Cikël poetik nga Agim Mato
| Sunday, 11.06.2011, 04:45 PM |  

AGIM MATO

 

 

TIRANË E VJETËR

 

Kuturisem nëpër rrugicat e Tiranës së vjetër

të papushtuara nga furia e shumëkatsheve moderne,

të papushtuara nga kozmetika e blloqeve,

nga semaforët, orët elektronike.

 

Ky oborr më duket se më pat pritur në Lukovë

dhe gati sa nuk hyj.

Këtë dorezë bronxi

në Gjirokastër e kam trokëllitur.

Ujin e këtij pusi

e kam pirë në Berat.

Në Prizren jam ulur

te ky sofat.

 

Kuturisem nëpër këtë labirinth ballkanik shtëpish,

nëpër këto enigma urrejtjesh e dashurish.

 

Tërë këto shenja, këto strehë, mure, hatulla,

grila, hardhi, çikrikë, këto shkallë që zbardhnin nga

                                                     gëlqerja,

këto saksi, plloça, këto bodrume, dalje të fshehta

i  kam patur  me vete që nga fëmijëria.

 

Ndoshta pa to

nuk do ta kisha gatuar dot brumin e vjershave të mia.

 

 

ABEDIN MADANI

 

T’ju flas për Abedin Madanin, për kalin e tij të bardhë,

                                                        e gjëmëzi?

 

Nuk ishte kaçak limeresh,

as hero i vetmuar

e inatçi.

Në çetën e Muharrem Rushitit

flamuri bënte hije sipër kokës së tij.

 

 

Nishanlli i madh, thonë se ishte.

Tej e tej i çonte plumbat në tri unaza, në tri zemra

                                                    koshadhesh

                                                    që e ndiqnin.

Thonë, fytyrën e bukur vetullat kaleshe ja ngrysnin.

Vetëm në Cepo, thonë, u çel kur pa Çerçizin!

 

Kuptohej mirë me kalin. Ishin si një tufan të dy.

Ai tufan rrallë herë kish ndaluar për t’u qetësuar,

rrallë herë Abedini kishte fjetur në krevat, pranë  gruas

   së tij.

( Ajo e ndjente tufanin që vinte nëpër ullinj.)

 

Po një ditë, duke hequr zvarrë shalën e përmbsur,

duke hingëllitur, duke hingëllitur,

u shfaq nëpër kalldrëmet e pazarit vetëm kali,

                                            i bardhë,

                                            i përgjakur

                                            e gjëmëzi.

Kërkonte të zotin e tij.

Gulçonte me shkrofëtima.

“Mbajeni atë kal, o njerëz, mbajeni atë kalë!”

thërrisnin ata që i therrte hingëllima.

 

 

Abedini ishte vrarë. Dhe kali i gjorë,

i prishur mëndsh, si heronjtë e tragjedive,

si një tufan pa torua, pa sinor,

e përhapte gjëmën udhëve dhe pyjeve.

 

 

LOSHIT, TIM VËLLAI TË VDEKUR

 

Çdo mbrëmje

zbret nga kryqi i mundimeve,

ulet në tryezën e një lokali

me gurin filozofik në dorë

dhe kafka ëngjujsh rreth e rrotull.

 

Çdo mëngjez

duket gjaku i tij i derdhur pranë gotave

të dëshpërimit

ku kamarjerët mundohen

të zhdukin

gjurmët e natës që shkoi.

 

1995

 

 

HAPJA  E  SARKOFAGUT

TË NJË FËMIJE

2000 VJET MË VONË

 

Dymijë gjurmë të zbehta ëndrrash zbuluan në celuloidin

 e kafkës së tij, 

që përshkënditeshin me një dritë të bardhë fosforike.

Falangat e zbehta të duarve, të ngrira si kërcej drurësh

                                                    hënorë

kanë dashur  të kapin diçka në ajër,

një flutur, një nojmë, një diell

a s’di çfarë.

 

 

GJËAGJEZË

 

Ai s’u afrohet debateve,

nuk rreshtohet me asnjë palë.

 

Vetëm në mbarim të betejave shfaqet

si ata që plaçkisin kufomat e të vrarëve.

 

Ai i gëzohet vetëm tymi i oxhakut të vet.

 

Kur e gjykojnë,

varni tim vëlla, thotë,

se mua më merren mendtë.

 

 

SA PAK VJERSHA DASHURIE

 

Sa pak vjersha dashurie kam bërë

Në moshën time më të bukur,

Megjithëse i mbushur prej tyre isha

Si deti që me ujë është mbushur!

 

 

VALUTA

 

Ti e kalkuloje sjelljen, masën e buzëqeshjes;

e vërteta është se e ktheje në art,

për t’i rritur kështu pjacën vetes

bëje njëmijë e një marifete

të bije në sy në bulevard.

 

Në xhiron e mbrëmjes, si në pasarelë

njëzëri të vlerësonim:”Është valutë!”

Dhe çudi, kalimi yt e beftë,

na hutonte paksa dhe shpirtrat na i zbuste.

 

Ne të jepnim tonelata me ndjenjë,

dhe ti, si shpërblim, disa gramë na ktheje.

Çmimi i vështrimeve të tua ishte rritur

si valuta dhe ari nëpër  tregje.

 

Po  lodra jote zgjati pa fund,

gjersa hiret dhe magjia t’u shuan,

dhe ti s’u vlerësove më në tregun e valutës,

dhe s’ishe më  një monedhë e kërkuar.

 

E zgjate pa fund të qenit singëll.

Dhe ne, një nga një, të gjithë u martuam.

Atje,  te pasarela,

 e vetmuar ngele,

stolia jonë e një kohe të shkuar.

 

Limjon, 1987

 

 

FËMIJËT

 

Tërë këto ditë u dëgjua mbi kokat tona  frushullima

e trafikut ajror të zogjve

                            që mbartin në krahët e tyre prillin.

Më vonë erdhën avionët e spërkatjes mbi fusha.

Hapësirat lëkundeshin si çarçafë të padukshëm.

 

Kur uleshin në aeroportin bujqësor

një re fëmijësh ja behte

rrotull këtyre avionëve të rëndomtë pune

me erë vajrash dhe herbicidesh.

 

Preknin me dorë metalin e ngrohtë që regëtinte

dhe zgjohej brenda kraharorit të tyre të vogël Ikariosi,

zgjohej pafundësia.

Pastaj fëmijët i zbonin. Ndizeshin motorët.

Një shtjellë e fuqishme ajri u zbërthente këmishët.

Po ato nuk ishin këmisha. Ishin krahë që rrihnin

sikur papritur një tufë lejlekësh të bëhej gati të fluturonte.

 

Dhe natën, në gjumë, shpirtin e tyre e mundonin  qiejt.

Pilotonin në një oqean ajri, ëndërre.

U vinin veshin zhaurinës së planeteve,

gati sa s’ceknin hënën e u vinte keq që s’kishte  retë e saj,

        shiun e saj,

që s’kishte pyjet e saj, qytetet dhe fushat e ndara në

                                                      kuadrate

si hoje të punës njerëzore.

 

Mëngjezi i gjente në tokë,

në fshatrat e tyre të bardha, të rrethuara nga rrëmuja e

    gjelbër e grynjrave.

 

 

FANEPSJE

 

Kam pirë ujin e njëmijë lumenjëve. Kam shuar  ëndrrën   e

                                                        një shkretëtire

                                     që shullëhej  nën diellin e Mesdheut

e u popullua befas me drurë, zogj e oaze.

 

I thashë Beduinit të parë që gjeta:

nuk është mirazh ajo që fanepset përpara teje:

grahu deveve

për të mbërritur në kohë në panairin e luleve.

 

 

ISHUJ ANTIKË TË MESDHEUT

 

Ishuj antikë

udhëkryqeve të Mesdheut,

ku dallgët e fatit

përplasën Odiseun.

 

Nga xhepi i ç’perëndie

ratë kështu,

shpërndarë nëpër dete

kuturu?

 

Kopështe të harlisur,

shpella

e plazhe,

këtu një Polifem,

atje një Çirçe plot naze.

 

Po erdhi një kohë,

që në vend të Poseidonit,

brigjet pranë jush

nëndetëset i trubullonin.

 

Nuk kish më sirena

që mashtronin udhëtarët

po kampe përqëndrimi

me gurore e ushtarë.

 

Sa shpirtra poetësh

përplasën atje brenda

bashkë me statujat

në telat me gjemba?

 

Po sa Peonelopa

kanë pritur

Odisetë,

pa ditur se burrat

u ishin shndëruar në shkëmbej?

 

Ishuj antikë,

me hotele e turistë!

Gjithshka të  nevojshme

do ta gjesh në guidë.

 

Pranë Mesdheut të kaltër

ku verbohen pasqyrat,

në kioska do gjesh

relike e suvenira.

 

Dhe në shtrat të Odiseut,

ngritur në një ulli,

shkojnë  çiftet e huaja

të bëjnë dashuri.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •