Adrian Hoxha: Në krahët e një fluture
| Monday, 01.02.2012, 02:13 PM |  

Poezitë e mëposhtëme janë shkëputur nga vëllimi “Në krahët e një fluture”, të botuar në shtëpinë botuese “Milosao”, Sarandë.

 

ADRIAN HOXHA

 

NË KRAHËT E NJË FLUTURE

 

Pakëz dritë.

 

Duke ecur në errësirë,

Shoh sa rrugë kam bërë më kot,

Veç pa parë pakëz dritë,

S’them të iki nga kjo botë.

 

Ndonëse këtu të gjallët, janë të vdekur,

Këtu të vdekurit janë gjallë,

Këtu drita është terrur,

Të vdekurit zili u kam.

 

 

Pak baltë nga hëna.

 

Botën time,

Tokën time,

Shtëpinë time,

Jap dhe njëmijë e një ëndrra,

Për të blerë pak shpresë,

Pak baltë nga hëna.

 

 

Do të ngij shpirtin e lodhur

 

O dashuri më sill gëzim,

Jepi hënës së gushtit njëmijë puthje,

Bëje jetën e saj të ëmbël e plot dritë,

Ma shkruaj emrin në krahët e një fluture.

 

 

Si refleksi i një pasqyre.

 

U pengua Hëna sonte tek një Yll,

Thellësisë së pafundme,

Qetë,

Qetë,

Ra në kopshtin tim.

 

 

Eklips pranveror

 

S’doja dhe doja të ishte ajo,

S’doja dhe doja të vinte tek unë,

 

Si një bajame në shpërthim

të bujshëm,

Puthja e asaj që tek unë s’erdhi

kurrë.

 

 

Bletë e lumtur . . .

 

Dita ime ishte e shkurtër,

Por e bukur,

Ishte një flutur.

 

Në pranverën e ëmbël,

Ishte një lule e purpur,

Që nuk shkoi humbur.

 

Ishte bletë e lumtur,

Në një lule të purpur . . .

 

 

Në gjethin e pritjes . . .

 

Ti je era e natës,

Unë jam nata e lindjes.

 

Dy sy të mbyllur që presin,

Në gjethin e pritjes . . .

 

 

Dhimbje . . .

 

Ashtu si dylli,

Pikon mjaltë,

Dhe aromë lule Maji,

Poezia ime,

Pikon dhimbje,

Dhe lot dashurie.

 

Aty është shpirti im,

Dhe jeta ime.

 

Një sumbull loti në gëzim,

Dhe deti hareng e kripur në

hidhërime . . .

 

 

Drenushe e plagosur . . .

 

Dashuri,

Gjithësi e lëngëshme,

Në netët pa gjumë në sy.

 

Drenushe e plagosur,

Në një qiell ëndrre,

Më thuaj, çfarë je ti,

Materie apo shpirt?

 

Njeriu është pjella jote,

Apo barku që të polli ty . . .

 

 

Aredamenti i shpellës . . .

 

Midis hapave,

Do të kërkoj strehë,

 

Si pendë e Korbit,

Në natën e thellë.

 

Zërin tim,

Mendimet e mia,

Dhe frymën e fundit,

Atje do t’i le.

 

Do të zhvishem lakuriq,

Pastaj do të fle . . .

 

 

Autoportret.

 

Është herezi të duash,

Është marrëzi të urresh,

 

Dëgjoj dhe çfarë s’dëgjoj,

S’më mbetet veç te vdes . . .

 

 

Vjeshtrat pikojnë vesë . . .

 

Ç’të të them o Yll,

Sos je zjarr,

E sos jam pyll.

 

Mes lëndinës … tërfilit,

Të humba një mëngjes,

Gjethet e shtatorit,

Vjeshtrat pikojnë vesë  . . .

 

 

Në lotët e gëzimit tim . . .

 

O njerëz,

Le ta ruajmë ëndrrën e fshehtë,

Atë që strukim thellë në zemër,

E që na jep jetë,

Se një ditë të kaltër,

Do ta gjejmë lumturinë,

E magjistarja Cigane,

Dhe lotët e gëzimit tim,

Deri në atë çast Platonik,

Do puthen me atë çast sublim.

Dhe akullnaja urrejtje nën diellin

dashuri,

Do tretet përtej reve,

Do shkrijë porsi qiri.

Bota e etur dhe e urritur do përmbytet

në dritë,

Dhe ne shtegtarët e Planetit të gjelbër,

Do nginjemi gjer në shpirt,

Në çdo skutë,

Në çdo grimë,

Hieja e mallkuar,

Do shuhet me krismë,

Dhe do humbasi përgjithmonë,

Tek e nesërmja që shndrit,

Në lotët e gëzimit tim . . .

 

 

Harabel i plagosur . . .

 

Rrugëve të jetës dashuruar,

Endem pa ditur ku shkoj,

Harabel i plagosur i vetmuar,

Që fati nuk e mëshiroi.

 

Endem në pyjet e kaltra,

E s’kam një pemë të ngre folenë,

Pa diamante, pallate të arta,

Për çudi Princ i kaltër s’mund të jem. . .

 

 

Netë të burgosura.

 

Dhe kur jam vetëm,

Dhe netë të burgosura,

Më mbyllin nga të katër anët.

 

Kur s’ndjej mërzi,

 

Në kopshtin e zemrës sime,

Ca dallëndyshe bëjnë shëtitje.

 

 

Metamorfozë

 

Sa ishim gjallë,

Nuk patëm një figurë,

Nuk patëm një ngjyrë,

Tash që vdiqëm dhe u bëmë skelet,

Çuditërisht,

Kemi një fytyrë.

 

 

Dhe mbeta atje.

 

E kërkova bregun e lumit,

E s’të gjeta luleshqerë,

Ku u takuam përherë të fundit,

Dhe mbeta atje përherë.

 

Aroma e lëkurës së mendafshtë,

Dhe era e parfumit tënd,

Perëndim i diellit që prek gjithçka,

Në qetësin e ëmbël që më çmend.

 

 

Nuk ju flas për shpresat . . .

 

Nuk ju flas për shpresat,

Që disa fatkeq ia zhveshin jetës,

Dhe sillen vërdallë,

Në shkretëtirën e vdekjes.

 

Nuk ju flas për shpresat,

Që disa fatlume ia veshin jetës,

E me zjarrë e krejnë të gjallë,

Dhe nga shkretëtira e vdekjes.

 

Nuk ju flas për shpresat,

Që unë i adhuroj si Perëndi,

Dhe kur deti bën dallgë, e furtunë,

I kam si trupi dritën e syve të mi . . .

 

 

Kënga është e imja.

 

Mos u fshih mbas mesnatës,

Kur dashuria ulet si një Flutur,

Në një lule të bukur,

Dhe lot, me syrin e përgjumur.

 

Sepse e ëndrrës është magjia,

Kënga është e imja,

E saj është përjetësia.

 

 

Kaltërsi . . .

 

Fati im,

Tre Vitore,

Një virane

Në qiellin e lartë,

Fajkua me shtatë nishane,

Të dërgova për fitime,

Dhe më erdhe pa nallane . . .

 

 

E kam edhe unë një emër.

 

E kam edhe unë një emër,

Ndonëse Yll i një vdekatari,

I ngjitem këngës së verbër,

Humbas në trillin e një mërgimtari.

 

E kam edhe unë një emër,

Bisk i njomë i Pjergjullës,

Atje ku janë shekujt e blertë,

Të zvjerdhur nga thellësitë e legjendës.

 

 

Të isha Trumcaku i vogël . . .

 

Oh, të isha Trumcaku i vogël,

T’u vija me një zemër të çiltër,

T’i sillja Pranverën dëborës,

Dhe lumturinë e saj të virgjër.

 

Oh, zog i vogël shtegëtar,

Të vija me shpejtësinë e erës,

E si t’u prekja me një Palmë,

T’u bëja motra dhe vëllezër . . .

 

 

Pranë një përroi ngjyrëvjollcë . . .

 

Dua të vrapoj fushave,

Ku piqet gruri i lashtë,

Të dëgjojë turmat e zogjëve,

Çuçuritjen e detit me valë.

 

Pranë një përroi ngjyrëvjollce,

Në hijen e pyllit të zogjëve,

Tek harbojnë dy kaprojë,

Pranverën në drurët e mollëve . . .

 

 

Mali me trëndelinë . . .

 

O mali me trëndelinë,

Dëgjomë se e kam një dert,

Sonte nata është me hënë,

Ndërsa unë jam vetëm fill.

 

Shpirtin e kam njëzetegjashtë vjeç,

Trupin e kam plot njëqind . . .

 

 

Pa mbetur borxh tek  valët.

 

Të vdesësh,

Do të thotë të kesh jetuar,

 

Të lindësh Yll,

Dhe mbasi të plasesh përtokë pa frymë,

Të ngrihesh Yll sërish,

 

Veçse kësaj radhe,

 

Më i larti  se qielli,

Më i pafund se deti,

 

Në çdo cep,

Një qiri i ndezur,

Pambuku e dylli,

 

Çdo grimcë,

Dhe një rreze Agimi,

 

Veçse atëhere mund të vdesësh i qetë,

 

Pa mbetur borxhe tek valët,

Pa mbetur peng tek retë.

 

 

Kur dridhen petalet e natës.

 

Ndonjëherë në shtërngatë,

Kur dridhen petalet e natës,

Unë ju flas për shpresat,

Për jetën,

Por ndodh në jetën time, në netët e vetmisë,

Kur shtrati im dhe gjithë ky izolim,

Më ngjan me një arkivol të zi,

E ti e di, o Zot, çaste si këto me duken

Pambarim.

 

Ndonëse pikërisht,

Në çaste si këto,

Kur dridhen petalet e natës,

Shpresë e jetës i ujit,

Lum’ i vogël, si një foshnje, me kokën e

Kukuvajkës.

 

 

Përballë lotit.

 

Eci mbi gjethet e zverdhura,

Në pyllin e lotit tënd,

Dhe humba në ofshamën tënde të kaltër,

 

Kur ti më shtrive dorën,

Unë s’munda të ngrihem në këmbë.

 

 

Hija ime.

 

Një natë, seç i kishte hipur të fshihej,

Pas sytheve të portokalltë,

Diçka si fiq të zhveshur,

Në fosilin e guackës së qiellit tim,

Duke pikturuar me manykirë,

Flutura të bardha dëbore,

Si thonjtë e një mbretëreshe,

Qeshte si kalë,

Dhe zbulonte dhëmbët e mëdhenj,

Ngjyrë rrushi të zi.

 

 

Gjethe vjeshte . . .

 

E mora një gjethe vjeshte,

E i thashë: kënga pushoi,

Unë po nisem nëpër dete,

Dhe askush s’do më kërkojë,

 

Dritë e ëmbël, gjethe vjeshte,

Në të marrtë malli për mua,

Kapto male, kapto dete,

Se unë kurrë s’kam për të harruar . . .

 

 

Mbrëmja, s’mund të më marrë . . .

 

Mbrëmja, s’mund të më marrë,

E të më zhyti në vetmi,

Shtigjet, porsi zogj të vrarë,

Që dridhen në çmenduri.

 

Vdekja, me çapin tinzar,

Një fije floku s’do më prekë,

Do digjem si kështjellë e bardhë,

Dhe do shuhem në mëngjes . . .

 

 

Qerpiku blu i hënës . . .

 

Një shportë kullotash gjelbëroshe,

Ia dhashë përroit me valë,

Përtej kodrave hiroshe,

Tek dredhonte porsi ngjalë.

 

Dhe ashtu zhytur në mendime,

Det’ i thellë dhe i përgjumur,

Zogjtë e pyllit ligjërime,

Më thonë, zgjohu, ku ke humbur?

 

A mos vallë magji e përroit,

Që gjëmon, si këngë e ëmbël,

Të ra në shpirt e të pikoi,

Nga qerpiku blu i hënës? . . .

 

 

Erë vjeshte.

 

Kur era të ketë zhveshur pemët,

Mos më harro në muzgun harraq,

E dashur, më shkruaj një letër,

Që të të ndjej afër, me mjafton një fjalë.

 

Kur vjeshta të ketë zhveshur pemët,

Si makje të errëta trupash të pa identifikuar,

E dashur, haromë në vallëzimin e erës,

Diku midis mendimeve të tua dashuruar.

 

 

Buzëqesh.

 

Buzëqesh,

O e dashur luleborë,

 

Portat e zemrës tënde,

Mbaji çelur në agim.

 

Mos ndoshta vij,

 

Si një puthje e dlirë,

Prej një dalldisjeje rënimtare,

 

Të përqafoj në përmallim.

 

 

Kur s’ishin sytë e mi . . .

 

Kur s’ishin sytë e mi,

Ti ishe engjëll drite,

 

Kur s’ ishte dashuria ime,

Ishe dashuri e amëshuar,

 

Dhe kur puthja si një dallëndyshe të

rrëmbeu,

U bëre grua  . . .

 

 

Në ngjyrën e pranverës.

 

Do të marr një sumbull loti,

Nga qerpiku i hënës më të plotë,

Dhe do ta mbjell

 

Në sythin e mbrëmjes.

 

Nga cepi i syve të saj,

Të lashtë,

Do këpus një yll të plakur,

 

Dhe do ta mbjell,

Në një lulishte zemrash,

Ngritur në ngjyrën e pranverës.

 

 

Tundime shpirti.

 

Hëna erdhi, erdhi vagullt,

Dhe dehëse tek unë,

Lodrat e saj ishin të magjishme,

Gjithnjë me pamje nga deti i pafundmë.

Frymëmarrja e saj e thellë, por pa zë,

Më kujton baticat mëngjesore,

Atëherë, kur i bëja varkat e vogla,

Të fundoseshin në rërë.

 

 

Sytë e pavdeksisë sime.

 

Dhe ai jetoi, në parajsë,

I ngazëllyer, me sy të çelur,

Që vraponin . . . drejt paqes!

U afrova . . .Qava,

Sepse Ai në fund të fundit,

Me frymën e tij të përsosur, gjer në marrëzi,

Mbetej për fat të keq,

I burgosuri i jetës së tij,

Me nxitim në mallin tim,

Nga mitra e metaforës.

 

 

Me frymën tënde.

 

Më frymën tënde,

I pi edhe fundin detit,

Një gotë raki rrushi,

Dhe dehen lumenjtë, heshtjes së malit,

Dehem edhe unë në pritjen e barit.

 

 

Ndoshta parajsë.

 

E dekristalizuar,

Natyra:

Një përqafim,

Vdekje,

Një petk,

Kush e di vallë ç’do jetë përtej saj?

Ndoshta dritë,

Ndoshta parajsë . . .

 

 

Idhujt e viteve të gurtë.

 

Të hirtën, i rrëmbeve pritjes shkëmb,

Të kuqen, i rrëmbeve perëndimit të diellit,

Të zezën, reve që lëshojnë bubullimën,

Të kaltrën, i rrëmbeve qiellit,

Të verdhën, rërës së ngrohtë.

Dhe me penjtë e brishtë që filtrojnë dritën,

Ti ende qilim idhujt e viteve të gurtë,

Penelopë . .

 

 

Hënë, më thuaj.

 

Hënë, më thuaj,

Pse i çon lumturitë e njerëzve,

Nëpër guaska të kaltra ngaherë?

 

Hënë, më thuaj,

Ç’i bëre mendtë e mia?

Mos i thurr epokave të njoma,

Të bajameve filiza?

 

E nëpër drurë nga guaska kjo pikturë,

 

Një hënë si Shën-Mëria?!

 

Hënë, më thuaj,

Sytë t’i kërkoj prapa pemëve,

Dhe t’i gjej në sytë e të rinjve të dashuruar,

Hënë, më thuaj,

Të flatërosh me flatrat e rinisë,

Është njëlloj si të pushtosh qiellin,

 

Midis drurëve plot kuaj të drunjtë,

Nata ka një bukuri melankolike.

 

A i ke vënë re yjet,

Dashnorët me mantela të mendafshtë,

 

Si digjen flakë për flakë,

Në premtime besnike?

 

Karuselët po ngadalsojnë shpejtësinë,

Barit të hollë shndrijnë kërmijtë si

xhevahirë,

 

Hënë, më thuaj . . .

 

 

Në barkun e çdo shekulli të ri.

 

Në barkun e çdo shekulli të ri,

Folezën time unë do ta ngre,

Kështu ka ndodhur qysh në zanafill,

Kur u krijua gjithësia, unë isha atje.

 

Fara e lules në sqepin e zogut të uritur,

Derisa paqja vërtetë u nis,

Kthinave të pyllit, një det i ndritur,

Me rrjetat hedhur për në pavdekësi.

 

 

Kam një katund përrallor.

 

Tani e di mirë,

Kam një katund përrallor.

Në katund njëmijë pisha,

Fektojnë kujtesën e lumit,

 

Qielli bëhet prush e prushi,

Shuhet në shkumën e valëve,

 

Tani e di mirë,

Kam një qytet prej ari,

Që nuk është më qyteti im,

Qyteti im ka humbur,

 

Në faqen tjetër të natës.

 

 

Dua të rëkohem lumit.

 

Dua të rëkohem lumit,

T’i them veç dy fjalë,

Me kryeneçësinë e plumbit,

Ku shkon ai vallë?

 

Herë gjëmuar, turbulluar,

Si ndonjë i çmendur,

Herë i qetë dhe i kulluar,

M’u si ndonjë ëngjëll,

 

Me një zë kaqë melodioz,

Ç’të jetë ky Kupid pagan,

Që pemë e lule i josh,

Zjarr i ndez e i bën flakë.

 

Ah, ti lumë, lumë i menduar,

Po të mos e gjej Selvinë, dikur

dashuruar,

Pa varr më lënçin mua,

Dhe ti pa shtrat e të mërguar.

 

 

Kështu u magjepsa.

 

Kështu u magjepsa,

Me një ëndërr,

Pulbardhë të qiellit kaltërosh,

Në një cep të detit Jon.

 

Kështu u magjepsa,

Me një ëndërr,

Të zgjohesh nga një ëndërr e ëmbël,

Të jetë behar,

Dhe të jesh në Sarandë.

 

Kështu u magjepsa,

Me një ëndërr,

Pulbardhë të qiellit kaltërosh,

Në një cep të detit Jon,

 

Sepse dashuritë duhet të udhëtojnë . . .

 

 

Shelgu mbytet në shi.

 

Asgjë s’dua në padukshmërinë time

që vret,

Sa herë më mbyt kolla si një lutje memece,

 

Më shumë se çdo gjë kjo ironi e zymtë më

therr,

E buzëqeshjes suaj si prej argjileje,

Të bardhë Kineze.

 

Trëndafil i egër në jug.

 

Trëndafil i egër në jug,

Ku flokët ngecin  tufa zogjsh,

Kapërthyer porsi një molusk,

Me duart e lumit hirosh.

 

Që sipër urës vetmitare,

Kundroj në pritje të heshtur,

Katundin veshur me duvak të bardhë,

Mbi eshtrat mish patretur.

 

 

Dashuri.

 

Dashuri, që me llavën tënde,

Kreh  flokët e Meduzës,

Pse s’i le pa shkulur rrënjët e lisit tim,

Që të të shoh bota se nuk je stuhi,

Dashuri . . .

 

 

Në një ditë të bukur maji.

 

U ngrita në një mëngjes me lule,

Në një ditë të bukur maji,

Gonxhet e reja, si gjaku të kuqe,

Më lajmëronin të nesërmen plot gaz.

 

U ngrita në një mëngjes me flutura,

Luleshtrydhe, me hijeshinë tënde të rallë,

Në gjirin e një bote të ëmbël për mua,

Një mbretëri e stolisur në të bardhë . . .

 

 

Shpirtrat e valëve.

 

Dhe ja në shekuj veç bleron,

E shndrit porsi margaritarë,

Merr plagë hyjnori Poseidon,

Nositi sillet lajmëtar.

 

Dhe kur deti ngrihet dallgë,

Nga shkrepëtimat e stuhisë,

Veç loti përplaset, vajtimtar,

Pa më thënë as lamtumirë.

 

Dhe i mërguar diku larg,

Pres të çel një gjeth i ri,

Nga kangjelat në baladë,

Nëpër udhët e mallit tim.

 

 

Lot të etur.

 

Të ardhmen toka s’e ka profeci,

Aty është qielli im,

Janë lotët e mi,

Trupi im,

Zemra ime,

Shpirti im,

 

Gjithnjë të etur për ardhmëri . . .

 

 

Jetë ti duhet të kurorëzohesh.

 

Jetë,

Ti je kaltërsia e mëngjeseve,

Ti je dritë e dashurohemi,

Nën petalet e tua të najlonta,

 

Ti je ky labirint,

Që vjen nga larg,

Edhe që të shpie tepër larg,

Edhe pse grindemi, grindemi nëpër shi,

Në shkapërderdhje të hireve të tua.

 

Jetë,

Ti je libri me gërma të kristalta,

Ti duhet të kurorëzohesh, sepse

Ne e adhurojmë të shijojmë çlirimin,

 

Ndërsa ti dëfren,

Në natën e dymbëdhjetë të Shekspirit.

 

 

Medalioni i hënës.

 

Nata zbriti përmbi botë,

Marinar i vjetër në anije,

Fanar të artë yjet lundrojnë,

Diku ndonjë dhe bie.

 

Shpirti im, ti më je larg,

E unë i vetmuar të pres,

Dhe ky mall që më djeg xhanë,

Mbet i pashuar përjetë.

 

Dhe të pres me ditë e javë,

Me muaj e vite të pres,

Nëpër pyll e nëpër natë,

Udhën lotët më rrëfejnë.

 

Çelën zambakët e kaltër,

Pranvera bleroi sërish,

 

Yjet çlodhen përmbi bar,

Rrëket derdhen me harbim.

 

Po ah, në udhë i vetmuar,

Si një këngë në vajtim,

Përmbi gjeth e fletë rrëzuar,

Si kurorë mbretërish malli im.

 

Përmbi yllin më të shndritshëm,

Dhe në qiellin më të lartë,

Malli im medalion i hënës,

Mbi bregun e detit që s’bën dallgë . . .

 

 

Aurora.

 

Aurora pushtoi dhenë me kurmin e saj,

E fërgëllon si gorgonë në detet porsi vaj.

 

Ah, është mbytur një diell, ndër ty, moj hirushe,

Ndaj vallëzo në bar të njomë, vallëzo mbi mua, gjarpërushe,

 

Por ta pikasa hilenë ti hipokrizi, vafsh prapa diellit,

Dhe ti dlirësi, a s’u lodhe së qeni pronë e qiellit,

 

Të adhuroj, më fal një send, na merr një minotaur,

Koha krihet në pasqyrë, flijohu virgjëreshë dhe ti Laurë.

 

Të ikim Aurorë, të ikim në pikën ku shuhet mendimi,

Atje s’do mund të na arrijë as lindja, as perëndimi.

 

E mjera, Aurorë merr nga deti, hidh në lumë,

Oqean perçeshkumë “Quo Vadis”, gjumë shumë,

 

Vyrtiti, si dylli, thonë dhe kjo botë hera-herës kurvëron,

Thonë se në Romë Shen-Mëria lot gjaku kullon.

 

Paqja u gris si vellua e tempullit në Jerusalem,

Se s’ish Krishti, në kryq ishim ne çdo ditë të jetës.

 

Aurorë, kujt t’i falem,

 

Vesës së mëngjesit në një fije bari,

Agmi i trëndafiltë, larë ndën ujvarë margaritari,

 

Gjurmës së shqiponjës që mes qiellit lë,

A shigjetë argjendit kur territ të natës zjarrin i vë!

 

Eja me diellin mbi krye, Aurorë,

Përtej heshtjes së akullt në të përjetsisë dashnorë,

 

Të gjejmë syrin e botës e t’i kthejmë të parët,

E do të shkrijnë ajsberget, heshtja zjar do marrë.

 

Jeta në sfond të bardhë një trill në hapësirë,

Eja si regëtim, ylber pas shiut errësirë,

 

Eja, eja Aurorë, me një gjethe ulliri të njomë,

Si pëllumb i Noes shpirtin ngushëllomë,

 

Ndiz zjarret qiellorë nëpër mjegull tretur,

E si kusar do vi të t’i puth qepallat bukuroshe e fjetur,

 

Në shushurimë pylli joshës,

U krehën lumenjtë e dritës,

 

Si u mbyt të rëndët e dheut,

Lira e Orfeut ëmbël drithërinë,

Dhe pranvera pushtoi gjithësinë,

 

Si ranë armët e luftës,

Buisën trëndafilat,

Si vdiqën të fuqishmit,

Mbinë qeparisat,

Si heshtën kambanat,

Paqe,

Paqe,

Paqe! . . .



(Votes: 2 . Average: 4/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •