Dibran Demaku: Cikël poetik
| Sunday, 07.31.2011, 10:45 PM |  

Dibran Demaku
 

ME DHËMBJEN TIME TI IKE

Me dhëmbjen time ti ike
e në mua u ndez fanar i mallit
edhe guri ka pëlcitur tek kënd i zallit

Me dhëmbjen time ti ike
kujtimet u gurëzuan në gur
hijet e ikjes u bënë mur

Me dhëmbjen time ti ike
në bebzat e kallura rigon shi
për një ëndërr të djegur në gji


TË RASH PAS


Të rash pas, moj të rash pas
rrugës kur shkoje për gjimnaz
                           Popullore



Të rash pas moj shpirti im
as ngadal as me nxitim

Të rash pas por nuk të zura
se kalove larg nga ura

Të rash pas por s`të arrita
se në rrugë kishte shumë prita

Të rash pas në dritë të hënës
të ia ndez një xixë ëndrrës

Të rash pas në dritë të diellit
shkëlqim komete në mes të qiellit


SERENADË

Valë e kthjellët e liqenit
përqafon brigjet me gëzim
mollë në kopshtin e Edenit
serenadë e shpirtit tim

Puhi e lehtë e mbrëmjes verore
mbi syprinë krahët shtrinë
Kitara ndez zemrat në kraharore
zgjon një ëndërr për dashurinë


TESTAMENTI

Ne nuk patëm kohë të bënim pasuri
se shekujt kishin uri
Çfarë ndërtonim ditën na rrënohej natën
në besë u premë e fat të keq patëm
Toka  e pinte pa mëshirë gjakun tonë
e këngët e zisë tek ne bënin jehone
Me nga një strajcë në qafë e shkonm jetën
me dhëmbë të prishur gërryenim vetëvetën
E fëmijëve si ushqim u zienim gur
e me gurët e zier ndërtonim mur
Ujqit e uritur shqyenin gjithçka me dhëmbë
e ne na dridhej toka nën këmbë
Disa ikën nga sytë-këmbët
veç nga mollët e tharta iu mpinë dhëmbët
Një testament të varfër tash e shkruajmë me zemër
nëpër kohërat-furtunë e ruajtëm në emër


KUSH

Kush i vodhi ëndrrat
Nën qiellin e mjegulluar
Të netëve tona
Të pa gjuma

Kush i këputi filizat
E stinës së re
Në bulim

O kush ngarend
Si kalë i hazdisur
Mbi ballin tonë
Të ngrysur


MINJTË

Në morfologjinë e gjuhës së nënës
të pezmatuara e të shqetësuara rimat
nën rrezet e zbehta tëhënës
minjtë dalin nga vrimat

Lëvrijnë si krimbat nën xhamin e lupës
e na e zgjojnë ndjenjën e krupës
kryefjala e kallëzuesi i shqipes
pëlcasin si kokrra e kripës

 

GJEOGRAFIA E SHPIRTIT

Një çerep dhe një bukë
zëri i fyellit në një sukë

Borë e bardhë si plis mbi male
këngë e vashave në livadhe

Uji i limit rrjedhë nën urë
rreze dielli mbi ca gurë

Çerdhe zogjësh Shqiponje në plep
gaz i foshnjës zgjuar në djep

Çifteli e pushkë në Kullë
gjushi pi duhan në llullë

Në një ëndërr në agim
Gjeografi e shpirtit tim...


SEPSE

Sepse besa nuk është besë
sepse loti nuk është vesë

Sepse emri nuk është emër
sepse zemra nuk është zemër

Sepse drita ka ndërruar ngjyrë
sepse fjala ka ndërruar fytyrë

Sepse kënga nuk është këngë
sepse jeta kapuq me mëngë

sepse lumi nuk derdhet në lumë
sepse ëndrra nuk do gjumë...


NËPËR GURË E VALË

Nëpër gurë e valë
seç noton një fjalë

Nëpër valë e gurë
ngrihet lart një mur

Një mur i qëndresës
në mitin e besës

Besë e kombit tim
në shekuj-nderim...


PËR

Për një gjurmë të hapit
ndërron drejtimi i vrapit

Për një fjalë të gojës
ikën kuptimi i lojës

Për një veprim të rastit
ikën gëzimi i çastit

Për një grimë të gurit
bie krenari e murit...


 

GJEOGRAFI E ATDHEUT

Armiqët të brejtën
pak nga pak
si minj të uritur
vrimave

E ti në log
betejash
u këndoje këngë
trimave

Shekujt iknin
dalë nga dalë
e ti bëje jetë
kaçakqe
në mal

Duke shitur
dushk për gogël
e tkurreshe
e bëheshe
e vogël
e vogël

Kur dielli
të ndriqoi rrugën
jetën
nise të gërryesh
vetëvetën


ËNDRRËN KENI PREKË


(Jusuf,Bardhosh Gërvallës
e Kadri Zekës)


Nata derdhte terr
natë e ftohtë Janari
ëndrrën kush e tjerr
nën një dritë fanari

Në Untergrupenbah
tri lulëkuqe gjaku
a dëgjove Bah
si t`u skuq mbrëmë praku

Dhe ti Volfgang Gete
ti Fridrih Shiler
stuhi nëpër dete
n`buzë të agimit-terr

Ti Jusuf Gërvallë
dhe ti Kadri Zekë
Bardhoshi lot n`qepallë
për të tyren Mekë

Për të tyren Mekë
që Kosovë-një emër
ëndrrën keni prekë
me shpirt e me zemër


RREZE DRITE
(Katedrales së Prishtinës)


Në ekranin e televizorit
shfaqesh madhështore
tek rrit shtatin
nën qiellin e kaltër të Kosovës

Në themelet e lashta të Dardanisë
ti rilind si një Feniks
mbi lulëkuqet e gjakut e nis jetën
shekujve n`vijim u rrëfen të vërtetën

Engjujve e zanave ti u bën rojë
hienave e shtrigave u mbyll gojë
si diell mëngjesi mbi male
Prishtinës rreze drite i fale


GJUHË E QENIT

Gjuhë e qenit
këtu e n`Kinë
nuk ndërron ngjyrë
as melodinë

Nuk ndryshon
asnjëherë vesin
edhe veshët
kur ia presin

Leh në mik
e në armik
dikush thotë
ai është besnik

Gjuhën qençe
e përdorë vënçe
n`prak të derës
i nuhat erës


NDALO VRAPIN...

Desha të pyes,o kombi im
çfarë po ndodh në fillim-shekull
do të dënohesh me harrim
po nxjerr sy duke vënë vetull.

Ku i humbe ato tradita
që n`shekuj t`ndrisnin ballin
tash pse vetës i vë prita
dhe lidh besë me vetë djallin!

Miku-mikut ia nxjerr sytë
veç për vete flet e mburret
nuk duron n`krah një të dytë
për interes i luan dhe gurët!

Dikush thumbit,dikush patkoit
një hap para e tre prapa
ashtu si gjethin e ftoit
n`mes të dimrit-na djeg vapa.

Na djeg dimri na ngrin vera
akujt e nxehtë shkrijnë në faqe
n`acar mos të çelë pranvera
e gjejmë ferrin-tek kërkojmë paqe!

Gjithmonë i fajsojmë të tjerët
edhe themi:Na bëjnë me hile
veç s`e kuptojmë ne të mjerët
gjithmonë vetës ia lëmë:kile!

Kemi harruar thënien e vjetër
-Veç bashkimi bën fuqinë
kemi zënë një rrugë tjetër
dhe s`e gjejmë dot dashurinë!

Ndale vrapin kombi im
dhe mendo me mend të kokës
nëse s`do n`shekujt n`vijim
prapë të mbetesh n`bisht t`epokës!...


DREJTORI

Në komunizëm ishte drejtor
prapë drejtor n`demokraci
Si s`u skuq njëherë ai horr
po të skuqet ai nuk di?!...


KUJDESI I MIKUT

S`ishim parë muaj e muaj
ishte bërë plot një vit:
-Ku ke qenë s`të kam parë
kanë kaluar plot dhjetë ditë?!

Çfarë t`i thuhet të tillë miku?
hajt sqarohu ti po deshe!
-Ka qenë i rënduar trafiku
dhe përcille me...buzëqeshje!...


DYFYTYRËSHI

Je më i miri,je tërë nur
i thotë mikut mu në sy.
Prapa shpine e gjuan me gur
nuk ngurron as ta pështyj`!...


PREMTIM E BESË

Besë e dhënë nga dashnori
në një kënd të një flete:
-Le të më djeg purgatori
në mashtrim po më gjete!

Kështu i shkruante ai dashnorës
dhe i bënte be e besë.
Tjetrën mbante fort për dore
dhe e puthte pa pendesë…


LULE E SË KEQES MOS LULËZO

1.
Ti nuk mund të vish asnjëherë me ne
nuk je rreze drite veq një e zezë re
në qiellin e kaltër asnjëherë pasqyrë
veq një natë e errët me një të zezë ngjyrë.

Ti nuk mund të kalosh e lirë nëpër shtigje
se të mallkon zëri i nënës për të birin
askurrë në jetë nuk mund të matesh me brigje
se këngë e lëngatës nuk  ngjallë delirin.

Lule e së keqes mos lulëzo në zemër
helmi yt mbyt fëminë në bark të nënës
nëpër shekuj do jeshë i urryeri emër
pa rreze dielli e pa dritë të hënës.

Dante vendosur të ka në rrethin e nëntë
të ferrit e nga aty nuk do te dalësh kurrë
mallkimi do bjerë gjithnjë në emrin tënd
tradhëti në stinë e mote:mallkuar.mallkuar.

2.
Ti pritë u zure trimave në shtigje
kah marrëshonin me zemër zjarr e dritë në sy
dhe solle vajë e pikëllim në brigje.

Sa herë zemrat e motrave i shndërrove në gur
e këngët i ke ngrirë pa dalë mirë nga buzët
shpresat e ëndrrat në një gjysëm-shtizë flamur.

Kush të polli i pari e të solli në këtë mes
farën e përqarjes mbolle edhe në mes babes e birit
në këtë vend që dikur kishte veq dashuri e besë.

3.
Lulet e së keqës ti merri me vete
e zhduku bashkë me rrënjë nga tokë e dete
e kurrë më kurrë mos u dëgjoftë emri yt
as këtu e askund nëpër kontinente...


KOSOVË-DRITË E KËNGË KRENARE

1.
Veq në ty rrezet e diellit
janë të nxehta dhe përcëlluese
veq në ty rrezet e hënës
janë të ëmbla dhe mikluese.

Veq në ty këngë e bariut
është më e bukura melodi
veq në ty sytë e vashave
janë të bukur e plot magji.

Veq në ty lisat e malit
rriten të gjatë e gjithë kreni
Veq për ty edhe pse larg
n`zemër ruaj një dashuri.

Veq në ty e veq me ty
më lidhin ëndrra e kujtime
ti lule e bardhë e dritë në sy
O,e shtrenjëta vendlindja ime.

2.
Sa herë vijë më del përpara
e më pret si nëna të birin
më uron:Të priftë e mbara!

Unë ulem e ta puth tokën
syri nxjerr lot-xhevahirin
ëndrra zgjohet për Nënë-Lokën.

Larg shumë larg nga tuat male
larg shumë larg nga tuat fusha
dëshirë shprishur plot me
halle.

Larg nga ti më janë zbardhë flokët
gjuha ngjyrën ka ndërruar
ku t`i gjej tash miqët-shokët?

Si ujë lumi vitet rrjedhin
koha ikën e harruar
e diçka nga mua vjedhin.

Pse më ike,pse të ika
në ca net të errëta fare
nëse s´kthehem më rënt pika.

Në tokën tënde veq shqiptare
n`shekuj më s`na përcjell frika
Kosovë-dritë e këngë krenare...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •