Po derdhet curril mushti i errët n’dhomën time
Dhe magjia akuariumin po e shtie në rrethojë.
Unë për tê, apo ajo për mue po e luen kët’ lojë
Për ta përcjellë njani-tjetrin n’disa udhëtime?
Kullohen rrezet e hanës nëpër brijt’ e blinit
E yjt përpushen sikur t’i kisha prekë me dorë;
Kam frigë se drita po merr fund veç me këtë orë
E n’vend t’agut do t’më zgjojë shtresa e hinit.
Si mos me ju thirrë në ndihmë, o miq, o shokë,
Kur mundemi me lindë e me vdekë në çdo minutë
E s’do t’dijmë se na po e brejmë, apo ne kjo tokë?!
Po na përgatit humnerën si gjarpni tue u ngutë.
Me kët’ mik të paftuem për eshtna jam rrokë.
Ndoshta duert e mija kanë me e veshë në futë.