Poezi nga Ruzhdi Gole
| Sunday, 02.19.2012, 09:29 PM |  

Ruzhdi Gole

 

 

HARTË NATYRE: FRYMA

 

Ndonjëherë

mua më rrahin ca pëllëmbë të buta,

tmerrësisht ato më rrahin,

tmerrësisht ato më duan.

Pëllëmbë të lehta sa mua më duket

sikur një fllad frushullon mbi fytyrën time –

Aq të rënda sa mua nuk më mbajnë këmbët,

po në këmbë vërshimet përgëzoj,

ato më mbushën plot vërshime.

Atyre pëllëmbëve mbarsur

nga një vërshim i lashtë

s’u pëlqen, kushedi se çë, katragjyshi i tyre -

Kushedi se ku e shohin vëngër stërgjyshin:

cub malesh, hajdutëri, litar varrmihësi,

pendë qesh e teh të këputur mynxyre.

Tek ara e tyre e vogël dhe plugu i pamatë

shumë thëllim plugon, përbri meje, faqe afër,

gjysmëhëna e tyre mbi mua rri gjysmëplagë

si një karficë e argjendtë. Si lumthi i lëngatës.

Nga të gjitha këto, dikur e dikur,

i mbahej fryma malit, nuk bëzante.

Po sot

këto sypëllëmbë gëzohen,

 

ledhatohen nga gjyshet, gjyshërit,

nuk njohin asnjë fjalë të ashpër prej tyre –

Vërshimet përgëzoj. Më mbushën plot vërshime.

Fryma e çdo fëmije horizont më horizont përhapet

hartë natyre.

Ndonjëherë

mua më rrahin ca pëllëmbë të buta,

tmerrësisht ato më rrahin,

tmerrësisht ato më duan.

 

DHUNTI NATYRE

 

Flaka, e bekuara, lodhur nga dita,

të ngrohë pëllëmbët diku zuri vend.

Mjegulla, duke ikur, përlau nën sqetull

shtatoren e një udhe –

Vëllai i natës – muzgu erdhi para saj.

Sapo erdhi

për të mirë e për të keq ai u përmend,

Flaka, mjegulla, muzgu:

pemë e vogël gjenealogjike natyre.

Mjegulla përmendet shpesh

për një vello të hirtë

të zymtë e të fshehur

me marramendje, dritëhije,

borëbardha bukuroshe të pikura –

Përherë asaj i merren mendtë,

i mbahet goja, pa u shprehur:

Ç’janë rrufeja dhe reja, vesa dhe gjiu,

poleni ç’është, ç’është vetë rrokullisja.

Vera, qelqi, buzët, ishulli

për t’u ngrohur

tek flaka shtrijnë duart,

burrërohen e dehen në muzg

tek bacamadhi shpinëkërrusur

i pafajshëm i natës –

Gjiu këput një dallgë dhe e shpërndan

atje ku bashkë me mua

 

vetvetiu farefisi ynë pluhuroset hero,

ndonjëherë hero i dyshimtë

në pemën gjenealogjike të natyrës

i vogël, i madh

i pasur, i varfër.

 

RROKULLISEN KODRAT

 

Rrokullisen kodrat –

flutura nëpër frymën e detit,

bukuria shpreson të mos perëndojë asnjë gisht –

Krahët ankohen në dimër, trishtimi ecën,

zërat ecin,

Troje të ushqyera keq. Mjaftueshëm.

Shkurt shkurti

këtu direkë kris.

Pak belbëzoi shkrepëtima. Shkrepëtima

ngadalë e mbylli gojën,

furishëm ia behu flaka – e bija,

ndonjë ngricë shthurte në avlëmend.

Thëllimi brumosej thekshëm.

Lezhë:

Asnjë velë. Asnjë zonjëzë.

Mjaftueshëm thërrime flake. Trishtimi stoliset

nga troje të ushqyera keq e mos më keq.

Shpreson bukuria

të kraharojë përherë pranë çdo udhëtimi

jo vjedhur në ëndërr dinake e fjetur

triumfi dhe kujtese –

Kodrat, dantellat, borëbardhat,

gjithçka rreh puls përqafimi,

përtërihen retë, përparojnë kuturu

 

mëngonjëzat e tyre – ethet.

Zërat ankohen në dimër,

shkrepëtima e mbylli gojën, krahët ecin -

Bukuria shpreson të mos perëndojë

asnjë gisht udhëtimi

nëpër frymën e kodrave – flutura të detit.

 

MARSI BUKËPJEKËS

 

Nisja për t’u dukur i mbathi mirë muajt,

paçka se moti im mund të jetë bukëpjekës.

Më 21 Mars bari ngadalë shtriu duart,

ujërat, plot mirësjellje, pëshpëritën: Verë…

Paçka se përvëlimi – acar i përvëluar

më 22 Mars cënoi çka unë doja

livadhin me sy bari, verën plot të zgjuar

nisja për t’u ndjerë i dehu shishet, rojat.

Më 23 Mars ndërgjegjja rrudhi buzët,

përcolli plotpërplot një ditë pa ndërgjegje,

paçka se ky troll u shpall trimërisht i bujshëm

duart s’rrinin tok, livadhi nuk përmendej.

Paçka se moti im mund të jetë i kthjellët

çdo mot i murrëtyer thahet krahëshkurtër,

hapi i tij i mbramë – dinaku kacavjerrës

mallshëm shkeli muajt, ma ndoti mua shputën.

Nisja për t’u ndjerë këpucët lidhi mirë

paçka se këmbët nisur oshëtinë përpara syve.

Më 24 Mars ujërat brinjë më brinjë

mbanin çka unë doja, burrin që po rrudhet.

Njëzet e pesë Marsi më bëri bukëpjekës

 

dehur shishet, rojat, etja verë përqasej,

paçka se çasti bridhte me çelës nëpër erë

26 Marsi, për t’u ndjerë, vonoi prej parajse.

26 Marsi vonoi, kërkoi pak ndjesë

për britmat nën lëkurë, paçka i përvëluar,

bujkrobe u shtriq këmba, koprace besa-besë

horizonti për t’u dukur rrëmujë m’i mbathi muajt.

Paçka se moti im mund të jetë i kthjellët.

 

 

BIR I VOGËL AJRI

 

Gjithësia përreth, përreth gjithçka

pas krahëve bujarë ngadalë po bjerren.

Këmbadoras era. Këmba në gjah

plot tingëllima, tollovi

tallaze e tmerre.

Si bir i vogël i një gurre të nëndheshme

Ajri fluturon pa vese, pa zana e zemërime.

Rron të mos mvrenjtet, nuk u mvrenjt

në asnjë përleshje,

trupi mbushur plot guva, rendje, plot lexime.

I ranë vetullat ajrit. Gojëmjalti ajër

në asnjë përleshje s’u rrëzua vëngër.

Nuk e mbajta unë dritën, ajo mua më mbajti

me armiqtë e mi miqësohem veç në ëndërr.

Cila dallgë më mban

këmbadoras në gjah

plot tingëllima, tollovi e tmerre?

Si bir i vogël i një lumturie përkrah

në gurrat e mia

ende çka ndizet?

Shumëçka po bjerret?

 

ËNDA

 

Bletët e lodhura

të bukura vdesin,

ligsht vdes një rrëpirë –

E rrahin ca këmbë

të vërteta etërish,

dy buzë mjegulle

ia zbusin mërinë.

Ta lëmë pak të qetë të shkretën zemër,

bletë të pagojë, pupulake a vluar.

Më afër ne rrojmë etër me etërit –

Bota qenka një kalë i pistë marrë hua,

të bukur rrojmë kur vdesim.

Stërnipër të vegjël – përrenjtë, gjiprerë

bubullimat s’kanë mjaltë, ca këmbë të rënda –

Të vdesim sfilitës pa bletë e pa verë?

Kaq shpejt

s’na e ka ënda.

 

E VËRTETA LODHET

 

Kushedi nga vjen e vërteta

dhe ne s’ia shohim kryet,

kryet, ndonjëherë, të ciflosura.

E vërteta vjen

pa lënduar askënd,

i pëshpërit në vesh

degës së tharë

për të shkuar

sa më shpejt

përtej pemës ku drobitet.

Dega e tharë mund të thyejë krahët e zogjve

që aty do mbështeten. Krahu i plagosur i zogut

pëshpërit atëherë psherëtimë mëngjesi.

Pa lënduar askënd e vërteta vjen.

I pëshpërit në vesh vijës së hollë

kockë e lëkurë të përroit

për t’u ushqyer më mirë,

për të qenë më e shëndetshme.

Përroi i tharë meh peshqit –

valltarët e parë,

varkëzat e para

të lundrimit.

 

E vërteta vjen

pa lënduar lundërtarët,

netët e tyre me tis zambaku të tejdukshëm.

Vjen e vërteta. I vërshëllen në vesh

malit të gremisur, brinjëve të dimrit,

perëndimeve plot unaza, nuse

dhe të vdekur.

Pa lënduar askënd. Me dorë në zemër.

Tabani i çdo fjale e vërteta. E vërteta këputet,

përcëllohet, çuditërisht, kur vjen përballë njeriut

pa lëvduar lundërtarët, netët tona

me tis zambaku të tejdukshëm.

E vërteta vjen,

ne ia shohim, s’ia shohim kryet

kryet e vërteta, ndonjëherë të ciflosura.

E vërteta nuk lodhet. Lodhet njeriu.

 

NUK GUXON

 

Mesnata

nuk guxon t’i përzërë varfanjakët

ajo shtrihet, përhapet çati e tyre -

Çatia e çjerrë kollitet,

mynxyrat ha bukë të pakët.

Rrëngjeth reumatizma –

shtati i të përvuajturve.

Oktapodi i mesnatës shtrin këmbët gjithandej

mendjelehta orkestrat shurdhojnë veshët –

pendulët e udhës.

Plebenj të mesnatës

pupulitin sytë përrenjtë

dhe kolla varfanjake,

dhe hija si putër.

Putrën e hijes dhe kollën e ngrohtë varfanjake

miradia e mefshtë nuk mund t’i përzërë përtej-

Rreziqet këtu kanë këmbë të shpejta,

këmbë uloke ka mesnata – mesnate,

çfarë shohin ato – mend e mbajnë

pak e mbajnë mend.

Çatia e çjerrë për mynxyra kollitet

Shtrin këmbët provinca – gjoja ojna qytet –

Ç’thonë kardiologët për zemrën,

 

e rinojnë zemrën që fiket?

“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”

O vllau em i naltë:

Këtij qyteti i thonë Durrës,

haur a brengë?

 

SPITAL PA KUKULLA

 

Në një udhëtim të varfër e ndjellakeq

përsëri shputat begatojnë,

shtëpia rrjedh nga themelet:

furtunë e plogët, ulkonjë,

dhi e egër dhe e butë,

pa iu dridhur zëri

mbështetur rri në dritare, pa drojë,

me harabela, një curril qumësht,

pak talent e një fetë bukë.

Mjekrën pa rruar fërkon shtëpia e lodhur

vuajtje mendjeholla fshehin muret gjithë rrudha –

Rrinë mbështetur në dritare

sa një popull milingonat.

Një kollë si zjarrmi mëngjesore

i çan nëpër trup, i vjen afër

nga spitalet pa kukulla.

Spitalet mrrolen krahina të kërrusura,

vërtiten rrëmujshëm:

Ja, aty afër,

lëfyti i një lugine vërshëllen copëprerë.

Një vocërrak i butë uji, i qetë,

mendjelehtë, pabujshëm

duket cekët si një buzë molle,

sy i përlotur duket thellë.

 

Shkolla… e varfër… pa ngrënë…

gënjeshtër miqësore…

Tek fjalët e urta rri mbështetur,

tek urtia gjasme e gjasëm.

O mesnatë, udhëto!

Udhëtimi përgjysmon Tokën e të Gjorëve,

udhëto mbi mua! Jo mbi motin e prajshëm.

Si zjarrmi mëngjesore

për gjithë spitalet pa kukulla

Meshë e vogël – krahinat.

Trenat vërshëllejnë ndotje të mugët -

Në një udhëtim të varfër e ndjellakeq

përsëri shputat begatojnë.

Shtëpia rrjedh nga venat:

furtunë e plogët, ulkonjë,

dhi e egër dhe e urtë.

 

TË ZINJ

 

Muri rrëzohet. Njëqind çifte sysh

kërcejmë në hollin e natës –

Njëqind trupa të bardhë drithërojmë më dysh ,

asnjëherë të zinj, asnjëherë të pastër.

Asnjëherë të pastër nga dashuria nuk jemi

të gjithë jemi kishë.

Muri rrëzohet a vetë

ne e shembim?

Njëqind trupa

të bardhë dhe pis?

Në hollin e natës

kërcejmë çifte sysh

yjet rrëmbehen përherë,

shpejt këtu

peshqit mbarojnë krysh,

shkojmë e peshkojmë

në qiell.

Asnjëherë të pastër nga dashuria nuk jemi

Të gjithë jemi desh.

Muri gëzohet a vetë

ne e trembim?

Trupa kërleshur

rrembash.

 

Pa heshtë.

Shtretërit shëndoshë shprishur si libra të rrallë

shpupuritur këtu ata gufojnë pak bibliotekë,

kolla e tyre venitet aq gjallë

sorkadhe a dre që shkel.

Si një dre që shkel atë që nuk shkelet

dhe ngre në ajër një sorkadhe të ngrohtë,

asnjëherë të zinj nga dashuria nuk jemi

të gjithë përvëlonjës, globe dhe bosh.

Globe të vegjël… fryn…, le të fryjë...

Asnjëherë nuk jemi të pistë.

Në hollin e natës çifte sysh aty

kërcejmë

as zi,

as Krisht.



(Votes: 4 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30