Cikël poetik nga Driton Zenku
| Saturday, 09.17.2011, 01:20 PM |  

Driton Zenku

 

 

MAJI

 

Si do lulet sivjet,

ditë të përlotura ka

 

zogjtë nuk i rehatoi,

as zërin nuk ua ngjalli

dielli rënd po lind,

puth erëra të forta

retë bëjnë sehir

tek bletëzat pikëllohen

për hijen e gallabereve

 

majit i ka ikur stina, sivjet

 

NATA E KATËRT E QERSHORIT

 

Nata e katërt e qershorit

gjeti dritaren e hapur

hyri në odën time

 

ditari i kujtimeve

hapi fletët

dhe filloi të rrëfehet

si nxënësi para mësuesit

 

eh, nuk më paska harruar

qershori i para katër viteve

 

ATROFI

 

Sa për të vrarë kohën

endem rrugëve të qytetit

shoh fytyrat e njëjta

sikur të ishte repriza

e filmit të djeshëm

 

Për çudi, sot takova një mik

pimë kafe

shkëmbyem ca fjalë

 

Edhe ai,

sa për të vrarë kohën

kishte dal rrugëve të qytetit

 

 

MIKU

 

Isha te ai

më priti krahëhapur

ngrohtë

si mikun e vjetër

që në vit një herë,

të troket në derë

 

Folëm, sa shumë folëm

por një gjë s’e kuptova

s’biseduam fare

për dertin...

 

PELLGU I JETËS

 

Dergjet ëndrra në pellgun e jetës

në sytë e hapura ndaloi shikimi

pumboset zjarri

lutja mbeti e prafulluar,

larg dëshirës së flakur

 

Aht,

sot u shua një jetë,

me sy të hapura,

nga qielli

dëshirë,

të pikur mbi tokë

 

PARAJSA AGURIDHE

 

Ëndërron parajsën aguridhe

me një këmbë në ferr

 

perëndimi i diellit

të zgjon nga gjumi

pipëti e thellë

 

mendimet të vardisen

gjersa mëkatet

ta shtrydhin

...petkun poliedër

 

 

 

 

SMIRË

 

Dëshmitari nuk shteret,

Atje buron vërdallë,

Drini

 

LAKURIQËT

 

Mëngjes,

vjeshtë e vonë

kohë ombrellash

shiu rigon, lum

 

lakuriqët,

veç pyesin,

ku janë ombrellat,

ombrellat e shiut

 

ORA SHEKULL

 

Ora bëhet vit

viti shekull

shekulli derdhet

në oqean

 

dita dhe nata

futen në një thes të grisur

kurrë s’e gjejnë njëra tjetrën,

veç shekuj numërojmë

me akrepin e vogël

 

ARAZI

 

Belbëzime të ëmbla

ninulla gjumi

përkëdhelje me gishta

plotë afsh e epsh,

sundim brutal i Kleopatrës

heshtje cinike e Kazanovës

 

prishet monopoli i qetësisë

një zë rrëqethës

jehon vrullshëm

 

mbi kufomën e gjallë

rikthehet jeta

BJERRAMOT

 

Ky njeri buzhel

i etur për të dëshmuar

për të qenë dëshmitar i rastit

 

sytë e ngopura me pritje

ia falin dritën,

me sy e veshë të varura,

ai pret të ndodhë hataja

 

dhe pritja,

ia vjedh kohën,

 

... bjerramot

 

EUFEMIZËM

 

Një dritare me qelqe të plasaritura,

faunë

pa perde e rolete,

pa drita e nxehje konstante

 

faqet e murit,

si faqet e një romani të pluhurosur

në raftet e harruara

 

abuz,

dhomë pa tavolinë e vazo,

si  një bokërimë,

ku bën jetë një qenie,

atje në pallatin numër tre

ku thonë  se jetojnë

njerëz të mëdhenj

 

ANUAR

 

Të ngjaj si dikush,

s’jam ai që mendon

unë jam nga Tepelena

flas shqip,

këtu jam vizitorë

 

quhem Drini

vij nga Ballkani

Shqipëria, nëse ke dëgjuar

 

e ti kush je

pse flet shqip

je vendas, këtu?

 

...e pse s’flet ! ! !

 

LARGËSITË

 

Në një rrugë të re

syri ndeshet,

me imazhe të panjohura

 

hapat e pasigurta

sfidojnë kutinë e Pandorës

 

drunjtë e prekura nga era

m’i thithin shikimet e trembura

hija më vjen pas

 

hapat në Bulevardet e panjohura

më të rënda,

se në pyjet e pashkelura

 

MBI ABUZ

 

Qetësia,

shlyen gjurmët e rrugëve

 

koha bën ftohtë,

dënojë veten,

arrakatem së koti

 

hap pas hapi,

humb hijen që vjen pas,

mbi abuz

...vjen agu galamsh

 

ec rrugëve së koti

sikur të mbaja ndërrimin e natës

roje,

në ndonjë korporatë periferike

 

 

 

 

TOKA

 

Më ngjan se jam atje,

në vendin e përmbysur, pa diell

ku shpresa vdes në lindje

e toka pjell mllef skllavi

 

ku durimi s’vlen asnjë qindarkë,

aq sa edhe koha titanike

dhe një lindje e vështirë

pa gjakderdhje

pa klithje

 

këtu çdo gjë më ngjan,

një Botë e vdekur,

një kufomë e gjallë

korb i Allan Poes-së

 

LARG SYVE

 

Hapa pa dëshmitarë

refene

sot,

larg syve të Botës

 

hape e vepra penale

pa gjurmë...

 

BASTI

 

Kujtimin e fundit të shpirtit

e lë bast në tavolinë

 

të gjitha për një

lumturia e dhembja

janë afër

fija e fatit u qëndron në mes

 

në pritje…

 

pretencë

 

 

 

 

 

DËNIMI

 

Zë vend në qosh të odës

në poltronë e zhveshur

dritarja e hapur,

më fal zërin e lajmëtareve

 

Prellishtë,

është kohë pranverore

lëndinat,

heqin petkun e bardhë

 

dallëndyshet,

rrinë jashtë qelisë sime

 

mbeta brenda

prangosur

grila,

pranga,

dënim është kjo

për mua

 

SHPRESA PLAKË

 

Vdes shpresa plakë

shtrirë në jastëkun tim

 

dritaret e hapura le ta marrin

bashkë me gotën e zbrazët

 

le të vijë kortezhi

me qivurin e zi

e le ta përcjellin

për në banesën e fundit

 

këtu,

le të vijë paqja

nëse hëna s’mban mëri

pas epopesë së humbur,

veç paqja ndjell gjumin

 

 

 

 

 

 

DITË AGURIDHI

 

Ditë aguridhi

dielli s’do t’i shuajë dritat

rrugë e gjatë periferie,

jam larg...

...uji i etur, ajazmë,

atje më pret

 

MOLEPSJE

 

Epidemia e fjalëve të egra

më pushton si garda rebele

jam angësht

mburoja nuk më ndihmon

as porotë

edhe njëzetepesë po të bëhen

arsyeja nuk zë vend

 

nesër,

nesër do të kërkoj,

prej jush

 

ARMËLARË

 

Nën kthetrat e engjëjve,

edhe një front e thyejë sonte

shikimet le të më çmenden,

zemra nuk lëshon pe

me guximin ndër buzë

armëlarë,

gëlltis urën mbi lumin e epshit

mëkatar, nuk do të jem

 

GËRMIMET E NATËS

 

E nesërmja gërmon natën,

ëndrrat e gjumi

botë të ndara

pipëti e thellë

...largësi

errësira ka zgjat këmbët

agut...

 

 

 

ANDRALLËTAR

 

As kuleta e hapur e shpirtit

se zhbën ëndrrën time,

ëndrrën e gjatë se jeta,

sa rrjedha e lumit Drin

 

ëndrra që solli paqen

në shpirtin e trazuar

 

ëndrra kjo zemër madhe

lakmia e Botës sime të angësht

nën qepallën e pellgut ditëzezë

 

LETËR

 

Mbi letrën e bardhë lëshohet gjumi

Frymëzimit i ikin muzat,

boshllëk

Letrën e radhës do ta shkruaj

Kur të prehem në botën e heshtjes

 

POEZIA

 

Fleta mbetet e virgjër,

lë lapsin i qetë

 

sonte dorëzohem,

kam shpirt steril

poezia,

nuk më do kështu

 

LETRA BUZËKUQE

 

Kërkoj ndjesë nga toka,

qielli i fikur

hënën kam strehuar në odën time

dua ta lexoj letrën buzëkuqe

me syçkat e saj

Bota le të tundet në terr

gjersa të ndizen filizat e agut

 

 

 

 

 

POETI ENDACAK

 

Pendimi më theu edhe sonte

për rrugën,

zemrën,

gotën e thyer

 

unë poeti endacak,

një njollë e zezë

në një letër të bardhë

 

AUTORI I CA VARGJEVE

 

Flas për dashuri,

pa menduar se bëj mëkat

me emrin tënd

 

shpreh ca momente

të ndara mes nesh

shkel mbi fjalën e dhënë

tradhtojë

 

prek,

mbi çastet hermetike

vetëm se dua të jem,

autori i ca vargjeve

 

FRYMËMARRJE

 

Kur më vjen te porta

tmerrin,

lotët,

hidhërimin

të gjitha

i merr era

 

Dhe thyen

Të gjitha ligjet

 

s’përfundon

as poezia

 

më thuaj,

je liri

a frymëmarrje ?!

 

TË PATHËNË

 

Edhe një varg e vjedh nga shpirti

ta shtri në këtë letër të bardhë

të shohësh si e shpreh poeti,

dashurinë engjëllore

të shkruar,

e të pathënë...

 

PERDE TË HEKURTA

 

Edhe një varg

dergjet nëpër letër

në terr kërkon pakëz dritë

të ndjehet gjallë

 

perde të hekurta,

e mbrapshtin në kolonë !

 

NË STUDION BURG

 

Në mesnatë

takohemi

në studion time

ti brenda fjalës

unë brenda inspirimit

në pëlhurë shkrep ngjyra

shfaqet imazhi i humbur

dhe klith fjala

frikshëm

ik bashkë

me inspirimin

eja prore

të pres

në studion

burg

 

ZËRI I POEZISË

 

Penës i kërkoj tingujt,

të flaket kjo letër

vargu të jehoj

 

zëri i poezisë,

le të  më çmend sonte

dua t’i gëzohem,

çdo germe në vargje

sonte kur jam vetëm,

veç poezia më mban në gji

 

ROBËRIA E NDENJËS

 

Fjala e çliruar nga malli

rrëfen robërinë e ndenjës

fjala do të thuhet,

o sot, o kurrë

ndjenja më thotë:

Im Zot të kam

 

ARALLËK

 

dy aktorë

në dy skena burg

përballë

njëri – tjetrit

 

aktrojnë të dashuruarit

flasin për dashuri

larg njëri- tjetrit,

 

mes tyre grilat

dhe hëna reflektor

publiku është

në gjumë të thellë

 

FJALË FALJE

 

troket në derë

thua fjalë përshëndetje

fjalë falje

s’hapet dera

se bota është e vogël

s’na mban bashkë

shkojmë

në botën tonë

ne jemi,

më të mëdhenj se Bota

 

ASGJË NË VEND TË VET

 

Pagjumësia trishton mëngjesin

këndesi nis këngën para kohe

 

asgjë në vend të vet

as fjala e dhënë,

as vazoja mbi tavolinë,

as lulja e kujtimit,

as unë prapa derës

as ti prapa saj

vetëm një trokitje

atrofi

na ndan

…me shekuj

 

EKSTAZË

 

Të nesërmen e pres krahëhapur

dera do të hapet,

patjetër

ti do të jesh kalorëse

do të më sjellësh diellin,

jetën, atëçastshëm

….kjo ditë do të zgjasë shumë

 

KTHEHU NË LËNDINËN TËNDE

 

Kthehu në lëndinën tënde,

ti je Piroja

edhe sonte fitove mejdanin

 

më lërë të shtrirë në shtrat

të marr frymë thellë

të kurojë plagët

 

DISONANCË

 

Harrova vargun e këngës

të ta bëj me dije

se sonte jam këtu

ti vallëzon atje

nuk ke shikime të tepërta

për tavolinën e të vetmuarit

sonte,

i padukshëm jam

për ty

 

 

 

OBORR I ZBRAZËT

 

Sërish më lind dëshira

të ec rrugës sate

një të kaluar ta kujtoj

atje,

oborr të zbrazët shoh

as lule s’ka në ballkon

rishfaqet e djeshmja

...dëshpërim

 

PRIND I DHEMBJES

 

prind i dhembjes

mban atësinë ndër duar

flet në emër të saj

si ta kishte foshnje

vetmia e kësaj nate

s’ka emër as mbiemër

as adresë nga vjen

pa leje

hyn brenda

flet

sikur e ftuar

 

ARKEOLOGJI

 

ky tingull

ç’më kthen pas

në historinë e fjetur

një emër i harruar,

nën hirin e zjarreve

 

NGJYRA FJALËSH

 

Ngjyra fjalësh stërpikin dhomën

mbesin njolla të pashlyera

dera hapet e s’mbyllet

ti shkon

e sotmja shndërrohet në kujtim

edhe një roman të shkruar,

e vendos në raft

autorja ikacake

lë shpirtin aty

 

 

VALLE MERIMANGASH

 

Je e tepërt në dhomën time,

fytyra jote e murosur

më çon në arrati,

nuk të dua,

lenin...

 

ANUAR ËNDRRASH

 

Tutor më bëhet koha

ndjehem foshnje,

e hapave të para

çdo gjë që bëj,

më duket se;

për herë të parë,

e prek,

e them,

e ndjej

…me ty

 

DRITËVENITUR

 

Atje ku dielli s’shihet

ku s’të bën dritë hëna

atje në odën tënde

dritëvenitur,

e vetme

pret ëndrrën

që s’ka fund

zgjohu

zë i largët

na fton

 

URATË

 

Kujtim peng

një statujë e ngritur

mbi ëndrra

kam lulen

aromën e saj

...në këtë natë acari

dikush flet

me pagjumësinë

më thotë:

do të vijë nesër

bashkë me dimrin

...ndize zjarrin

 

MËRGOJNË FJALËT

 

Mërgojnë fjalët e mira

buzëqeshjet shkuan,

me ovoren e jugut,

agsholin e parë

 

me buzë të palosura

puth pragun e kujtimeve

 

i ikur nga vetja

kultivojë ndjenja barbare

nuk hakmerrem,

as nuk mallkojë

veç, më lejo të jem

një galerë e kaluar për ty

 

MUNGESA

 

I kam këtu pranë

të vdekur e të gjallë

veç ti më mungon

bashkë me fëmijërinë

e harruar



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •