Krijime nga Erjola Kola (II)
| Friday, 02.17.2012, 09:32 PM |  

Erjola Kola

  

 

''Historia e asaj që...''

Një faqe tjetër të librit kthej...

Instiktivisht shikoj numrin e faqeve, buzëqesh hidhur... ''Qenkan faqet e fundit...''
E zhytyr shpirtërisht në ëndërr, mes shkronjave, personazheve … ndjehem pjesë e historisë.

A thua jam unë personazhi kryesor?!

Një histori Hirusheje, histori e një luftëtareje, histori e një vajze të brishtë, historia e një vajze që qesh, historia e një vajze që qan, historia e një vajze që ëndërron... dhe pret që ëndrrat të realizohen... pret...

Historia e dikujt si unë!

E fortë, e dobët … mes buzëqeshjeve të përlotura duart zgjat të prek qiejt e ëndërrt.
E ashpër, e ëmbël... e frikësuar, trime.. krenare, ''e ul hundën'' … kokëfortë, ''hap rrugë''...e thjeshtë, me huqe... dikush, askush... një zë, një heshtje... një tingull, një qetësi... një britmë, një pëshpëritje... e njëjta ëndërr.

Të kundërta dhe të njëjta!
Gjithmonë unë!
Gjithmonë ndryshe, në fund e njëjta!

E veshur me shumë dashuri dhe plot frikë.
E veshur me shumë buzëqeshje, e larë me lot.
E veshur me optimizëm, e grrisur thellë në plagë të gjakosura me copëza pesimizmi.
E veshur me shumë besim, me fjongo lidhur shumë sinqeritet.
E veshur me mall, përqafuar me ikjen.

Gati për fitore, rrëzuar prej humbjes!
Rrëzuar gjithmonë, të rri ulur e rënë asnjëherë.

Historia e dikujt si unë!

Shkruan si unë.
Dëgjon si unë.
Vepron si unë!
Flet si unë!
Qesh si unë!
Është unë!

Historia e asaj që do ecë përpara, që ka frikë të rri në vend, që i trembet vetmisë, e që kërkon shpesh të bëj apelin e personazheve në jetën e saj.

Historia e asaj që s'di të thojë fund, por veç fillim!
Historia e asaj që shkruan shpesh ''unë'', i vetmi personazh që nuk do t'i mërzitej për gërmat ku e ngatërron.
Historia e asaj që beson në diell e në buzëqeshje.
Historia e asaj që beson në miqësi e në të vërteta.

Historia e asaj që nuk lodhet së besuari, së dashuri, së përqafuari mallin pafundësisht!

Po pushoj së lexuari...!

Por...

Një histori e bukur... do lexuar... ende... vetëm me rregullimet e duhura në skenar...! :)

 

 

''Mirëmbrëma..!'' - ''Natën e mirë..!''

-Mirëmbrëma
-Aty je?
-Jo doja të dija, nëse je ende aty?
-Doja të dija, nëse ke ikur dhe më duhet të të kërkoj ?!
-Doja të dija, si të shkoi dita sot?
-Doja të dija, a u lodhe?
-Doja të dija, a je mërzitur?
-Doja të dija, a ke buzëqeshur?
-Doja të dija, a doli dielli sot?

....Ama.....

-Doja të dije që jam këtu..!
-Doja të dije që kur të kthesh kokën pas, jam këtu...jam ende këtu...nuk largohem...
-Doja të dije, që më pëlqejnë njerëzit e buzëqeshur dhe ti je i tillë...
-Doja të dije, që nuk më pëlqen mërzia...
-Doja të dije, që mund të mbështetesh tek unë gjithmonë...
-Doja të dije që nuk je asnjëherë vetëm...
-Doja të dije, që dua të jesh i lumtur...
.....Po ikën?!....
-Epo mirë ...por... mos i harro ato që të thashë.
(Të them diçka ne vesh: ''Mos harro të buzëqeshësh'' dhe kur të më kujtosh mua, kujto buzëqeshjen)
-Ik tani,!
- Hmmm...ah po...
''Natën e mirë..!''

 

 

Unë buzëqesh...!

Unë buzëqesh...për t'i dhënë ngjyra jetës sime...!
Unë buzëqesh...për te ndriçuar ditën time...!
Unë buzëqesh...për të shndritur fytyrën time...!
Unë buzëqesh...për të zbukuruar qënien time...!
Unë buzëqesh...për të mbushur zemrën time me optimizëm...!
Unë buzëqesh...për të shpërndarë lumturi në zemrat e atyre që dua...!
Une buzëqesh...për të falur forcë dhe kurajo atyre që adhuroj...!
Une buzëqesh...për të marrë forca te eci përpara...!
Une buzëqesh...për t'i treguar vështirësive që nuk më thyejnë dot...!
Une buzëqesh...për të thënë që nuk kam frikë...!
Une buzëqesh...për të dashuruar jetën...!
Une buzëqesh...për të ndjerë paqe...!
Une buzëqesh...për të mos qarë...!
Une buzëqesh...për të harruar...!
Une buzëqesh...për të larguar mërzinë...!
Une buzëqesh...për të mbajtur larg pesimizmin...!
Une buzëqesh...për të trembur ''të këqiat''...!
Une buzëqesh...për t'i dhënë ''seriozitetin'' tim të ëmbëlsuar jetës...!
Une buzëqesh...për të qënë serioze...(sipas mënyrës sime! )

Une buzëqesh...sepse është gjëja që di të bëj më mirë...!
Une buzëqesh...sepse më bën të ndjehem më mirë...!
Une buzëqesh...sepse më shkon...!
Une buzëqesh...sepse dukem bukur...!

Une buzëqesh...sepse e adhuroj të buzëqesh...!!!!

 

 

Lotit!!!

Më kot këmbëngul.
Jo nuk të lë të lirë. 
Do të qëndrosh aty, të kam mbërthyer fort me qerpikë. Kafaz i kam bërë për ty. 
Ti nuk kërkon vetëm lirinë tënde. 
Ti je shkrepëtima e parë e një stuhie.
Kur ti bie nuk pushoj dot më. Mos e lejo të ndodhë kjo. Nuk kam fuqi për një stuhi sot, një stuhi lotësh. 
Boll është nata gri, mbuluar me re të zeza shiu.
Të kam burgosur i dashur lot. 
Të lutem të qëndrosh aty ku je bashkë me shokët e tu.
Kam nevojë të jem e qetë këtë mbrëmje. 
Kam nevojë të buzëqesh. 
Kam nevojë të mos mendoj.
Kam nevojë të kem qetësi.
I dashur lot, buzëqeshja do më ngroh fytyrën, kur stuhia jote dimërore, do dëshirojë të lindë.
Më vjen keq, sot nuk do ketë stuhi. Qëndro aty ku je.
Sot kam diell natën. 
Buzëqeshja do e shkëlqejë këtë natë e ëndrrat ngjyra do t'i japin.
Bëj gjumin e ëmbël, kafazin e qerpikëve, jo s'ta hap, je ende i burgosur.

Natën e mirë stuhi, sot e ke pushim. :)

 

 

Rastësi... fat... intuitë... apo thjeshtë në momentin e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur...!

E dashur ''Unë'' dhe i dashur ''Ti'' ...!!!
Hmmm...do vendosur kjo punë?!
Çfarë emri t'i vëmë? Do ta quajmë diçka, apo jo?

Si thua për...
Rastësi? - Jo, nuk besoj.
Fat? - Jo, ne nuk besojmë në fat.
Intuitë? - Jo, ti nuk beson tek intuita ime.

Apo thjeshtë:

Ishte... është... të jesh... në momentin e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur...!

Jeta është treguar gjithmonë e dashur dhe bujare më mua, në momente të ndryshme ka vendosur në rrugën time njerëz më zemër të madhe dhe më një dashuri të madhe për optimizmin dhe pozitiven.
Njerëz që më kanë frymëzuar çdo moment dhe më kanë falur përditë nga një grimcëz buzëqeshje. 
Njerëz që më kanë mbushur më mendime kaq pozitive...
Njerëz të gatshëm të më bëjnë surpriza atëherë kur unë nuk i pres, ose kur harroj që ka dicka për të kujtuar... po, po harroj dhe fytyra ime e turpëruar apo e gëzuar, nuk arrij ta përcaktoj më , se cilën pamje merr.
Njerëz që i kam përherë në krahë dhe në zemër, në çdo moment, me mendimet e tyre, me fjalët dhe sidomos me veprat, me detajet e tyre të përsosura...
Njerëz që jam e lumtur që i kam njohur,se më kanë mbushur dhe mbushin çdo ditë të jetës sime më buzëqeshje,ëmbëlsi dhe mirësi ..

E dashur ''Unë''...e more vendimin tënd...si e quajte : '
'Miqësi shpirtërore, të fortë, të çeliktë... përgjithmonë...!''
I dashur ''Ti''... e more vendimin tënd....
Shttttttttttttt mos fol më ...u vendos ...''Unë kam të drejtë...!''

  

 

Ti.

E ke menduar ndonjëherë si do të jetë dita, kur ne të dy nuk do flasim më?
-Nuk ka për të ardhur.

E ke menduar ndonjëherë si do të jetë dita, kur në të dy të mos të shihemi më në sy?
– Nuk ka për të ndodhur.

E ke menduar si do jetë dita, kur miqësia jonë të kapërdihet nga velloja e mërzisë dhe urrejtes?
– Asnjëherë.

E ke menduar si do jetë ajo ndjenja e keqe e hidhur që do tresi ëmbëlsinë e bisedave tona?
– Nuk e mendoj.

E ke menduar ndonjëherë si mund të mësosh të mos falësh?
– Unë fal.

E ke menduar ndonjëherë si është të më mbash inat përherë?
– Ty jo.

E ke menduar si do të jetë ajo ndjenja, kur të mbledhim buzët në kujtimin e njeri-tjetrit?
– Jo ne.

E ke menduar, si do të jetë të më marrësh inat dhe të ndërrosh muhabet kur flitet për mua?
– Jo unë.

E ke menduar si do të jetë mungësa e fjalëve, heshtja, largësia jonë?
– Nuk ka arsye.

E ke menduar si do jetë dita kur bisedave të qeta, ti lëri vendin heshtja e largësisë?
– S'do vijë.

E ke menduar si do jetë dita kur të pres një urim tëndin dhe ti ta harrosh?
– Unë nuk harroj.

E ke menduar si do jetë casti kur të shihemi në sy dhe të largosh sytë sikur nuk më njeh?
– Unë jo.

E ke menduar si do jetë të qëndrosh para meje dhe të jemi dy të huaj?!

Dhe keshtu, gjersa nje dite, te na thote jeta ne: Harro!
Do te mbesim anonim, do te jemi ne peremra,
Une "Ai" dhe ti "Ajo". (T. Keko)

P.S. Nuk do te vije,asnjehere,nuk do e lejojme!

 

 

Kujtime...

 

Askush nuk ikën përgjithmonë...
Ka përherë copëza që ngelen pas...
një tingull...
një këngë...
një melodi...
një emër këngëtari...
një poster që e mbante në dhomë...
një zile celulari....
një bluzë e preferuar...
një varg i fiksuar që përsëritej pa mbarim...
një batutë e thënë shumë shpesh...
një film i preferuar...
një aktor i preferuar...
një çmenduri e bërë...
një buzëqeshje e dhuruar...
një e qeshur karakteristike...
një vështrim tipik...
një mimikë e veçantë...
një mori kujtimesh...
të prerash...
të gërvishurash në lëkurë..
që nuk harrohen...
dhe sa herë rimbledh këto copëza je TI...
aty ku ke qenë përherë...
nga ku s'do ikësh asnjëherë...
...në zemrën time...

 

 

Heshtje...

Një vështrim përreth 
Vetëm...
Rrugët e braktisura, mendimet që fluturojnë...
Dritat e rrugëve, në sy të kujtojnë që duhet te ecësh ende.
E shoh që larg qëllimin tim ku dua të arrij...

Nxitoj hapat...
Frymëmarrja shpejtohet...
Më tremb kjo qetësi vdekje...
Më tremb kjo rrugicë e braktisur natën..
Më tmerrojnë hyrjet e shtëpive që pushtojnë trotuaret....
dhe takat shpejtojnë në rrugë...
zemra shpërthen në kraharor...
Hapat që më ndjekin... një frymëmarrje e huaj...
një ecje e huaj... në natën e errët... në rrugicën e ngushtë...
Mendimet kanë heshtur... kanë shtrënguar
fort heshtjen...
dhe unë vrapoj të thyej qetësinë. 
Me hapa të shpeshtuara të arrij qëllimin tim...
drita e ndriçon... e shoh... dhe....

Ah erdha... më në fund..! :)

 

 

Buzëqeshje, mike e dashur!


Ku je?
Më mungon!!!

Rrezja e dritës në grinë që botën ka pushtuar.
Rrezja e shpresës që ende në zemrat tona qëndron e ndezur. 
Rrezja e pranverës që dimrit i bën ballë.

Ti je aty, edhe kur ne nuk të shohim. 
Ti je aty, ne të ndjejmë, ndjejmë fuqinë tënde.
E ndjejmë dritën tënde, edhe përtej, larg në errësirë.

Ah moj mike, nuk është se të kam humbur, thjeshtë si një kamaleon i bindur, jam bërë pjesë e natyrës edhe unë. 
Gri ajo, gri edhe unë.

Vjeshta e artë po dorëzohet, në krahët e dimrit të egër.
Pa fuqi ka rënë në gjumin letargjik, me ëndrrat përqafuar.

Natyra e mbylli siparin e gëzueshëm, heshtja e thellë gri na pushtoi.

Po ti buzëqeshje, ku ke përfunduar?
Po pushon edhe ti? Sigurisht të kam lodhur apo jo?
U bë një vit, që për ty shkruaj e flas, me siguri s'më duron dot më.
Por ti mos u mërzit, fjalë të mira kam thënë. 
Madje, madje besomë, ka më shumë njerëz që të duan tani.

E dashur buzëqeshje!
Kemi ende shumë fjalë për të thënë e shumë rreshta për të shkruar.
Kemi ende shumë miq për të bindur t'i buzëqeshin jetës.
Nuk të lejohet të marrësh pushime.

Kthehu! :)

 

Heshtjen dua të thyej. 


Në mijëra copëza ta shpërbëj. 
Të tund dorën në ajër dhe diku tutje ta hedh. 
Larg meje, larg fjalëve.
Rëndon heshtja, rëndon shumë.
Të lodh heshtja, të lodh shumë.
Të lodh kur për fjalën shumë mall ke. 
E unë dua heshtjen të thyej. 

Si thyhet heshtja?
Me fjalë kriset ajo.
Fjalët e sulmojnë.
Fjalët e godasin-
Fjalët jetën ia marrin. 
Pa frymë e lënë. 
Në ajër e grimcojnë … ajo përhumbet hapsirave qiellore... dhe heshtje më nuk ka.

Heshtjen dua të thyej.

Më lejo! :)

 

 

Ty më të shtrenjtit mall.

Të gjesh fjalët të shkruash për ty, ah është e vështirë.
Të përpiqem të të përshkruaj, pse a përshkruhesh ti?
A ka fjalë që tregojnë atë që ndjen shpirti përmalluar?

Ti ndjehesh, ndonjëherë aq fort, aq dhimbshëm sa nëpër ëndrra, fillon e i jep jetë mungesave të jetës.
Në ëndrra ti krijon realitete e më tepër të ndjejmë, më shumë të përjetojme...e shumë më shumë e vuajmë praninë tënde.

Pse duhet të jesh ti që na përqafon dhe jo të dashurit tanë?
Pse duhet të ndjejmë ty gur mbi zemër, lot në sy e dridhje në shpirt.

Çfarë mund të thuash për ty, përveçse je dridhje shpirti, të bën të pafuqishëm kur të pushton … dhe sa më e largët të jetë distanca aq më shumë të mbështjellë ti.

Ti je ai guri që i vë zemrës, që largësinë të mos e vuash shumë... por shkrihesh sa sheh lotët në sytë e njerëzve që do.

Shkrihesh në një përqafim, tretesh mes puthjeve dhe bëhesh buqetë lumturie e ritakimeve.

… në pritje të përqafimeve, të ritakimeve, pushtomë mall... le të të ndjejë, fundja të ëmbëlsojnë edhe kujtimet... ndonjëherë.

.. e ndërkohë, mes kujtimesh me buzëqeshje mallin fort do e përqafoj, të ndjejë dhe ai si shkrihet zemra e përmalluar ... :)



(Votes: 4 . Average: 4/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •