Dibran Demaku: Cikël poetik për fëmijë
| Sunday, 07.31.2011, 10:44 PM |  

Dibran Demaku

 

 

GERMË E PARË NË ABETRAE

 

Germë e parë në abetare

mësimin në shkollë kur fillon

është shtëpi me shumë dritare

mollë në degë që kuqëlon.

 

Në të kënga e lirisë

jehon e nuk njeh kufi

ai është djepi i dashurisë

ku ëndrra ndjek çdo fëmijë.

 

Këngë e parë,harmoni në thep

është për ne më i dashuri emër

me të e rrisim shtatin plep

me zili e ruajmë në zemër.

 

Është më shumë se histori

në të krenar hapërojmë ne

me dashuri e dituri

mbrojmë të shtrenjtin Atdhe.

 

 

E KE SHOQE NGA FILLIMI

 

E ke shoqe nga fillimi

ti kur nisesh për në shkollë

n`të së pari fillon mësimin

që të bëhesh mendjehollë.

 

Në të mësoi dhe babai yt

që tash punon inxhinier

mësuan: mëma,motra,vëllai

mësuan edhe shumë të tjerë.

 

Në të mësoi dhe xha Migjeni

pastaj shkroi tregim për Lulin

pa të kurrë xha Rexhepi

s`do ta shkruante "Picimulin".

 

Është e parë ndër libra tjerë

(dhe për këtë mbahet krenare)

nuk vjetrohet asnjëherë

E ka emrin: Abetare...

 

 

ËSHTË MË SHUMË SE DASHURI

 

Kur e bën hapin e parë

pak me droje në shtator

një buzëqeshje margaritar

të josh ngrohtë o për në shkollë.

 

T`ndihmon dritat n`abetare

një nga një t`i ndezësh vetë

e të hapësh shumë dritare

për të parë zogjtë në jetë.

 

Është më shumë se dashuri

e dritë në fushë e pyll

s`je më vetëm,ç`lumturi

a s`është më i shtrenjti yll?

 

Ku na çel lulja në jetë

E tëra me vesë e larë

kujtesa gjithmonë thërret

Mësuesen tonë të parë.

 

 

DRITHËRIMË E KËNDSHME NË ZEMËR

 

Më e ndritur se çdo margaritar

të gjithë e thërrasim me një emër

ndër fjalë të tjera është e parë

drithërimë e këndshme n`zemër.

 

Me ne është që nga fillimi

zemrën e vet e mban në djep

si një yll i bardhë amshimi

që pret këngë zogjësh mbi thep.

 

Dorë për dore,udhët e jetës

na i shtron me dashuri

sy Drenushe përmes çetës

e në ninëz të strehon ty.

 

Ajo është edhe në diell

gazi i saj shkreptin në hënë

zemra i rrah n`tokë e n`qiell

e ka emrin: NËNË...

 

 

GONXHE E PRANVERËS

 

Çeli gonxhe e pranverës

i ra detit nëpër botë

me anije të shpresës

nuk e ndalë furtunë as shqotë.

 

Hapëron udhëve t`planetit

si një dritë në gjihësi

zemrën sa syprinë e detit

nënë e kanë shumë fëmijë.

 

Të bën për vete me urtësi

si me rreze përkëdhel dhenë

ditë vere-hirësi

mbi të gjitha nënat-Nënë.

 

Vepra e saj është dashuri

shkëlqen më shumë se rrezja

dritë,këngë e mirësi

është ajo:Nënë Terezja...

 

 

MOS

 

Mos gjyko besën e burrit

se pëlcet palcë e gurit

 

Mos e venit shkëlqimin e plisit

se shëmton gjuhën e fisit

 

Mos e vrit këngën e besës

se e mbyll rrugën e shpresës

 

Mos e ndal rrezen e diellit

se e nxit lotin e qiellit

 

Mos i fal armikut zemër

se të zhduk ai fis e emër

 

 

LUAJE MACË KRYET E BUELLIT

 

Pak në tokë e pak në det

dikush ëndrrat po m`i vret

 

Pak në det e pak në tokë

dikush do na lërë pa flokë

 

Dikush po na vret në zemër

të na lërë pa fis pa emër

 

Këtu një arë-aty një metër

gjeografia tkurret në letër

 

Tkurret në letër dhe n`realitet

dikush mbet pa arë të vetë

 

Kështu e dashkan kohët moderne

gjeografinë tonë interne

 

Do të jemi tanët në tokë të huaj

luaje macë kryet e buellit luaje

 

 

KODËR PAS BREGUT

 

Këmishë sipër jelekut

kodër pas bregut

 

Gurë në mes të shtegut

kodër pas bregut

 

Mollë në trup të shelgut

kodër pas bregut

 

Unazë në gushë të lejlekut

kodër pas bregut

 

Nxitim me hap të bretkut

kodër pas bregut

 

 

SA POSHTË KA RËNË KATUNDI

 

Unë lart e ti përfundi

sa poshtë ka rënë katundi

 

Njëri vodhi sa mundi

sa poshtë ka rënë katundi

 

Tjetri vret e s`përgjigjet gjëkundi

sa poshtë ka rënë katundi

 

Haj medet sa keq e tundi

sa poshtë ka rënë katundi

 

Kush i solli këto gjëra së fundi

sa poshtë ka rënë katundi

 

 

POPULLIT

 

Vrapo o popull,vrapo tek sheshi

dhe shumë zyrtarë kapi për veshi

mos e ndal hapin,nxito ti vrik

kanë kthyer vendin në një çiflik!

 

Që nga i pari gjer tek i mbrami

sy e vesh ua ka mbyllur harami

janë vënë në rresht,janë vënë në garë

kush të merr më shumë e kush më parë!

 

Ndërtojnë shtëpi,ndërtojnë pallate

rrokaqiej të lartë me kate e kate

na blejnë tokë,na blejnë fabrika

si zë meraku,si zë as frika!

 

Marrin sa munden bijtë e Shkabës

si ta kishin gjithçka pronë të babës

dhe nuk u skuqet aspak fytyra

dinjiteti i tyre me njëmijë ngjyra!

 

Të mbesin të qetë,të mbesin me nderë

thonë:Kemi fituar në shumë tenderë

kur i pyet ndonjëri nga i morët paratë

ata ulin kokën,heshtin si gratë!

 

Dje nuk kishin as dy palë brekë

mezi i bashkonin nga dy-tre lekë

sot paratë i fshehin edhe ndër shtretër

jetojnë si princër,jetojnë si mbretër!

 

Vrapo o popull,vrapo tek sheshi

dhe shumë zyrtarë kapi për veshi

mos e ndal hapin,nxito ti vrik

kanë kthyer vendin në një çiflik!...

 

 

KOHË E PAKOHË

 

Çfarë të thuhet për këtë kohë

për këtë kohë të pakohë

kur në krye të piramidës

ngrihet njeriu sa një trohë?

 

Ngrihet lart dhe krekoset

e ndrit zërin edhe mburret

nuk ka turp,nuk merakoset

mendje e dije i ka të pshurrët!

 

Sot ministër bëhet askushi

dhe drejton një ministri

nuk skuqet fare babushi

n`krah e ka partinë e tij!

 

Në Universitet vjen djali i Hallës

dhe ligjëron si profesor

nuk skuqet nga titulli tallës

që ia dhuroi daja nën dorë?!

 

Çfarë t`i thotë mësuesi-nxënësit

çfarë t`i thotë nëna fëmijës

në këtë kohë të pakohë

për parimet e drejtësisë?!

 

Për pak centë shitet burri

për pak centë shitet poeti

ndërrohet emri e flamuri

dhe nuk ndodh asfarë tërmeti!

 

Për pak centë edhe ushtari

e shet armën-lëshon rojën

për pak centë dhe avokati

lë drejtësinë-e mbyll gojën!

 

Në këtë kohë të pakohë

duhet kujtuar trutharëve:

"Koha është e maskarenjve

por atdheu i shqiptarëve!!!"



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •