Tue bisedue me prof. Joklin
| Wednesday, 01.10.2007, 08:13 PM |  

Nga Ernest Koliqi

Dy shokë të mij, studenta shqiptarë t’Univeristetit të Vjenës, më përsollën ke shtëpija e profesorit në Neustiftgasse. Si troklluem, ai doli vetë na çeli derën. Hera e parë qi shifshem. Burrë shkurtalak, i bâshem në trup, fytyr-kuq, nuk i difton aspak gjashtëdhetë vjett (viti i takimit 1937) qi i mbushi me 25 të frorit të shkuem. Ka nji ballë të gjânë e të hapun, dy sy´ të gjallë qi shndrrisin me nji dritë rinije e cila derdhet nëpër të tânë fytyrën kuqloshe kur qeshet.
Na priti me njerzí të përzêmërt. Sa ndëgjoi êmnin t’im, mirsisht më tha tue folun shqip:

- Ju nuk jeni i panjoftun në kët banesë.

E më çoi fíll ke nji raft librash në nji lëpizë më tregoi të rrjeshtueme të gjitha botimet e vorfna të mija. Ishte ajo dhomë an’e mbanë, fund e maje përplot me libra. Me zâ krenar e me nji shêj dore tânë madhní, dijetari më paraqiti libërtoren e vet. Shifej qartas se e ndiente veten të lum për at pasuní grumbullue me kujdes të naltë, libra të mëdhej glotologjije, aradhe të randa fjalorësh, kolekcjone botimesh të gjithënduershme, indogermanishtjet. Profesori më thonte êmnat e auktorve mâ të njoftun, titujt e veprave mâ të përmenduna.
Afër tryezës së punës, të thuesh në vëndin e nderit, në nji raft të posaçëm te kryet e dhomës, midis dy dritoresh, pásh të radhuem librat shqip.
Biblioteka librash shqip e Profesor Joklit besoj të jét mâ e plotsuemja qi mund të gjindet. I rrijnë për krah ndoshta ato të Franciskajvet në Shkodër, të Midhat Frashërit në Tiranë dhe të Lef Nosit n’Elbasan. Këtyne dyjave të fundit u a kam ndëgjue vetëm zânin, pse nuk pata fatin t’i shof.
Botime të vjetra e të reja: Toskësh e gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohshmesh shtî për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sy´t e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zêra ndrydhej. Paksa qênë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe, atê për të cilën ka nevojë çdo shkollë e mesme e Shqipnís, çdo bashkí shqiptare e radhës së parë, çdo stdjues i gjuhës s’onë!

Nejse...
Profesori nxierte nga rrjeshtat ndonji prej librave, e shfletonte edhe epte gjikime të çmueshme mbi letrësin shqipe. Me çuditte njoftja e përpikshme qi ai tregonte mbi veprimtarín letrare dhe cilsít e çdo auktori, sa do i vogël qi ky t’ishte.
Foli me andje të madhe për Rubayat e përkthyeme nga Fan Noli. Përkthim i shkëlqyeshëm, tha. Lavdëroi shum veprën e rinís së Faik Konitzës, “Nën hijen e Hurmave”. Shfaqi mendimin se në tregim t’atyne prrallave lindore gjuha shqipe arrîn në nji zhdërvjelltí të mrekullueshme.
Kapi e lëshoi, tue më bâ t’admiroj bukurín e lidhjes, veprat e Fishtës dhe të Mjedës. Më kallzoi botimet qi kanë për subjekt bektashizmën. Letrësija bektashjane m’u duk se e interesonte shum. Pat mirësín të nxirrte edhe vëllimin e parë t’antologjis s’ime të Poetënvet t’Italis. Lexoi rrjedhtas tetëshen e Shtëpis së Gjumit t’Ariostos-s:

... Nji lugje e kandshme shkrîhet n’Arabi,
larg nga qytetet e katundet t’tâna,
qi n’hijen e dy´ malevet unji
âsht mblue me aha t’lashtë e brej vigâna,
e kot përpiqet drita mbrend’ me i hî
pse s’á si depërton as dielli as hâna,
kaq udha u âsht prej degve t’ shoeshta pré:
a aty nji shpellë e gjâne hapet nën dhé...

Më lëvdoi sidomos përkthimet e Aristo e Tasso. I diftova qi edhe Fishta pëlqente mâ tepër copat qi përktheva nga këta dy poetën mbi të gjitha të tjerat të vëllimit të parë.
E, mbassi biseda nisi me u endun gjatë mbi përkthimet shqipe nga gjuhët e hueja, albanologu më tregoi, të hapun mbi tryezën e punës, Hermandin e Dorothé sjellë në gjuhë t’onë nga Shantoja. Përbri përkthimet, origjinali gjemanisht i Goethes.
Jokli më foli me enthuzjazëm të vertetë për kët punim të rí të poetit shkodran.

- Po sa mirë e ka qitë shqip. Varg për varg jam tue e krahasue me origjinalin. Shum, shum bukur!

I kallxova se si ata njimbëdhetërroksha të lakuem me mjeshtri të rrallë, qi shprehin jo vetëm sfumaturat mâ t’imta të përmbajtjes por edhe të gjithë muzikalitetin e trajtës së poemit goethjan, tue bâ me shijue në shqipe deri harmonín imitative të disá vargjeve t’origjinalit, ishin fryt i nji punimi të gjatë e dashunuer. Trí herë përkthyesi e punoi fund e maje Hermandin para se t’a epte për botim.
Profesori foli shqip gjatë atij bisedimi plot mësime për mue. Në fillim i gjênte fjaltë dìsi me zori, kishte nji farë pasigurije në shqyptim por dalëkadalë erdhi tue i u zgjidhë gjuha deri sa arrîni të flasi krejt rrjedhshëm. Përdorte nji shqipe librash dhe e mbante dìsi fjalën gjatë në buzë si të donte me e shijue para se me e qitë. M’epej të mendoj, mësá flitte gjuhën t’onë ethimologu mâ i famshëm i saj, se ai i a dinte rrâjën mâ të mshefun e mâ të vjetër çdo fjale shqipe qi lëshonte nga buza. Këtyne fjalve, qi na i përdorim pa i vû roe ndër marrëdhânjet e përditëshme të jetës, ai u a dinte burimet e lashta, shndrrimet gjatë shekujve, rasat historike qi i shtremënuen, i zgjatuen, i skurtuen, imtimet e veshtrimit qi morën tue fluturue mbi qinda mija gojësh nëpër breznina të ndryshme deri sa zû vënd më to ngultas xixëllimi i domethânjes së tashme. Të çdo fjalë, qi i dilte prej goje n’at bisedim, ai mund të tregonte aventurat e çuditëshme nëpër të cilat u përshkue qyshse kumboi së pari mbi buzën shqptare.
E ndëgjojshem me bindim dhe shkojshëm me dashuní at dijetar të madh, i cili aq thellë mujti të hÿjë në mysteret mijavjeçare të shqipes. Çdo zbulim i tij, dishmues i lashtësís prallzore të gjuhës qi flasim, na i falë shpirtit hove krenare edhe na e shton adhurimin për këto fjalë qi mbi buzë t’ona të padijshme shprehin herë idhnimin herë gëzimin baras ashtu si vîjshin tue u a shprehun para mija vjetësh njerzve të zhdukun të cilëve u qarkullonte ndër dej shkulmi i po njiktij gjaku t’onë. Tue pohue me dije të naltë e me prova të qarta se gjuha shqipe përmban në vetvete tepricat e nji djalekti të përziem thrako-ilir profesor Jokli prrallat e bukura të poetënvet i ka shndrrue në të vërteta shkencore.
Mbas njâ katër ditësh, shkova buzë mbramjeje në mësimin e shqipes qi profesor Jokli ep krye jave n’Universitetin e Vjenës. Qemë tetë vetë ndëgjuesa, ndër të cilët vetëm tre shqiptarë. Shpjegonte ethymologjín e fjalës shqipe “katund”. E kishte nisë at shpjegim në mësimin mâ përpara: at mbramje foli dy´ orë gjithënji rreth asaj fjale dhe mbet mbarimi për herën e ardhëshme. Të gjitha mundësít e rrjeshjes s’asaj fjale aty u shoshitën me nji hollsí e me nji gjânsí erudicjoni me të lânë shtang prej çudije.
Kur mbaroi, i lypa lêjen mjeshtrit të ndritshëm me e shoqnue deri ke shtëpija. Shëtitmë nëpër Vjenë të mbështjellun në nji mjegull të lehtë dimnore, mbrenda së cilës vetojshin dritat udhëtuese të tramvajeve dhe aty lylyverta të reklamave. U endme mâ se dy´ orë tue bisedue mbi letrësín shqipe.
Tha se letrësija e jonë, në zhvillim të saj, kishtë analogjí të madhe me atê të Slavve t’Austris.

- Fishta zbuloi botën e Malsorve, përshkroi me zotsín e nji poeti të vertëtetë botën primitive të maleve plot ndiesí të forta qi shprehen në trajta heroike. Edhe të tjerë auktorë, pa i u avitun atij i dhanë letrësís shqipe aspektet e jetës malsore e katundare. Ti, i pari, ké paraqitë qytetin, ké tregue, me mënyrna veriste, aspektet shqonore qytetare.

E u dênjue të pëermendte nji nga nji novelat e mija. I kishin pëlqye mbi tjerat “Gjaku” e “ Se qofsh pleqnofsh” në “Hijen e Maleve” edhe “A t’a laçë” e “Djepi ari” në “Tregtar Flàmujsh”.
Unë e falënderova me të thekun zêmre për çmim të mirë qi ai u epte përpjekjeve të mija letrare shum të pûrvujta, të cilat, i thaçë, janë tentativa sepsè Shqipnija, vend me motive të panjehuna për rromanxa e novela, nuk e kishte ende tregimtarin e deshiruem, atê qi të paraqesi në pasqyrën e nji arti të thjeshtë e të thellë, jetën arkaike, anakronistike ku fillojnë m’u dridhun deshiret edhe nevojat e modernitetit mâ të stërholluem, tue krijue situata shoqnore, familjare, individuale, të rralla e të çmeritëshme qi përmbajnë në vetvete kontraste dramatike me nji interesë të naltë njerzore.
Ai këtyne fjalve të mija, qi i projektojshin mbi zbardhullimet e mjegullës së Vjenës rrahjet e thëlla të jetës shqiptare, i u përgjegj tue thânë, më nji zâ t’ulun si të flitke vetimeveti, se deshironte t’a njifte Shqipnín, t’a shifte per s’afërmi.
Me zêmër i a urova albanologut të madh plotësimin e atij deshiri.
Kush mâ tepër se profesor Jokli ka të drejtë të vîjë në vend ku kumbon shqipja, gjuhë së cilës ai i a njef rrâjët qyshë prej kohës qi të parat nâna shqiptare përkundshin në djep me tê zogjt e parë të Shqipes?



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •