë se njohim,

Ikin symbullurazi, si nëpër re,

Zemrat rrezikun kurrë s’e shohin!

 

Zemra njerëzore është bujare,

Plot dhomëza ndarë per miqësinë,

Dhomëza për zemër s’ka dritare,

Për portë e kyç ka dashurinë!

 

 

Istrumenti i shpirtit

 

Të kam thënë: jetoj me këngën,

E pse fjalët shpesh nuk ua di,

Ato ndezin dhe zgjojnë zemrën,

Me më të bukurat melodi.

 

Ne, poetët, ndryshe dëgjojmë,

Thellë shpirti si një istrument,

Feshfërimën di të kompozojë,

Kur jehona vjen nga tjetërkënd!

 

 

Grackë e mbuluar me hi

 

Si do duroj të vijë agimi,

Me pritjen është shumë larg,

I acartë, i egër thëllimi,

Në shpirtin e ndezur zjarr...!

 

O dashuri, o zjarr hyjnor,

Që ngroh e djeg njëherësh,

Mendojmë se të kami në dorë,

E grepin s’mund të hedhësh...

 

Ku ta dija që poshtë zemrës,

Një grackë mbuluar me hi,

Përgjëruar i rrika femrës,

Një fjalë, shikim i sjell robëri...

 

 

Hëna erdhi shkesë

 

Kisha kohë,

Që shpirtin, si satelit,

E kisha lëshuar në hapësirë,

Për t’u menduar mirë...

Me sytë e tij valor,

Të dalloi që nga hëna,

Ndaj ajo,

Tek ti erdhi shkesë

Dhe ëndrrën ta çoi,

Nënkresë…

 

Hënën e ftuam,

Natën e parë të dashurisë,

Nga gëzimi,

Gjithë yjësitë hënën rrethuan,

Vallen morën hyjnitë...

A, ka dasmë më dasmë se jona,

Ku hëna rrethuar me yje,

Mbyll sytë nga kënaqësia

Dhe për herë të parë si dasmorë,

Hyjnitë?!

Shiko i dashur, ngjajmë shumë,

Vështrimet tona,

Që në çastin e parë,

U dashuruan,

Përqafimin e ndollëm me forcën

E pashpallur të zemrës,

Puthjet... puthjet,

Si vallë kishin duruar zjarrminë e viteve,

U desh që puthja të puthte,

Puthjet e paputhura,

Puthjet e humbura

Dhe përsëri ndjenim zjarrmi…

 

Edhe fjalët,

Njësoj i kemi,

Edhe vargjet,

Dhuratë nga shpirti vijnë…

 

Dasma sapo ka mbaruar,

Nga tempulli i shenjtë i hënës,

Pranë e pranë,

Çift më i dashuruar,

S’është parë,

Ç’dasmë e bardhë!

Tani kemi muajin e mjaltit,

Mos humbasim kohë,

Të mbledhim më shumë nektar,

Ta kemi për dimrin e gjatë,

Gjer të vijë behari prapë!

 

Në gjithë ditët hënën dhe yjet,

I dua pranë,

Hyjnitë vallëzimin të mos e pushojnë,

Gjer ti të kesh ikur emigrant,

Atëherë vallëzimi do të mbarojë,

Hyjnitë,

Gati për fluturim,

Me ty të udhëtojnë,

Të rrinë përherë pranë,

Të të mbrojnë,

Të të kujtojnë,

Të ruajnë nga e liga,

Të bëjnë shoqëri,

Gjer të vish përsëri…

 

 

Mos pyet për nesër…

 

Mos pyet,

Se çfarë kohe do të jetë nesër,

Dhe parashikuesi më i zoti,

Mund të gabojë…

Eja,

Nën rrezatim diellor,

Që Zoti na ka dhuruar sot,

Sa më shumë të rrimë,

Të bëhemi më të fortë,

Të durojmë

Dhe ditë dimri të ftohtë…

 

 

Më puth mua

 

Më puth,

Më puth gjatë,

Aqsa shpirtin,

Të ma nxjerrësh nga humnera,

Pak nga pak…

Më puth përsëri,

Gjer shpirtirat tanë,

Të kthehen hyjni,

Valët e tyre mistike të përzihen,

Për përjetësi…

Më puth… më puth,

Më puth mua,

Të dua!

 

 

Krahëhapur më prite

 

Nuk më ka ndodhur,

Të hidhem më qafë dikujt,

Si një pemë e prerë duke u rrëzuar…

Ty,

Nuk të mundi pesha ime,

Krahëhapur më prite,

Tani nuk kam faj,

Aty më mbaj!

 

 

Mos u beto

 

I urrej njerëzit,

Që betohen për dashuri të përjetshme,

Dhe harrojnë të dashurojnë…

Stinët bëjnë të tyren,

Jeto njëherë të parën stinë,

Të tjerat vijnë…

 

 

Mendimi i zemrës

 

Kisha kohë,

Që zemrën,

E pyesja për shpirtin…

Përmes rrahjeve të përgjumura,

Nuk po e shprehte dot mendimin…

Në boshësinë,

E pakuptuar të shpirtit,

Hyre pa trokitur...

Trokitja jote,

E zgjoi nga përhumbja,

Zemra në këmbë u ngrit,

Të priti si mik…

U ndez zjarri,

Dhe zemra gatoi,

E të gostiti me mjaltin e saj,

Udhën drejt shpirtit ndriçoi…

 

 

Dashuria është si Zoti

 

Pak rëndësi ka,

Në pranë,

Apo larg e ke dashurinë,

Ajo është si Zoti,

Kur e kërkon,

Pranë i ndjen magjinë!

 

 

Shqisat e poetëve

 

Poetët flasin me shqisat e tyre,

Me hapin e imagjinatës,

Kalojnë përtej kufive njerëzorë,

Takojnë poetë të vdekur dhe të gjallë,

Takojnë,

Kohë që ka kaluar shekuj më parë,

E kohë,

Që shekuj duan për të ardhë…

 

 

Kam mall

 

Kam mall,

Një mall,

Që as vetë nuk di ta peshoj

Dhe nuk di si ta shkarkoj nga shpirti...

Nuk kuptoj,

Si, vallë me pushtoi pa e ndierë?!

Nuk kuptoj,

Përse mall dhe ankth përzier?!

Nuk di, nuk di, nuk di...

Kujtoja,

Se jeta diku mbaron pa mbaruar,

Se shija e saj,

Shijohet një herë

Dhe nuk besoja,

Se do provoja shije të pashijuar...

 

O zot,

Sa keq jam gjendur,

Si vallë të gjej një derë të dal?!

Muk shoh,

Nuk ndjej,

Nuk jetoj,

S'di si, s'di, si ndodhi kështu?!

Ndihmomë,

Tregomë një udhë të dal përsëri,

Nga ku kam hyrë pa dashje!

A do të mund të dal,

Apo pesha do me cojë në varr?!

Më jep një dorë,

Duke më qëlluar fort,

Të zgjohem,

Të cel sytë,

Të shoh pak dritë...

Më thuaj një fjalë,

Të rëndë aqsa malli,

Që mallin ta shemb,

Të shpëtoj shpirtin e robëruar,

Të marr pak frymë,

Aqsa për të mbijetuar...

 

 

Ndjej prekjen përmes ajrit

 

Në rrotullimin,

E vallëzimit tonë,

Që kurrë nuk kërcyem,

Ndjej prekjen tënde përmes ajrit,

Që ngado më përkëdhel...

Ik, tani,

Ikjen tënde ta dua,

Se ti edhe në vallëzimin e pakërcyer,

Ke mbetur...

 

 

Në dashurinë, s’ka trimëri

 

Kam ditë që them: “Jam trime”!

Dhe zemrën e përkund si për gjumë,

Ç’po ndodh sot me gjithë qenien time,

Që dridhet si purteka nën ujë?!

 

Mos vallë rënkimat e zemrës suaj,

Përmes valëve mistike fluturim,

Goditën zemrën time dhe e zgjuan,

Qan e thërret… s’ka shpërtim…

 

 

O gjarpër strehuar në gji

 

Fajtoren zemër, pyes për fajtorin…

Më në fund zemrën rëndë e dënoj,

Dua me thonj të shqyej krahërorin,

Thërrmia – thërrmia atë ta copëtoj!

 

Zemra s’është thjesht një copë mishi,

Plot gjak, po e preke shpirtin gjakos,

O Zot, përse zemra kurrë nuk diti,

Të pyes mirë veten, se kë strehon!

 

Pulsimi i pandashën i pulsit të saj,

Me ritëm tik…tak, thith e shpërndan,

Valë mistike që vijnë nga larg,

Pa ditur se vetvetes i ka hapur varr…

 

O zemër, o gjarpër strehuar në gji,

Kur ngrin e dridhesh prej ankthit acar,

Liri të jap të gjesh pak ngrohtësi,

Po, nga ngrohtësia si gjarpëri më ha…

 

Sa keq ndërtuar me veten jemi,

Vetvetes të mos i zëshë besë,

Vetveten armike e pse e kemi

Lotojmë për të, se më vjen keq!

 

 

JETA DHELPER

 

Kam shkruar për jetën dhelpër

Nëpër udhë endacake ndjell,

Për të kërkuar dashurinë e vjetër

Dhe ëndrrat në gjumë i vjedh…

 

Ecim me zemër në dorë,

Papritur shkasim veri,

Zemra si një top me borë

Rrokullimën merr n'arrati….

 

Ngrihemi, por ç'të shohim,

Një dorë, dy zemra në dorë,

Përpiqemi tonën ta njohim,

Padashje i ngatërrojmë...

 

Eh, kjo jetë, qenka dhelpër,

Mashtruese në udhën tonë,

Kërkojmë dashurinë e vjetër,

Një tjetër ajo na e ofron!

 

 

Mik dhe me djallin

 

Me çfarë të mas mallin?

Me çfarë të shuaj zjarrin?

S’di kujt t’i qaj hallin,

Për ty, mik dua dhe djallin!

 

T’i them, për peshën në zemër,

T’i them, sa fatlum që je ti,

T’i them, sa vuan një femër,

Kur dashuron me vërtetësi!

 

Kaq peshë e pamatur rëndon,

Sa dua, o djall të jem si ti,

Mbi vete peshë jo, nuk mban,

S’dua të ngarkoj tjetër, gjithësesi.

 

O ëngjëll, o ndjenjë djallëzore,

Që ëmbël – ëmbël futesh në gji,

Mos djalli të merr për dore,

Duke mbuluar djallëzite me dritë?!

 

 

Ty, po të pret

 

Ku je, o shpend i bardhë,

Pulëbardha mbi det, nën det,

Përpëlitet, këlthet si e marrë,

Veç ty, veç ty, po të pret!

 

 

Mendoja...

 

Mendoja,

Se i kisha thënë,

Të gjitha fjalët,

Që shporta magjike,

Ruante për dashurinë...

Mendoja,

Se kishin mbaruar vargjet,

E lirikave dashurore,

Mendoja,

Se shpirti s’kishte më,

Strehëz për zemër...

Mendoja... mendoja...

Por gaboja!

 

Ti,

Erdhe me borçën e fjalëve,

Të pa thëna,

Ti erdhe,

Siç vjen vetë poezia,

Nga misteri i mistertë,

Erdhe,

Me muzën për dore,

Plot vargje flladike,

Për këngë mitike...

Ti erdhe pa trokitur,

Hape derëparajsën,

Që shpirti,

Ma kishte fshehur,

Edhe mua...

 

 

O zemër, o mendje...

 

Pse nuk plas, moj zemër?!

Pse nuk u bëre një herë trime?!

Pse më tërmetos,

Edhe kur shpirti ka gaz?!

Pse? Pse? Pse?

Kush të vuri këtë emër,

Me mendjen përherë shemër?!

 

 

Dashuri është rrëfim

 

Në dashuri,

Nuk ka hetim,

Vetë dashuria,

Është rrëfim...!

 

 

Si zjarr bubulak

 

Nuk di në fle tani,

Ndjejn prekjen time të mëndafshtë,

Mbi flokë?

Po zjarri,

Që ndeza në gji,

Është bërë bubulak?

Zgjohu, shpirti im,

Ai bubulak,

Më përflak

Edhe nga largësia...

 

 

Shpirtrat kërkonin zemrat

 

Mijëra vjet,

Shpirtrat tanë jashtëtruporë,

Në hapësirën e pa fundme,

Bashkë do të kenë qenë...

Trupat tanë i burgosën,

Ata si në një luftë trup me trup,

Zhvilluan beteja,

Për të qenë të lirë,

I kishte marrë malli,

Për fluturim në hapësirë...

 

Për herë të parë,

Trupat tanë u treguan të mirë,

U dhanë fletë – leje,

Të takonin hënën,

Sikur edhe pas reve

E nuk kishte se si,

Shpirtrat tanë,

Të mos binin në dashuri:

Shpirtra lëndinë,

Shpirtra bujarë,

Të dy  magjepsur,

Me lirinë...

 

Hëna mësoi të flasë,

Me gjuhën e dashurisë,

Mësoi të thurte edhe kurorë,

Mes yjesh bëri dasmë,

Me hyjnitë dasmorë...

 

Trupave tanë tokësorë,

Flatra u dolën në krahë,

Të kapur dorë për dorë,

Fluturuan në hapësirë,

Si nuk kishin fluturuar më parë,

Në dasmë i kishte ftuar Hëna,

Shpirtrat,

Kërkonin zemrat!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •